Opozita në Kosovë, nëse është e sinqertë, i ka të fituara zgjedhjet

28 Maj 2014 - 09:42 - Augustin Palokaj      

Në debatet parazgjedhore partitë kryesore opozitare: LDK-ja, “Vetëvendosja” dhe AAK-ja, si porosi kryesore dërgojnë mesazhin që PDK-në ta çojnë në opozitë dhe se me të nuk do të hyjnë në koalicion. LDK-ja është afruar edhe me AKR-në. Nëse e kanë „përnjëmend“, se prioritet është largimi i PDK-së nga pushteti, atëherë puna do të mundë të ishte e lehtë qoftë edhe nëse fiton PDK-ja. Problemi qëndron në faktin se partitë në Kosovë do të jenë të hapura dhe tejet të interesuara për pazare me këdo, jo në bazë të programeve apo ideve, por vetëm në bazë të ndarjes së pushtetit

Të dielën janë zhvilluar megazgjedhjet në Belgjikë. Sikur në të gjitha shtetet e tjera të BE-së, qytetarët e Mbretërisë së Belgjikës kanë votuar për deputetët e Parlamentit Evropian. Por të njëjtën ditë kanë votuar edhe për Parlamentin e Belgjikës dhe, që në Belgjikë është edhe më i rëndësishëm për shkak të sistemit të decentralizuar, edhe për parlamentet e rajoneve, që përbëjnë federatën e komplikuar të Belgjikës.

Tash në Belgjikë do të fillojnë konsultimet për krijimin e qeverive të ndryshme. Dhe mund të ndodhë që këto konsultime të zgjasin shumë. Madje mund të ndodhë që të zgjasin me muaj të tërë. Belgjika mban edhe rekordin botëror për kohëzgjatjen e konsultimeve për krijimin e Qeverisë. Për më shumë se 541 ditë kishin zgjatur ato konsultime derisa nuk u arrit kompromisi.
Përmendëm Belgjikën për disa arsye.

Një, është për të ilustruar pasojat që mund të lërë një sistem aq i komplikuar politik, i cili imponon bashkëpunimin e shumë partive nga komunitetet e ndryshme gjuhësore, dhe nga njësitë e ndryshme federale, që të bëjnë kompromisin në krijimin e Qeverisë. Së dyti, Belgjika dëshmon në anën tjetër një nivel të jashtëzakonshëm të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik dhe një funksionalitet të lartë profesional të administratës publike. Jo vetëm se qytetarët gati për dy vjet nuk ndienin në jetën e tyre të përditshme se vendi nuk ka Qeveri dhe ai po drejtohet nga „Qeveria në largim“, por në këtë periudhë u ul papunësia dhe u sigurua rritja ekonomike.

Për Kosovën, ku së shpejti zhvillohen zgjedhjet, pas së cilave do të nisin përpjekjet e krijimit të Qeverisë, Belgjika është një shembull për të ilustruar një dallim të madh në mes të shoqërive më shumë të zhvilluara dhe atyre që nuk kanë fare traditë politike të demokracisë perëndimore.

Në Belgjikë sikurse edhe në Holandë dhe në vende të tjera të zhvilluara demokratike, gjatë konsultimeve për krijimin e koalicioneve qeverisëse programet e partive dhe parimet e tyre janë elementi kryesor. Gjatë këtij procesi partitë bëjnë kompromise, duke hequr secili nga pak dorë nga disa parime.

Përndryshe nuk mund të arrihet kompromisi pa fleksibilitet nga të gjitha anët. Ajo që nuk ka aq shumë rëndësi në konsultimet e tilla është ndarja e pozitave brenda qeverisë. Kush nga cila parti merr cilën pozitë, sa do të ketë ministra dhe kujt do t’i takojnë, vjen në rend dite vetëm në fund të procesit, pasi të jenë arritur kompromiset rreth programeve, rreth mbledhjes së taksave dhe ndarjes së buxhetit, politikës sociale, shëndetësisë, arsimit, reformës së administratës e deri tek politika e jashtme.

Në Kosovë është krejt e kundërta. Në fakt deri tash nuk kemi parë shumë të flitet për programet e njërës apo tjetrës parti, por kryesisht pazaret bëhen në bazë të asaj se sa poste do të marrin. PDK-ja e Hashim Thaçit, e cila në bazë të asaj se në cilin krah zgjohet në mëngjes lideri i saj, është herë „qendra e majtë“ e herë „qendra e djathtë“, është dëshmuar të jetë më e shkathëta në pazare të tilla në dy zgjedhjet e kaluara. Thaçi, për të përmbushur apetitet e të gjithëve që donin të hynin në Qeverinë e PDK-së, rriti numrin e ministrive aq sa ishte nevoja, duke e bërë Qeverinë edhe më të madhe se të Gjermanisë apo të Rusisë. Nuk di a ka pasur ndonjëherë ndonjë qeveri me aq shumë zëvendëskryeministrash. Madje edhe për Bujar Bukoshin dhe Edita Tahirin gjeti vende për t’i bërë zëvendëskryeministra.

