Qirkuzat e padenjë dhe populli i verbuar

1 Nëntor 2016 - 07:56 - Flaka Surroi      

Pse nuk duam ta kuptojmë se 17 vjet janë jo të mjaftueshëm, por bile edhe teprojnë, për t’ua kënaqur sedrat “vlerave të luftës”. Për t’iu dhënë fuqinë, paranë dhe mekanizmat me të cilët do të vazhdojnë të na dhunojnë kolektivisht si popull, sepse këtë të drejtë ia kanë dhënë vetes me pushkë, e ne të tjerët, si delet në tufë, i kemi zgjedhur për të na përfaqësuar

Në njërën nga kolumnet që kisha shkruar para katër vjetësh, isha irrituar aq shumë me sjelljen e deputetëve në Kuvend dhe mungesën e përgjegjësisë ndaj votës që i kishte sjellë në shtëpinë e sovranit, saqë institucionin e pata “pagëzuar” Qirkuz – siç e kanë zakon t’i thonë talljes në Gjakovë.

Dhe jo që ky kompozicion i Kuvendit i konstituuar më 2014-n ka qenë më i mirë në dy vitet e fundit, porse këtë javë e arriti kulmin me diskutimet dhe sjelljet irracionale, që madje ia kaluan edhe gazit lotsjellës dhe hedhjes së vezëve e shisheve të ujit në sallën e seancave.

Për të dytën herë në një kohë jo fort të shkurtër, Kuvendi u mor me shqyrtimin e aktgjykimeve të shkallës së dytë me të cilat njerëzit e caktuar u dënuan për krime lufte. E gjithë përbërja, minus deputetët serbë që janë duke i bojkotuar institucionet, na i humbi dy ditë kohë e nerva duke u sharë ndërmjet vete; duke u akuzuar dhe duke u përpjekur për të dëshmuar, edhe një herë, se cili është më patriot se shoqi.

Kështu, përkufizimi më i shkurtër i patriotit sipas disave që llomotisnin aty është: patriot je nëse ke paguar 3-përqindëshin; nëse ke marrë pjesë në demonstrata dhe nëse ke paguar kontribute për fondin “Vendlindja thërret”. E besoj se patriot është edhe ai që ka luftuar me UÇK-në, por jo edhe FARK-un, dhe, që mundësisht të ketë qenë komandant diku. Krejt të tjerët, që kanë dhënë mësim nëpër shtëpi/shkolla; ata që kanë ofruar ndihmë shëndetësore falas për gati një dekadë dhe krejt të tjerët që kanë punuar që ky vend të mos shkojë krejt në fund të pusit, nuk i plotësojnë kushtet për t’u quajtur patriotë. Kaq thjesht. Kaq bardhë. Apo kaq zi.

Debat absurd

Sido që të jetë, vetë ideja se ishin deputetët e PDK-së ata që kishin ndërmarrë nismën për ta qitur në rend të ditës temën e aktgjykimeve kundër ish-ushtarëve të UÇK-së, që në start e tregonte njërin aspekt të verbërisë kolektive që pasqyrohet më së miri nëpërmjet përfaqësuesve të popullit në Kuvend. Askush nuk do që të shohë e aq më pak të kuptojë se një shtet i ka, në parim, tri pushtete të ndara: legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, dhe se, meqë janë të ndara, për pasojë janë të pavarura në veprime. Dhe përderisa legjislativi do të duhej ta mbikëqyrte ekzekutivin, në Kosovë ndodh që ai të merret me gjyqësinë: me të vetmen që mund t’ua prishë vendimet të gjithëve.

Në vend se të dalin me deklarata ku thuhet se mund të jenë të pakënaqur me aktgjykimin, porse e respektojnë vendimin e institucionit të pavarur, qirkuzat mblidhen për të debatuar dy ditë të gjata, për të treguar se si drejtësia është e padrejtë ndaj UÇK-së dhe vlerave të luftës, dhe në fund ta miratojnë një rezolutë që do të vdesë si plot letra të tjera që kanë kaluar nëpër duart e tyre. Dhe kur e shikon gjithë atë energji të humbur, ndalesh e mendohesh se si u bë që asnjëherë nuk u çuan të debatojnë se pse gjyqësia në përgjithësi ka telashe, dhe pse duhet një qytetar që nuk është vlerë lufte të presë pesë a shtatë vjet që të vijë në rend dite për shqyrtim padie në gjyq. Se pse janë me qindra mijëra raste që rrinë të papërfunduara nga policia, nga hetuesia, nga prokuroria – dhe çka mundet Kuvendi të bëjë që kjo punë të ndryshojë. Pa u përzier në kompetencat e gjyqësorit, ata mund të miratojnë ligje që do t’i përshpejtojnë procedurat – se këtë e kanë punë. E jo të merren me vlerësimin e aktgjykimeve të shkallës së dytë. Kjo s’është punë për ta, është punë e Gjykatës Supreme, nëse palët i drejtohen.

