Sharm dhe melankoli

24 Nëntor 2016 - 08:19 - Enver Robelli      

Presidenti me pasion iku. Një homazh epokës së Barack Obamas.

Çka është dinjiteti? Për shembull kur Barack Obama, pas një fushate të egër, fyese, primitive, e pret në Shtëpinë e Bardhë presidentin e zgjedhur. Autor i fushatës së egër, i fyerjeve, i llafeve primitive është pikërisht presidenti i zgjedhur. Thua se s’kishte ndodhur asgjë, Obama e priti predikuesin e urrejtjes dhe u përpoq t’ia bënte të qartë se supa që e kishte zier ai gjatë 17 muajve të fushatës elektorale nuk mund të pihet aq e nxehtë. Suksesi i parë i Obamas ishte i vogël, por domethënës: e bindi pasardhësin e tij të mos e varrosë tërësisht Obamacare, programin e sigurimeve shëndetësore, njërin prej projekteve kryesore të presidencës së tij.

Që nga 8 nëntori, kur në zgjedhjet amerikane ndodhi ajo çfarë ndodhi, po vërehet gjithnjë e më shumë, faqe botës, sharmi, shkëlqimi, kultura, mençuria e Barack Obamas. Presidenti i parë zezak, ai që me sloganin «Yes, we can» ngjalli entuziazëm në pothuaj të gjitha shtresat e shoqërisë heterogjene amerikane, tani, në fazën e transferimit të pushtetit, po sillet gjithnjë e më shumë si përkthyes i presidentit të zgjedhur. Ndërsa ky i fundit ka thënë se nuk bëhet fort merak për vlerat transatlantike, Obama ndërhyn dhe korrigjon: NATO do të jetë edhe më tutje hallkë e zinxhirit që e mban bashkë Perëndimin përballë rreziqeve.

Gjatë vizitës së fundit në Evropë javën që shkoi, Obama mbajti një fjalim të madh, historik, në Athinë, një fjalim që jehonte si kundërprogram ndaj ideve të atij që do të zërë vendin e Obamas në Shtëpinë e Bardhë. Demokracia, tha ai në kryeqytetin grek, nuk është e përsosur. Me fjalë të tjera: në demokraci mund të fitojnë dhe kandidatë që nuk na pëlqejnë, por me rëndësi janë institucionet e fuqishme demokratike, ligjet, të cilat garantojnë funksionimin e shtetit.

E ngadalshme, kaotike, e ndërlikuar – e tillë është demokracia, sipas presidentit në largim. Ajo është forma më e keqe për qeverisje, por me përjashtim të të gjitha të tjerave që janë provuar. Obama me këto fjalë iu referua Winston Churchillit, i cili kishte përvojë në luftimin e disa formave të tjera të qeverisjes, siç ishte diktatura naziste e Adolf Hitlerit. «Përparimi nuk është i garantuar, ai duhet të krijohet nga secila gjeneratë», ishte një porosi tjetër e Obamas. Një porosi që e bëri Evropën të bjerë në melankoli. Sa lehtë ishte me Obaman, sa vështirë mund të jetë me këtë tjetrin.

Në Berlin melankolia arriti kulmin. Obama erdhi për t’i thënë lamtumirë Angela Merkelit, kancelares me nerva të çelikta, e cila nga mediat amerikane këto ditë u ngrit në piedestal si mbrojtësja e fundit e vlerave perëndimore. Obama nuk e fshehu simpatinë për fizikanen e rritur në Gjermaninë Lindore. Ai tha se po të jetonte në Gjermani do ta përkrahte Merkelin. Çfarë nuk e tha, por çfarë nënkuptohej ishte: Angela Merkel, ju lutem, kandidoni edhe për një mandat! Të tretin me radhë. Por kancelarja ka nerva. Apelet e tilla i kalon me heshtje stoike apo me fjali të tipit: kur të vijë koha do të merren vendimet. Ky është një vokabular politik pothuaj rugovian, të cilin e praktikon Angela Merkel.

Çfarë mbetet nga trashëgimia e Barack Obamas? Ai kishte premtuar se do ta mbyllte Guantanamon. Por ky burg famëkeq amerikan në Kubë ende mban 60 të burgosur, sepse planet e Obamas i bllokoi Kongresi. Një sukses jo për t’u nënçmuar është se gjatë presidencës se Obamas mbi 150 të burgosur u liruan, po ashtu u ndaluan «metodat e ashpra të marrjes në pyetje», në të vërtetë tortura. Në një aksion spektakular forcat speciale amerikane kapën dhe ekzekutuan Osama bin Ladenin, shefin e organizatës terroriste “Al-Kaida”. Obama tërhoqi ushtarët amerikanë nga Iraku, duke i dhënë fund aventurës ushtarake të neokonservatorëve të administratës së George W. Bushit. Republikanë dhe demokratë promimentë janë të bindur se pa intervenimin në Irak sot s’do të ekzistonte milicia terroriste e quajtur «Shtet Islamik».

