Heshtja e cinikëve

1 Dhjetor 2016 - 08:39 - Enver Robelli      

Drejtësia belge i dënoi vrasësit e Enver Hadrit, ndërsa drejtësia gjermane ende po punon në zbulimin e vrasësve të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës. Pushteti në Kosovë, por edhe partitë politike po heshtin në vend se të angazhohen për ndriçimin e këtyre vrasjeve.

Javën që shkoi një gjykatë në Bruksel dënoi me burgim të përjetshëm tre shtetas serbë, pasi i shpalli fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit, një aktivist shqiptar për të drejtat e njeriut, i cili vepronte në Bruksel dhe ishte mbase shqiptari i parë që krijoi lidhje të rëndësishme me deputetë të Parlamentit Evropian dhe kësisoj nisi ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në vitet ’80 të shekullit të kaluar.

Politikanët e Kosovës bëjnë zhurmë në mediat sociale për çdo aktivitet, qoftë ky edhe banal. Së fundi presidenti i Kosovës i tregoi opinionit se ia ka uruar kryeministrit martesën e djalit, një tjetër politikan njoftoi se ka hapur punimet për ndërtimin e një xhamie, politikanë të tjerë pozojnë para një kishe në Drenicë, kryeministri lavdëron policinë e Kosovës bash në ditët kur kryeprokurorit i vidhet telefoni në shtëpi gjatë natës. Fatkeqësisht, asnjë nga këta politikanë nuk tha asnjë fjalë për dënimin e vrasësve të Enver Hadrit.

Është e pamundshme të kuptohet apo të shpjegohet arsyeja e heshtjes institucionale në Kosovë ndaj vendimit të drejtësisë belge. Me aktivitetin e tij politik në Bruksel e Strassburg, Enver Hadri kishte ngjallur xhelozinë dhe inatin e disa «patriotëve me profesion», të cilët çlirimin e Kosovës e shihnin si projekt të «internacionales komuniste». Në krahasim me shumë «veprimtarë të çështjes kombëtare», të cilët kurrë nuk arritën të integroheshin në shoqëritë perëndimore dhe nuk mësuan as ndonjë gjuhë të huaj, Hadri ishte i një formati tjetër – si intelektual, si atdhetar, si krijues kontaktesh me qarqet vendimmarrëse perëndimore. Dallimi mes Hadrit dhe hatërmëdhenjve ishte ky: për aktivitetin e Hadrit në vjeshtë të vitit 1989 shkruante gazeta amerikane «Wall Street Journal», ndërkohë që kundërshtarët e tij nga diaspora e atëhershme shqiptare merreshin kryesisht me intriga dhe me lexim të ndonjë komenti të «Zërit të Popullit».

Në artikullin e «Wall Street Journal» Hadri e përshkruante veten si «luftëtar modern të lirisë», i cili është i fokusuar në ngjalljen e lidhjeve mes Shqipërisë së izoluar dhe Perëndimit. Hadri mendonte se zhvillimi i tregtisë mes Shqipërisë dhe vendeve perëndimore do të ndihmonte në thyerjen e izolimit të Shqipërisë nga ana e shteteve dhe idealeve demokratike. «Ai po ashtu shpreson të aranzhojë së shpejti një audiencë te Papa për të diskutuar çështjen e lirisë së shqiptarëve. <Unë jam mysliman>, thotë ai, <por e dini se Nëna Terezë është shqiptare>», shkruante gazeta amerikane duke cituar Enver Hadrin.

Me dënimin e vrasësve të Enver Hadrit për herë të parë një gjykatë e një shteti të Bashkimit Evropian e bën përgjegjës shtetin jugosllav për vrasjen e një aktivisti politik shqiptar. Vrasësit – dy krerë të nëntokës dhe një zyrtar i lartë i Shërbimit Sekret të Beogradit – nuk kanë qenë të pranishëm në gjykim, sepse Serbia ka refuzuar ekstradimin e tyre. Qeveria e Kosovës jo vetëm që ka heshtur në lidhje me vendimin e gjykatës belge, por as formalisht nuk ka kërkuar nga Serbia ekstradimin e vrasësve. Sa është e pashpjegueshme kjo heshtje po aq është edhe cinike. Enver Hadri u vra për shkak të aktivitetit të tij patriotik.

