Rruga, zgjedhjet, konsensusi

18 Nëntor 2016 - 08:44 - Veton Surroi      

Kur mund të parashihet rënia e Qeverisë, opozita dhe shoqëria civile e kanë borxh katër përgjigje

1.

Kriza e shtetit të kapur mund të shihet në cilëndo javë të cilitdo muaj, por në formë më mbresëlënëse u duk në këtë nëntor.

- Vdekja e Astrit Deharit shpërfaqi në formë tragjike mungesën e funksionalitetit të institucioneve të demokracisë e të shtetit.

-Si fitore e madhe e sovranitetit u shpall projekti që Serbia t'ia japë për përdorim Kosovës kodin telefonik ndërkombëtar +383 dhe u paralajmërua se hapi i ardhshëm duhet të jetë formimi i Asociacionit të komunave serbe, ndonëse një gjë e tillë shkon ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

-Qeveria miratoi një projektbuxhet, i cili lëngon seriozisht nga pasojat e investimeve në autostradë, duke e rritur borxhin e brendshëm dhe të jashtëm, por duke mos e ndryshuar në formë vendimtare perspektivën zhvillimore të vendit.

-Në sistemin e shëndetësisë sikur në atë të arsimit vazhdon zhbërja e institucioneve publike dhe ulja e standardeve të përgjithshme të shërbimeve në emërtuesin e përbashkët më të ulët privat e publik. Arsimi prodhon numër gjithnjë e më të madh të qytetarëve të padijshëm me diplomë, ndërsa shëndetësia numër më të madh të qytetarëve që kanë nevojë për trajtim të mëtejmë.

Paraliza politike, e filluar së pari pas zgjedhjeve parlamentare me pamundësimin e një koalicioni të gjerë VLAN e të vazhduar me marrëveshjet e Brukselit është në autopilot, duke pritur njërin prej dy ngjarjeve (dhe me rëndësi se cila vjen e para) : zgjedhjet e parakohshme apo veprimin e Gjykatës speciale ndaj pjesëtarëve të elitës politike.

2.
Në paralizën e këtillë, dy zhvillimeve u rriten gjasat e të ngjarit.

Njëra është që pushteti të përpiqet të ruajë kontinuitetin, pra ta kalojë pa pasoja, pa llogaridhënie e transparencë, vdekjen e Astrit Deharit dhe politikën e vet për ta demonizuar opozitën, duke përfshirë edhe përpjekjen për kriminalizim. Njëkohësisht, pushteti mund të përpiqet të vazhdojë rrugëtimin e vet me Asociacionin e komunave serbe, sikur të mos kishte ndodhur gjë ndërkohë. Politika e këtillë e kontinuitetit ka gjasa të mëdha të kontestohet me protesta në rrugë nga ana e opozitës, të bashkuar apo jo.

Zhvillimi tjetër është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Arsyet për këtë mund të gjenden te paraliza politike, kriza e shtetit të kapur apo edhe interesi partiak i ndonjërit prej anëtarëve të koalicionit qeverisës.

Që të dyja paralajmërojnë fundin e Qeverisë së këtillë çfarë e njohim. Por, a do të thotë se e paralajmërojnë edhe fundit e modelit të qeverisjes, a i japin fund shtetit të kapur?

3.
Përgjigjja është jo, apo jo domosdoshmërisht. Një situatë hipotetike ku Qeveria bie për shkak të protestave të opozitës (e një zhvillim i këtillë ishte bukur afër në dymbëdhjetë muajt e kaluar) apo një situatë hipotetike ku Qeveria bie për shkak të votës së mosbesimit (të dhënë edhe nga ana e njërit partner të koalicionit) nuk do të thotë se do të pasohet me qeveri a qeverisje më të mirë.

Përgjigjja do të ishte pozitive, apo afërsisht pozitive, nëse së bashku me parashikimin e fundit të Qeverisë e të qeverisjes, do të mund të shihnim se çfarë duhet të jetë politika e diskontinuitetit. Cilët duhet të jenë hapat e qeverisjes së ardhshme që duhet të ndërrojnë kursin e ndërtimit të shtetit dhe ta shpien drejt objektivi i një shteti funksional, demokratik, një shteti të plotë evropian.

Përgjigjja për të cilën ka nevojë vendi nuk është vetëm ajo se si dhe kur do të bjerë kjo formë e qeverisjes, por çka është ajo që duhet të bëjë një pushtet ideal demokratik, të shërbehem me një kategorizim të huazuar nga një aktivist i mençur i shoqërisë civile kosovare, në katër fushat (të vizatuara me vija të trasha) e që të dallohet prej rrjedhës së deritanishme pushtetit:

-Funksionaliteti i shtetit;

-Zhvillimi ekonomik;

-Mirëqenia sociale;

-Sovraniteti.

4.
Në ditët që vijnë do të dëgjojmë thirrje gjithnjë e më të forta për fundin e kësaj Qeverie. Dhe për fundin e kësaj Qeverisje.

Forcat opozitare në vend, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, kanë një barrë edhe më të rëndë se përqendrimi te fundi i kësaj Qeverie. Duhet të japin përgjigje se a duan edhe fundin e kësaj qeverisjeje dhe, nëse po, çfarë do të jenë masat që kanë ndër mend t'i marrin, në katër fushat (me vija të trasha). Vetëm kështu, duke krijuar emërtues të përbashkët për veprim shoqëror, mund të shndërrohen në fuqinë transformuese që i nevojitet Kosovës.

Apatia e këtij vendi, që zgjohet vetëm kur është duke humbur (me Asociacion të komunave serbe, Demarkacion, vdekje të aktivistit politik Astrit Dehari), mund të përfundojë nëse kupton se nuk jetojmë më në kontekst normaliteti, në atë kontekst ku çfarëdo qofshin gabimet që i bëjnë vetë kosovarët disi do të korrigjohen prej SHBA-së, Britanisë së Madhe a miqve të tjerë. Jetojmë në kontekstin kur ndryshimi demokratik i qeverisjes duhet të bëhet nga vetë kosovarët. Dhe, nëse bëhet, do të ketë përkrahjen e forcave integruese evropiane, të forcave tashmë të kufizuara të demokracisë liberale në botë. 

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...