Vjedhje industriale, apo vjedhje shtëpie?

19 Nëntor 2016 - 10:53 - Adriatik Kelmendi      

Një argumentim për mbylljen e listave zgjedhore; ose si ndodhi që disa individë në vend se të përfundonin në burg – u ulën në Kuvend?

ZGJEDHJET E VITIT 2010 në Kosovë mbahen në mend në masë për atë që u kthye në togfjalëshin tipik i përshkrimit - “vjedhje industriale” e votave.

Në zgjedhjet e radhës, ato të vitit 2014, duke marrë si leksion parapraket, u investua shumë që të mos përsëritet vjedhja industriale, por ndodhi fenomeni i “vjedhjes së shtëpisë”.

Që i bie, në rastin e parë, u teprua aq shumë me vjedhjen e votave, sa që partitë duke dashur ta mundin njëra-tjetrën, humbën kontrollin e procesit dhe, në rastin si ai i Skenderajt, ndodhi që të votojnë 120 për qind të votuesve.

Në të dytin, vjedhja mes partive të ndryshme u reduktua dukshëm, por ndodhi vjedhja ndërmjet kandidatëve të caktuar brenda partive të njëjta.

Në të dyja rastet ka pasur edhe qindra dënime të komisionerëve që manipuluan procesin zgjedhor për nevoja të kandidatëve të caktuar për deputetë, po ashtu edhe masa të tjera, mirëpo fitimtarë mbetën - urdhërdhënësit.

Hajnat e vërtetë këtu dalin të jenë disa kandidatë për deputetë, të cilët duke përdorur metoda të ndryshme manipulimi të mundësuara nga komisionerët, përfunduan jo në burg, por në Kuvend.

E nëse, siç është nënvizuar në disa raporte për zgjedhjet, këto manovrime mund të kapin edhe rreth 20 për qind të rezultatit përfundimtar zgjedhor, i bie se në Kuvendin e Kosovës në vend se të uleshin përfaqësuesit e zgjedhur me votë të lirë të popullit – të ulen 20 për qind hajna.

E nëse dikush ia del që të ulet në organin ligjvënës të shtetit me lehtësinë e manipulimit të procesit, ai vështirë t’ia dijë edhe vlerën pozitës së fituar, rrjedhimisht duke mos bërë përpjekje për të kontribuuar.

Logjika e thotë: Nëse nuk ka ardhur me votë të popullit në Kuvend, pse në të njëjtin Kuvend duhet të punojë për popullin që nuk e ka zgjedhur?!

SË FUNDI KA filluar të diskutohet për reformën e stërzgjatur zgjedhore. Pavarësisht se a do t’ia dalin subjektet e pushtetit dhe të opozitës të ulen e të merren vesh se a duhet bërë reformën dhe a shkuar në zgjedhje, ose se duhet shkuar në zgjedhje dhe pastaj të bëhet reforma – disa ndryshime thelbësore do të duhej të ndodhin.

Më e mira do të ishte sikur të mundësohej një reformë e shpejtë, në mënyrë që të shkohet edhe në zgjedhje të shpejta, e të dalin institucione më kredibile se këto që i kemi sot.

Përgjithësisht është vlerësuar se dy mandatet e fundit të Kuvendit të Kosovës janë me cilësinë më të diskutueshme ndonjëherë pas luftës.

Manipulimet e kandidatëve “komandantë” me rrjete të forta në terren dhe mundësi klientelizmi dhe ushtrimit të ndikimit (respekt për përjashtimet), kanë bërë që shumë persona të vlerësuar nga opinioni brenda subjekteve politike të mbesin jashtë Kuvendit.

Qarkullimi i listave me emrat e pesë deputetëve që duhet votuar, ka ndikuar që kandidatët “e fortë”, por të fortë jo domosdoshmërisht në kuptimin e cilësisë politike, t’i lënë në margjina të dalluarit edhe në radhët e partive të njëjta.

Kjo, pa dyshim, paradoksalisht që është mundësuar në masë duke implementuar sistemin të proklamuar si më demokratikun për zgjedhje – listat e hapura.

Me sistemin e tri cikleve të fundit zgjedhore në Kosovë, me lista të hapura dhe me mundësinë e votimit të pesë kandidatëve, është arritur gjithçka tjetër përveçse përfaqësim i votës direkte të qytetarit.

NË ANËN TJETËR, shumica e shteteve të rajonit, por edhe shumicës së Evropës, kanë lista të mbyllura. Dhe besoj thellësisht se në zgjedhjet e ardhshme edhe në Kosovë do të duhej dhënë shansi edhe një herë listave të mbyllura.

Pse?

Meqë gara për t’u pozicionuar më lart në renditjen partiake do të bëjë që kandidatët potencialë për deputetë të një subjekti politik të bëjnë më shumë përpjekje që të punojnë për të mirën e vendit, që në të njëjtën kohë do të duhej të përkthehej edhe në të mirën e partisë dhe pastaj t’u njihej ky angazhim me vendosjen në rangim të lartë në listë nga vetë subjekti.

Nëse ka disponim për luftëra të brendshme, më mirë që ato të bëhen brenda sojit dhe jashtë procesit zgjedhor, se sa të bëhen gjatë procesit dhe me manipulime të zgjedhjeve.

Ka mjaft shembuj nga shtetet e tjera që ilustrojnë këto argumente dhe sigurisht të njëjtat kanë bërë që edhe shumica e shteteve të përcaktohen për lista të mbyllura, në vend të atyre “më demokratike” të hapura.

Mirëpo, ka edhe një argument tjetër tepër të rëndësishëm, që favorizon listat e mbyllura e që janë – koalicionet parazgjedhore.

Deri më tash kemi parë hezitime nga subjekte relativisht të vogla që të përfshihen në koalicione parazgjedhore me parti më të mëdha, nga frika se struktura e madhe në terren e subjekteve të mëdha dhe votimi i organizuar për pesë kandidatë, do t’i bënte të padukshëm kandidatët e të vegjëlve.

Nëse lista do të ishte e mbyllur, atëherë kryetarët e subjekteve që duan të bëjnë koalicione parazgjedhore do ta kishin më të lehtë të merreshin vesh ndërmjet vete për renditjen e kandidatëve nga partitë e tyre në listat zgjedhore, duke u kujdesur që së paku disa prej të njëjtëve edhe do t’iu mundësohet përfaqësimi thuajse i garantuar në Kuvend.

Kështu, koalicionet parazgjedhore do të ndihmonin edhe krijimin e blloqeve më të mëdha politike në vend dhe të rriste gjasat për rotacion më të lehtë dhe më normal politik të pushteteve, ose edhe rikonfirmim.

NË KËTË FRYMË ka pastaj hapësirë për debat edhe për pragun zgjedhor, që mbase do të duhej ulur në 3 për qind, si dhe për ndarjen e re të zonave zgjedhore – mundësisht sa më shumë zona - në mënyrë që të sigurohet se edhe kandidatët më të mirë për deputetë nga zona të caktuara do të kishin mundësi më të mëdha për t’u zgjedhur.

Sidoqoftë, nëse mbesim në sistem zgjedhor të njëjtë dhe kërkojmë rezultate të tjera zgjedhore, kjo është sikur të kërkojmë supë të ndryshme, por me mëlmesa të njëjta.

Sërish, gjasat do të jenë të mëdha që së paku disa individë në Kuvendin e ardhshëm, në vend se përfaqësues të popullit të jenë në fakt – hajna të sistemit.

E, thonë, hajnit kurrë hairin nuk ia sheh shtëpia e vet!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...