Intelektualët dhe kriza shoqërore e shtetërore e Kosovës

13 Nëntor 2016 - 11:23 - Fahri Musliu      

“Koha jonë në realitet është koha e kritikës, së cilës duhet t’i nënshtrohet çdo gjë". (Kant)

Gjatë bisedave të përditshme shpesh përdoret nocioni “intelektual” (madje edhe vend e pavend), ama duket se askush ose pakkush e di domethënien e këtij nocioni apo misionin e intelektualit, sepse konsiderojnë se të gjithë me diploma fakulteti (?) janë intelektualë. Po nëse është ashtu çfarë është roli dhe kontributi i tyre sot në tejkalimin e krizës së madhe shoqërore e shtetërore nëpër të cilën po kalon Kosova?

Cilët janë intelektualë dhe cili është misioni i tyre?

Në përkufizimin e intelektualit në rend të parë vjen liria dhe autonomia e personalitetit, që është i pavarur në mendim dhe nuk i përqafon urdhrat e paarsyetuara nga kushdo që vijnë (rebelimi kundër autoritetit është veti qenësore e intelektualit); kurse në veprimet e veta udhëhiqet sipas ndërgjegjes, e jo sipas normave heteronome (të varura). Kjo presupozon përgjegjësi për zbulimin e së vërtetës e mbrojtjen e lirisë, dhe guxim për t’iu kundërvënë dhunës dhe së keqes.

Intelektualët nuk janë dogmatikë në filozofi as autoritarë në politikë, dhe nuk kanë raport instrumental ndaj ideve, prandaj mendimi kritik, përfshirë edhe ndaj ideve të veta dhe ndaj botës, në të cilën jetojnë, janë dispozita të dalluara të intelektualëve – ata janë opozita shpirtërore e sistemit të fuqisë politike dhe ekonomike. Me fjalë tjera, interesi intelektual është zbulimi i së vërtetës që të dizajnohet bota, e jo që atë ta sundojë. Prandaj intelektuali “jeton për idenë” e “jo nga ideja” (këtu është dallimi midis misionit dhe profesionit). Filozofi Zygmunt Bauman thotë: “Të jesh intelektual do të thotë të luftosh kundër botëkuptimit të njëanshëm ideologjik dogmatik të botës, në të kundërtën kur është i robëruar me një pikëpamje mbisunduese ndaj botës, intelektuali bëhet ideolog shtetëror në shërbim të sistemit të dhënë, e jo të përparimit të njeriut”

Prandaj, intelektuali publik është ai që ka distancën kritike dhe i cili u përballon halleve të demokracisë dhe kënaqësive të diktaturës, të vërtetave të hidhura dhe rrenave të ëmbla, sprovave dhe sfidave. Intelektualët publikë janë ata që qëndrojnë dhe jetojnë në hapësirën publike, përkundër apostrofimeve nga politikanët, duke gjetur paqe e rehati në harmoninë e mendimit dhe veprimit të vet. Kush paraqitet sot publikisht, ai vepron në meshapësirë, ndërmjet mesazhit të poetit: „Më mbyti fjala tepër e fortë”, dhe rrëfimit të papës: „E thashë dhe e shpëtova edhe shpirtin tim”.

Por a janë në të vërtetë intelektualë të gjithë njerëzit me arsimim superior (fakultet), apo është kjo elita e privilegjuar shpirtërore, e cila e vetmja është e talentuar me aftësi intelektuale, apo këta megjithatë janë prodhuesit e ideologjive të ndryshme, ata që jetojnë nga shitja e ideve apo jetojnë për idetë e veta.

Arsimimi dhe dija paraqesin kushtin, por jo edhe kushtin e mjaftueshëm, që dikush të bëhet intelektual, ashtu sikurse po ndodh tek ne në Kosovë, ku të gjithë ata që kanë të kryer fakultete e madje edhe me diploma (false) të blera, të pavlefshme. Gjithashtu as profesioni nuk e bën intelektualin, veçmas nëse ushtrohet si zanat dhe si kusht për fitime, por as pozita shoqërore (funksioni) nuk të bën intelektual. Prandaj intelektualë mund të jenë edhe personat që nuk kanë kryer ndonjë shkollim të lartë, por posedojnë njohuri, integritet, besueshmëri dhe luftojnë për lirinë, të vërtetën dhe mirëqenien, dhe janë në shërbim të njerëzimit e përparimit.

