Një injeksion kundër racizmit, fashizmit dhe marrëzisë

3 Nëntor 2016 - 08:27 - Enver Robelli      

Ishulli spanjoll Tenerife e ka shpallur person të padëshiruar një politikan racist gjerman. Ndërkohë, një gjerman tjetër, komisar i BE-së, flet gjepura dhe për këtë nga mediat shpallet «llafazan budallallëqesh». Politikanët seriozë dhe shtypi profesional kanë një detyrë të madhe: luftimin e virusit të urrejtjes.

Janë disa politikanë që me kurajën e tyre të bëjnë të besosh se edhe tash, kur Evropa i ka punët keq, prapë ka shpresë. Dhe një shpresëdhënës i tillë është Fernando Sabaté nga partia majtiste spanjolle Podemos. Rrëfimi për Sabatén fillon në Gjermani. Në shtator, në ishullin spanjoll Tenerife është shpërngulur Lutz Bachmann, themelues i lëvizjes ekstremiste gjermane «Pegida». Kjo shkurtesë domethënë: evropianët patriotikë kundër islamizimit të oksidentit, në gjermanisht: «Patriotische Europäer gegen die Islamisierung des Abendlandes».

Për mbështetësit e zhurmshëm të «Pegidas» shkaktare e gati të gjitha të zezave me të cilat po ballafaqohen Gjermania, Evropa, mbarë Perëndimi, është – Angela Merkel! Andaj «Pegida» vazhdimisht organizon protesta kundër kancelares gjermane dhe kundër refugjatëve. Natyrisht, për «Pegidan» politikani i duhur për të zgjidhur problemet e botës është Vladimir Putini. Në tubimet e «Pegidas» shpesh dëgjohen klithmat urrejtëse «Lügenpresse» (shtyp i gënjeshtrave – me këto fyerje pegidistët atakojnë mediat e etabluara gjermane). «Pegida» preferon Putinin dhe lufton Merkelin, «Pegida» televizion serioz e quan kanalin propagandistik rus RT dhe jo televizionin publik gjerman ARD.
Pas arritjes në Tenerife, Lutz Bachmann deklaroi se tani e tutje do të zhvillonte aktivitetet e tij politike edhe ky ishull spanjoll. Si shumë gjermanë, edhe ai dëshironte t’i kalonte disa muaj në Tenerife. Por Parlamenti rajonal i Tenerifes tani ka marrë vendim që Bachmann të shpallet «persona non grata», person i padëshiruar.

Ndonëse nuk dihet nëse është e mundshme që Bachmann të dëbohet nga Tenerife, akti i Parlamentit rajonal është një sinjal i fuqishëm kundër racizmit, ksenofobisë, urrejtjes, gënjeshtrave politike. Bachmann është njëri prej popullistëve më të mërzitshëm në Gjermani. Dhe këtë e kanë kuptuar edhe partitë politike në Tenerifen e largët, sidomos partia e majtë e Fernando Sabaté, i cili është doktor i gjeografisë dhe ekspert i gjendjes socioambientale të Ishujve Kanare. Sabaté tha se deklarata e Parlamentit rajonal për ta shpallur politikanin agresiv gjerman person të padëshiruar “duhet të ketë efektin e injeksionit, sepse ky person është si virus. Ju lutem: kurrë më racizëm dhe fashizëm”. Politikanët seriozë kanë një detyrë të madhe: luftimin e virusit të urrejtjes. Spanjolli Fernando Sabaté duket të jetë i tillë. Të luftosh kundër racistëve kudo në Evropë është akt i madh patriotik, por edhe angazhim për mbrojtjen e ambientit nga ndotësit me shkronja dhe zhurmë.

Ndërsa Sabaté kreu detyrën e vet, ngriti zërin kundër një popullisti që manipulon me ndjenjën difuze të frikës që mbretëron në popullsi përballë shumë refugjatëve që kanë ardhur në Gjermani dhe gjasave që kjo valë të vazhdojë, në Gjermani detyrën e vet e kreu shtypi në një rast tjetër që ka të bëjë me politikanin Günther Oettinger. Ky njeri deri më tani ka qenë komisar për digjitalizim i Komisionit të BE-së; tani do të marrë postin e komisarit për buxhet – njëra nga detyrat më të rëndësishme në Bruksel. Bash ky zoti Oettinger para pak ditësh ishte i ftuar në Hamburg të fliste për BE-në dhe problemet me të cilat ballafaqohet ajo. Para të pranishmëve, të cilët me gjasë dëshironte t’i argëtonte, Oettinger tha se nëse BE-ja nuk është në gjendje të negociojë marrëveshje për tregti të lirë, atëherë duhet të shikojë se si do t’i caktojnë rregullat ata me «sy të rrudhur», të cilët i ngjyejnë flokët me «krem të zi këpucësh». Fjalën e kishte për kinezët. Oettinger llomotiti edhe mbi rrezikun që të gjithë njerëzit në Gjermani të obligohen për të lidhur «martesa homoseksuale».

Pastaj e përqeshi ish-kancelarin socialdemokrat Gerhard Schröder, i cili është caktuar ndërmjetës në konfliktin lidhur me shitjen e një rrjeti të dyqaneve në Gjermani. Schröder, tha Oettinger, ka kohë të merret me këtë punë - «sepse gruaja e ka lënë». Për gazetën «Süddeutsche Zeitung» Oettinger është një «llafazan i papërmirësueshëm budallallëqesh».
«Gjuha është një nga shpatat më të mprehta. Sidomos për politikanët. Ata duhet të jenë në gjendje t’i matin fjalët. Këtu nuk bëhet fjalë për korrektësi politike. Ajo nuk është shenjë e dobësisë, por e fuqisë intelektuale. Ajo kërkon reflektim mbi gjendjen e shoqërisë dhe vendin që ke në të. Secili njeri është ndryshe dhe mirë që është kështu. Vetë pranimi i kësaj të vërtete banale është dashur të ndikonte që Oettinger të mos i nxirrte nga goja ato që i tha. Dhe, përkundër kësaj, ai ka mundur t’i argëtojë dhe ngazëllejë dëgjuesit e tij», shkruan «Süddeutsche Zeitung».
Oettinger nuk e bëri këtë, sepse me gjasë shpesh më shpejt i punon gjuha se truri.

Rrjedhimisht, ai do të gjendet tani edhe më shumë nën fokusin e mediave gjermane, të cilat do të regjistrojnë çdo deklaratë të tij dhe nuk do të lënë rast pa ia përmendur marrëzitë që ka folur. Pasi Oettinger e talli ish-kancelarin Schröder, të cilit gjoja «i ka ikur gruaja», «Süddeutsche Zeitung» nënvizoi se një gjë e tillë i ka ndodhur në të vërtetë Oettingerit në vitin 2007, kur bashkëshortja e tij përmes shtypit të bulevardit tregoi se ishte dashuruar në një menaxher të «Porschesë». Njëjtë si Lutz Bachmann i «Pegidas» edhe komisari Günther Oettinger ka nevojë për një injeksion kundër marrëzisë. Mediat kryesore gjermane, të cilat kultivojnë një diskurs këmbëngulës në mbrojtje të demokracisë, do të kujdesen t’ia gjejnë ilaçin edhe Oettingerit.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...