Dimri i ashpër që po vjen

25 Tetor 2016 - 08:24 - Flaka Surroi      

Se stina e dimrit po afrohet, e treguan gjethet e drurëve të kuq te Grandi, që kishin rënë gati krejt në tokë. Ato i kishin zhveshur pothuajse të gjitha trungjet, duke i lënë cullak – thuajse kështu duan të na pasqyrojnë pamjen e politikës kosovare sipas asaj që patëm rastin të shohim në javën që e lëmë pas. Politika cullak – që zbulon shefin, që zbulon injorancën dhe që tregon se pse kosovarët kanë rënë në amulli

Dimrat që i mbaj mend nga fëmijëria kishin qenë përherë të ftohtë. E dinim se kur të niste dimri në nëntor, nuk do të na lëshonte deri në mars. Me borë, e me akull, e me fërfëllizë e me veriun që frynte shumë. Atëherë ishte lezet – nuk mërziteshim për asgjë tjetër pos nëse prindërit do të na lejonin të dilnim të rrëshqisnim me saja, andej kah rruga e Kasumit, siç njihej njëra nga kafehanet më të vizituara në rrugën Ramiz Sadiku. Ama aq na bënte se çka po ndodhte me politikën dhe politikanët – se pos emrave që ua dinim, nuk kuptonim asnjë send prej asaj që e thoshin.

Atëherë dimrat kanë qenë të ashpër – bile do të mundë të thuhej të acartë. Porse përherë kanë qenë të qetë.

E se stina e dimrit po afrohet e treguan temperatura dhe fryma e djeshme në Prishtinë. Gjethet e drurëve të kuq te Grandi, që i kisha fotografuar as para një jave, kishin rënë gati krejt në tokë. Ato i kishin zhveshur pothuajse të gjitha trungjet, duke i lënë cullak – thuajse kështu duan të na pasqyrojnë pamjen e politikës kosovare sipas asaj që patëm rastin të shohim në javën që e lëmë pas. Politika cullak – që zbulon shefin, që zbulon injorancën dhe që tregon se pse kosovarët kanë rënë në amulli.

I forti

A mos e keni parë kund kryeministrin javën e shkuar? Me siguri se po, porse ai për momentin mban petkun e kryeparlamentarit, kompetent për të folur edhe për bisedimet me Serbinë, edhe për demarkacionin. Për gjithçka.

Për ata që ende nuk duan ta shohin, Veseli ka nisur të bëhet figura që më së shpeshti paraqitet nëpër ekranet televizive. Është ai që takohet me bujkun, me minatorin, rininë, fëmijët “demokratikë”, me ambasadorët, politikanët. Ai pret shirita. Ai tregon se Kosova duhet të ecë përpara. Duke nisur kështu një fushatë zgjedhore të parakohshme – duke u pozicionuar si njeriu që do ta marrë pushtetin, sepse është më i forti.

Mbase edhe pse paska qenë më i forti, e ne këtë nuk e paskemi kuptuar deri tash. Që i bie se qenka bashkëpërgjegjësi kryesor për këtë që e kemi sot: një shtet të papërfunduar e të kriminalizuar me një gjyqësi që të bën të vajtosh për fatin e zi që të ka gjetur me të jetuar në Kosovë.

Tashmë është qartë se Kosova do të hyjë në zgjedhje në çastin kur këtë ta vlerësojë Veseli. Përderisa të mos dihen detajet e mëtejme në lidhje me Gjykatën Speciale, ai do t’i mbajë dizginat e të gjitha veprimeve dhe vendimeve politike që do të merren. Do ta bëjë atë në formë dinake: do të deklarohet për një çështje – dhe atë do t’ia zbatojnë ministrat e tij në Kabinetin qeveritar. Për çdo dështim që do të ndodhë në nivel të Ekzekutivit do ta ketë fajtorin kujdestar, Mustafën. Për shkak se do të jetë punë e Ekzekutivit t’i sigurojë pensionet për veteranët; t’i sjellë investitorët e jashtëm, që nuk vijnë; ta bëjë riformatimin e Qeverisë, ani që PDK-ja e la Ministrinë e Integrimeve pa udhëheqës dhe ta shtyjë tutje çështjen e demarkacionit, që me aq shumë ngulm e mbrojti për një vit e kusur.

