Karikatura

27 Maj 2014 - 08:08 - Flaka Surroi      

Çakordimi total i pushteteve, improvizimi i shtetit dhe premtimet e reja nga njerëzit e vjetër, vetëm sa dëshmojnë se kjo Qeveri ka shndërruar Kosovën në shpoti, në një autobus të amortizuar që i bien copat tek lëviz me shpejtësi të breshkës

Fatmirësisht u gjet një ngjarje e veçantë, e cila bëri që kjo të jetë një javë më ndryshe nga ato që jemi duke përjetuar tashmë me muaj – dhe që ma qiti punën e zgjedhjeve krejt në aut, bile për disa orë. Para një viti në këtë kohë kisha shkruar për suksesin që e kishte arritur miku im trim me miq shumë, kur u diplomua si student i dalluar, me gjithë vështirësitë për jetën që ia kishte shkaktuar një aksident. E nderuar me faktin se më lajmëroi posa e kishte marrë kumtin, Valon Osmani ma ofroi kënaqësinë e jashtëzakonshme që ta shpreh publikisht gjithë admirimin tim për njeriun që nuk dorëzohet kurrë dhe që e ndjek ëndrrën e vet deri në përmbushje.

Lajmi është se Qeveria amerikane ia ka akorduar një bursë për studimet pasdiplomike në ndonjërin nga universitetet me nam atje. Se cili do të jetë, do ta marrim vesh shpejt. Jam shumë e sigurt se edhe kjo sfidë do të jetë një pengesë e vogël për të, të cilën do ta tejkalojë me po aq shkrirje mendsh e simpati, si plot të tjera deri tash. Dhe do të na bëjë të ndihemi krenarë me të. Të priftë e mbara Valon !

Ndërkohë fushata që kinse nuk është fushatë vazhdoi me intensitetin e paparë – kështu nuk ka qenë në asnjë palë zgjedhjesh. Asnjëherë deri më tash nuk është folur aq shumë për programe politike, ani që ato në shumë raste dhe te shumica e partive ose nuk kanë fare logjikë e kuptim. Por, kjo është shenjë e mirë – frazeologjia e premtimeve boshe të pashkruara tash është zëvendësuar me një varg premtimesh, kryesisht iluzore, por të shkruara, që do të na e bëjnë mediumeve më lehtë t’i përcjellim nëse janë realizuar ose jo.

Por dy do të jenë lajmet që e shënuan javën sportivo-politike. Një na ishte ndeshja e dytë e përfaqësueses së Kosovës dhe humbja e thellë që ia shkaktoi ekipi i dytë i Turqisë dhe pa i dhënë ndonjë zor të madh. I dyti na ishte lajmi për arratisjen, për negocimin dhe më në fund edhe dorëzimin e tre të akuzuarve të “Grupit të Drenicës”, pas një skandali të paparë dhe dështimit të komplet sistemit shtetëror dhe atij të importuar.

E reja e vjetër

Se të gjitha partitë politike kanë investuar shumë para për këtë fushatë, nuk ka dyshim. Se janë përgatitur për zgjedhje qëmoti, edhe ajo nuk ka dyshim, sepse kanë shumë para që buxheti ua ndan partive parlamentare “për demokratizim”. Porse, këto “para demokratike” nuk mjaftojnë për gjithë këto lëvizje lart e poshtë që po i bëjnë të gjithë, dhe shtrohet pyetja, nga po vijnë paratë që po përdoren jashtë fushatës dhe që për pasojë nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli nga askush. Kaq sa për transparencë e sundim ligji në këtë aspekt.

Sido që të jetë, kësaj radhe partitë kanë dalë me oferta “të reja”. Misioni i ri; Drejtimi i ri, Vizioni i ri..., (nuk e di edhe çka tjetër e re do të dalë ndërkohë) tashmë po na riciklohen ditë e natë nëpër televizione e billborda. Dhe përderisa Vizioni i ri i Partisë së Fortë, sipas përfundimeve që mund t’i nxjerrim nga analiza e fotografisë së Kryetarit lexhendar, është i vetmi, i cili vërtet premton diçka të re, këto parullat e tjera të bëjnë të mendosh se kjo nuk është gjë tjetër pos edhe të një shpotie me masën e gjerë popullore. Shpoti për shkak se thjesht shtrohet pyetja se si mund të sjellin çfarëdo të reje njerëzit e vjetër, dhe jo tekstualisht në kuptimin e moshës. Por, në kuptimin e konceptit të qeverisjes. Posaçërisht, te ata njerëz që e kanë “kënaq” në shtatë vjetët e fundit, e tash kanë vendosur të na bëjnë çirakë. Me rrena të reja, supozoj.

