Shpresën po na e humbin ata që na e rrëmbyen shtetin

21 Nëntor 2016 - 19:47 - Afrim Blyta      

Letër e hapur Ambasadorëve të SHBA-së Greg Delawie, Gjermanisë Angelika Viets, Mbretërisë së Bashkuar Ruairi O’Conell, Francës Didier Chabert, Italisë Piero Cristoforo Sardi

Ekselencë të nderuara,

Në pamundësi të takohemi personalisht, Ju drejtohem përmes kësaj letre, duke mbetur në shpresë se do ta lexoni, meqë është publike.

Jam mjek, neuropsikiatër, i paangazhuar politikisht, njeri që e dua shumë vendin tim. Njeri qe di të dalloj të mirën prej së keqes, të drejtën prej të padrejtës, dhe kur kam mundësi të zgjedhë, e zgjedhë gjithnjë të mirën dhe të drejtën, se interesi i vendit dhe popullit tim, është më i madh sesa interesi im.

Letrën e shkruaj si borxh, të cilin ja kam prindërve të mi, të cilët më mësuan për vlerat, dhe fëmijëve dhe shpresoj fëmijëve të fëmijëve të mi, për të ardhmen e të cilëve nuk ndihem i qetë.

Të nderuar Ambasadorë, 17 vite më parë, Kosova dhe qytetarët e saj humbën pothuajse çdo gjë, u vranë, u dogjën, u dëbuan, u zhvendosën, por as edhe një moment nuk e humbën më të vlefshmen: shpresën.

Dhe posa u çliruan, shqiptarët e Kosovës, duke lënë vendet të cilat mund vetëm të dëshirohen, u kthyen shpejtë në vatrat e veta të djegura, ndonëse me zemra dhe shpirtra të lënduar, por me shpresë të madhe. U kthyen edhe më shpejt se sa mund të paramendohej edhe në ëndrrat e atyre që planifikonin një gjë të tillë, por për shumë më vonë.

U kthyen, se ëndrra për një vend të çliruar dhe pa dhunë u realizua. U kthyen për të kontribuar për një ëndërr tjetër. Ndërtimin e një shteti, shteti të së drejtës, të qetësisë, të zhvillimit, të prosperitetit, për vetën, për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të vet.

Kaluan 17 vite dhe ëndrra mbeti vetëm ëndërr. As nuk ka shtet të drejtë, as nuk ka qetësi, as nuk ka zhvillim, as nuk ka prosperitet. E ajo që është më e dhembshme, Kosova dhe qytetarët e saj po humbin. Po humbin, atë të cilën nuk e patën humbur as gjatë pesë shekujve nën osmanlinj, e as njëqind vjet nën pushtetin sllav, po humbin shpresën.

E te ne shqiptarët, besoj edhe te popujt e Juaj, të nderuar Ambasadorë thuhet, kur vdes shpresa vdes çdo gjë. Se mund të kesh çdo gjë, por nëse nuk ke shpresë, nuk ke asgjë, e nëse ke shpresë, mund të kesh çdo gjë.

Shpresën po na e humbin Ata që na e rrëmbyen shtetin. Ata, për të cilët, e padrejta është e drejtë, e pafytyra është fytyrë, e pandershmja është e ndershme, e amoraliteti është moral.

Ju deklaroheni të nderuar Ambasadorë, që nuk keni faj për këtë gjë. Ju thoni se, ne jemi ata që i zgjedhim Ata që na “udhëheqin”. Ju thoni se, ne jemi ata që duhet bërë ndryshimin. E si ta bëjmë këtë ndryshim? Kur shtetin e ka rrëmbyer pushteti. Kur, çdo gjë që mund të kontrollohet Ata e kontrollojnë.

Ju na thoni, mund të protestoni por në mënyrë të qetë. Por sot të protestosh ndaj këtij pushteti, në çfarëdo formë, qetë ose me dhunë, është e njëjtë. Janë indolentë, është si të provosh t’ia tregosh dritën të verbrit, ose t’ia lëshosh zërin të shurdhrit, është e njëjtë, të nderuar Ambasadorë, se janë të dehur, janë të dehur nga pushteti.

