Zgjimi

29 Nëntor 2016 - 08:08 - Flaka Surroi      

Entuziazmi dhe puna e të rinjve që treguan guximin, iniciativën dhe idenë për ta ndërtuar një protestë të fuqishme qytetare, pa dyshim më mban me shpresën që kisha nisur ta humbja se ky vend do të bëhet më i mirë shumë shpejt. Sepse këta të rinj janë njerëzit e mirë; njerëzit që fatin e bëjnë vetë dhe nuk i dorëzohen atij; janë njerëzit që do t’i sjellin këtij vendi dritën e re që aq shumë i mungon

Në gjithë këtë zymtësi që po e përjetojmë këto ditë, ka një gjë që ma forcon shpresën se ky vend ka, megjithatë, perspektivë dhe shans të mirë që të dalë nga kriza në të cilën është ngujuar.

Nisma e një grupi, kryesisht, vajzash të reja, të zgjuara dhe të pakompromis me të keqen, për të animuar përfaqësues të shoqërisë civile që të ngrenë zërin e protestës kundër dështimit të drejtësisë kosovare, ka dalë të jetë njëra nga gjërat më të bukura që na ka ndodhur në shumë vjet të shkuar.

Me formulim të thukët, qartë e konciz të kërkesave dhe falë entuziazmit të paparë ç’prej kohësh, ia dolën që për pak kohë t’i organizonin dy protesta masive dhe dinjitoze. Për më tepër, pos që animuan përpilimin e një shkrese që iu nis Amnesty Internationalit, organizuan edhe mbledhjen e nënshkrimeve duke kërkuar, ndër të tjera, që Kuvendi të merret me çështjen e drejtësisë në përgjithësi, dhe rastin e Astrit Deharit në veçanti.

Reagimi i qytetarëve në dy ditët e para të mbledhjes së nënshkrimeve ka qenë i jashtëzakonshëm – mbi shtatë mijë veta kanë vënë nënshkrimin në përkrahje të peticionit. Nuk kanë munguar edhe të tillë që kanë shprehur pakënaqësinë për faktin se po mblidheshin këto nënshkrime, e përcjellë me provokime e të shara – por kjo nuk i ndali në realizimin e një të drejte elementare qytetare: shprehjes së lirë të mospajtimit me mënyrën se si menaxhohet drejtësia në Kosovë.

Astriti si simbol

Pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në protestën dhe marshimin e së enjtes mbase do të ketë qenë manifestimi më i madh i pikëllimit që do ta kenë shprehur qytetarët prej kohës së protestave për masakrat në Drenicë nga viti 1998. Derisa të gjithë qëndronin të qetë dhe në heshtje shprehnin protestën, shumë syresh e përcollën atë me sytë e përlotur. Dhe jo vetëm për shkak të faktit se nuk mbeti njeri pa u prekur kur e pa familjen e Astritit të rreshtuar anash; por për shkak se shumica qanin sa me lot e sa përbrenda, për Kosovën e rënë në këtë derexhe, kur çlirimin dhe pavarësinë të gjithë i kishim parafytyruar ndryshe.

Ishte shprehje e pikëllimit me fatin e zi që ia kemi lejuar vetes të na kaplojë, duke treguar apati absolute ndaj gllabërimit të gjithçkaje nga njerëzit që e kanë sjellë Kosovën buzë greminës.

Ecja në heshtje të thellë prej Teatrit deri te sheshi “Zahir Pajaziti” të njerëzve të të gjitha moshave ishte shenja më e prekshme se ka shumë njerëz që ruajnë dhe luftojnë për dinjitetin e tyre, e edhe të kësaj shoqërie. Ishte shenjë dalluese shumë evidente, që e bën diferencën me madhësi hendeku ndërmjet popullit dhe udhëheqësve politikë të këtij shteti.

Astriti, natyrisht se pa dashur, u bë simbol i një zgjimi të shoqërisë. Rrethanat shumë të turbullta të vdekjes së tij; vazhdimi i publikimit të raporteve tepër kontradiktore dhe joprofesionale; reagimi i vakët i institucioneve përgjegjëse e bën krejt këtë rast tepër të rëndë. Edhe po t’i eliminonim arsyet e arrestimit të tij, se ka qenë aktivist politik dhe se ka qenë anëtar i një subjekti politik – fakti se një burrë i ri 26 vjeç vdes derisa është i burgosur, flet për përgjegjësinë që e ka shteti ndaj qytetarit. Përgjegjësi për të cilën, që po bëhen tri javë, ky shtet nuk do që të japë llogari.

Blof

E se nuk e kanë ndërmend të japin përgjegjësi e dëshmon edhe letra të cilën ministrja e Drejtësisë ua kishte nisur autoriteteve britanike, duke e kërkuar përfshirjen e Scotland Yardit në hetimin e pavarur të këtij rasti. Me këtë letër ministrja ka arritur t’ia tregojë publikut dy gjëra: një, që të tregojë se autoriteteve të vendit nuk u besohet (pra, as mjekësisë ligjore e as forenzikës, e besa as Inspektoratit të MD-së), dhe dy, që ka treguar injorancë të hatashme. Injorancë për shkak se është vështirë të besohet se një institucion kaq me nam do të vinte për të bërë hetimin ex-post i vetmuar, pasi është shumë e paqartë se si janë administruar provat dhe nëse ato janë konservuar si duhet.