Rezolutat populiste

Këtij absurdi iu shtua edhe ai tjetri, i cili as nuk doli në votim, e që qe rezoluta e propozuar nga VV-ja. “UÇK-ja të futet në preambulën e Kushtetutës së Kosovës dhe të mbrohet si vlerë; Kuvendi i Kosovës nuk pajtohet me dënimin e ushtarëve të UÇK-së nga proceset gjyqësore të EULEX-it; Kuvendi i RKS-së nuk e njeh autoritetin e EULEX-it për ta gjykuar UÇK-në; të shfuqizohen nenet e Gjykatës Speciale...”, pra ishin pikat e tekstit që u dëgjuan në Kuvend.

Po qe se do të miratoheshin të gjitha këto kërkesa, do të ndaleshim të mendonim se në preambulë do të duhej ta fusnim edhe NATO-n dhe ta ruanim si vlerë, ngase ajo në fund na çliroi.

Në vijim, po i njëjti trup që e ka ftuar EULEX-in dhe e ka autorizuar atë që të merret me krime të luftës, tash çohet e kërkon të tërhiqet, përderisa nuk e ka miratuar asnjë ligj me të cilin do të siguroheshin mjetet financiare dhe të tjera, që viktimat e luftës në Kosovë të ngrenë padi kundër Serbisë, për krimet e luftës që i kanë kryer pjesëtarët e forcave të sigurisë të Serbisë në Kosovë.

Gjykimi i dhjetë, pesëmbëdhjetë a njëzet ushtarëve a eprorëve të UÇK-së gjeneralizohet dhe me automatizëm identifikohet me persekutimin e UÇK-së, që sipas regjistrimit të veteranëve të luftës, del ta ketë pasur një forcë prej madje 46 mijë e kusur njerëzish, prej të cilëve mbase gjysma po rrejnë se kanë marrë pjesë në luftë. A i ra kujt ndër mend se falsifikimi i aplikacioneve si dhe miratimi i aplikacioneve të rreme janë krime që do të duhej të ndiqeshin dhe kështu t’i ruhej vlera UÇK-së? Jo, natyrisht, sepse aty ka shumë palë të interesuara, duke përfshirë edhe vetë qirkuzat.

Fakti është se në secilën luftë ka krime, dhe për këtë arsye quhet luftë. Dhe nëse ka kryes krimesh lufte për të cilët dihet se kanë vrarë civilë në bazë të dëshmive personale dhe provave të tjera, këta duhet të shkojnë në burg, pavarësisht se çfarë kombësie kanë. Tjetër është muhabeti që Kosova si shtet ka dështuar krejtësisht në mbledhjen e provave dhe përgatitjen e rasteve për ndjekjen e kriminelëve që kanë operuar në Kosovë. Aq kemi dështuar, sa të zhdukurit nuk janë vënë kusht për nisjen e negociatave me Serbinë. Sepse “shtetet sovrane nuk i vënë kushte njëri-tjetrit” thotë “Fjolla” Tahiri, në edhe njërën nga deklaratat e saj “fantastike”.

E fundit – janë po ata që e quajnë veten ish-pjesëtarë dhe eksponentë të UÇK-së që e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Është shumë joserioze që tash të dalin të thonë i kemi rënë pishman, se nuk po na pëlqen, sepse të vetmen gjë që po e dëshmojnë me këto fjalë boshe, është se Kosova kurrë nuk pati as guximin, as vullnetin e as dëshirën të merret me krimet që janë kryer gjatë dhe pas luftës, pavarësisht kryesit. Dhe për shkak se munguan të gjitha këto, dikush prej jashtë na ka urdhëruar që të huajt të merren me neve. Me qirkuzat. Me neve votuesit që ju kemi sjellë aty për të na e bërë krejt bajat.

