Diktatura demokratike

28 Nëntor 2016 - 15:31 - Drenusha Zajmi-Hoxha      

Njerëz, kohëra të mira po vijnë. Dhe me këtë nuk po mendoj për motin, diellin, shiun ose retë e zeza trishtuese. Ok, retë e zeza mund të hyjnë në këtë mesele si dekor. Por, sido që të jetë, po them se koha e diktatorëve po vjen. Ngadalë, por sigurt. Disa prej tyre veç kanë zënë vendin tash e sa vjet, të tjerët po bëhen gati edhe për disa mandate të tjera, ndërkohë të tretët po startojnë, duke zënë pozicionet e tyre me shumë siguri dhe entuziazëm.

Po, pra, koha e presidentëve të butë dhe me zarf ka përfunduar. Tani kemi vetëm të tillë që zgjidhen përmes tymit, flakës, zjarrit, protestave e pakënaqësive të tjera dhe kjo të thuash i jep secilit një goxha hyrje dramatike.

Kërmilli letargjik

Ndoshta kjo na bën të ndihemi më të sigurt. Po mendoj, veç për një lojë futbolli u ndërmorën masa të rrepta sigurie andej e këndej, thua ti jemi në luftë me tri shtete njëkohësisht. Por, kësi sigurimi nuk pati nevojë kur bëhej fjalë për një jetë njeriu që u shua brenda institucioneve shtetërore. Aty mjafton një derë e hapur, ca gardianë konfuzë dhe një infermiere letargjike, e cila ngutet për te i sëmuri, si kërmilli kur shkon në dasmë.

Jo bre nuk kemi nevojë për gjithë atë sigurim, brenda organeve të një shteti kaq demokratik dhe paqedashës. Pse, kë e vrau nëntoka kosovare pos qytetarëve të vet? Askënd. Kë e okupoi Kosova pos vendit të vet? Askënd. Kë e burgosi, e torturoi Kryekosova pos qytetarin e vet? Askënd. Kë e vodhi, e poshtëroi, e shiti dhe e fundosi Qeveria kosovare pos njeriun e vet? Askënd? Po pra. Kështu është shteti diktator demokratik. Bile po them se ky sistem na bën mirë. Edhe ashtu e kemi treguar se na pëlqen dora e hekurt dhe çizmja e rëndë. E se shuhen disa jetë, hiç gajle nuk është. Pak protesta, pak zhurmë dhe jeta e mizershme vazhdon. Sepse thjesht, ashtu na e do.

Ra dikush nga këta të quajturit “terroristët”, të cilët gërvishtën ca fasada e tha se duheshin ca ditë zie në Kosovë. Ahu çka na tregove more subjekt i rrezikshëm shtetëror! Po këtu njeriu e ka zi çdo ditë në çdo aspekt të jetës, mos deshe ta bëjmë zinë festë shtetërore? A di ti se shteti ka punë më të mençura për të bërë? Kush do të merret me kriminelët që po lirohen me kusht, që t’i rehatojë në poste shtetërore? Kush do të merret me ndërtimin e vilave luksoze milionëshe me paratë e popullit? Kush do t’i katapultojë dështakët si ambasadorë? Hë? Kush do t’i bëjë kryetarët e akuzuar të komunave ministra? Kush do t’i qetësojë serbët se nuk është gjithçka e humbur në Kosovë? Kush do të mbledhë vota nëpër odat e vjetra shqiptare? Kush do t’i fshehë gjurmët e krimit nëpër secilën skutë të Kosovës? Hajde, fol! Në fakt mos fol! Ti je opozitë, ndaj qitja gojës kapakun. Protesta, demonstrata për secilën jetë të humbur, pih! E lodhshme. Të ishte për një status veterani a post pune, hajde de, thotë njeri. Ta japim saora me telefon, veç mshile, aman.

Edhe këto kërkesat për dorëheqje të ministrave, drejtorëve, prokurorëve e vartësve të tjerë, sinqerisht nuk kanë asnjë kuptim. E si mund të dorëhiqet dikush thjesht për qejfin tuaj, vetëm se e ka kryer me zell punën e vet? Se kanë bërë atë që iu është thënë ta bëjnë? Pse për çfarë keni menduar se janë këto marioneta aty? Aman, sa të padijshëm jeni nganjëherë, thua se keni kryer farë fakulteti privat, ku jepen diploma me kaci bore.

As mos thoni se drejtësinë nuk e kemi efektive. Shihni sa shpejt u suspenduan ca njerëz sapo i humbi telefoni kryeprokurorit. Fërc e fërc brenda disa orëve. Nuk është hajgare kur humb celulari i tij. Ama se rrjedhin xhirimet e kamerave të burgut, jepen-ndryshohen-demantohen deklaratat e drejtorëve, mungon kujdesi ndaj personit-jetës brenda institucionit (lexo: vdes njeriu), dhe, nuk dorëhiqet asnjëri për këto, nuk është gajle. Kemi njerëz boll. Rroftë celulari!

Bijtë e kombit apo bijtë e “shkinave”

Dhe pavarësisht sa të përçarë jemi këto ditë me shqiptarët jashtë Kosove dhe brenda saj, brenda disa ditëve bëhemi mish e thua për festën e flamurit kuqezi. Të gjithë shqiptarët shndërrohen në patriotë me kobure. E deri dje nuk mund ta valonim lirshëm flamurin e as ta festojmë ditën e tij. Por nuk kishte as parti, rivalë, përçarje, nxitje, urrejtje, vëllavrasje. Ndërsa sot kemi përparuar shumë. Lëre që flamurin mund ta valojmë lirshëm (pos kur na e ndalon ndonjë trushpëlarë i FIFA-s) por edhe i kemi të gjitha këto vetitë tjera shqiptare me theks të posaçëm në tradhti, pabesi e urrejtje të ndërsjellë.

