Hegjemonizmi serb dëmton serbët kosovarë

14 Tetor 2016 - 08:22 - Halil Matoshi      

Brukseli zyrtar si seli e Bashkimit Evropian është në telashe të mëdha me Serbinë. Joshja e saj, duke ia fshehur ligësitë dhe prapësitë nën rrogoz, po e inkurajon Beogradin që t’u vërsulet sërish fqinjëve, Bosnjës dhe Kosovës, jo më me tanke e ushtri, porse me mjete politike. Që në thelb janë politika ekspansioniste, që gërryejnë stabilitetin e këtyre dy shteteve edhe ashtu të brishta dhe buzë dështimit.

Përderisa BE-ja po e zhvillon betejën e saj për ta përfshirë Serbinë në bllok, ajo po ia luan një lojë tjetër pas shpinës, duke ia futur pykën mu në zemër, përmes koketimit me Moskën zyrtare, e cila me ambalazh të një qendre emergjencash në Serbi ka krijuar një bazë të fuqishme spiunazhi, duke e influencuar dhe afektuar secilin raport të Serbisë me fqinjët dhe me Perëndimin…

Serbia me instruksionet ruse dhe nën diktatin e “Memorandumit 2” (Dobrica Qosiq dhe Lubomir Tadiq) po mësynë destabilizimin e Kosovës, përkatësisht përplasjet e shumëfishta të brendshme. Së pari provoi t’i nxiste institucionet e shtetit kundër besimtarëve islamë nën pretekstin e luftës kundër islamit politik, të cilin padyshim që e inkurajonte, me propaganda dhe infiltrime materiale, pastaj synoi ta përçante spektrin politik (shumicën shqiptare) rreth bashkësisë së komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, gjë që ishte investimi më profitabil i saj dhe, në fund, po e nxit pakicën serbe në Kosovë të rebelohet kundër institucioneve të shtetit, mundësisht për të provokuar edhe dhunë!?

Kurse BE-ja për ta mbuluar disi marren në Bosnjë (rreth krijesës kriminale Republika Srpska dhe referendumit atje për Ditën e Pavarësisë, që realisht është dita e shkatërrimit të Bosnjës dhe Hercegovinës) dhe për ta zhvendosur vëmendjen e publikut evropian për dështimin në Bosnjë, po e toleron Serbinë, që përmes satelitit të saj në Prishtinë, Listës Srpska, ta rrëmojë ndërtimin e shtetit, ta bllokojë funksionalitetin e tij dhe ta nxjerrë Kosovën sa më keq para syve të bashkësisë ndërkombëtare…
Pas votimit të Ligjit për “Trepçën”, Listës Srpska i mjaftoi një telefonim nga Beogradi për t’u rebeluar dhe barrikaduar kundër shtetit të Kosovës, të cilit në fakt nuk i kishte dhënë asnjëherë lojalitet, porse ia kishin marrë vetëm pagat e larta dhe favoret tjera që sjell pushteti…

Bojkoti i shtetit të Kosovës nga serbët kosovarë është i instruktuar në Beograd, ngase Qeveria serbe vazhdon që në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Serbisë ta mbajë Kosovën si pjesë të territorit serb, kështu që, në bazë të kësaj floskule, del se edhe prona e Kosovës na qenka pronë serbe.
Ashiqare, pretendimi i Serbisë se në “Trepçë” ka pronësi, është mësymje që “Trepçën” ta përbirojë dhe imponojë si çështje për diskutim në Bruksel, në bisedimet me Kosovën, për të krijuar kështu sa më shumë çështje të hapura dhe helbete për të marrë hise, atë që është e mundshme.

Në anën tjetër Prishtina zyrtare aktualisht nuk ka potencë financiare dhe resurse tjera për rivitalizimin e “Trepçës” dhe në thelb lufta e saj është lufta për të fituar kohë, me shpresë se derisa të krijohen kushtet për të bërë diçka më të ndjeshme me “Trepçën”, marrëdhëniet me Beogradin do të shtensionoheshin dhe kështu do të bëhej e mundshme që të funksionalizoheshin edhe asetet e këtij gjiganti metalurgjik në veri të vendit.
Rebelimi i Listës Srpska është "Deja vu" (kaherë e parë), as nuk është hera e parë dhe as nuk do të jetë e fundit.

Dhe lidershipi kosovar duhet të përgatitet që t’i presë e përballojë me qetësi dhe me mjete diplomatike sulmet dhe britmat e Serbisë!
Partia e instruktuar nga Beogradi në vend se të luftojë 24 orë në 24, brenda institucioneve të shtetit të Kosovës për të drejtat e ligjshme të serbëve kosovarë dhe për prosperimin e tyre, për t'ua bërë atyre jetën më të durueshme në Kosovë, po lufton për interesa hegjemoniste të Beogradit dhe kundër interesave reale të serbëve kosovarë.