Opsioni i tretë është që letrën ta ketë dërguar për t’i qetësuar gjakrat dhe për të fituar në kohë. Sepse sa më shumë kohë kalon, aq më i vështirë do të jetë hetimi i ri i rastit, edhe nëse pranojnë institucionet e Kosovës që ekipeve hetuese t’u bashkohen ekspertë ndërkombëtarë të ftuar nga familja. Sa më gjatë që të pritet, aq më të mëdha gjasat që provat të humben, gjë të cilën edhe e konstaton raporti jo pak konfuz i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.

Se shefat e dikastereve të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme nuk e kanë as mendjen që të japin dorëheqjen bile për shkaqe morale, e dëshmon suspendimi i një drejtori burgu, dy-tre gardianëve dhe të infermieres së ngathtë në ecje (nëse duhet besuar incizimit nga burgu) për shkelje procedurale. E se nuk e kanë me gjithë mend që këta t’i çojnë tutje në përgjegjësi madje edhe penale (për neglizhencë, për shembull), e dëshmon greva njëditëshe e të burgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, që, sipas njoftimit zyrtar, “e kanë kërkuar kthimin e të suspenduarve”. Pas gjithë deklaratave kundërthënëse që kanë ardhur prej Prizrenit, e kam shumë vështirë të besoj se një grevë e tillë përnjëmend është mbajtur.

Koha po kalon me shumë shpejtësi për politikanët dhe vartësit e tyre. Për familjen, çdo ditë e kaluar në huti dhe paqartësi është shekull në vete. Për Kosovën, është vetëm edhe një dëshmi që drejtësia këtu është vetëm nocion.

Pse hajnat te Lumezi tash?

Për më tepër, është nocion i cili zbatohet, tashmë e kemi thënë sa herë, në formë selektive. Ndodhi gjatë javës që “hajnat” të hynin në shtëpinë e kryeprokurorit të Kosovës në tre të mëngjesit. Në shtëpinë, e cila supozohet se ruhet nga Policia e Kosovës. Sipas vetë Lumezit, i është vjedhur një telefon që nuk e ka në përdorim prej kohësh. Pasoi suspendimi i menjëhershëm i disa policëve që nuk kishin kryer detyrën si duhet. Dhe shikuar nga ky aspekt – ky është veprimi i duhur: që dikush të suspendohet kur bën shkelje të rënda në punë, se fundja kështu e parasheh ligji. Ama, asnjë fjalë e vetme ende nuk u dëgjua për suspendimin eventual të shefit të Policisë rajonale në Prizren, i cili ka dhënë deklaratë të rrejshme për shkaqet e vdekjes së Deharit. Deklarimi i rrejshëm është vepër penale në çdo rrethanë. Është vepër dyfish më e rëndë kur shqiptohet nga një zyrtar i lartë që është përgjegjës për zbatimin e ligjit.

Se pse “hajnat” zgjodhën t’ia vizitonin shtëpinë e Lumezit bash këtë javë dhe bash në këtë formë – do ta dinë vetë “hajnat” apo ata që i kanë udhëzuar “hajnat” të veprojnë. Porosia e parë që rrjedh nga ky veprim është se Policisë së Kosovës nuk mund t’i besosh, kur para hundëve u futen “hajnat” në shtëpinë e atij që duhet ta luftojë krimin. Në fakt, ky veprim vetëm e përforcon faktin se hajnitë në dhomat e dëshmive në Prishtinë e Pejë paskan qenë punë nga brenda – posaçërisht meqë policia ende nuk ia ka dalë as ta identifikojë ndonjë të dyshimtë për rastet.

Porosia tjetër është se populli nuk duhet pritur zbardhjen e asnjë rasti serioz krimi, sepse në çdo çast që i teket dikujt që di e mundet, mund t’i rrezikohet jeta shefit të prokurorëve të shtetit. Kjo do t’u japë alibi të mjaftueshme prokurorëve të tjerë të kërkojnë siguri më të madhe dhe beneficione më të mëdha për shkak se shikuar nga ky prizëm e kanë jetën e rrezikuar.

Porosia e fundit është e dedikuar për protestuesit që kërkojnë drejtësi: se ajo është në duart e atyre që mund të çojnë “hajna” kurdo dhe kudo, dhe se kot e kanë pse dalin e mbledhin nënshkrime apo protestojnë dinjitetshëm.

Por këta që po dërgojnë porosi nuk po e kuptojnë se njerëzit e kanë shumë të qartë se si qëndrojnë punët, dhe se mu për këtë edhe protestojnë, edhe mbledhin nënshkrime. Se përderisa protestuesit duan që t’i respektojnë procedurat dhe institucionet – sepse duan të besojnë se ky vend enda ka një hije demokracie, ata e dinë se ballafaqohen me të tillë që besojnë se drejtësia dhe gjithçka tjetër në këtë vend është e tyrja, dhe se të vetmen demokraci që e njohin ata është diktatura.

* * *

Entuziazmi dhe puna e të rinjve që treguan guximin, iniciativën dhe idenë për ta ndërtuar një protestë të fuqishme qytetare, pa dyshim më mban me shpresën që kisha nisur ta humbja se ky vend do të bëhet më i mirë shumë shpejt. Sepse këta të rinj janë njerëzit e mirë; njerëzit që fatin e bëjnë vetë e nuk i dorëzohen atij dhe janë njerëzit që do t’i sjellin këtij vendi dritën e re që aq shumë i mungon.

Sepse këta janë brezi i atyre që e kishin mbijetuar luftën ende pa u nisur në shkollë. Sepse ata e kanë merituar një të ardhme shumë më të mirë seç e kemi pasur ne. Sepse këta do ta kenë boll vështirë t’i luftojnë të këqijtë e këtij rrëfimi, për shkak se i përkasin të njëjtit komb.

Porse, nuk do të jenë vetëm.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...