Numrin e zëvendësministrave është vështirë ta mbajmë në mend. Kur ndahen kolltukët në Kosovë, e me këtë edhe ndikimi, harrohen parimet, orientimet apo edhe programet.
A ka mundësi që kësaj radhe të mos jetë më kështu. Është vështirë për t’u besuar. Thaçi thotë se është i hapur për koalicione me „të gjitha partitë e qendrës së djathte“. Kjo mund të lexohet si „të gjitha pos “Vetëvendosjes“, sepse LDK-ja është parti e tillë (madje e vetmja nga Kosova, e cila si e tillë është edhe e njohur nga grupimi i partive të qendrës së djathtë në BE), edhe AAK-ja pretendon të jetë parti e qendrës së djathtë, ndërsa liberalët (AKR-ja) po ashtu në Evropë zakonisht shkojnë me qendrën e djathtë. Nuk ka asnjë parti të majtë në Kosovë.

Por për të dëshmuar sa të pasinqerta janë edhe deklarimet për orientimin e këtyre partive dëshmojnë edhe koalicionet dhe akrobacionet që bëjnë. Kështu Partia Socialdemokrate, kryetari i së cilës, nëse nuk e kemi ngatërruar me shumë parti të tjera që i ka ndërruar, ka qenë Agim Çeku, ka hyrë në koalicion me AKR-në. Partia e Drejtësisë, së cilës agjenda fetare i shërben më shumë në fushatë sesa cilado temë tjetër, është gjetur në koalicion me PDK-në, ku është ftuar edhe një parti, e cila ende e quan veten si Parti Demokristiane Shqiptare.

LDK-ja, e cila synon t’i fitojë zgjedhjet, është afruar së tepërmi me Behgjet Pacollin, duke harruar se sa shumë e qortonin PDK-në dhe Thaçin për insistimet me çdo kusht që Pacollin ta bënin president në kohën e SMS-ve të famshëm të ish-ambasadorit amerikan, Christopher Dell. Kur Isa Mustafa kritikon PDK-në për keqqeverisje, e në të njëjtën kohë paralajmëron koalicion me AKR-në, e cila është ende pjesë e Qeverisë Thaçi, kjo na përkujton Shqipërinë kur socialistët e Edi Ramës bëhen sikur vetëm pjesa e PD-së e Sali Berishës paska qenë e korruptuar në Qeverinë Berisha- Meta.

Duke e parë gabimin që ka bërë pas kthimit nga Haga, kur kredibiliteti iu shkri shpejt, për shkak të mbështetjes së parezervë të Thaçit dhe dialogut e marrëveshjeve me Serbinë, Ramush Haradinaj tash ka filluar të mobilizojë votuesit me porosinë se duhet larguar PDK-në nga pushteti. Vërtet, varësisht nga zgjedhjet, natyrisht, AAK-ja mund edhe të bëhet vendimtare për krijimin e Qeverisë së ardhshme. Por ajo në të njëjtën kohë është shumë tepër e gatshme të hyjë në pazare me cilëndo nga dy partitë që pritet të dalin më të votuara, LDK-në apo PDK-në.

Sikur në sport mund të vihet bast më shumë se AAK-ja do të shkojë me Thaçin nëse ai premton më shumë poste sesa me LDK-në nëse ajo nuk ofron më shumë.

Në debatet parazgjedhore partitë kryesore opozitare, LDK-ja, “Vetëvendosja” dhe AAK-ja, si porosi kryesore dërgojnë nevojën që PDK-në ta çojnë në opozitë dhe se me të nuk do të hyjnë në koalicion. LDK-ja është afruar edhe me AKR-në. Nëse e kanë „përnjëmend“ se prioritet është largimi i PDK-së nga pushteti, atëherë puna do të mund të ishte e lehtë qoftë edhe nëse fiton PDK-ja. PDK-ja në atë rast do të mund të llogariste në mbështetjen eventuale të serbëve, por edhe vendet e pakicave nuk do t’i mjaftonin pa e siguruar pas vetes së paku një nga partitë e tjera. Kësaj radhe as në Bruksel e as në Washington nuk do ta vajtonin largimin e PDK-së nga pushteti. E PDK-ja po ashtu duket tepër e sigurt se LDK-ja e AAK-ja nuk do të shkonin në koalicion me “Vetëvendosjen”. “Vetëvendosja” në anën tjetër nuk është më e papranueshme nga bashkësia ndërkombëtare siç ishte më parë. Në fakt Albin Kurti ka qenë muajve të fundit vizitor i shpeshtë i Brukselit po ashtu.

Por problemi qëndron në faktin se partitë në Kosovë do të jenë të hapura dhe tejet të interesuara për pazare me këdo, jo në bazë të programeve apo ideve, por vetëm në bazë të ndarjes së pushtetit. Prandaj zgjedhjet në Kosovë duhet pritur me kureshtje, por rezultatet e tyre nuk do të na japin menjëherë përgjigjen se kush do ta formojë Qeverinë e Kosovës. Zgjedhjet do të jenë vetëm zënie e pozitave në pazarin që do të pasojë pas tyre. E, për fat të keq të Kosovës dhe të shoqërisë së saj, ky pazar nuk është vetëm politik, por edhe ekonomik e financiar.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...