BE-ja ia njeh Serbisë rolin e gjykatësit rajonal

5 Tetor 2016 - 08:45 - Augustin Palokaj      

Vetë fakti se presidenti i sotëm i Kosovës vazhdon të ketë akuzë nga Gjykata e Serbisë, për të cilën nuk kemi dëgjuar të jetë hequr, dëshmon se sa jonormale janë raportet. Kur Serbia e mban të akuzuar edhe presidentin e shtetit, e që më parë ishte edhe shef i opozitës, edhe kryeministër, edhe ministër i Jashtëm, dëshmon se raportet nuk janë normale. Prandaj, nuk duhet Kosova të habitet kur në Serbi arrestohet dikush si drejtori i Policisë së Mitrovicës, që ka të njëjtin mbiemër sikur edhe presidenti Thaçi. Në dialog, sikurse nuk janë sqaruar shumë gjëra, nuk janë sqaruar as hollësitë rreth lëvizjes së qytetarëve, as rreth kompetencave të gjykatave

Arrestimi i drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës nga ana e Serbisë edhe një herë ka dëshmuar se sa jonormale janë raportet kinse gjithnjë e më të normalizuara mes Kosovës dhe Serbisë. Duke pasur parasysh se Mitrovica, veprimtaria e policisë në të dyja anët e lumit të këtij qyteti, fati i tërë kësaj zone të Kosovës, është pika kryesore e dialogut në Bruksel dhe pjesa që krijon më së shumti tensione edhe në Kosovë, edhe në raportet me Serbinë, atëherë mundësia që kjo të ketë ndikim negativ është shumë e madhe.

Kosova këtu është e pafuqishme, siç është e pafuqishme në raportet me Serbinë dhe në mbrojtjen e qëndrimeve të saja në dialogun në Bruksel, nëse i ka të qarta qëndrimet e veta. Edita Tahiri, e dërguara e posaçme e Hashim Thaçit për dialog me Serbinë, vazhdon me përpjekjet për ta bindur opinionin se Kosova po fiton shumë në dialog, se ajo po ia ndalon disa politikanëve të Serbisë që të vijnë në Kosovë. Por e vërteta është se ajo me ekipin e saj po negociojnë disa herë të njëjtën gjë. Deri më tash disa herë “kanë arritur marrëveshje” dhe Kosova, siç ka thënë ndoshta edhe qindra herë zonja Tahiri, “ka fituar kodin ndërkombëtar shtetëror”. Por tash pamë që ajo prapë po negocion me Beogradin për kodin që ne e quajmë ndërkombëtar, ndërsa Beogradi insiston se mund të jetë i Serbisë, që do t’i jepet në përdorim “krahinës së saj jugore të Kosovës dhe Metohisë”.

Shumë vjet kanë kaluar prejse është nisur dialogu. Ai ka pasur nganjëherë disa etapa dinamike dhe ka sjellë disa marrëveshje që janë quajtur edhe historike. Por, edhe atëherë kur janë arritur ato dialogu ka vazhduar sepse palët kanë pasur interpretimin e ndryshëm të së njëjtës gjë. Dhe si pasojë shumë prej marrëveshjeve nuk janë zbatuar.

