Nga Garashanini te Dobrica Qosiqi: Si të nënshtrohet Kosova?

11 Nëntor 2016 - 08:24 - Halil Matoshi      

Që nga Načertanije (drafti sekret 1844) e ministrit të Brendshëm, Ilia Garashanin, përmes elaboratit të Ivo Andriqit të porositur nga kryeministri Milan Stojadinoviq, pastaj elaboratit të Vasa Çubriloviqit, e pjesërisht të realizuar nga ministri i Brendshëm jugosllav Aleksandar Rankoviq, derisa ai u hoq nga Tito prej pushtetit në Plenumin e ashtuquajtur të Brioneve më 1966. Nga “Marrëveshja xhentëlmene” me Turqinë, “Otkupi” e deri te Memorandumi 1 dhe 2, iniciuar nga Dobrica Qosiqi & SANU për zgjidhje ushtarake (i pari) dhe “përkufizimi paqësor me shqiptarët” (i dyti) Serbia e ka ngritur në doktrinë shtetërore zhdukjen e një populli.

Drafte, plane e projekte, elaborate e memorandum, gjatë një shekulli të Serbisë për heqjen qafe të shqiptarëve, kjo është historia e armiqësisë serbe, që shfaqej herë si racizëm e herë hegjemonizëm shtetomadh, por që nuk ia doli kurrë t’i realizonte objektivat e saj. E para, sepse shqiptarët nuk e ndalën kurrë rezistencën e tyre, dhe e dyta, sepse ata nuk i përdoren kurrë mjetet që përdoren serbët kundër fqinjëve të parë…
Načertanije (drafti) ishte program i fshehtë i politikës nacionale serbe, që është shkruar nga fundi i vitit 1844 nga ministri i Punëve të Brendshme, Ilia Garashanin (1812—1874), për Knjazin Aleksandar Karagjorgjeviq (1842—1858). I plotë, së pari, është botuar më 1906.

Sipas draftit, Serbia duhet të punojë në çlirimin e serbëve dhe sllavëve tjerë dhe në bashkimin e Bosnjës, Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë Veriore (që nënkuptonte Kosovën), atëbotë nën Perandorinë Osmane, po ashtu edhe të Sremit, Baçkës dhe Banatit, atëbotë nën Perandorinë Austro-Hungareze.
Aktivitetet kryesore propagandistike të Serbisë do të përqendroheshin në bashkimin e të gjitha tokave ku jetonin serbët me Serbinë, sepse edhe Garashanini sikur pasardhësit tjerë mendonte se Serbia e posedon të drejtën hyjnore dhe historike për këto troje që e kanë mbështetjen në Mbretërinë Serbe të Dushanit nga shekulli 14.

Dhe ajo që është sekuenca më interesante, është vështrimi themelor i Načertanijes mbi marrëdhëniet serbo-ruse, ku shprehimisht thuhet se Rusia kurrë nuk do t’u shërbejë interesave serbe, përderisa do të mësyjë gjithmonë që Serbia t’u shërbejë interesave ruse.

Me kërkesën e Milan Stojadinoviqit, shkrimtari Ivo Andriq e kishte hartuar një promemorie zyrtare për ministrinë e jashtme. Andriq si zyrtar i lartë i Mbretërisë jugosllave nga 1937-1939 ishte zëvendës i ministrit të Jashtëm dhe diplomat karriere, përderisa Milan Stojadinoviq ishte shef Qeverie dhe ministër i Jashtëm. Në ballinën e promemories shkruante: “Referati i z. Andriq; 30. I. 1939.” (Studiuesit mund ta gjejnë këtë dokument në Arkivin e Serbisë – “Fondi i Milan Stojadinoviqit”, kutia 37.)

Pas rënies së Stojadinoviqit, Andriqi u bë ambasador në Berlin. Sa për informimin e atyre që nuk e dinë se Andriq ishte terrorist serb (dhe kryeministri shqiptar në Beograd, dëshmoi se nuk e di duke cituar fraza të tij) thelbi i dokumentit të Andriqit (ishte po ashtu anëtar i organizatës terroriste “Mlada Bosna” së bashku me Vasa Çubriloviqin, i cili po ashtu ka bërë një elaborat kundërshqiptar, për çka do të bëhet fjalë në vazhdim të kësaj serie – një nga atentatorët mbi Arqidukën Franc Ferdinand në Sarajevë më 28 qershor 1914, gjë që u bë si shkak për Luftën e Parë Botërore) që ishte ndarja e Shqipërisë, shpërngulja e shqiptarëve myslimanë dhe asimilimi i shqiptarëve të krishterë.

Nga “Mlada Bosna” ka dalë edhe organizata e fshehtë paramilitare dhe pararendëse e milicive sekrete serbe “Crna Ruka”)
“Me ndarjen e Shqipërisë (zyrtarisht Arbanija) do të shpërbëhej një qendër tërheqëse për pakicën arbanase në Kosovë, e cila në situatën e re do të asimilohej më lehtë. Ne eventualisht do të ditojmë nja 200 ose 300 mijë arbanas, porse ata shumica janë katolikë dhe marrëdhëniet e tyre me arbanasët myslimanë kurrë nuk i kanë pasur të mira. Çështja e shpërnguljes së arbanasëve myslimanë në Turqi po ashtu do të bëhej nën rrethana të reja, sepse nuk do të kishte kurrfarë rezistence më të fuqishme për ta penguar këtë.”

Rreth shpërnguljes së shqiptarëve kosovarë, në janar të vitit 1939, kishin biseduar kryeministri Stojadinoviq dhe ministri fashist italian i Punëve të Jashtme grofi Galeaco Çano, që ishte dhëndër i Musolinit. Në bisedimet sekrete Çano i kishte ofruar ndarjen e Shqipërisë, mirëpo, për arsye të panjohura, Knjazi Pavle e kishte refuzuar këtë plan me arsyetimin se ‘nuk na duhet më asnjë shqiptar”!