Verbimi kolektiv nga mjerimi

E jo vetëm Kuvendi, apo Qeveria, apo kryetari po na e bëjnë jetën të rëndë. Fajet kryesore se pse i kemi punët si i kemi i kemi vetë. Për shkak se si struci po mundohemi ta fshehim kokën në zall e të mos duam të këqyrim përreth se çka po ndodh. Të mos duam të marrim përgjegjësi për asnjë gjë, për shkak se përherë do të jemi në pritje që dikush nga jashtë të vijë e të na i zgjidhë punët.

Pse nuk po duam të shohim e të kuptojmë se në emër të vlerave të luftës kemi pasur fitimtarë zgjedhjesh që këtë vend e kanë sjellë në zgrip të falimentimit dhe jo vetëm financiar. Pse nuk duam ta kuptojmë se 17 vjet janë jo të mjaftueshëm, por bile edhe teprojnë, për t’ua kënaqur sedrat “vlerave të luftës”. Për t’iu dhënë fuqinë, paranë dhe mekanizmat me të cilët do të vazhdojnë të na dhunojnë kolektivisht si popull, sepse këtë të drejtë ua kanë dhënë vetes me pushkë, e ne të tjerët, si delet në tufë, i kemi zgjedhur për të na përfaqësuar.

Dhe sado që mund të ankohemi se na i vjedhin votat sistematikisht, megjithatë do të duhej pranuar se këta njerëz kanë shumë përcjellës e përkrahës – në fakt të gjithë ata që janë bërë me vende pune në administratë lokale a qendrore; që janë bërë me prona të shtrenjta për pak para; të gjithë ata që u shmangen tatimeve në një apo formë tjetër -- krejt së bashku me familjarët e tyre që mund të votojnë. Sepse ndryshe nuk mund të kuptohet se mund të mblidhen gjithë ato qindra mijëra vota.

Por megjithatë, shumica e votuesve nuk janë në atë anë të kandarit, por në këtë tjetrin, që mund t’i rrëzojë nga pushteti këta që janë treguar të padenjë për të na përfaqësuar. Sepse sikur në secilin shtet latinoamerikan ku vihet në pushtet pas një lufte qytetare a grusht shteti, në krye të Qeverisë vendosen njerëzit mbase të aftë për t’u marrë me armë, por me kapacitete shumë të kufizuara intelektuale dhe me një vizion shumë të qartë për atë se çfarë nënkupton mirëqenia: rehatimi dhe pasurimi personal dhe i shokëve të luftës. Populli është mësuar të vuajë dhe ashtu do të vazhdojë. Sepse populli është verbuar kolektivisht nga mjerimi. Mu nga ai mjerim që do të duhej t’ia hapte sytë.

Sado që gjyqësia në Kosovë është treguar e ngathtë dhe joefikase, ajo megjithatë ka mbërritur të nisë një sërë rastesh kundër një numri të caktuar personash, duke përfshirë edhe jo pak deputetë të ulur në Kuvend tash. Edhe pse nën hetime dhe edhe pse pa vendime të plotfuqishme gjyqësore – këta njerëz nuk do të duhej të ishin të ulur aty, sepse prej atyre ulëseve ende e ruajnë ndikimin politik. Si në procedura brenda ashtu edhe jashtë. Dhe për fat të keq, kështu e kemi pasur situatën që nga fillimi – ku Kuvendi ka qenë foleja më e sigurt për njerëzit që nuk do të duhej të merreshin me politikë.

Ditëve të fundit dëgjojmë përherë e më shpesh nga ambasadorët e huaj sesi të korruptuarit nuk duhet të kenë vend në institucione. Këtyre duhet shtuar edhe kriminelët që fshihen pas posteve publike dhe që e kanë gjetur mënyrën të amnistohen nga ndjekja për shkak se i kanë shpërndarë dostat nëpër polici e gjyqësi. Se kriminel nuk është vetëm ai që vret, por edhe ai që e vjedh popullin e vet.

Nëse të huajt e kanë seriozisht, mbase populli do të këndellet. Në të kundërtën, Kosova do të vazhdojë të jetë kjo e njëjta: pa guximin, pa vullnetin e as pa dëshirën t’ia zgjidhë vetes problemet në terrin në të cilin është mbërthyer.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...