Kodi si Asociacioni?

20 Nëntor 2016 - 09:46 - Veton Surroi      

Pushteti do të duhej ta kishte mësuar leksionin me Asociacionin e Komunave Serbe: çështja e kodit telefonik dhe zgjatja territoriale e Telekomit serb mund të jenë materie të shkeljes kushtetuese, dhe çfarëdo që të jetë përgjigjja gjithsesi janë çështje që kërkojnë konsensus politik e shoqëror

1.
Më 3 shtator të vitit 2015, Edita Tahiri, ministrja kosovare për dialog, deklaroi publikisht lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe për të disatën herë:

“Qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen për asgjë – marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën”.

Por, po të mos ishin shqetësuar qytetarët, Gjykata Kushtetuese nuk do ta trajtonte këtë materie, rrjedhimisht nuk do të vlerësonte se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe lëre që nuk është në përputhje me Kushtetutën, por nuk është në përputhje në 26 pika fondamentale të saj.

Dallimi mes deklarimit të Edita Tahirit (së bashku me eprorët e saj partiakë dhe shtetërorë) dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese është aq i madh, sa nuk ekziston urë që do t’i lidhte ato dy brigje.

Nga ky episod, nga i cili ende vazhdon paraliza politike në Kosovë, opinioni publik ka mësuar së paku tri gjëra.

Një, zonja Tahiri dhe eprorët e saj nuk janë të gatshëm të përgjigjen për veprime që janë kaq diametralisht kundër Kushtetutës së Kosovës.

Dy, deklaratat e saj (tyre) për të mos u shqetësuar mund të nxisin vetëm efekt të kundërt, pra shqetësimin kolektiv, që është një indikator i mirë i shkallës më të ulët të mundshme të besueshmërisë.

Dhe tre, nevojitet një informim shumë më i detajuar për vendimet e marra në Bruksel, në mënyrë që rreth tyre të krijohet një konsensus i nevojshëm politik e shoqëror në vend, një konsensus i cili tejkalon paragjykimin (apo gjykimin) se çfarëdo që flasin ministrja Tahiri dhe eprorët e saj lidhur me negociatat është e kundërta e së vërtetës.

2.
Në rastin e Asociacionit dilema u thjeshtësua në shpjegimin qeveritar se kjo ishte thjesht një OJQ brenda sistemit juridik-kushtetues të Kosovës, dhe shpjegimit të një pjese të mediave (atyre joqeveritare), të shoqërisë civile dhe opozitës, se bëhej fjalë për një rrafsh të tretë të pushtetit, që ishte në kundërshtim me sistemin kushtetues të Kosovës.

Në rastin e Marrëveshjes për telekomunikacion duhet tejkaluar fillimisht një mjegull të madhe politike. Dilema nuk është a duhet ta ketë Kosova kodin 383 apo jo. Nuk besoj të ketë brenda Kosovës, nga mediat joqeveritare, shoqëria civile apo opozita dikush që të mos e vlerësojë si jashtëzakonisht të nevojshëm kodin 383, si për nga aspekti identitar i shtetit, ashtu edhe për nga nevojat praktike teknologjike dhe ekonomike (kursimit të gati 200 milionë eurove sa i janë dhënë Monako Telecomit prej vitit 1999 deri më sot për tarifa trafiku ndërkombëtar e të ngjashme).

Por, njëherë e tejkaluar kjo mjegull politike, shfaqen dilemat, në këtë rast të thjeshtësuar flitet për dy,e që janë:

-A është statusi i Kosovës në përdorimin e kodit 383 ai i shfrytëzuesit, ndërsa roli i Serbisë ai i pronarit i cili ia jep Kosovës në përdorim? Po të ishte kështu, përfaqësuesit e Kosovës do të hiqnin dorë prej sovranitetit të Kosovës në dobi të atij të Serbisë, që është veprim thelbësor antikushtetues.

-A është legalizimi i penetrimit territorial të Telekomit të Serbisë brenda territorit të Kosovës (nëpërmjet “kompanisë vajzë” të regjistruar në Kosovë) në kundërshtim me interesat e sigurisë, rendit dhe ligjit, rrjedhimisht në kundërshtim me sistemin kushtetues të Kosovës?

3.
Pushteti në Kosovë nuk mund t’i kalojë këto dilema me “qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen për asgjë – marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën”, sepse një formulim i këtillë u provua vjet dhe dështoi në formë spektakolare.

