Yjet jo gjithmonë do të jenë krah nesh

3 Dhjetor 2016 - 08:39 - Adriatik Kelmendi      

Në kontekstin e Kosovës së vogël, me shumë shtete që s’duan ta shohin të pavarur e të zhvilluar, pasuria më e madhe janë aleancat strategjike me sa më shumë shtete, e sidomos me shtete të mëdha e të rëndësishme. A e kanë luksin shqiptarët, për shkak të kapriçove të aventurierëve ose pushtetarëve të papërgjegjshëm, t’i rrezikojnë aleancat me shtetet që na dolën në ndihmë në kohët më të vështira?

SULMUESIT E KONSULLATËS turke në Prizren kanë deklaruar se nuk e kishin ditur se për çfarë objekti bëhej fjalë. Pra s’e kanë menduar se po e sulmojnë një shtëpi që kishte vendosur flamurin turk më 28 nëntor, ditën kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ky fakt, ndonëse nuk e arsyeton veprimin e marrë të pesë të rinjve të papërgjegjshëm, së paku e zbut pak.
Sulmi ndaj çfarëdo ambasade ose konsullate në Kosovë është qyqarllëku dhe shkurtpamësia më e madhe.

Shqiptari njihet për traditën e shumëlakmueshme të respektimit të mikut në shtëpi të vet.
Aq më tepër kur çdo hapje e ambasadës dhe e konsullatës në Kosovë është fuqizim i shtetësisë së Kosovës.
Patriotizmi i shëndoshë kurrë nuk nënkupton sulm ndaj tjetrit. Përkundrazi!
Në anën tjetër, përtej interesave grupore, ose qeverive në pushtet në të dyja vendet, populli shqiptar dhe populli turk respektohen thellë ndërmjet vete, njësoj siç Kosova ka Turqinë një ndër aleatët më të rëndësishëm strategjikë në botë.

THJESHT, VËSHTIRË të gjesh edhe një shtet tjetër, kudo të shkosh dhe t’i thuash se je shqiptar dhe të të shohin me të njëjtin admirim siç të shohin qytetarët në Turqi.
Dhe, thjesht, rrallë të ketë pasur ndonjë shtet me shumicë myslimane, të ketë bërë më shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sesa Turqia, duke nisur nga kontributi në bombardimin e ish-Jugosllavisë nga NATO-ja e deri te njohja e lobimi për pranimin e pavarësisë së Kosovës.
E qartë, trojet shqiptare kanë qenë nën Perandorinë Osmane për rreth 500 vjet, por a duhet që ky fakt t’i pengojë tash shtetet, pas 100 vjetësh, që të jenë aleate?

Natyrisht se çdo krahasim çalon, por a s’do shikuar nganjëherë se cilat janë aleancat më të suksesshme të shteteve të zhvilluara që kanë luftuar shpesh kundër njëra-tjetrës?
Amerikanët kanë luftuar disa herë me britanikët, njësoj siç kanë bërë gjermanët me francezët. Miliona të vrarë kanë mbetur nga këto luftëra të njëpasnjëshme, mirëpo që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, aleancat ndërmjet këtyre shteteve “armiqësore” janë jetike për fuqinë që ato kanë si në raport të brendshëm, ashtu edhe në politikën globale.

Në kontekstin e Kosovës së vogël, me shumë shtete që s’duan ta shohin të pavarur e të zhvilluar, pasuria më e madhe janë aleancat strategjike me sa më shumë shtete, e sidomos me shtete të mëdha e të rëndësishme.
A e kanë luksin shqiptarët, për shkak të kapriçove të aventurierëve ose pushtetarëve të papërgjegjshëm, t’i rrezikojnë aleancat me shtetet që na dolën në ndihmë në kohët më të vështira?
T’ia kthesh me të keq mikut të shqiptarëve është të mos ua duash të mirën vetë shqiptarëve.

HUQJA E KONTEKSTIT. Shqiptarët jo rrallë e kanë huqur kontekstin historik e gjeografik në të cilin kanë jetuar dhe e kanë pësuar. Por, ka pasur edhe raste kur të gjitha yjet janë renditur krah nesh.
Kjo kohë së fundi ka qenë në përfundim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Mbështetja perëndimore e kërkesës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe ndërhyrja e Paktit NATO u bë e mundur, meqë figura të caktuara politike ishin në krye të shteteve demokratike, si dhe balanca e fuqisë politike, ekonomike e ushtarake e shteteve ishte e tillë çfarë ishte.

Sot gjithçka është shumë më ndryshe dhe shumë më pak në favor të shqiptarëve se ç’ishte në fund të viteve ’90.
Federata Ruse dhe Kina sot janë larg më të fuqishme në secilin aspekt se ç’kanë qenë 15 ose 20 vjet më parë.
Lindja e Mesme është ndryshe, po ashtu.

Bashkimi Evropian po ndryshon me daljen e Britanisë së Madhe.
Forcat politike populiste, që avokojnë për angazhim më të madh brenda shteteve të tyre dhe zvogëlim të angazhimit të jashtëm, janë duke gëzuar besim gjithnjë e më të madh në elektorat.
Në SHBA u zgjodh president një person që kërkon ta rishqyrtojë thellësisht politikën e jashtme amerikane.
Franca, gjithashtu, është nën presion të njëjtë, e shumë më larg nuk qëndron as Gjermania.

Turqia është duke vluar.
Shtetet fqinje të Kosovës janë në presion të pashembullt nga tendencat për ndikim të agjendës ruse.
Në Bullgari e Moldavi partitë proruse kanë fituar numrin më të madh në zgjedhje.
Bota po ndryshon. Rrënjësisht.
Nën një pasqyrë të këtillë gjeopolitike vështirë se dikush do të ketë shumë kohë për t’u marrë me Kosovën. Aq më tepër nëse qytetarët e Kosovës fillojnë t’ua kthejnë me të keq.
Të mos harrojmë, Kosova ka dhënë numrin më të madh për kokë banori në këtë pjesë të botës për të luftuar në të ashtuquajturin Shteti Islamik, një kërcënim për SHBA-në dhe shtetet e tjera perëndimore. Ka disa shqiptarë që janë përfshirë në planifikimin e sulmeve në emër të fesë në disa shtete perëndimore.

Kosova po ashtu ka eksportuar numrin më të madh të azilkërkuesve të rremë në këto shtete viteve të fundit.
Fqinjit më strategjik (nëse natyrshëm s’e llogarisim Shqipërinë), Malit të Zi, ia përmendim luftën.
E tash kemi filluar edhe t’i sulmojmë përfaqësitë diplomatike?!

KOSOVA NË RADHË të parë duhet ta mbrojë interesin e qytetarëve të vet, e pastaj të kujdeset për të tjerët. S’ka asnjë dilemë këtu. Por shqiptarët asnjëherë s’do të duhej që duke pandehur se po e mbrojnë interesin e Kosovës, në fakt ta dëmtojnë ata.

Ne shpesh po e bëjmë pikërisht këtë. Për këtë arsye edhe aksidenti i fundit me konsullatën turke në Prizren duhet të marrë dënimin e merituar sipas ligjit, politikës dhe shoqërisë.
Të shënohet si një veprim i turpshëm që do të na shërbejë si leksion që s'duhet përsëritur asnjëherë!
Se yjet jo gjithmonë janë të renditura krah nesh.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...