Si përfaqësuesja, si Kosova

Të mërkurën pata rastin të shikoja sefte live përfaqësuesen e Kosovës së pavarur në futboll. Në një atmosferë vërtet impozante, Mitrovica u dëshmua nikoqire shumë e mirë, me një publik jashtëzakonisht të disiplinuar dhe me një ambient shumë të këndshëm, ku më së paku u mërzitëm për humbjen. Me rëndësi ishte përjetimi, ishte tifozeria pa të shara dhe një shtendosje që na e mundësonte fakti se kishim dalë nga rutina e përditshme, e ngarkuar me politikë, e cila po na ngufat dita më ditë. Ajo që nuk dukej mirë ishte pisllëku rreth stadiumit, mungesa e parkingut të organizuar e të shtruar si duhet përreth godinës, ishte tollovia e jashtëzakonshme të cilën e krijuan me mijëra vetura që e vërshuan qytetin me infrastrukturë që nuk mund ta përpinte gjithë atë fluks.

E sa i përket rezultatit, jo që kisha një bindje se do të mund të ngadhënjenim kundër turqve që janë bërë fuqi rajonale (edhe në futboll), porse nuk ma mori kurrë mendja se ekipi do t’i ngjante një autobusi karikatural, asi çfarë Jemi di t’i vizatojë, të cilit që nga minuta e parë nisën t’i binin rrotat, dritat, penxheret, dyert, transmisioni, frenat, e shumë të tjera. Turqit nuk deshën, se po të kishin synuar, patën me na i dhënë 18 gola pa vesvese, sa të dobët ishim në mbrojtje, repart që nuk mund të llogariste në mesin e fushës, sepse ai ishte tejet i çakorduar, përderisa reparti i sulmit mbase kishte mbetur ndokund rrugës duke ardhur nga “magjistralja” e Mitrovicës, që bën t’i kalosh 40 kilometra për në Prishtinë, për vetëm tri orë.

Tek e shikonim kaosin në fushë (ngushëllim na ishte fakti se ishim dëshmitarët e golit të parë, historik, kuptohet të përfaqësueses që luajti me leje të UEFA-s e FIFA-s), paraqiteshin ngjashmëritë midis këtij ekipi dhe Kosovës. Ekipi i Kosovës as nuk kishte ide, as taktikë, as strategji, as organizim, e për fat të keq në këtë ndeshje, as talent për të arritur as deri te 16-metërshi i kundërshtarit. Njësoj sikurse është shndërruar Kosova nën udhëheqjen e Qeverisë në detyrë: as nuk pati strategji zhvillimi, as organizim shteti ku funksionojnë krejt pushtetet në formë të pavarur dhe të përgjegjshme e as fije talenti për ta nxjerrë shtetin jashtë hendekut në të cilin e ka fundosur vetë me injorancën, arrogancën dhe prepotencën e shefit të Qeverisë dhe gjithë përcjellësve të tij.

E vetmja gjë që e dalloi këtë ekip nga Kosova përnjëmend ishte se ky i pari bile nuk ia shënoi asnjë autogol vetes: atë që Kosova e ka specialitet, falë udhëheqësve të vet të deritanishëm.

Çfarë shteti hajgare është ky?

Nuk janë të paktë filmat hollivudianë që rrëfejnë për situata kur të burgosurit arratisen dhe e zënë dikë peng për të negociuar ndonjë favor, apo madje edhe lirimin. Dhe sa herë që më kishte rastisur ta shikoja ndonjë të tillë, komentoja me vete: hajt more, kjo veç në Amerikë bën vaki.