Në Kajro, Obama mbajti një fjalim historik drejtuar botës arabe dhe mori çmimin “Nobel”, por kur filloi «Pranvera arabe» ai ngurroi të ndërhynte më drejtpërdrejt në përcaktimin e fatit të rajonit. Në konfliktin e Sirisë lëshoi shansin t’i vërë vijë të kuqe regjimit terrorist të Bashar al-Asadit. Kur lufta përshkallëzoi dhe përfshiu gati tërë vendin, duke vënë në lëvizje miliona refugjatë, tashmë ishte vonë. SHBA-të tani është vëzhguese e konfliktit që deri më tani ka marrë jetën e mbi 300 mijë njerëzve, sipas disa vlerësimeve madje numri i viktimave ka arritur gjysmë milioni. Kur Vladimir Putini pushtoi Krimenë, duke shkelur çdo rend ndërkombëtar, Obama e quajti Rusinë me përçmim «fuqi rajonale», por ballafaqimin me Kremlinin ua la kryesisht evropianëve të prirë nga Angela Merkel.

Me Marrëveshjen bërthamore me Iranin, Obama mbeti larg synimit të tij për një botë pa armë të shkatërrimit masiv, por së paku pengoi regjimin në Teheran të eksperimentonte me bombë atomike. Por ekziston rreziku që Marrëveshja të anulohet nga pasardhësi i tij. Obama, po ashtu, i dha fund një anomalie shumëvjeçare dhe normalizoi marrëdhëniet me Kubën, për aq sa kjo ishte e mundshme. Ishte i pari president që vizitoi Havanën që nga revolucioni i vitit 1959.

Në planin e brendshëm Obama me reformat e tij ndikoi në lulëzimin e ekonomisë amerikane. Ai ishte një president shembullor me sjelljet e tij si prind, si politikan, si orator, si idhull i zezakëve. Megjithatë, edhe gjatë presidencës së tij racizmi kundër zezakëve në Amerikë nuk shënoi rënie, mijëra njerëz vdiqën nga armët – një ndër problemet më mëdha të shoqërisë amerikane. Përballë lobit të fuqishëm të armëve edhe Obama ishte i pafuqishëm.

Bilanci i presidencës së tij është i përzier. Sukseset shpeshherë kanë mbetur nën hijen e dështimeve. Shoqëria amerikane mbetet e përçarë mes bregdetit lindor dhe atij perëndimor nga njëra anë dhe provincës në anën tjetër, e cila e ndien veten të lënë pas dore nga elitat në Washington, New York, Los Angeles dhe në qendra të tjera metropolitane.
Obama dhe demokratët e tij, shumica pjesëtarë të shtresës elitare, nuk bënë sa duhet për të mbyllur këtë hendek. Krahas shumë të mirave që sjell globalizimi, një e keqe e tij e madhe është ndikimi brutal i kapitalit, bankave, menaxherëve që udhëheqin të shtyrë vetëm nga motivet e përfitimit personal, ndërkohë që në shumë zona dikur të rëndësishme industriale të Amerikës kanë mbetur vetëm disa teneqe dhe miliona të dëshpëruar nga papunësia. Injorimi i interesave të vegjëlisë dhe dashamirësia tepër e madhe ndaj bankave ishin njëra nga arsyet kryesore të humbjes së Hillary Clintonit.

Tani ekziston rreziku që të arriturat kryesore të Obamas në tetë vjetët e fundit të bëhen pluhur e hi nga pasardhësi i tij. Steve Bennon, edhe ky një predikues urrejtjeje dhe shef i strategjisë i presidentit të ri, në vitin 2014 kishte thënë: «Unë jam leninist. Lenini dëshironte të shkatërronte shtetin, dhe ky është edhe synimi im. Dua të rrëzoj gjithçka dhe të shkatërroj tërë establishmentin e sotëm». Tani bota mund të shikojë gojëhapur se sa serioz është ky kërcënim. Në Washington ka filluar epoka e leninistëve të vetëshpallur.

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...