Dihet se intelektualët ekzistojnë mbi dy ide: lirinë dhe të vërtetën. E vërteta të shpeshtën sjell konfliktin midis intelektualëve dhe pushtetit aktual. Sundimtarët (në asnjë sistem dhe gati asnjë shtet) nuk e duan të vërtetën. Ata janë në frikë prej atyre që janë nën pushtetin dhe opinionin e tyre. Në masën në të cilën raporti ndërmjet sundimtarit dhe vasalit është i gërshetuar me frikën, intelektualët kanë guxim “të shërbehen me mendjen dhe guximin e vet”. Ata i çlirojnë edhe tjerët nga ajo frikë dhe u ndihmojnë atyre të jenë qytetarë. Maks Veber ka tërhequr vërejtjen: „Kundërshtoje të keqen, ndryshe edhe ti do të jesh përgjegjës për supremacinë e saj”.

Pra intelektuali duhet të ketë vesh për frymën e kohës, ngjarjet, krizën, mjerimin, rrënimin e moralit. Duhet të ketë integritet dhe kode të fuqishme etike e njerëzore. Për atë nuk është me rëndësi të jetë në rrjedhë, por mund të ndikojë në rrjedhat. Ai nuk i afrohet shumicës, ai/ata janë pakicë, ama shumica u afrohet atij/atyre. Ai është i vetëdijshëm se ndryshimet në shoqërinë njerëzore nisin me ndryshimin e mendimit të njeriut. Intelektuali ndoshta edhe mund të sjellë sensacionin, por qasja e tij nuk guxon të jetë sensacionale. Intelektuali publik ka prestigj, por jo edhe fuqi politike dhe ekonomike.

Në këtë kontekst Çeslav Milosh (në veprën “Truri i robëruar”) e përshkruan shkëlqyeshëm tipin ketman të intelektualit (intelektualit artist) si identifikim të individualitetit me rolin me të cilin është zotuar të luajë lojën dhe i cili, duke u kënaqur plotësisht në atë rol, nuk është në gjendje të dallojë “unin” e vet, meqë atë e simulon; ai është individ i cili hesht për bindjet e veta dhe u përshtatet kërkesave të kohës së vet duke prodhuar racionalizmin i cili thotë: pasi po jetoj në rrethanat mbi të cilat nuk kam kontroll, dhe pasi e kam vetëm një jetë, publikisht do t’i përfaqësoj qëndrimet e dëshiruara, kurse në punën time shkencore do të zbatoj hulumtime në harmoni me metodat shkencore, respektivisht më duhet ta paguaj çmimin që të kem të drejtë për ta praktikuar profesionin tim. (Shembull tipik i këtij përshkrimi janë shumica e “intelektualëve” të Kosovës).

Intelektuali publik është ai i cili ka angazhim publik, por jo edhe ambicie politike. Kjo nuk do të thotë se duhet gjykuar angazhimin politik. Përkundrazi. Arenës politike i nevojiten njerëzit me „ortopedinë e ecjes vertikale” e jo arrivistë e poltronë. Ata të cilët me idetë e qëndrimet e veta e detyrojnë pushtetarin të jetë në funksion të së vërtetës, lirisë, mirëqenies. Nëse kjo nuk i pi ujë, shefit të vet duhet t’i thotë “lamtumirë”. Pra, intelektuali publik është ai të cilin nuk e braktisin parimet etike, i cili i përballon krizës morale dhe nuk lejon krizën e kompetencës. Në versionin e Kantit kjo është: „Ligji i moralit në mua dhe qielli me yje mbi mua”. Autonomia morale e personalitetit nënkupton jetën në harmoni me bindjet e veta.

Kuptohet se në secilën shoqëri ekzistojnë edhe kategoritë e pseudointelektualëve si antipod i intelektualit. Sipas Rajs Milsit këta janë "mediokritetet intelektualë", që janë në shërbim të njerëzve me fuqi dhe të cilët nuk e kanë ideal dijen, veçse ajo është vegël praktike si përdorim instrumental i dijes dhe për avancim. Ata këtë avancim e arrijnë sipas principit UNË TY, TI MUA! dhe sipas servilizmit poltron karshi strukturave politike. Gjegjësisht ndaj qendrave formale të fuqisë politike. (Në Kosovë ke sa të duash shembuj të tillë).