Tash i nevojitet të dëshmojë të kundërtën dhe të krijojë konsensus rreth veprimeve të veta. Dëshmia mund të bëhet me dy veprime. Një, të dëshmohet proceduralisht, me shkrim, se Kosova do të jetë pronare e kodit 383, si kod shtetëror e jo gjeografik. Dy, të dërgohet çështja e zgjatjes territoriale të Telekomit të Serbisë në Kosovë si lëndë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Çështja e parë, ajo e dëshmisë me shkrim për pronësi, mund të jetë çështje bukur e koklavitur. Formalisht ITU-ja nuk mund të japë vlerësime për gjëra që nuk kanë ndodhur, posaçërisht për gjëra që nuk kanë ndodhur në një shtet i cili nuk është anëtar i ITU-së. Kodi duhet të jepet formalisht më 15 dhjetor, dhe duke mos qenë Kosova anëtare e kësaj organizate nuk është e nënkuptueshme, sikur për shtetet anëtare, se Kosova do të jetë pronare e këtij kodi, si kod shtetëror. Për më tepër, një gjë e tillë nuk është pjesë e ligjeve që e sundojnë këtë organizatë. Pra, iu mbetet pushtetit të Kosovës dhe ndërmjetësit evropian që të japin përgjigje konkrete, në bashkëpunim me ITU-në, për pronësinë e kodit shtetëror dhe statusin e Kosovës e të Serbisë në të.

Çështja e dytë mund të jetë në dukje të parë e koklavitur. Zgjatja territoriale e Telekomit të Serbisë është pjesë e veprimeve që pritet të pasojnë dhe është një vendim që nuk është akt ligjor apo marrëveshje ndërkombëtare që kërkon ratifikim, rrjedhimisht një çështje që dërgohet për shqyrtim në Kushtetuese nga ana e Kuvendit. Në fakt, që më parë i është dhënë ratifikimi “çarçaf” në Kuvendin e Kosovës, kur është ratifikuar Marrëveshja e parë e Thaçit me Daçiqin, më 2013, prej së cilës tash derivojnë të tjerat. Por, sikur edhe me rastin e Asociacionit, ekziston forma e shtruarjes së pyetjeve Gjykatës Kushtetuese lidhur me ndërhyrjen potenciale në sovranitet që ka shtrirja territoriale e Telekomit të Serbisë në Kosovë. Siç u shkrua dje, një shtrirje e këtillë territoriale e Telekomit prek në ingerencat e rendit e ligjit dhe të sigurisë shtetërore. Cilido keqbërës në Kosovë (dhe nuk ka të bëjë as me etni, religjion a natyrën e keqbërjes) do të ndihet i mbrojtur legalisht nga përgjimi nëse është shfrytëzues i shërbimeve të Telekomit të Serbisë në Kosovë, sepse nuk do të ekzistojë mundësia legale e përgjimit të tij me ligje të Kosovës. Për ta përgjuar keqbërësin, sistemi prokurorial i Kosovës do të duhej të kërkonte leje në Beograd, aty ku gjendet fizikisht pajisja ku bëhet përgjimi legal, gjë që është një shkelje eklatante, ngase Telekomi i Serbisë në Kosovë do të paraqitej si kategori juridike eksterritoriale (pra e panënshtruar ligjeve të territorit).

4.
Çështja e zgjatjes territoriale të Telekomit të Serbisë në territorin e Kosovës mundet fare lehtë të kërkojë rinegociim të Marrëveshjes së telekomunikacionit. Rinegociimi, ndonëse do të merrej edhe me detaje të tjera, në thelb do të ishte lidhur me mundësinë apo jo që operatori i tretë (apo operatori “serb”), të cilin Kosova po e jep si koncesion në bisedime, të jetë operator i vendosur fizikisht në Kosovë, e jo zgjatje (me sistem antenash) të operatorit shtetëror me seli në Beograd.

Për këtë nevojitet edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese, por edhe konsensusi i forcave politike në Kosovë.

Konsensusi mund të ndërtohet për çdo gjë, por siç u pa me Asociacionin e me shumë çështje të tjera, asnjë gjë që lidhet me shtyllat e shtetit nuk mund të ndërtohet pa konsensus.

Në ditët në vijim, pushteti dhe opozita kanë gjasa të gjejnë një kauzë të re konfrontimi apo një kauzë të re bashkëpunimi. Marrëveshja për telekomunikacion i ofron që të dy opsionet.

(Nesër: Fitorja e parimeve serbe)

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...