Veseli do të dalë me sugjerime si ajo e deklaratës së Kuvendit me të cilën do ta lusim BE-në që të mos marrë për bazë demarkacionin si kusht për liberalizim – në përpjekje për të fituar kohë, dhe për ta përdorur këtë problem si shkas për rrëzimin e Qeverisë dikur. Dhe Veseli do të takohet me anëtarët e KGJK-së, porse si partner koalicioni do t’ia miratojë shkurtimin e buxhetit në rialokim, sepse e di se shkurtimet i bën Qeveria e jo Kuvendi. Mençëm po luan, por LDK-ja këtë ende nuk e ka kuptuar.

Skandal mbas skandali

Atë që nuk po e kuptojmë ende është se si bëhet të ekzistojë një shtet ku askush nuk jep përgjegjësi, për shkak se lëndët në gjyq vjetërsohen. I tillë ishte rasti i ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, i cili dje u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prizrenit për një akuzë, përderisa për katër të tjerat shpëtoi nga fakti se ishin vjetruar. Kjo kishte qenë një lëndë për të cilën gazeta pati raportuar para dy vjetësh – e që e mori epilogun dje dhe në këtë formë.

Pa paragjykuar nëse Uka ka qenë fajtor ose jo, do të kujtojmë se ai tashmë është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg për keqpërdorimin e detyrës zyrtare (aktgjykim i kundërshtuar, prandaj procedura nuk ka përfunduar ende), plus është njëri nga 50 apo 60 personat që janë hetuar për skandalin e tjetërsimit të pronës publike në rastin Azem Syla. I mbetet, natyrisht, drejtësisë të vendosë po qe se është apo jo fajtor për rastet e lartpërmendura. Mirëpo, nëse gjyqësia do të veprojë në të njëjtën formë sikurse ka vepruar në rastin prej të cilit është liruar, është evidente se dënim nuk do të ketë.

Është tepër e rëndë për qytetarin e rëndomtë të ketë çfarëdo besimi në organet e gjyqësisë, duke i marrë parasysh faktet dhe rezultatet e punës së gjyqësorit në Kosovë: ajo përherë mund të krenohet se e ka futur në burg një polic që ishte zënë në flagrancë, duke i marrë 100 euro ryshfet, porse në asnjë çast nuk mund të krenohet se e ka futur në burg dikë që e ka shpërdorur detyrën zyrtare dhe ka vjedhur prona publike me vlerë prej 50-60 milionë eurosh. Dhe përderisa në gjyqësi do të mbisundojë mosndëshkimi – qytetarët do të kenë përditë e më pak vullnet edhe për t’u ankuar. Sepse nuk kanë kujt. Sepse e dinë që s’ka kush bën drejtësi në këtë vend.

Privilegjet

E se nuk ka, apo së paku kjo është përshtypja, e vërteton rasti i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjykimi i të cilit nisi javën e shkuar me një vendim skandaloz të gjykatësit: u ndalua procedimi publik i rastit dhe gazetarët u përjashtuan nga pjesëmarrja në seancat e gjykimit. Për më keq, kjo ndodhi me pëlqimin e prokurores speciale të rastit.

Arsyetimi se në procedurë do të mundë të shpaloseshin fakte që do t’i dëmtonin familjet e ish-gjykatësit dhe një pale të përfshirë në aferën për të cilën edhe po gjykohet Mekaj, të bën të kuptosh se në këtë rast ka pasur favore të natyrës joetike, për t’i quajtur diqysh, pa i ditur detajet e as pa i dëgjuar përgjimet.

Po qe se përgjimet që do të dalin si prova do të mundë t’i preknin familjet e përfshira në këtë aferë, atëherë vendimi ka mundur të kufizohej vetëm në atë pjesë, kurse pjesa tjetër e shoshitjes së provave do të duhej të ishte e hapur për publikun. Sepse publiku ka të drejtë të dijë se çfarë të keqeje ka bërë ky njeri. Si përgjegjës për vendimet e shkallës së dytë, ku kanë mundur të ndryshonin shumë vendime të shkallës së parë, do të ketë mundur t’i lironte fytyrat publike, që në një formë a tjetrën janë përfshirë në afera korruptive.

Sido që të jetë, mbyllja e qasjes në gjykatore është precedent jashtëzakonisht i keq dhe në fakt paraqet shkelje të Kushtetutës – sepse me një vendim që nuk mund të kontestohet, opinionit të gjerë i mohohet e drejta për të kuptuar se si ka vepruar njeriu, i cili supozohet se duhej të ndante drejtësinë në emër të popullit.