Se po bëka vaki edhe në Kosovën e pavarur, në të cilën kjo Qeveri e ka shtrirë autoritetin në gjithë territorin falë marrëveshjes së Brukselit, ku funksionon sistemi unik gjyqësor (më mirë thënë unikal, po nejse) dhe ku operon misioni (për sundimin e ligjit) më i shtrenjtë në historinë e BE-së – këtë e vërtetuan tre të “sëmurët” e “Grupit të Drenicës” që e kalojnë kohën e paraburgimit kryesisht në Klinikën Interne të QKUK-së.

Sipas një skenari plotësisht skandaloz, të tre të paraburgosurit “u zhdukën” nga QKUK-ja. Ka të tillë që thonë se këta vërtet janë arratisur dhe se nuk kanë qenë në Klinikë fare dhe se në fakt janë kthyer atë natë kur janë dorëzuar. E këtë, në një mungesë koordinimi me ata që i fshihnin informatat, e ka vërtetuar zyrtarisht edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili thoshte se nuk dihej vendndodhja e tyre.
Nëse ka ndodhur arratisja, shtrohet pyetja pra, çfarë bën Policia e Kosovës, e cila duhet t’i mbajë nën mbikëqyrje. Po edhe nëse nuk ka ndodhur arratisja, si u bë që Policia lejoi që të mblidheshin simpatizantët e tre të akuzuarve për krime lufte, e që këta t’i ndalonin gazetarët që ta kryenin punën e tyre, e që për më tepër, t’i sulmonin fizikisht dhe verbalisht (siç u ndodhi gazetarëve të mediumeve tona), e që të mos mbroheshin as me fjalë, lerë më me veprime. Si u bë që spitali të shndërrohej në një kamp të hidhëruarish që e kishin fuqinë e ndaljes edhe të jetës në atë institucion – pa u mërzitur fare se spitali është vendi ku njerëzit, në teori, gjejnë shpëtimin për telashet e tyre shëndetësore, për të cilat nevojitet ambient i qetë.

E gjithë protesta kishte të bënte me mospranimin e transferimit të të treve në Mitrovicë të veriut - për mungesë sigurie thuhej. Fakt që i rrëzonte përtokë thëniet e BE-së dhe të Qeverisë së Kosovës se autoriteti është shtrirë në të gjithë territorin dhe se Marrëveshja e Brukselit kishte qenë zgjidhja e të gjitha problemeve tona karshi veriut. Porse, ajo dëshmoi edhe dy gjëra të tjera: brishtësinë e Policisë dhe paaftësinë e EULEX-it për t’u ballafaquar me presionin e njerëzve të fuqishëm. E para, për shkak se këtyre tre të akuzuarve u është pranuar statusi special i të sëmurëve, ani që për njërin nga ta është shkruar se e kalon kohën në kafenetë e spitalit; e dyta, për shkak se në çastin kur ka nisur të mblidhet turma në spital, kanë nisur negociatat se ku duan të transferohen – gjë që nuk ndodh me të akuzuar të tjerë, më pak të njohur e më pak të fuqishëm.

Se çka ka ndodhur aty, mbase nuk do ta dimë kurrë. Por kjo që ka ndodhur në QKUK është hajgare me shtetin, me sistemin gjyqësor dhe me vetë EULEX-in, që me këtë rast duket se nuk mund ta nxjerrë macen prej përsheshit që e ka zier vetë. E se këtu ka pasur edhe diçka tjetër që nuk ka shumë lidhje as me Burgun e Mitrovicës e as me shëndetin e lig të të treve, e dëshmon fakti se ky problem u zgjodh në çastin kur u tha se Drenica nuk do të votonte më 8 qershor. A thua pse? Mbase për shkak se masat që mblidhen para spitaleve dinë të mblidhen edhe para vendvotimeve – për të dhënë udhëzime se si duhet votuar.

Mbas këtyre gati shtatë vjetësh, vështirë se do të besoja se shteti do të më bëhej karikaturë e një autobusi të amortizuar, të cilit i bien copëzat tek lëviz me shpejtësi të breshkës, duke u lutur për ndërrim të shoferit.

flaka@koha.net

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...