Izolimi me tenderë

20 Nëntor 2016 - 08:40 - Elmaz Isufi      

Për të fituar tender ka vetëm një rrugë – që kalon nga pushteti, nga elitat politike dhe nga zyrtarët që përgatisin, mbikëqyrin dhe marrin vendimet për procedurat tenderuese. Nga ky soj i keq i njerëzve që kontrollojnë dhe keqpërdorin të mirat publike, dëmi nuk është vetëm financiar. Më shumë se kaq, ata janë duke i bërë dëm perspektivës politike dhe ekonomike të vendit. Kosova nuk mund të bëjë asnjë hap para drejt liberalizimit të vizave, pa dhënë prova të vërteta se po lufton dukurinë e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Një lajm i mirë këto ditë ka mbërritur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Pas gati një vit e gjysmë, kjo ministri ka njoftuar qytetarët e Kosovës se mund të pajisen me targa për automjete. Pra, një proces prokurimi që ka nisur në gushtin e vitit 2015, po përmbyllet tek në fund të vitit 2016. Ata që i paguajnë taksa shtetit, ata që paguajnë doganën dhe akcizën më të lartë në rajon për automjete, ata që paguajnë homologimin, që paguajnë sigurimin që vlen vetëm në dy shtete, si dhe taksën rrugore për më shumë rehati gjatë vozitjes, së shpejti do t’i zëvendësojnë targat prej letre që kushtuan gati 100 mijë euro, me targa prej metali që për tre vjet do të kushtojnë 1,5 milionë euro. Nuk kanë nevojë më që të përdorin najlon për të mbështjellë tabelat, si mbrojtje nga lagështia e as t’i vendosin ato brenda makinës.

Ndryshe nga qytetarët që kanë dhënë sërish provën e “durimit” dhe që mund të ndihen më rehat me projektin që kushtoi 1.5 milionë, kjo nuk vlen për MPB-në, që muajve të fundit na shfaqej e pafajshme dhe e vendosur për të respektuar procedurat ligjore për furnizim me targa, edhe me çmimin e kritikës nga qytetarët. Ngase, me gjithë “konstruktivitetin”, kjo ministri, bashkë me Organin Shqyrtues të Prokurimit, muajin e fundit janë bërë objekt hetimi nga prokuroria, pikërisht për skandalin e targave. Jo pse prokuroria ka nuhatur se këtu kundërmon mashtrim e korrupsion, por se kërkesa asaj i erdhi nga zyrtarë të caktuar të ministrisë pas dyshimeve se ka pasur shkelje ligjore dhe favorizim gjatë përzgjedhjes së fituesit – aspekte që bien ndesh me vetë funksionin e prokurimit publik që është menduar nga sajuesit e tij si instrument strategjik nëpërmjet të cilit Qeveria dhe agjencitë e tjera buxhetore në mënyrë efikase dhe ekonomike sigurojnë shërbimet, mallrat dhe investimet. E në rastin e targave nuk kemi as efikasitet dhe shërbim – vonesa 16-muajshe, e nuk kemi as ekonomizim – çmimi i fituesit nga të tjerët konkurrentë është 500 mijë euro më i lartë.

Pa dashur të paragjykojmë epilogun e hetimeve në këtë rast, proceset tenderuese në Kosovë kanë qenë vazhdimisht të përfshira në korrupsion. Kjo është evidentuar në të gjitha raportet dhe monitorimet ndërkombëtare e vendore, ku prokurimi publik vlerësohet si sektori më i korruptuar në vend, por edhe më atraktiv për përfitime të shpejta.

Vlerat e mëdha të kontratave për shërbime që ndahen nga Qeveria dhe institucionet e tjera buxhetore nxisin kompanitë private që tërë energjinë ta orientojnë tek tenderët. Interesi për të kapur milionat i shtyn ato që të mos lënë gur pa lëvizur. Dhe ata e dinë mirë se për të fituar tender ka vetëm një rrugë – që kalon kah pushteti, kah elitat politike dhe kah zyrtarët që përgatisin, mbikëqyrin dhe marrin vendimet për procedurat tenderuese. Sa më shumë që të forcohen këto lidhje aq më të mëdha janë shanset për të fituar. Sa më shumë që investohet tek vendimmarrësit, aq më të mëdha janë shanset që jo vetëm të fitohet tenderi, por edhe të fitohet nga tenderi.