Ec e thuaj që nuk po përparojmë. Edhe pak e do të vetëzhdukemi nga faqja e dheut. Jo fizikisht, por duke e asimiluar njëri-tjetrin dita-ditës si komb. Ja arsenali i shprehjeve që kanë shqiptarët për njëri-tjetrin, pos atyre sharjeve konstante me nëna e motra dhe rob shpije: “Bijë shkinash”, “bijë osmanësh”, “bijë arabësh”, “bijë sllavësh” , “bijë laviresh”, “bijë udbashësh”, “bijë të ShIKU-ut”, “bijë tradhtarësh”.

Send s’po marr vesh. Në njërën anë shqiptarët, me gjithë këto sharje nënash e motrash, na dalin si goxha potentë, krejt yje filmash “hard core” me pullë të kuqe. Në anën tjetër, me gjithë këtë potencë, fëmijët po na dalin bijtë e dikujt tjetër! A ka ore vëlla, bijë a bija shqiptarësh në këtë vend? Jo se shprehja “bijë shqiptari” ka mbetur për lavdi të madhe! Por, sinqerisht, ose nanat shqiptare po ladrojnë fort poshtë e përpjetë ose viagrat potente po dalin prodhim kinez.

E për ta bërë një ribashkim të të gjithë këtyre “bijve” të kombit tonë, do të ishte mirë të gatuhej diçka si ajo torta e presidentes, ku hanin njerëzit me lopata e legenë. Mundësisht do t’ia hidhnim edhe nja dy-tri kilogramë sheqer sipri, të kënduar nga Burdushi me frymën dhe magjinë e dashurisë iliro-pellazge për dashuri të përjetshme kombëtare. Bashkë me mijëra hajmalia në kajde të shqiponjës, do të shpërndaheshin edhe syze me xhama rozë, në mënyrë që gjërat t’i shohim sa më pozitivisht, ashtu siç edhe na ka hije si popull i hareshëm.

Më së shumti po iu gëzohem dajreve e tupanëve që i japin qyteteve atmosferë festive. Gjithë ata lypsa e njerëz të stërlodhur nga uria e mjerimi, së paku hedhin ndonjë valle dhe ndiejnë se shteti po mendon për ta. Valles i bashkohen sigurisht edhe pensionistët, të cilët nga fund-fillim muaji formojnë radhët e gjata para bankave, derisa nëpunësit e saj dalin për kafe. Auh, po më ngjethet mishi patriotik qysh tash!

Hipermetropia
Plus, për të thënë se të mirat e këtij vendi nuk kanë kufi, dëgjova edhe dy “deklathata” pompoze nga kryekrimi i pushtetit: Se fëmijët janë prioritet i vendit dhe se ekonomia e Kosovës po ngritet me hapat më të shpejtët në Ballkan!

A-hahaha, Zot, mos e paftë syri i keq Qeverinë tonë! Deksha unë në lloç për ta! Domethënë po i bie se gjithë këta fëmijë të sëmurë, pa mundësi financiare shërimi, prej sot kanë të gjitha barnat esenciale në QKUK, mjekët më eminentë në dispozicion, mjekimin e paguar dhe mundësinë për t’u shëruar brenda vendit dhe jashtë apo jo? Të gjithë fëmijët e pastrehë, të trafikuar e të detyruar për lëmoshë, do të mbrohen, strehohen, ushqehen, shkollohen e birësohen. Sa bukur!

Të gjithë fëmijët në përgjithësi, do të kenë shkollim kualitativ, klasa me kompjuterë, laboratorë të ndryshëm, psikologë e stomatologë shkollorë, mësuese të afta, arsimtarë të padhunshëm, fakultete me kritere të larta dhe profesorë jopartiakë, jo keqtrajtues dhe jo shitës notash. Ama po fascinohem vërtet! Logjikisht po më del se fëmijët nuk do të jenë më pjesë e eksperimentit kundërmues kosovar, që quhet: Sistemi arsimor! Mrekulli. Dhe të gjithë së bashku nuk do të jemi më minjtë e bardhë të eksperimentit të quajtur Shteti Kosovë!

Ndërsa ngritjen ekonomike nuk po ma rrok ky truri im hipermetrop. Bën vaki tipi ka pa ëndërr se Donald Trump është me origjinë ilire dhe e bën Kosovën shtetin e 51-të të ShBA-së. Ose e ka menduar ngritjen si ngritjen e kamatave të bankës, ngritjen e çmimeve të ushqimit, ngritjen e rrogave të deputetëve-deputezeve-depudajave; ngritjen e zullumit shtetëror, ngritjen e gishtit qortues ndaj të papërkulurve, ngritjen e murit mes qeverisë dhe popullit, ngritjen e nivelit të krimit të organizuar, ngritjen e numrit të të sëmurëve, ngritjen e pakënaqësisë popullore dhe ngritjen e mjegullës për t’i mbuluar të gjitha këto.

Dhe ende me ca ndjenja patriotike po qeshem nga pak me zor, ndonëse nuk e di as vetë pse, po më vjen të qaj. Por, nuk dorëzohem akoma. Aman, më xigloni kush mundet e të shkulem së qeshuri, derisa të mbytem në vaj.

© Koha Ditore

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...