Sidomos po i dëmton rëndë interesat e serbëve që jetojnë në brendësi të Kosovës.
Ky është alarm për serbët kosovarë që të ngrihen në mbrojtje të Republikës së Kosovës nga ekspansionizmi, sepse kështu ata duke mbrojtur Republikën mbrojnë veten dhe të ardhmen e tyre.
“Trepça” është interes i përbashkët i kosovarëve, buka e tyre e hidhur, pa dallime etnie dhe shpresë për një të ardhme të mirëqenë, prandaj Lista Srpska qëllimshëm po përpiqet që ta përplasë shoqërinë kosovare rreth saj, për ta paraqitur Prishtinën si diskriminuese ndaj minoritetit serb dhe për t’i dhënë shkas Beogradit që të propagandojë gjithkund ku mund të arrijë kundër pavarësisë së Kosovës.

Natyrisht se muajve të fundit Beogradi zyrtar ka ndërmarrë një ofensivë politike kundër Republikës së Kosovës, për ta mbajtur peng shtetndërtimin, pikësëpari ndërtimin e Ushtrisë kosovare, por eventualisht edhe për ta “detyruar” Prishtinën që të gabojë, duke rënë pre e “flamujve të rremë” të spiunazhit serb dhe rus.
Në anën tjetër BE-ja përmes lojërave me serbët kosovarë po mësyn që ta zhvendosë vëmendjen nga dështimet e njëpasnjëshme në Bosnjë (përmes strukturës fashiste Republika Srpska që e ka legjitimuar vetë.)
Së këndejmi kërcënimet e Listës Serpska për “Trepçën serbe” janë të mjera dhe kundërhistorike.

Kjo parti kinse e serbëve kosovarë është e instrumentalizuar nga politika ekspansioniste e Beogradit dhe e yshtur nga hegjemonizmi serb kundër Kosovës, ndonëse e ndërtuar me “marrëveshje xhentëlmenësh” mes Vuçiqit dhe Thaçit e me intencën që serbët kosovarë të kontrollohen më lehtë dhe në mënyrë më efektive.

Pra, së fundi, lidershipi kosovar duhet të mësohet me kërcënimet serbe dhe të jetojë me to, natyrisht duke u dhënë zgjidhje kushtetuese problemeve të brendshme, dhe natyrisht, aty ku duhet të këshillohen dhe të përfshihen edhe liderët e serbëve kosovarë, ata që janë përfaqësues të vërtetë të interesave të tyre vitale në Kosovë.

Në thelb lidershipi kosovar duhet të mbajë të hapur linjën e dialogut me serbët kosovarë për të ndërtuar kështu mirëbesim dhe për ta siguruar lojalitetin e tyre për shtetin si strukturë moderne politike, e deetnizuar, që është shtëpi edhe e tyre.
Lista Srpska mund ta dëmtojë imazhin e vendit në mënyrë artificiale, sepse BE-ja tashti do të fokusohet te ta, mirëpo deklarimi i prerë i BE-së se për “Trepçën” nuk do të diskutohet në Bruksel, në një mënyrë sikur ua preu këmbët zyrtarëve në Beograd, sepse ata kishin pritur kritika ndaj Prishtinës zyrtare, gjë që do t’u jepte shkas dhe kohë të mjaftueshme atyre për ta fabrikuar edhe ndonjë çështje tjetër të hapur me Kosovën, e thelbi duket qartas – është pengimi i shtetndërtimit - duke e fuqizuar etnizimin e shtetit, përkatësisht separatizmin – përkatësisht duke synuar krijimin e entitetit autonom serb në veri të Kosovës (një surrogat të Republika Srpska, sepse për diçka vërtet të ngjashme, Serbia as nuk ka mbështetje ndërkombëtare, as njerëz e resurse dhe as nuk mund të kontrollojë kurrë aq territor.)

Mirëpo, thelbi i luftës serbe për Kosovën është mësymja e ndarjes së saj me Shqipërinë, së paku këto janë konditat e “Memorandumit 2” (përkufizimi paqësor me Shqipërinë!???)
Në anën tjetër, pos Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupeve margjinale politike në Kosovë, që i mëshojnë fort tezës për bashkim, përkatësisht për zhbërjen e shtetësisë kosovare, për t’u rikthyer prapa në kohë, te projekti i dështuar i Lidhjes së Prizrenit, që shtetit kombëtar shqiptar t’ia përputh kufijtë etnikë, përballë këtij entonacionalizmi po ndërtohet përditë dhe po forcohet patriotizmi kushtetues - kosovarizmi si subdientitet - gardhimi dhe veçimi si hapat e parë të mëdhenj kah kombndërtimi.

Këtë konsolidim identitar po e influencon padyshim edhe sporti, përkatësisht Kombëtarja e Kosovës në futboll - si manifest – me gjithë rezultatet minore.
Prandaj, duket se qarqet etnonacionaliste, integristë dhe unionistë shqiptarë po humbin gjithnjë e më shumë terren e me këtë edhe po zhdavariten mësymjet memorandumiane të Serbisë për shpërbërjen e entitetit juridik-politik të quajtur Republika e Kosovës, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare…

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...