Referati „Mbi çështjen arbanase” pos shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë në Turqi propozonte zgjerimin e shtetit serb deri në portin e Shkodrës.
Edhe pse Andriq propagandonte idenë “Ballkani – ballkanasve” ai mendonte se të lejohet Italia të marrë së paku një pjesë të territorit ballkanik është e keqja më e vogël. “…sepse për ne në këtë moment, është e rëndësishme vetëm sigurimi strategjik i Kosovës. (…) Pushtimi i Shkodrës mund të ishte i rëndësisë së madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte të bënim shumë punë hidroteknike dhe të fitohet tokë e bukës për ta ushqyer Malin e Zi.”

Ivo Andriq më 1961 e ka fituar çmimin “Nobel” për letërsi.
Motivacioni ishte ky: "Për forcën epike me të cilën ai ka gjurmuar tema dhe ka përshkruar fatet njerëzore të nxjerra nga historia e vendit të tij."

Duke qenë se Andriq ishte terrorist dhe kishte bërë një dokument fashist kundër shqiptarëve, Ibrahim Rugova më 1988 kishte kërkuar nga Komiteti Suedez i Nobelit që t’i merrej çmimi.
Ngjashëm me referatin e Ivo Andriqit, edhe akademiku tjetër serb, Vasa Çubriloviqi (1897-1990), e kishte hartuar për nevojat e Qeverisë së Stojadinoviqit, memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta). Stojadinoviqi ishte jurist dhe ekonomist, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1935-1939, lindur në Çaçak 1888 – dhe vdekur në Buenos Aires, 1961).
Çubriloviqi ia propozoi kësaj qeverie mënyrat dhe metodat e zgjidhjes së “problemit shqiptar”, pa ndonjë ndryshim në thelb nga paraardhësit, porse me detaje sa bizare po aq dhe mizore.
Çubriloviqi në planin e tij për serbizimin e Kosovës, kritikonte mënyrën joefektive të kolonizimit të saj pas Luftës së Parë Botërore, kur në tokat e shqiptarëve ishin vendosur pjesëtarët e ish-ushtrisë serbe, duke mësyrë dëbimin e popullsisë shqiptare. Ai në këtë plan i propozon metodat e përndjekjes dhe të dëbimit fizik të shqiptarëve prej Kosove për në Turqi dhe në Shqipëri. Realisht këto metoda hyjnë në korpusin e zgjidhjeve të çështjes etnike me pastrim etnik. Frymëzimin për ta hartuar këtë plan Çubriloviqi e kishte marrë drejtpërdrejt nga Jovan Cvijiqi (1865-1927), gjeograf, rektor i Universitetit të Beogradit dhe kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe të Shkencave, i cili kishte qasjen raciste ndaj shqiptarëve si raca më ekspansive në Ballkan.

“Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit.

Deri në shekullin XIX është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saje të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit...
Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë (Kryengritja e Parë Serbe më 1804 – Xh. Z.), duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina. (…)
Pjesën tjetër të trekëndëshit shqiptar kishte për detyrë ta shkatërronte shteti ynë i sotëm, prej vitit 1918 e këndej. Një gjë të tillë ai nuk e bëri. Për këtë ka shumë arsye, e ne këtu do t’i theksojmë vetëm ato më të rëndësishmet: Gabimi kryesor i faktorëve tanë përgjegjës të asaj kohe qëndron në faktin se, për t’i zgjidhur problemet e mëdha etnike kanë tentuar t’i zbatojnë metodat perëndimore, duke harruar se ndodhen në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm. Turqia e solli në Ballkan parimin që e kishte marrë nga Sheriati, sipas të cilit, pas luftës së fituar dhe pushtimit të një vendi, fitohet edhe e drejta mbi jetën dhe mbi pasuritë e shtetasve të nënshtruar. Edhe popujt e krishterë të Ballkanit kishin mësuar prej tyre se me shpatë fitohen apo humben, jo vetëm pushteti dhe sundimi, por edhe shtëpia dhe prona. (…)”

Ndër metodat më bizare që propozonte terroristi serb Çubriloviq ishin ato të përndjekjes, që me një fjalë konsistonin në atë që shqiptarëve në Kosovë t’u bëhej jeta e padurueshme, prej ndëshkimit për ndonjë dhi që mbajnë për t’i ushqyer fëmijët me qumësht, deri te ndjekja për një armë.
Thjesht, atyre duhej t’u merrej çdo mundësi mbijetese.
Më 1953, në Split, Tito dhe Fuad Kyprili, ministër i Punëve të Jashtme i Turqisë, kishin arritur një “marrëveshje” që historiografia kosovare e cilëson “xhentëlmene” e që kishte të bënte me shpërnguljen e sërishme të shqiptarëve për në Turqi.
Pastaj pason fushata e quajtur “Otkupi”, përkatësisht mbledhja e tepricave të ndryshme të prodhimit, duke i lënë shqiptarët në mjerim.

Fushatën për mbledhjen e armëve (1956-1966) e kishte tfilluar Aleksandar Rankoviq, ministër jugosllav i policisë, kurse pas vitit 1981 një përfaqësues i komunistëve kosovarë, Ali Shukria, i kishte propozuar Milosheviqit që “shqiptarët t’i nënshtronte “duke i prekur në magje”, përkatësisht duke ua hequr mundësitë për të fituar bukën e gojës.
Dhe kjo ndodhi në vitet ’90, kur për dy vjet rreth 150 – 200 mijë shqiptarë në Kosovë u pushuan nga puna.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...