Shkelësit

Shkelje e Kushtetutës u kualifikua nga Edita Tahiri edhe pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit Stojanoviq në Bruksel me delegacionin e Serbisë. Nuk mund të pritej ndryshe: anëtari i partisë së dirigjuar nga Beogradi, të cilën Thaçi e Mustafa e kishin përfshirë në koalicionin qeverisës pa asnjë pikë nevoje, kishte shkuar atje për të kërkuar të hapej diskutimi për Trepçën. Sipas Tahirit, ajo këtë punë e kishte refuzuar dhe takimi nuk ishte mbajtur. Pas kësaj, Tahiri kishte deklaruar: “... nuk kemi biseduar dhe nuk do të bisedojmë për pronat dhe pasuritë e Kosovës në këtë dialog”, për të na bindur se Trepça nuk do të jetë objekt negociate në Bruksel. Ndoshta edhe kështu do të jetë, porse Tahiri me këtë rast e harron një detaj shumë të rëndësishëm, i cili e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës më herët dhe për të cilën shkelje edhe ajo mban përgjegjësi. Bile shumë të madhe, bashkë me ish-shefin e saj, Thaçin.

Do të kujtojmë një marrëveshje të nënshkruar në prill të vitit 2013, po në Bruksel, e më pas edhe një në gusht të 2015-s. Me ato marrëveshje u dakordua themelimi i Zajednicës, ku gjykata e apelit do të ketë gjyqtarë serbë për t’u marrë me rastet e palëve serbe; ku shefi i policisë rajonale do të jetë serb; ku trupat e autonomisë do të kenë kompetenca të “mbikëqyrjes së plotë” në arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik etj., me të drejtë që ky Asociacion të krijojë një komunikim funksional me Qeverinë në Beograd. Për fund, e parasheh se pushteti qendror mund t’i delegojë autorizime shtesë Zajednicës, që pushtetarët tanë e quajnë OJQ.

Dokumenti, që nga GJK-ja e Kosovës u vlerësua madje me njëzet e kusur shkelje kushtetuese dhe me një opinion politik që nuk e bart dot një letër gjyqësore se marrëveshja duhet të zbatohet, në fakt i ka dhënë të drejtë Serbisë që të bashkëqeverisë në Kosovë. Në veçanti nëse e dimë se librat amzë, origjinalet tona, janë në Serbi, përderisa ne jemi kënaqur me kopjet e skanuara.

Natyrisht që Trepça do të dalë në një formë apo tjetër në bisedimet e Brukselit, sepse negociatorët tanë e kanë kënaqur “me ka krejt”. Nuk mund ta akuzosh askënd për shkelje të Kushtetutës, përderisa vetë je eksponenti kryesor i shkeljeve të kësaj të shkrete Kushtetutë, të shndërruar në paçavure. Sepse kështu e deshën këta që na përfaqësuan.

* * *

Dimri po afrohet, dhe e di se do të jetë i ashpër. Mbase jo i acartë. Përkundrazi. Mbase nuk do të kemi as borë të mjaftueshme sa për të bërë be se e kemi përjetuar stinën. Fëmijët nuk do t’ia ndiejnë lezetin, sepse të shkretët tash edhe ua dinë emrat politikanëve dhe e dinë se sa budallallëqet i flasin dhe i bëjnë. Mbase do të përjetojnë pushime të dhunshme posa të qiten në rend të ditës sërish edhe demarkacioni e edhe Marrëveshja e 25 gushtit. Sepse krejt kjo që po ndodh tash është fitim i kohës. Koalicioni qeverisës, aq artificial sa është, e di se nuk i ka votat për ta kaluar dokumentin e parë, dhe ka shumë kundërshtime për dokumentin e dytë, të cilin edhe pse sipas Kushtetueses nuk duhet ta votojë Kuvendi, nuk e besoj se do të mundë ta kalojë as me kontrabandë.

E lezetin e stinëve të vitit na e kanë humbur këta politikanë – dy vjet na e kallën verën me koalicion e më pas edhe me demarkacion; çdo pranverë na e prishin, sepse dikujt i bie ndërmend ta nënshkruajë edhe një “marrëveshje historike”; vjeshtat na i bën të zymta gjyqësia, që seancat i cakton me hap të breshkës. E dimrin? Dimrin përherë na e bëjnë të ashpër – sepse ose duhet dalë në zgjedhje prapë, nëpër të ftohtë dhe kur dita mbaron në orën 4:00 të pasdites, ose do t’i hyjmë gjumit të ariut, por me ankthin se me duart tona po shkatërrojmë një diçka që mezi e arritëm.

Veç pse na udhëheqin njerëzit e gabuar që vendin e kanë tjetërkund.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...