Sa janë fajtorë “intelektualët” për gjendjen aktuale në Kosovë?

Raporti i intelektualëve dhe i politikës nuk është fare i thjeshtë e as njëkuptimor, veçmas në shoqëritë e pazhvilluara, të paqytetëruara e me kulturë të ulët, dhe të cilat kohë të gjatë ballafaqohen me kriza të thella, çfarë është ajo shqiptare në përgjithësi, dhe në Kosovë në veçanti. Prandaj edhe shtrohet pyetja nëse kemi sot në Kosovë intelektualë në kuptimin e plotë të fjalës dhe misionit? Sigurisht se po, mirëpo numri i tyre është i vogël (mund të numërohen me gishtat e një dore) dhe kryesisht i lexojmë paraqitjet e tyre (kritike) publicistike në gazeta dhe i dëgjojmë nëpër media elektronike, por ndikimi është i padukshëm.

Mirëpo edhe paraqitja e ideve apo qëndrimeve kritike sot nuk është fare e lehtë kur opinioni kosovar është politizuar (polarizuar - falë partive politike) e portalizuar (skandalizuar) në ekstrem, kur çdo qëndrim kundërshtohet pa argumente, kur çdokush kontestohet pa fakte vetëm e vetëm pse i takon “taborit” tjetër, apo ka një biografi “të dyshimtë” se ka jetuar, shkolluar e vepruar në sistemin komunist; se është i biri/e bija e këtij apo atij personi të dyshimtë (kryesisht, tradhtar, bashkëpunëtor i UDB-ës, jugonostalgjik, titist, proserb, serbokomunist...), kur tradhtarët po shndërrohen në heronj e patriotë, kurse heronjtë në tradhtarë dhe antikombëtarë, kur po amnistohet fashizmi e nazizmi e po kritikohet antifashizmi!

Po të kishim intelektualë që do ta kryenin misionin e tyre si duhet, atëherë përse shoqëria dhe shteti i Kosovës po përjeton krizën më të thellë që nga përfundimi i luftës, përfshirë edhe korrupsionin marramendës, krimin e organizuar dhe izolimin e qytetarëve, pa të drejtë të lëvizjes së lirë në shtetet e BE-së? Si ndodhi që para syve të një armate të tërë të “intelektualëve” shteti më i ri në botë të vuajë nga kanceri vdekjeprurës: kemi parlament me numër jo të vogël të deputetëve të dyshuar, akuzuar apo dënuar madje edhe për vepra të rënda penale; parlament (tempull i demokracisë dhe i ligjshmërisë), por miraton rezolutë kundër drejtësisë; kryetarë e zyrtarë të komunave që akuzohen e paditen për keqpërdorime të detyrës; drejtues jokompetentë në qeveri dhe në institucione tjera publike vetëm e vetëm pse janë militantë të partive në pushtet; diplomatë të paaftë për ta prezantuar shtetin e që nuk kanë autoritet as në mjedisin prej nga vijnë: korrupsion marramendës, trafikim të njerëzve e drogës dhe prostitucion; vrasje të pazbuluara politike; eskadron të vdekjes; papunësi e varfëri të skajshme; arsim, edukim, shëndetësi, gjyqësi e ekonomi të rrëmuar; mbisundim i sistemit të jovlerave; instalim të kulturës së primitivizmit, tallavasë, kiçit dhe shundit; rini të çorientuar dhe pa asnjë perspektivë (bjerr rrugëve, e kalon kohën nëpër kafehane apo gjumë) dhe idhull i ka kriminelët, politikanët që vjedhin, të pasuruarit pa punë; shtet të zaptuar nga strukturat kriminale të pushtetit (të personifikuara në “Shtabin Pronto II”), dhe pjesëtarët e SHIK-ut famëkeq, të cilat shtetin partiak e kanë bërë pronë private; ekspert universalë për të gjitha fushat (pedagogu i muzikës analizon politikën e brendshme e të jashtme); terrorizmi dhe ekstremizmi fetar po i lëshon rrënjët gjithandej vendit.

Kosova shtet ku gati askush nuk është i kënaqur, madje as të privilegjuarit e të pasurit (se nuk flenë rehat) ku qytetarëve u është vrarë shpresa...

Mirëpo për këtë gjendje hiç më pak faj nuk bart edhe vetë shoqëria kosovare, e në veçanti elita “intelektuale” (dhe akademike), për shkak të heshtjes së gjatë dhe që janë e mësuar të jetojnë me këtë gjendje.

