Udhëzues për tifozë

11 Tetor 2016 - 08:06 - Flaka Surroi      

Se pse ndeshja kundër kroatëve ishte një përvojë nga e cila duhet mësojmë të gjithë – politikanët, udhëheqja e Federatës, lojtarët dhe tifozët

Kosova e datave historike e përjetoi edhe një në vargun e pafund të këtyre: për herë të parë luajti si nikoqire në një ndeshje zyrtare kualifikimi për kampionatin botëror të futbollit, ani që në Shkodër.

Se shumëkush do ta përjetonte si të këtillë e dëshmoi fakti se biletat për ndeshjen pothuajse u avulluan që në ditën e parë kur dolën në shitje – duke mbetur mbase edhe ca dhjetëra, më të shtrenjta, për ditët e fundit para ndeshjes. Se a i blenë stërshitësit apo jo biletat, posaçërisht ato të 7 dhe 20 eurove, këtë mbase do të na e tregojnë rrëfimet e ditëve në vijim, porse ajo që u pa qartë në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës të enjten mbrëma qe se të gjitha ulëset, pos nja 300, ishin të zëna nga tifozët.

Rezultat për mësim

Atmosfera para nisjes së takimit qe e jashtëzakonshme. Se jemi talentë të lindur për muzikën e kanë dëshmuar yjet tona botërore – ama që çohet i gjithë stadiumi ta këndojë me një zë këngën e Shkurte Fejzës “E kam emrin kosovar”, këtë zor që dikush do ta kishte imagjinuar. Ishte ndjenjë rrëqethëse që rrezatonte njëfarë entuziazmi e një lloj gëzimi vështirë të përshkrueshëm. Për fat të keq, ngjarjet që u zhvilluan më pas në ndeshje, i bënë copë e grimë edhe entuziazmin edhe gëzimin.

Atë që na la ndeshja ishte jo aq dëshpërimi për shkak të humbjes, sa për shkak të gjashtë golave të shënuar pa ndonjë mund të madh nga kroatët. Loja kundër kroatëve tregoi për një ekip shumë pak të koordinuar, me shumë pak ide dhe mbi të gjitha, me pak guxim. Në të kundërtën nga loja me finlandezët kur futbollistët tanë luajtën me gjithë zemër dhe pa asnjë kompleks, të enjten mbrëma shpërfaqën gjithë ndjenjën e inferioritetit, me të cilën edhe hyrën në ndeshje. Vetë fakti se iu deshën madje më shumë se 10 minuta që ta kalonin gjysmën e fushës, ishte ogur i keq.

Loja na tregoi se ekipi ynë i hyri asaj pa ndonjë taktikë që bile do ta shpëtonte nga debakli. Tregoi se lojtarët të cilët gati as nuk e njohin njeri-tjetrin si duhet, nuk e kanë aq të lehtë të funksionojnë si ekip, posaçërisht kur atij i mungon një lider, i cili do të shërbejë si shembull e shtytës për lojë më energjike e kreative. Tregoi se për t’u bërë ekip i mirë në të ardhmen, do të duhen shumë investime në sport e në infrastrukturë sportive në Kosovë – ashtu që bërthama e ekipit të krijohet në shtëpi – në një akademi të llojit të Masias së Barcelonës.

Deri në takimin e ardhshëm

Natyrisht, punën do ta kishte lehtësuar shumë, po qe se Kosova do të kishte pasur stadiume normale ku do të mund të zhvillohej sporti. E deri sa të krijohet i pari stadium në të cilin mund të luhen lojërat ndërkombëtare kualifikuese, Kosova do të detyrohet t’i luajë lojërat e veta si nikoqire, me gjasë sërish në Shkodër. E po qe se do të jetë kështu, mbase disa këshilla nga përvoja e kësaj jave do t’u vinin mirë atyre që do t’ia mësynin Shkodrës në mars kur do të luhet ndeshja me Islandën.

