Me asnjë çmim, telekomit serb nuk duhet lejuar zgjerimi në Kosovë

26 Nëntor 2016 - 09:30 - Ismet Hamiti      

Për shkak se në bazë të parimit universal asnjë shtet nuk lejon prezencën në tregun e vet të kompanive telekomunikuese në pronësi të një shteti tjetër për shkaqe ekonomike dhe të sigurisë; sepse kjo nuk është si çdo kompani tjetër, por kompani që ka bërë krime në Kosovë.

Rezultati kryesor i Marrëveshjes për telekomunikacion është lejimi i operimit të kompanisë shtetërore serbe të telekomunikacionit “prej Hogoshti deri në Dragash” dhe njohja e autoritetit të shtetit serb në sektorin e telekomunikacionit, përfshirë edhe në raportet tona me ITU. Kodi përdoret vetëm për të larguar vëmendjen nga ky rezultat me pasoja rrënuese për shtetin tonë.

Parimisht pronësia e huaj në tregun e telekomunikacionit është e karakterit strategjik, për shkak të rëndësisë së dyfishtë që ka telekomunikacioni për ekonominë dhe sigurinë e çdo shteti. Për këtë arsye, bie fjala, hapja e tregut të telekomunikacionit për investime të huaja është çështja më e ndjeshme në procesin e anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë. Gati pa përjashtim, të gjitha shtetet përpiqen të negociojnë afat sa më të gjatë kalimtar për përmbushjen e këtij kushti.

Këtë e di nga dora e parë, sepse kam marrë pjesë në hartimin e dosjeve për sektorin e telekomunikacionit për anëtarësim në OBT të disa shteteve. Por edhe pas kalimit të periudhës kalimtare, shtetet sovrane hapjen e tregut e bëjnë mbi bazën e reciprocitetit dhe madje ekskluzivisht për investitorë privatë, larg nga ndikimi i shtetit nga vijnë. Për hapjen e tregut për investitorët me ndikim ose në pronësi të ndonjë shteti tjetër as që mund të bëhet fjalë. Kjo është praktikë universale, pra edhe evropiane.

Në rastin tonë, edhe pse kam bërë shumë përpjekje për të shpjeguar, sa herë që më është dhënë rasti, pronësia e huaj në tregun e telekomunikacionit nuk është kuptuar asnjëherë. Bile nuk kuptohet as nga ARKEP-i, që është autoriteti që patjetër duhet ta dinte, sepse paguhet për të mbrojtur interesin publik e shtetëror në këtë sektor. Në një debat të këtyre ditëve, për lejimin e operatorit në pronësi të shtetit serb, pohova së nuk ka shtet në botë që lejon në tregun e vet operatorë në pronësi të një shteti tjetër, shefi i këtij institucioni nuk e kishte idenë se për çka isha duke folur.

U detyrova të tërhiqesha nga debati duke vënë në siklet moderatorin e debatit dhe duke u mbetur borxh shikuesve, sepse nuk ia vlente të merresha me të. Nuk është çudi, prandaj, që lejimi i operimit të kompanisë shtetërore serbe të telekomunikacionit “prej Hogoshti deri në Dragash” merret me aq lehtësi. Bile sipas shefit pronto të ARKEP-it, as që duhet diskutuar për këtë punë, pasi tregu i shërbimeve fikse na qenka i liberalizuar dhe kushdo mund të marrë leje të ofrojë shërbime të tilla në tregun tonë, pa asnjë procedurë. Reciprociteti dhe pronësia e shtetit serb mbi atë kompani nuk i pengon fare. Sipas një tjetri, lejimi i operimit të kompanisë serbe nuk ka rëndësi fare pasi që shërbimet fikse edhe ashtu janë në zhdukje e sipër. Sipas këtij individi, për shembull, nuk do të ketë më fibra optike fare. Por, për këtë pohim skandaloz - ndonjëherë tjetër…

Tani do të përpiqem të vë në pah se kush është kjo kompani që me aq lehtësi po lejohet të zgjerohet në tregun tonë dhe për këtë qëllim po e bëj publik një dokument të tetorit të vitit 1999. Në atë kohë mua m’u kërkua mendimi për aplikimin e Telekomit serb në shoqatën e operatorëve evropianë të rrjeteve telekomunikuese (ETNO). Në ETNO mund të anëtarësohen kompanitë telekomunikuese që mund të provojnë se operojnë jashtë ndikimit të qeverive. Duke qenë se si punonjës i ITU-së që isha, nuk më lejohej të shprehesha për këtë punë, përgjigjen që kisha formuluar e nënshkroi drejtori i atëhershëm i PTK-së. Dokumenti është nga arkivi im personal, kurse dokumenti i nënshkruar mund të gjendet, besoj, në arkivin e PTK-së, me shumë dokumente të tjera që në atë kohë kisha formuluar për drejtuesit e PTK-së. Mes tjerash, në dokument thuhet se “abuzimi i sistemit telekomunikues në Kosovë që nga janari i vitit 1990, kur Serbia kundërligjshëm aneksoi PTT-në e Kosovës, është i paprecedentë në historinë e telekomunikacionit. Ndër inovacionet e kësaj kompanie numërohen diskriminimi në punësim, ku përmendet përjashtimi nga puna e 1 200 të punësuarve të një etnie, diskriminimi në zhvillim, ku përmendet aplikimi i teknologjive të reja vetëm në lokalitetet e një grupi të caktuar etnik, etj. Por, thuhet më tutje në këtë dokument, “abuzimet me telekomunikacionin gjatë deportimit masiv të një grupi etnik…janë të atyre përmasave saqë paraqesin formë të re të krimit kundër njerëzimit….” dhe propozohet emërtimi për këtë krim të ri të jetë: “shkaktimi i panikut përmes telekomunikacionit”. Dhe përfundohet: “prandaj jemi të mendimit se Telekomit serb mund t’i ndahet “mirënjohje” për zbulimin e një krimi të ri kundër njerëzimit, por jo t’i lejohet anëtarësimi në ETNO”.

Të gjithë atyre që kanë qëndruar në Prishtinë gjatë kohës së bombardimeve iu kujtohet se zona të tëra të qytetit shkyçeshin e kyçeshin në rrjetin telefonik sipas një cikli të paramenduar, në mënyrë që njerëzit në pjesët tjera të qytetit të mendonin se njerëzit dhe të njohurit e tyre në zonën e shkyçur kishin braktisur qytetin dhe, në panik, e braktisnin edhe ata. Kështu paniku kaplonte të gjitha pjesët e qytetit derisa në stacion priste i gatshëm treni për t’i depërtuar. Pra, problem me kompaninë serbe të telekomunikacionit nuk është vetëm së është në pronësi të shtetit, edhe pse edhe kjo do të mjaftonte, pikërisht bazuar në parime universale dhe evropiane. Problem edhe më i madh është se kjo kompani ka bërë krime në Kosovë. Si e tillë, siç tregon dokumenti i publikuar, ishte propozuar për “shpërblim” që në vitin 1999, për zbulimin e një krimi të ri, të paparë deri atëherë në historinë e telekomunikacionit botëror. Prandaj, me asnjë çmim, për të gjitha kodet e kësaj bote, telekomit serb, mobil e fiks, nuk duhet lejuar zgjerimi në Kosovë siç synohet të bëhet me Marrëveshjen për telekomunikacionin.

(Autori është ekspert i telekomunikacionit)

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...