Ferma e kafshëve, versioni ballkanik

6 Tetor 2016 - 08:38 - Enver Robelli      

Me porosi të Beogradit e ashtuquajtura «Republika Srpska» po bllokon pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina. Mes Kosovës dhe Bosnjës vlen edhe një regjim i komplikuar i vizave. Megjithatë, jo vetëm popët serbë nga Bosnja po e anashkalojnë regjimin e vizave dhe po vijnë në Kosovë me pasaporta të Serbisë.

«Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat». Konstatimi cinik nga romani satirik «Ferma e kafshëve» i shkrimtarit anglez George Orwell përshkruan perandorinë e kafshëve, të cilat tubohen dhe marrin vendim të qeverisin veten, duke përjashtuar njerëzit nga ndërhyrja në ahure dhe torishta. Në fillim gati gjithçka funksionon mirë në fermë, kafshët organizojnë një sistem demokratik të qeverisjes. Me kalimin e kohës derrat marrin pushtetin, shtypin kafshët e tjera dhe veprojnë njëjtë si kanë vepruar njerëzit. Derrat përgjigjen se parimisht të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat.

Ky parim joparimor vlen edhe sa u përket marrëdhënieve mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës. Ndonëse vende gati fqinje dhe me lidhje nga më të ndryshmet (ekonomike, familjare, pjesërisht edhe fetare),për shtetasit kosovarë dhe boshnjakë nuk është e lehtë të vizitojnë njëri-tjetrin apo thjesht të bëjnë një vizitë në Prizren apo Sarajevë, Prishtinë apo Mostar, për shkak të regjimit të vizave. Por, siç do të tregohet më poshtë në këtë tekst, për çdo rregull vlen një përjashtim.

Në një kolumne të botuar së fundi shkrimtari boshnjak, Faruk Shehiq, kështu e përshkroi problemin e vizave: «Se sa janë normale marrëdhëniet ndërmjet shteteve të krijuara me rënien e Jugosllavisë e dëshmon fakti që për të shkuar në Kosovë duhet të shkosh për vizë në Tiranë, e vetëm atëherë mund të nisesh për atje. Me kushtin që të kesh ndonjë të njohur të fortë, vizën do ta marrësh shpejt, ndërsa në mënyrë të rregullt kjo zgjat një deri në dy muaj. Këtë vizë ne e meritojmë, sepse partitë politike të Republikës Serbe bëhen më katolike se Papa, prandaj në këtë mënyrë Serbia ka raporte më të mira me Kosovën sesa Bosnja. Ngase duhet të jesh më serb se ata nga Serbia, gjë që (lideri i serbëve të Bosnjës, v.j.) Milorad Dodik ia arrin tanimë me vite të tëra. Për atë unë që sot do ta pranoja Kosovën dhe do të vendosja marrëdhënie normale diplomatike me të. Por, unë jam një askush dhe një asgjë. Prandaj, nëse doni të udhëtoni në Kosovë, përgatituni për një odise të gjatë».

Odiseja vlen edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët duhet të vrapojnë nëpër përfaqësi diplomatike të Bosnjës për të siguruar vizë. Si u krijua kjo situatë? Bosnja nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, sepse për këtë nuk e japin pëlqimin serbët e atjeshëm. Kjo bllokadë ka ndikuar që Bosnja të aplikojë edhe regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas kësaj mase Kosova ka reaguar me reciprocitet. Kështu mes dy vendeve u ngrit barriera e vizave.

Por këtë barrierë po e injorojnë jo pak serbë të Bosnjës, siç ka treguar një hulumtim i revistës «Dani» të Sarajevës. Për shembull anëtarët e organizatës kishtare «Srbsko sabranje Baštionik» nga Banjalluka «njëherë apo dy herë gjatë vitit» vizitojnë «Kosovën dhe Metohinë» - me atë rast, ka thënë Predrag Adamoviq nga kjo organizatë, «përdorim pasaportat e Republikës së Serbisë, pasi që kemi të drejtë t’i posedojmë në bazë të kontratës për shtetësi të dyfishtë dhe marrëveshjes për lidhje speciale dhe paralele mes Republikës së Serbisë dhe Republika Srpskës». Adamoviq thotë: «Askush prej anëtarëve tanë nuk ka kërkuar vizë të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës».