1. Po qe se e gjeni biletën me kohë, planifikoni të niseni për në Shkodër, mundësisht me autobus. Besomëni, do ta keni më lehtë, se as do të çani kokën për vozitje me kujdes e as për parking kur të arrini në Shkodër;
2. Po qe se vendosni të niseni me veturë, e sikur ju edhe gati të gjithë të tjerët, llogaritni se do të bëheni nja 4 mijë vetura që do të duan ta kalojnë kufirin që të gjithë në kohën e njëjtë. Natyrisht se do të krijoni një kolonë njëkilometërshe dhe një kaos në kufi. Kini parasysh se në atë rrëmujë, do të ketë të tillë që mendojnë se janë të paprekshëm, sikurse ca me xhipa me targa të Ticinos, e të ngjashme. Nuk e kanë dert nëse ua mëshojnë, sepse sigurimet e tyre i paguajnë dëmet, kurse faji ju mbetet juve nëse nuk i lini të kalojnë;
3. Posa ta kaloni kufirin, sigurohuni të ndaleni në pompën e parë të benzinës për t’i kryer nevojat fiziologjike. Ndalja e veturës në autostradë, e më pas edhe rreshtimi përballë shkëmbinjve, lëre që nuk ju bën objekt admirimi, porse edhe e rrezikon komunikacionin;
4. Me të nisur, sigurohuni që flamujt shtetërorë t’i palosni e t’i mbani brenda në veturë, e jo mbi haubë apo edhe mbi gepekun me xham. Me targat e letrës dhe me 01 – 07 RKS, gjithkush e di se jeni kosovarë;
5. Mundësisht, mos i jepni zor t’i tejkaloni të gjitha veturat që i keni përpara, ani që i keni veturat e shtrenjta, dhe mos u hidhëroni nëse një grua ju tejkalon, përderisa jeni duke e rregulluar flamurin që jua ka mbuluar shofershajbnen;
6. Kur të hyni në Kalimash, mbajeni anën e djathtë, përndryshe keni rrezik të ndesheni me pesë vetura policie që shërbejnë si eskortë për një a dy vetura me targa të Ticinos e me ndonjë targë Z, e që natyrisht shkojnë 120 kilometra në orë, aty ku kufizimi është 70. Është më e shëndetshme, ju siguroj.
7. Kur t’i afroheni rrugës së Lezhës, hyni kah rruga e vjetër – do ta shmangni bllokimin dhe udhëkryqi që çon për Shkodër nga njëra anë dhe Patoku nga tjetra. Kjo natyrisht nëse nuk ndaleni për peshk te ky i fundit. Rrugës së vjetër të Lezhës, udhëzoni bashkudhëtarët tuaj që t’i bëjnë gati duart në formë të shqiponjës, për t’i përshëndetur të gjithë kalimtarët e rastit. Rrugës, bëhuni gati që dikush t’ju urojë sukses me një dërgim puthjeje nga dora. Si do t’ia ktheni do të jetë punë për ju.
8. Kur të arrini në Shkodër, nga bulevardi kryesor, te rrethi i tretë do të ktheheni nga e majta për të shkuar deri në stadium. Mendojeni mirë që ta lini veturën në afërsi të bulevardit, sepse po iu afruat teatrit, do të mbeteni të ngujuar në oborr. Nëse jeni me fat, do të futeni në drejtim të kundërt të rrugicave ku ndoshta do të gjeni parking.
9. Vishuni trashë dhe merrni me vete myshema, sepse shiu në Shkodër, lëre që të bën qull, por edhe të mërdhinë. Mos gaboni me marrë ndonjë çadër, selfie-stick, stilolaps, a ndonjë fletore me kore të trasha, a ndonjë maskara, a buzëkuq, a krem për duar. As mos u nisni me shkrepëse e me para të imëta – se s’do të keni as shans teorik për t’u futur në stadium. Për më tepër, bëhuni gati t’i lini që të gjitha “në duart e sigurta” të policëve dhe policeve që do t’ju thonë se aty do t’i gjeni pas ndeshjes. Atë që do ta shihni pas ndeshjes do të jenë nja shtatëmbëdhjetë kontejnerë plot bërllok, por nuk do t’ua gjeni as gjurmët policëve me të cilët keni bërë selfie, për nevoja identifikimi.
10. Bëhuni gati që t’ju kontrollojnë edhe xhepat; se çantat e grave do të “shpuplohen” jo një por dy herë, dhe çka do e dyshimtë që nuk është “zënë” herën e parë, do t’ju hiqet në kontrollin e dytë te hyrja në stadium. Nëse keni pasaportë diplomatike, do t’i shpëtoni konfiskimit të të lartpërmendurave, për shkak të imunitetit;
11. Mos gaboni të kaloni kah porta VIP në kohën kur zbarkojnë 50 vetura policie me turli drita sinjalizimi në përcjellje të pesë veturave Z apo CD, se ju detyrojnë t’ia bëni rrethin të gjithë stadiumit për të arritur te porta juaj. Detyrimin e realizon kordoni policor i krijuar nga policia e rregullt, ajo speciale dhe ajo kundër shpërthimeve eksplozive dhe me thirrjen njerëzore: “Ik prej këtu”;