Thuhet se kur gjëmojnë topat duhet heshtur se nuk dëgjohet zëri, por ne heshtëm edhe pas pushimit të gjëmimit të topave. Pas luftës, të dehur nga liria dhe entuziazmi për një jetë dinjitoze; heshtëm kur para syve tanë ndodheshin veprime trishtuese të kryera nga disa “çlirimtarë” dhe “komandantë” të luftës, të cilët madje e kishin marrë edhe ligjin në dorë, duke bërë çdo gjë në emër të çlirimit” dhe duke na çuar selam “mos kundërshtoni e kritikoni se po e rrezikoni pavarësinë.” Duruam të gjithë dhe heshtëm, kurse atyre nuk u interesonte as liria, as pavarësia, por vetëm pushteti dhe fuqia politike e ekonomike. Kështu e vazhduan edhe pas pavarësisë, dhe madje me krenari pohonin se “ne e shpallëm pavarësinë”, dhe e shndërruan shtetin në pronë private. Kuptohet gjithë këtë e bënë edhe para syve dhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve...dhe populli (pra edhe intelektualët) po pret që kësaj të keqeje t’ia ndalë hovin, më herët EULEX-i e tash edhe Gjykata Speciale, dhe të huajt të na i zgjidhin telashet. Po harrohet se kur orteku i madh i borës nis të rrokulliset vështirë mund të ndalet, veçmas jo me pritje dhe heshtje. Sigurisht se intelektualët vetëm nuk mund ta pengojnë këtë ortek të së keqes, por mund ta deligjitimojnë, ta shpallin të papranueshëm, ta stigmatizojnë dhe ta quajnë me emër të vërtetë dhe ta demaskojnë.

Në këtë rrafsh mund të konstatohet se shumica e intelektualëve kosovarë nuk janë (e s’kanë qenë) dashamirë të shpirtërores, veç materialistë praktikë. Nuk po luftojnë për të vërtetën, veç po u shërbejnë klaneve të ndryshme në pushtet dhe jashtë tij. Nuk po e shikojnë të mirën e përgjithshme, por atë vetjake (familjare, klanore, partiake). Në servilizmin e vet kanë lejuar që politikanët të jenë arbitër të së vërtetës dhe moralit. Në shtetin ku “rrëmbehet” pushteti i ideologjive (regjimeve) dhe i ekonomisë (parave), nuk ka vend për intelektualin e mirëfilltë. Së këndejmi është e arsyeshme pyetja e Blais Pascal »a nuk është të paktën krim të jetosh në paqe, duke shkatërruar njëkohësisht të vërtetën«.

Mirëpo meqenëse intelektualët janë në shërbim të (së vërtetës e lirisë) njerëzimit, shtetit e kombit, ata mund të jenë edhe pjesë e pushtetit (qeverive) si këshillëdhënës të cilët me dijen, autoritetin, qëndrimet, ndikimin e besueshmërinë që kanë mund të imponojnë realizimin e ideve dhe zgjidhjeve të veta dhe të ndikojnë në eliminimin e dukurive negative në shoqëri. Ata këtë nuk e bëjnë për shkak të posteve ose pagesave, veç e kanë obligim intelektual për të kontribuar në zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit e të shoqërisë. Por ata kur e shohin se personi apo organi të cilin e këshillojnë nuk po i përfill këshillat e tij, atëherë duhet të largohen nga aty dhe të vazhdojnë misionin e vet si intelektualë aktivë të pavarur.

Pra ka situata në të cilat punëtori publik (përfshirë këtu edhe shkrimtarët, shkencëtarët, artistët, gazetarët...), i cili edhe është në zë të mirë në shoqëri, duhet ta ngrejë zërin deri në qiell, ndryshe do ta humbë. A po ndodh kjo sot në Kosovë me punëtorët publikë në përgjithësi, dhe a po e humbin ata prestigjin dhe autoritetin që kanë në shoqëri, pikërisht për shkak të heshtjes? Sepse, siç thotë edhe filozofi gjeruam Kant, "Koha jonë në realitet është koha e kritikës, së cilës duhet t’i nënshtrohet çdo gjë."

Në të kundërtën nuk na mbetet asgjë tjetër, pos që edhe publikisht të brohorisim: Avanti diletanti! 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...