Ndërsa Serbia nën presionin e Brukselit lejon hyrjen e qytetarëve të Kosovës pa vizë, Bosnja vazhdon të mbajë në fuqi regjimin e vizave për shkak të politikës së sabotimit nga ana e entitetit serb. Atë çfarë Beogradi nuk mund ta bëjë kundër Kosovës për shkak të procesit të integrimeve në Bashkimin Evropian, po e bën Republika Srpska: ajo po sillet si mbrojtëse e interesave serbe në Kosovë. Këtë e ilustrojnë edhe një sërë organizatash «humanitare», të cilat veprojnë në entitetin serb të Bosnjës dhe janë të përkushtuara në ofrimin e ndihmës popullsisë së «rrezikuar serbe» në Kosovë.

Sipas revistës «Dani» në Banjallukë dhe në qytete të tjera të Republikës Srpska veprojnë këto organizata që «ndihmojnë» serbët në Kosovë: «Sveti Ɖakon Avakum», «Božur», «Srbsko sabranje Baštionik». Aktive janë edhe shumë delegacioneve të kishës ortodokse serbe, në Banjallukë vepron Këshilli për ndihmë serbëve të «Kosovës dhe Metohisë», ndërsa Radiotelevizioni i Republika Srpska përmes emisionit «Kad bi hljeba bilo više» («Sikur të kishte më shumë bukë») prej vitesh mbledh ndihma për serbët e Kosovës. Mbledhja e ndihmave nuk është veprim i paligjshëm, por kur paralelisht me këtë serbët e Bosnjës në aleancë me Beogradin bllokojnë njohjen e Kosovës nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës dhe ndikojnë në zbatimin e regjimit të vizave, atëherë kjo tregon për një politikë të koordinuar kundër Kosovës. Autoritetet e Kosovës duket se nuk kanë përgjigje ndaj kësaj politike.

Teologu Zdravko Bogojeviq nga Dioqeza Bihaç-Petrovac tha se asnjëri prej 39 dinjitarëve fetarë të kësaj Dioqeze nuk i janë nënshtruar procesit të marrjes së vizës për të hyrë në Kosovë. «Unë në shoqëri të peshkopit të Dioqezës Bihaç-Petrovac së fundi, nga mesi i majit, kam qenë në Kosovë, por me pasaportë të Republikës së Serbisë, ndërsa për veturën që kishte targa të Bosnjë-Hercegovinës në pikëkalimin kufitar qemë të detyruar të paguajmë 15 euro për sigurim», ka deklaruar Bogojeviq. Autorja e emisionit «Kad bi hljeba bilo više» dhe gazetarja Mira Loliq-Moçeviq ka thënë se askush nga ekipi i saj nuk ka marrë vizë për Kosovë, sepse të gjithë personat e përfshirë në aksionet humanitare kanë pasaporta të Serbisë apo të Kroacisë. Orwelli kishte shumë të drejtë: «Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat». Vështirësi për të shkuar në Bosnjë nuk kanë as serbët e Kosovës, sepse shumica prej tyre kanë pasaporta të Serbisë. E pabesueshme, por e vërtetë: serbët e Bosnjës dhe të Kosovës s’kanë probleme të lëvizin në vendet përkatëse – madje falë politikës së sabotimit ata arrijnë t’i mbajnë peng me viza shqiptarët dhe boshnjakët, siç e quajnë veten myslimanët e Bosnjës.

Por nganjëherë edhe barrierat e politikanëve serbë nuk mund të pengojnë bashkëpunimin. Këtë e tregon shembulli i portierit boshnjak Adis Nurkoviq. Në Bosnjë ai ruan portën e Travnikut, ndërsa ka pranuar ftesën të luajë për Kombëtaren e Kosovës. «Të gjitha reagimet në Bosnjë janë pozitive. Shumë portale kanë publikuar lajmin që unë do të luaj për Kosovën. Sigurisht që Kosova në Bosnjë ka shumë tifozë. Tani besoj se Kosova do të ketë edhe më shumë tifozë në Bosnjë. Shumë do të vijnë për të parë ndeshjen me Kroacinë», ka thënë Nurkoviq për «Kohën Ditore».

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...