Ndërsa hesht shteti për të cilin Enver Hadri dha jetën, prokurorja belge në fjalën përfundimtare theksoi se ky gjykim i bëri një nderim Enver Hadrit, por edhe përpjekjeve të drejtësisë për ta nxjerrë të vërtetën në shesh; se ky krim është shqyrtuar në imtësi dhe në të gjitha aspektet e mundshme; se ky proces gjyqësor po mbahet në Bruksel, në kryeqytetin e Evropës, të Evropës së vlerave, të cilat i mbronte edhe Enver Hadri; se vrasja e Enver Hadrit ishte një krim i rëndë, i kryer me gjakftohtësi e paramendim, me armë e municion të përzgjedhur paraprakisht; se vrasja e Enver Hadrit ishte një gjurmë gjaku më shumë në pemën gjenealogjike të familjes Hadri (babai i Enver Hadrit është pushkatuar nga serbët në vitin 1944); se indiferenca vret dhe se mosndëshkimi gjyqësor i krimit e vret viktimën për të dytën herë.
Indiferenca e institucioneve kosovare është duke e vrarë për të dytën herë Enver Hadrin. Në përgjithësi autoritetet e Kosovës nuk kanë treguar ndonjë angazhim për ndriçimin e vrasjeve të aktivistëve politikë shqiptarë në Perëndim. Vitin e kaluar në Kroaci u arrestua Andrija Drashkoviq, njëri nga tre personat e dënuar tani për vrasjen e Hadrit. Autoritetet kroate e liruan me kaucion Drashkoviqin dhe ai pastaj iku në Serbi.

Ndaj këtij skandali nuk ka reaguar deri më sot Qeveria e Kosovës. Ndërkohë, autoritet gjermane kanë hapur disa dosje të vrasjeve politike në Gjermani dhe tashmë kanë dënuar dy ish-funksionarë të lartë të Shërbimit Sekret jugosllav për vrasjen e disidentit kroat Stjepan Gjurekoviq, i cili ishte po ashtu një përkrahës i madh i lirisë së Kosovës. Edhe lënda e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës është ende e hapur.

Një shtet serioz do të shprehte gatishmëri të përhershme për bashkëpunim me autoritetet gjermane për të ndriçuar këto vrasje. Kosova nuk hyn në mesin e shteteve serioze. Drejtësia e Kosovës do të duhej të interesohej për bashkëpunëtorët e Shërbimit Sekret jugosllav në diasporë, të cilët në vitet ’70 dhe ’80 mbanin lidhje të ngushta me agjentë të UDB-së dhe u ndihmonin atyre në zbulimin e vendbanimeve të patriotëve shqiptarë.

Por ndoshta këto janë pritje të mëdha nga një pushtet, i cili përbëhet edhe nga persona që dyshohen për vrasje të rivalëve politikë shqiptarë apo për misione të ndryshme në shërbim të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Kjo strukturë ka ndërtuar një sistem të kalbur shtetëror, andaj shoqërisë kosovare nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se të shpresojë se në vendet e BE-së ka juristë si prokurorja belge, e cila në fund të procesit gjyqësor kundër vrasësve të Enver Hadrit mbajti një fjalim aq të fuqishëm dhe me mesazh të qartë edhe politik. Por shoqëritë që shpresat i varin vetëm te drejtësia ndërkombëtare dhe nuk angazhohen për ndërtimin e një shteti funksional, zakonisht shndërrohen në monedhë për kusur në tavolinën e politikës botërore.

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...