Infarkt-struktura

4 Dhjetor 2016 - 08:00 - Visar Loci      

Sot në Qeverinë e Kosovës janë mbi 40 zëvendësministra. Secila ministri ka të paktën dy të tillë. Dhe, nëse secilës ministri do i hiqej nga një zëvendësministër, atëherë brenda një mandati katërvjeçar do të kurseheshin 5.6 milionë euro. Stadiumi i Prishtinës që ka nisur së fundi të rinovohet është planifikuar të përfundojë me 3.8 milionë euro. Pra, teprojnë gati dy milionë euro për punë shtesë që mund të dalin rrugës, e edhe për zhdukje të ndonjë grushti parash, siç ndodh me projekte të mëdha në Kosovë. Pra, çdo katër vjet mund të kishim nga një stadium me standarde minimale ndërkombëtare, e në anën tjetër nuk besoj se ndonjë ministri do të ngelej keq pa një zëvendësministër

Nëse ata që vjedhin quhen hajna, ndërsa ata që premtojnë e nuk i realizojnë ato mashtrues, atëherë si quhen ata që hanë nga një stadium çdo katër vjet? Përgjigja e saktë është: politikanë kosovarë.

Debati për infrastrukturën sportive në vend, thënë më së buti, është i neveritshëm. Në këtë derexhe e kanë sjellë ata që kanë menaxhuar buxhetin e Kosovës për 17 vjetët e pasluftës. E nëse debati është i tillë, ku askush më nuk beson për asgjë, atëherë çfarë mund të thuhet për vetë infrastrukturën? Është për infarkt.

Ja një shembull i vogël për të ilustruar "ngrënien" e një stadiumi nga politikanët kosovarë brenda një mandati qeverisës.

Sot në Qeverinë e Kosovës janë mbi 40 zëvendësministra. Secila ministri ka të paktën dy të tillë. Dhe, nëse secilës ministri do i hiqej nga një zëvendësministër, atëherë brenda një mandati katërvjeçar do të kurseheshin 5.6 milionë euro. Sipas statistikave zyrtare, një zëvendësministër i kushton buxhetit 70 mijë euro në vit. Kur kjo shumëzohet me 20 të tillë që janë të tepërt, e më pas për katër vite, i bie 5.6 milionë euro. Stadiumi i Prishtinës që ka nisur së fundi të rinovohet është planifikuar të përfundojë me 3.8 milionë euro. Pra, teprojnë gati dy milionë euro për punë shtesë që mund të dalin rrugës, e edhe për zhdukje të ndonjë grushti parash, siç ndodh me projekte të mëdha në Kosovë.

Pra çdo katër vite mund të kishim nga një stadium me standarde minimale ndërkombëtare, e në anën tjetër nuk besoj se ndonjë ministri do të ngelej keq pa një zëvendësministër.

Por kjo është e paimagjinueshme për skenën politike në Kosovë, që vazhdimisht ka rritur numrin e dikastereve për të plotësuar grykësitë e njerëzve partiakë.

Është e dhimbshme që tash e 17 vjet, Kosova nuk ka arritur të ndërtojë një stadium për ndeshje ndërkombëtare. Po kaq vite ka që vendi e ka ditur se do të vijë kjo ditë kur klubet dhe përfaqësuesja do të kenë të drejtën të përfaqësohen të barabarta me shtetet e tjera. Ky është kulmi, pasi në vend nuk ka as palestër për ndeshje ndërkombëtare e të mos flitet për sportet e tjera.

Pishina olimpike është premtim po aq i vjetër.

Rreth 15 mijë kosovarë ia mësyn Shkodrës më 6 tetor për të parë ndeshjen eliminatore me Kroacinë, që ishte e para për Kosovën si vendase, por fatkeqësisht jashtë kufijve të saj. Shumë prej tyre kanë votuar ata që tash e shumë vite kishin premtuar "një stadium modern për Prizrenin", "një me standarde ndërkombëtare për Prishtinën" dhe "një olimpik për Mitrovicën", por të njëjtin u dyndën, harxhuan dhe u bën qull në Shkodër. S'ka se si të mos u ketë shkuar mendja për ato premtime.

Me politikanë kampionë në premtime, shumë stadiume janë në letër. Edhe palestra e pishina. Por e vërteta është se pushteti ka dështuar t'u krijojë mundësi sportistëve të zhvillohen e përfaqësohen denjësisht.

Sot në Kosovë ekziston një linjë në kuadër të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit për investime kapitale. Sivjet është 5.2 milionë euro, vjet ishte pak më e madhe. Por e vërteta është se me këtë fond nuk është bërë asnjë investim kapital. Mjetet janë shpenzuar për renovime të zhveshtoreve nëpër stadiume të qyteteve të ndryshme, për ngritjen e ndonjë tribune dhe ngjashëm. Pra, politika ka vepruar njëjtë si në rastin e emërimit të zëvendësministrave: ka kënaqur të gjithë nga pak. Këto investime s'kanë të bëjnë me ato që njihen kapitale, janë cikërrima. Pushtetarët edhe mund të thonë se po bëjnë punë të madhe me infrastrukturën, por nëse palestrat e ngritura nëpër qyteza pa klube, e së fundi edhe nëpër fshatra i vlerësojnë të tilla, atëherë vetëm sa e vërtetojnë se kanë punuar dhe punojnë pa analizë të investimeve dhe pa strategji.

Sot Kosova ka nevojë për një stadium ku mund të luante Kosova dhe klubet në gara evropiane, e jo për ndërrimin e çezmave nëpër stadiume të stërvjetëruara. Sot Kosova ka nevojë për një palestër të madhe, e jo për ndërrim parketesh. Në të vërtetë, Kosova e ka një palestër të madhe, atë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, por ajo për ironi shërben si vendparkim. Pra, Kosova ka nevojë për investime, e jo për ofrim të shpërblimeve prej 100 mijë eurove për kokë futbollisti, nëse arrijnë të kualifikohen në Botërorin 2018, siç ka ofruar pushteti aktual. Kjo më shumë është tallje me lojtarët që shpesh kanë prishur marrëdhëniet e tyre me klubet për të luajtur me Kosovën.

Të mendohet se investimet më të mëdha ishin palestrat e vogla nëpër qytete, ku në mungesë të klubeve, luajnë kryetarët e komunave me bashkëpunëtorë, është për të ardhur keq. Shembulli më i mirë i këtij dështimi me palestrat është ajo në Podujevë, e ndërtuar mbrapsht. Për këtë, tash MKRS-ja ka vendosur të ndërtojë një të re. Asnjë prej palestrave nuk i plotëson standardet për ndeshje ndërkombëtare të të gjitha sporteve që luhen në ambient të mbyllur. Disa i kanë tribunat pas koshave e disa janë më të shkurtra pas golit se që kërkohet.

Kosova ka ndërtuar një përfaqësuese të futbollit, kryesisht duke marrë lojtarë të rritur në Evropë. E kjo politikë është munduar të ndiqet edhe për infrastrukturën sportive. Para pak vjetësh u ndanë 200 mijë euro për të sjellë "bërllokun" e një stadiumi të Suedisë, që u rrafshua për t'u ndërtuar një i ri. Ato vjetërsira mbërritën në Kosovë, por më pas shumica u zhdukën duke qëndruar në depo. Disa ulëse iu ofruan klubeve, por as ato nuk i pranuan. Klubet vuajnë për pajisje të reja, se të vjetra kanë për të eksportuar.

E për eksport, Kosova ka edhe zëvendësministra, ndër të tjera.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...