12. Mos gaboni me mendu bile se mund të futeni në stadium me shishe uji. Te porta do t’jua heqin kapakun e shishes, sepse është i rrezikshëm. Kur ta kaloni portën me biletë, do t’jua kërkojnë letërnjoftimin. Me ta kaluar kontrollin e letërnjoftimit, do t’jua marrin ndoshta ndonjë mollë, a ndonjë dardhë a ndonjë shegë, nëse pahiri keni menduar të ushqeheni bio gjatë ndeshjes. Ah, harrova, pasi ta keni sakrifikuar kapakun, do t’jua marrin edhe shishen. Ama, kur të arrini te kati i dytë, mund ta blini një shishe me ujë, ama vetëm të një prodhuesi të caktuar. Vendor, kuptohet.
13. Kur të vendoseni në stadium, do të jeni me fat të kuptoni se “semafori” në stadium shërben vetëm për ta treguar rezultatin dhe kohën e kaluar të lojës. Regjisë nuk do t’i kujtohet t’i paraqesë pamjet nga lozha VIP, ku shumica e të ulurve kanë hyrë me bileta të falura, për të mos i quajtur ftesa. Kështu do ta shmangni detyrimin që t’i vërshëlleni të ulurve aty, duke ditur se ata janë përgjegjësit kryesorë se përse është dashur të udhëtohet pesë orë deri në Shkodër, meqë nuk iu dolën boll 17 vjet për ta aftësuar një stadium normal në Kosovë.
14. Njëherë të ulur, ndizini cigaret pa shkrepës, apo siç do ta thoshte shqiptari me “bluetooth”, d.m.th., cigare me cigare, ashtu që të mos merret vesh se kush e ka kontrabanduar mjetin ndezës brenda. Këndoni krejt çka t’ju bie ndër mend, duartrokitni sa herë që t’ua ka ënda, dhe nisni të shani që në çastin kur e marrim golin e parë. Mund të merreni me trungun gjenealogjik të lojtarit të caktuar që ju shkon në nerva dhe madje mund t’u tregoni tifozëve të ulur me ju se me çka janë ushqyer lojtarët kur kanë qenë fëmijë, që kanë dalë kaq të zaiftë. Portierit do t’i tregoni çdo dy minuta se si duhet mbrojtur golin ndërkohë që do të mund të përsëritni çdo pesë minuta se i keni rënë pishman që keni ardhur;
15. Brohoritjet do t’i ndalni aty kah minuta e pestë e ndeshjes, porse do të tregoni sportivitet të paparë kur do të zëvendësohet lojtari i ekipit kundërshtar që na mbyti gola – me duartrokitje. Kjo natyrisht, nëse ende keni mbetur në stadium, sepse gjithmonë e keni opsionin e hapur që të dilni prej aty kur do dhe për çfarëdo arsye, pa pasur nevojë t’ju kontrollojnë sërish. Ama, paret e imëta që jua kanë marrë në hyrje, nuk i gjeni, nëse kjo është arsyeja pse dilni.
16. Nëse doni të dëshmoni se anija që fundoset nuk iket pa e bërë edhe përpjekjen e fundit për të shpëtuar me nder, do të mbeteni deri në fund të ndeshjes për t’u duartrokitur edhe fituesve edhe humbësve. Të parëve për shkak se qenë superiorë, të dytëve për shkak se e kanë rrugën e gjatë përpara, dhe duhet inkurajuar që të bëhen më të mirë. Sepse në fund të fundit, turpin e humbjes e bartin ata dhe do të duhet të jetojnë me këtë përvojë të hidhur.
17. Kur të përfundojë ndeshja, bëhuni gati ta lëvizni veturën dy centimetra çdo pesë minuta, sepse eskorta policore prej 50 e kusur veturave me turli sinjalizimi do ta bllokojë qytetin plotësisht. Ju që e keni lënë te bulevardi, do ta lëvizni veturën nja 10 centimetra çdo pesë minuta dhe do ta gjeni rrugën anësore që do t’ju nxjerrë prej qytetit para eskortës. Ama mos mendoni se do ta kaloni Kalimashin vetëm, se eskorta do t’ju zërë me shpejtësi drite.
18. Kur të ktheheni në Kosovë, do të mund t’i shani që të gjithë dhe të betoheni se kurrë më nuk do të shkoni në ndeshje kualifikuese të Kosovës. Por gjasat janë se do t’i bini pishman, sepse do t’ju kujtohet se Kombëtarja e Shqipërisë bëri shumë dekada para se të kualifikohej për Evropian. Ndoshta edhe Kosovës do t’i kujtohet ta marrë një trajner të huaj e t’ia japë shtetësinë kosovare; e ndoshta edhe politikanëve tanë do t’iu bjerë ndër mend se turpërimi i së enjtes mbrëma në fakt është edhe turpërim më i madh i tyre, sepse nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kuptojnë se fitoret në sport kanë peshë shumë më të madhe sesa pallavrat që na i shesin. Edhe, kishin bërë mirë të vinin në ndeshje me bileta të blera dhe pa eskortë – se vetëm tollovi të panevojshme dinë të krijojnë.

Për fund, veç mundem me thënë përpara Kosovë, del ku të del!

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...