Ushtria evropiane nuk ndërtohet pa para

12 Tetor 2016 - 08:12 - Augustin Palokaj      

Në realizimin e ambicieve të BE-së që të forcojë sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe të krijojë një lloj “ushtrie evropiane” ka një pengesë: evropianët nuk duan të paguajnë për një gjë të tillë. Pothuajse të gjitha shtetet e BE-së ndajnë për mbrojtje nga buxheti më pak se 2 për qind të GDP-së, që është një normë e cila kërkohet nga NATO-ja

Edhe pse para disa muajsh dukej vetëm si një lloj ideje, ndoshta edhe joreale, tash në BE me seriozitet po punohet në krijimin e strukturave të përbashkëta komanduese, në forcimin e mbrojtjes dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, që mund të çojë edhe deri tek krijimi i një lloj ushtrie të BE-së.

Ndoshta në këtë drejtim lehtësim mund të jetë vendimi i Britanisë së Madhe për të dalë nga BE-ja. E pikërisht Britania e Madhe deri më tash ka qenë ajo që ka kundërshtuar çfarëdo ideje për krijimin e forcave të armatosura të Bashkimit Evropian, duke insistuar që NATO-ja të mbetet shtyllë e mbrojtjes dhe e sigurisë së hapësirës euroatlantike.

Edhe pse termi “ushtri evropiane” është vetëm simbolik, sepse as NATO-ja nuk ka ushtri por mbështetet në kontributin e shteteve të saja anëtare, planet në BE janë që në Bruksel të vendoset komanda e përhershme e përbashkët e operacioneve civile dhe ushtarake, e cila do të shfrytëzohej për të rritur koordinimin e shteteve anëtare në siguri dhe mbrojtje.

Prapa idesë më së shumti qëndrojnë Gjermania dhe Franca dhe këtë e mbështet fuqishëm edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i cili e ka përmendur edhe në adresimin e tij vjetor për gjendjen e BE-së. Këtë ide e ka mbështetur edhe Italia dhe shtetet e tjera. Por, edhe pse është në pritje të nisjes së procesit të daljes nga BE-ja, Britania e Madhe ka paralajmëruar se do të mund të përdorte veto për të parandaluar krijimin e ndonjë ushtrie evropiane, e cila do të dublikonte NATO-n. Derisa të mos përfundojë procesi i Brexitit, Britania e Madhe do të jetë anëtare e BE-së me të gjitha të drejtat dhe obligimet. E ky proces do të zgjasë së paku edhe dy vjet.

Me daljen e Britanisë së Madhe, BE-ja humb shtetin ndoshta edhe më të fuqishëm me kapacitetet e mbrojtjes, njërin prej dy shteteve të BE-së që kanë edhe fuqi bërthamore, si dhe njërin prej dy shteteve të BE-së me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Prandaj pa Britaninë fuqia e BE-së në këtë aspekt do të jetë më e zbehtë sesa që do të ishte me të. Por, Brukseli, Parisi dhe Berlini duan që në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes edhe pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja të vazhdojë bashkëpunimi dhe partneriteti, pasi që sfidat e sigurisë nuk njohin kufij dhe nuk pyesin se kush është e kush jo vend anëtar.

Edhe në Samitin e fundit të BE-së që u zhvillua në Bratislavë, pa praninë e Britanisë së Madhe, u miratua deklarata dhe disa udhërrëfyes për zhvillimet në BE në periudhën e ardhshme, e në mesin e tyre ishte edhe krijimi i një komande të përhershme evropiane në Bruksel, si dhe krijimi i njësive të përbashkëta luftarake që do të ishin në gjendje të merrnin pjesë në operacione të krizës. Hapat e parë formalë në këtë drejtim do të mund të miratoheshin që në Samitin e dhjetorit në Bruksel.

Gjermania, Franca dhe vendet e tjera kanë dërguar porosi se krijimi i komandës së përhershme evropiane nuk është drejtuar kundër Londrës, por është një nevojë e BE-së në kohën e kërcënimeve të reja dhe ndryshimeve të rrethanave ndërkombëtare, sidomos pasi Rusia është bërë shumë agresive në sjelljet e saja. Rusia tash konsiderohet jo më si “partner” i BE-së në fushën e sigurisë, por më shumë si “sfidë”. E madje edhe fjala “sfidë” përdoret vetëm për të shmangur përdorimin e termeve “kërcënim” dhe “rrezik”.

Në realizimin e ambicieve të BE-së që të forcojë sigurinë dhe mbrojtjen,si dhe të krijojë një lloj “ushtrie evropiane” ka një pengesë: evropianët nuk duan të paguajnë për një gjë të tillë. Pothuajse të gjitha shtetet e BE-së ndajnë për mbrojtje nga buxheti më pak se 2 për qind të bruto prodhimit shoqëror, që është një normë e cila kërkohet nga NATO-ja. Pra, mungon vullneti i qartë politik që të rritet buxheti për mbrojtje dhe gjithmonë evropianët kanë mundur ta bënin këtë duke llogaritur që hendekun ta mbushnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, pyetja mbetet në ajër se sa gjatë do të vazhdojnë amerikanët që të paguajnë edhe për mbrojtjen e Evropës.

Madje as Gjermania, e cila ka paralajmëruar se do ta rrisë buxhetin për mbrojtje deri në vitin 2020 në 39.2 miliardë euro në vit, që është 5 miliardë më shumë sesa aktualisht, do të jetë ende nën 2 për qind.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që aleatët e tyre evropianë të shpenzojnë më shumë për siguri dhe mbrojtje. Por vetëm Britania e Madhe, me 2.1 për qind të bruto prodhimit shoqëror (GDP-së), si dhe Estonia, Greqia e Polonia shpenzojnë mbi 2 për qind. Franca shpenzon vetëm 1.78 për qind.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë nga buxheti i tyre 664 miliardë dollarë, që është tri herë më shumë sesa të gjitha shtetet evropiane të NATO-s së bashku, përfshirë këtu edhe Turqinë dhe Norvegjinë, që nuk janë anëtare të BE-së.

Nëse dëshirojnë të forcojnë mbrojtjen dhe sigurinë e tyre, të ndërtojnë struktura të reja ose të përhershme komanduese, vendet e BE-së duhet të jenë të gatshme që edhe të paguajnë për një gjë të tillë. E kur hesapet të vendosen në tavolinë, atëherë edhe vullneti për realizimin e ideve të mëdha fillon të zbehet.

BE-ja ka një përvojë edhe nga Kosova përmes EULEX-it. Por, kjo përvojë nuk është edhe më e mira. Ky mision nuk ka arritur të dëshmohej shumë e në të njëjtën kohë në terren varet shumë edhe nga NATO-ja. Prandaj, çfarëdo ideje që të kishte në BE, ajo nuk do të duhej të rrezikonte primatin e NATO-s.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...