Ata, të nderuar Ambasadorë, na kanë në dorë, sikur që edhe Ju i keni Ata në dorë, që është një e vërtetë e madhe. I keni në dorë këta të dehur, por Ju nuk ndërmerrni asgjë me ta. E çka bëni? E ndëshkoni popullin e pafajshëm dhe e mbani të mbyllur në kafaz në mes të Evropës, në shekullin e XXI.

Të nderuar Ambasadorë, flisni për mospërmbushje të kushteve, flisni për demarkacionin, për korrupsionin.

Posa mësuam se Ukrainës iu dha e drejta për Schengen të lirë, dhe atë pasi e “ktheu” Krimenë dhe e “zgjidhi” demarkacionin me Rusinë. Mësuam se edhe Gjeorgjisë iu dha e drejta e njëjtë, pasi iu “kthye” Osetia jugore dhe u “zgjidh” demarkacioni me Rusinë (siç).

Ju thoni; luftoni korrupsionin, si kusht për të drejtën e lëvizjes së lirë. Por çka bëtë? U ulët në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga ata që janë burim jo vetëm i korrupsionit por edhe i të gjitha të këqijave në këtë vend. Bile, edhe me cinizëm, u drejtuat nga e njëjta tryezë duke thënë, se korrupsioni nuk luftohet me tryeza, por me zbatim të ligjit. Cilit ligj? Atij, në emër të cilit Ata qëndrojnë në pushtet?

Për fat të keq, Ju po i mbështetni Ata, dhe atë për qëllime të padrejta dhe joparimore. Po të mos ishte kështu atëherë, Ju do të jepni qytetarëve të Kosovës të drejtën e lëvizjes së lirë, e udhëheqësve të këtij pushteti të kalbur, do ta ndaloni hyrjen në SHBA dhe në Bashkimin Evropian. Por ju këtë nuk e bëni, se Ata janë “zogj kurve”, por, “zogjtë e Juaj kurve”.

Të nderuar Ambasadorë, është e vërtetë se Kosovarët janë me shumicë absolute myslimanë. Por janë myslimanë me traditë të lashtë evropiane. Janë myslimanë të Evropës. Dhe sa është e vërtetë, që ne kemi nevojë për Evropën, aq është e vërtetë se edhe Evropa ka nevojë për ne. Ne jemi argument i Juaj në sy të botës, se Ju nuk jeni kundër Islamit dhe myslimanëve, se Ju i keni myslimanët e Evropës, e ata jemi ne. Pra Ju nuk jeni kundër islamit, por që jeni, së bashku si ne, kundër çdo bastardimi të fesë, e cila edhe në esencën e saj më të thellë, është paqe.

Na ndihmoni të integrohemi aty ku e kemi vendin, e mos lejoni që situata e pa shpresë, e cila e ka kapluar popullin, e sidomos rininë e mrekullueshme që e kemi, ta humbë rrugën në oborr të vet dhe ta ndryshojë kahun e drejtimit, e nga perëndimi të kthehet kah lindja e afërt, ndoshta edhe ajo e mesme, aty ku asnjëherë nuk e kemi pasur vendin.

Të nderuar Ambasadorë, a me të vërtetë mendoni se Kosova me 1,8 milion banorë të integruar, mund t’i bëjnë më shumë dëm Evropës sesa 45 milionë ukrainas ose 5 milionë gjeorgjianë? Unë mendoj se jo, dhe Ju siguroj për këtë.

Më lejoni, shpresoj duke mos më kuptuar se jam pretencioz, të Jua jap një këshillë, të cilën e kam mësuar gjatë punës time 33 vjeçare si neuropsikiatër, në punë të pandërprerë me njerëz dhe me hallet e tyre. Problemi sa do që të jetë i madh, nëse integrohet në kontekst më të gjerë zhduket ose zvogëlohet duke u bërë i parëndësishëm.

Na ndihmoni në rrugën e integrimit, aty ku e kemi vendin, tek e fundit na e keni borxh, se ne jemi krijesë e Juaj, na pëlqyet tani ose jo, se dështimi ynë, në esencë është dështimi i Juaj.

Me shumë respekt,
Dr. Afrim Blyta

(Profesor i Neurologjisë, Psikiatrisë dhe Psikologjise Mjekësore - Fakulteti i Mjekësisë Prishtinë; Mësimdhënës i Mjekësisë Mendje Trup - Center for Mind Body Medicine, Washington DC; Trajner i Psikoterapisë Pozitive Wiesbaden Akademie für Psychotherapie).

 

 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...