Çfarë duhet të jetë kodi (negociator) i Kosovës

22 Nëntor 2016 - 08:56 - Veton Surroi      

Leksioni numër një i parimeve negociatore është i thjeshtë: Kosova e ka shpallur veten të pavarur

1.

Kosova mund ta ndërrojë kahun e vet negociator dhe ashtu sikundër një anije në oqean që ndërron kursin për një shkallë, ky ndryshim i vogël krijon pasojë të madhe në cakun përfundimtar. Ndryshimi në negociatat e tanishme mes Kosovës dhe Serbisë mund të marrë formën e një shkalle të tillë. Pala kosovare nëpërmjet negociatores ministre thotë se Kosova do ta “menaxhojë” kodin 383 dhe se do të jetë kod shtetëror në pronë të Kosovës. Pala serbe nëpërmjet negociatorit të saj pajtohet se kodi 383 do të menaxhohet nga Kosova, por këtë të drejtë do t’ia japë Serbia, e cila do të jetë pronare e kodit.

Ndryshimi që duhet të sjellin negociatorët kosovarë është i “thjeshtë”: që më 15 dhjetor, në momentin kur në ITU duhet të ndahet kodi për Kosovën, ky kod të identifikohet në buletinin e ITU-së si kod shtetëror në pronësi të Kosovës. Por, deri në fund të këtij muaji, kur Serbia do të prezantojë draft-letrën që duhet t’ia dërgojë ITU-së me të cilën pajtohet që entiteti gjeografik Kosovo* ta menaxhojë kodin 383, i cili është në pronë të saj, do të jetë më se evidente që ndryshimi nuk ka për të ndodhur.

2.

Ndryshimi nuk ndodh për një shkak elementar: Kosova është pajtuar që për çështjet që kanë të bëjnë, mes tjerash, edhe me menaxhimin e pasurisë së saj të marrë pëlqimin e Serbisë dhe rasti eklatant është kodi thirrës.

Rrjedhimisht, shkalla e nevojshme për të ndryshuar kodin negociator të anijes kosovare është në dukje një parim aq i vetëkuptueshëm sa duket banal: njohuria se Kosova e ka shpallur pavarësinë.

Pasojë e drejtpërdrejtë e njohurisë se Kosova e ka shpallur pavarësinë është se ka të drejtë (dhe obligim) të menaxhojë me resurset e veta, përfshirë telekomunikacionin. Dhe e drejta e obligimi i menaxhimit të resurseve të Republikës së pavarur të Kosovës nënkupton që Serbia nuk ka as edhe një të drejtë për të qenë palë në dhënien e kodit shtetëror (a gjeografik) Kosovës.
Formuluar thjesht: Kosova s’ka pse të negociojë me Serbinë për kodin.

Dy janë pasojat e menjëhershme të një formulimi të këtillë. Një, është se bllokohet Marrëveshja për telekomunikacion. Dy, se Kosova duhet të gjejë formë alternative për kodin thirrës, jashtë negociatave në Bruksel.

Bllokimi i Marrëveshjes së telekomunikacionit nuk është ndonjë risi. Tashmë është bllokuar Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave Serbe, për arsye pak a shumë të njëjta themelore: sepse Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë se si do ta rregullojë mënyrën e saj të vendimmarrjes në shtet, një e drejtë sovrane. Aq më parë, kur Serbia në formë aktive është e angazhuar për të penguar pavarësinë e Kosovës dhe funksionimin normal të institucioneve të saj. Dhe aq më parë, kur çdo përpjekje e Serbisë në negociata është për ta vështirësuar edhe më funksionimin e shtetit të Kosovës, deri në paralizë kushtetuese.
Po alternativa për kodin?

3.

Njëherë të çliruar prej ngarkesës artificiale se Serbia duhet të vendosë për pronën, resurset dhe rregullimin shtetëror të Kosovës, mund të dalin disa alternativa.

Njëra prej tyre është riformulimi brenda negociatave zyrtare në Bruksel. Nëse BE-ja është e interesuar që të arrihet një marrëveshje konsistente mes Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacionin, pse nuk ndryshohet caku e të bëhet një më ambicioz. Pse në vend të procesit me të cilin Serbia fiton edhe një kod ndërkombëtar dhe ia jep në shfrytëzim Kosovës, Serbia dhe Kosova, me ndërmjetësim të BE-së, nuk bisedojnë për mënyrën se si të tria palët ta ndihmojnë Kosovën të bëhet anëtare e ITU-së, dhe në këtë formë ta marrë kodin shtetëror?

Alternativë tjetër, natyrisht, është që Kosova vetë të provojë (me jo shumë gjasa për sukses të menjëhershëm) anëtarësimin në ITU, ku nevojiten dy të tretat e votave të shteteve anëtare.

Dhe alternativa, në rast nevoje më emergjente, mund të jetë gjithnjë që të vendoset një sistem “mirëbesimi” të kodit të Kosovës, që Kosova në formë sovrane do të pranonte të “ruhej” nga një shtet mik, deri në anëtarësimin e Kosovës në ITU. Formulimi shtet mik pa dyshim do ta përjashtonte Serbinë.
4.

Fakti se ekzistojnë alternativat për kod rrjedh nga ndryshimi prej një shkalle në navigacionin politik: ndryshimi prej një shkalle tregon se edhe procesi negociator ka alternativë.

Alternativa ndaj procesit të Brukselit nuk është as braktisja e negociatave e as izolimi. Alternativa është paraqitja e interesit shtetëror të Kosovës brenda parimeve (joekzistuese) udhëheqëse të negociatave. E interesi shtetëror i Kosovës është që Serbia të mos ketë vendimmarrje në Kosovë, rrjedhimisht që negociatat me Serbinë të mos jenë për bashkëqeverisje në Kosovë, por për bashkëjetesë të shteteve sovrane në Evropë.

Kodi telefonik mund të jetë ajo shkallë e vogël ndryshimi në navigacion që çon në atë cak.

 

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...