Edhe në këndvështrimin e përkufizimeve se çfarë është prokurimi, çfarë janë fondet publike, cilat janë procedurat, kush është autoriteti kontraktues e kush operatori ekonomik, na shfaqet trekëndëshi subjektiv që, përveç përgjegjësisë ligjore, do të duhej t’i nënshtrohej edhe përgjegjësisë morale – autoriteti kontraktues, operatori ekonomik dhe gjykata e tenderëve. Dimensioni etik do të duhej të ishte në anën e asaj që konsiderohet garanci ligjore për procesin e rregullt dhe transparent. Por, meqë proceset kushtëzohen nga paraja, atëherë qëllimi për të fituar mbizotëron mbi arsyen. Dhe jo rastësisht, ekspertët, prokurimin publik ndryshe e quajnë “biznes shtetëror”.

Të përfshirët në procesin e prokurimit kanë edhe një tjetër lehtësim moral në përpjekjen e tyre për të masakruar buxhetin me “procedura ligjore”. Në proceset tenderuese bëhet fjalë për fonde që janë të taksapaguesve, por që në gjykimin e manipuluesve janë të askujt.

Kjo “e askujt” është e theksuar sidomos te shoqëritë e pakonsoliduara, që shtetin e ndiejnë si diçka të huaj dhe ku e mira e përgjithshme përdoret vetëm për qëllime retorike dhe manipuluese.

Për strukturat mafioze politike e afariste, shfrytëzimi i dobësive në sistem nuk mund të quhet veprim i shëmtuar. Sipas tyre, këtë do ta bënin edhe shoqëritë e zhvilluara, po të mos ishin ligjet e zbatueshme. Por, pikërisht kjo e fundit na çon te ligjbërësit tanë dhe garantuesit e zbatimit të tij. Edhe ata funksionojnë me logjikën e biznesit, edhe ata kanë ndjesinë e njëjtë ndaj asaj që është e mira publike. Madje, edhe më keq, ata janë brenda sistemit – aty ku merret vendimi për punët që duhet kryer, ku hapet tenderi, ku caktohen kriteret, ku përzgjidhet kompania dhe ku arsyetohet ligjshmëria e dhënies së tij. Ata caktojnë prioritetet investuese në nivelet e qeverisë qendrore dhe komunale, ata përcaktojnë sasinë e buxhetit që duhet ndarë institucioneve, dhe janë po ata që paralajmërojnë grupet e interesit të tyre që të përgatiten për procedurat e ardhshme tenderuese.

Krejt në fund, ata edhe bëjnë ligjin. E kur fillon të dekonspirohen defektet e tij, ata i bëjnë edhe plotësimndryshimet, po me defekte. Ligji për prokurimin publik është ndër ligjet që u është nënshtruar më së shumti korrigjimeve (të paktën 5 herë) – dhe për po aq herë është rritur mundësia e manipulimit dhe keqpërdorimit.

Nga ky soj i keq i njerëzve që kontrollojnë dhe keqpërdorin të mirat publike, dëmi nuk është vetëm financiar. Më shumë se kaq, ata janë duke i bërë dëm perspektivës politike dhe ekonomike të vendit. Kosova nuk mund të bëjë asnjë hap para drejt liberalizimit të vizave pa dhënë prova të vërteta se po lufton dukurinë e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe investimet e huaja janë në nivelet minimale, me tendencë të rënies së mëtejshme. Vendet e BE-së nuk mjaftohen me deklarata premtuese të drejtuesve të shtetit e as me veprime të vakëta të institucioneve të drejtësisë, për më tepër që e edhe ata e dinë se ato premtime vijnë pikërisht nga ideatorët dhe bartësit e krimit dhe të korrupsionit.

E qytetari i Kosovës, që ka pritur një vit e gjysmë për tabelat e automjetit, i ka dy opsione. Ose të vazhdojë të vuajë nga sindroma e trashëguar e “durimit” dhe perspektivën t’ua lërë në duar këtyre që e çuan vendin në krizë dhe izolim, ose t’i largojë në skena, e bashkë me ta, të shpresojë se ka larguar edhe të gjitha të këqijat që e rrethojnë.
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...