Këtu problemi qëndron në mënyrën se si është konceptuar dialogu edhe në rolin e ndërmjetësuesit. Ky nuk është dialog mes palëve të barabarta siç pretendon pala kosovare. Sa për ilustrim mund të përmendim takimin e parë të kryeministrit të asaj kohe të Kosovës, Hashim Thaçi, me atë të asaj kohe të Serbisë, Ivica Daçiq. Daçiq pos kryeministër ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme. Si i tillë ai ishte në krye të Ministrisë që ka shpallur në kërkim Hashim Thaçin, kërkesë që në Serbi është në fuqi ende. Për këtë arsye Thaçi nuk ka realizuar një vizitë në Serbi për të cilën kishte pasur dëshirë ta realizonte. Ndërmjetëse në atë takim ishte përfaqësuesja e lartë e BE-së, që në atë kohë ishte baronesha Catherine Ashton. Ajo kishte urdhëruar krijimin e një ekipi të posaçëm hetues për të hetuar rastet e krimeve në bazë të raportit të Dick Martyt, që kishte bërë një raport ku përmendej edhe emri i Hashim Thaçit, krahas disa ish-zyrtarëve të tjerë të UÇK-së. Vetëm nga ky fakt Kosova ishte në pozitë të pafavorshme, ndërsa baronesha Ashton jepte deklarata sa diplomatike aq edhe qesharake. Në një moment, kur takimi kishte zgjatur shumë, dhe kjo kishte qëlluar në ditën kur ajo kishte ditëlindjen, Ashton pati thënë se “nuk ka mundur të kishte shoqëri më të mirë për ditëlindje sesa Thaçin dhe Daçiqin”. Nuk e di a i ka ftuar ajo këta miq të saj, nëse janë miqësuar vërtet aq shumë gjatë dialogut, edhe pasi është larguar nga posti.

Vetë fakti se presidenti i sotëm i Kosovës vazhdon të ketë akuzë nga Gjykata e Serbisë, për të cilën nuk kemi dëgjuar të jetë hequr, dëshmon se sa jonormale janë raportet. Kur Serbia e mban të akuzuar edhe presidentin e shtetit, e që më parë ishte edhe shef i opozitës, edhe kryeministër, edhe ministër i Jashtëm dëshmon se raportet nuk janë normale. Prandaj, nuk duhet Kosova të habitet kur në Serbi arrestohet dikush si drejtori i Policisë së Mitrovicës, që ka të njëjtin mbiemër sikur edhe presidenti Thaçi. Në dialog sikurse nuk janë sqaruar shumë gjëra, nuk janë sqaruar as hollësitë rreth lëvizjes së qytetarëve, as rreth kompetencave të gjykatave.

Kur nga Qeveria e Kosovës dëgjojmë se “çështja e arrestimit të Thaçit do të ngrihet në Bruksel” vetëm mund të themi se nga kjo gjë nuk duhet pritur shumë. Ndoshta, për hir të dialogut mund të ketë ndërhyrje politike që ai të lirohet. Por, problemi do të mbetet dhe do të përsëritet edhe në të ardhmen. Me siguri në Serbi ka shumë akuza për qytetarë të Kosovës, të ngritura nga gjykatat të cilat nuk do të duhej të ekzistonin si pasardhëse të gjykatave paralele të bartura nga Kosova. Dhe, pa marrë parasysh se sa herë ka thënë zonja Tahiri se përmes dialogut “janë shuar strukturat paralele”, ato janë gjallë dhe funksionojnë edhe në Kosovë, edhe në Serbi. Numri i të akuzuarve mund të jetë shtuar edhe pas bërjes publike të listave të veteranëve të luftës në Kosovë. Për Serbinë, secili veteran i luftës në Kosovë mund të jetë i akuzuar potencial.

Sa i përket BE-së, ajo pra me qëllime politike mund të bëjë përpjekje diplomatike që Serbia ta lirojë Thaçin, dhe për këtë pa dyshim Serbia do të fitojë lëvdata në vend të kritikave. Por, BE-ja në parim ia njeh të drejtën Serbisë që të vazhdojë ta luajë rolin e gjykatësit për tërë rajonin. BE-ja këtë e kishte dëshmuar kur Kroacia kishte bllokuar hapjen e negociatave për kapitullin 23 për shkak të ligjit për juridiksionin për gjykimin e rasteve të krimeve të luftës. Sa i përket Kosovës, BE-ja ndaj Serbisë ngre akuzat, sepse e konsideron Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë. Por Serbia me ligjin e saj ka marrë kompetenca që të gjykojë këdo në cilindo shtet të ish-Jugosllavisë për krime luftë, pa marrë parasysh se ku dyshojnë se kanë ndodhur, kush dyshohet se i ka kryer dhe kush ka qenë viktimë. Pra, në një mënyrë, Serbia ka marrë rolin e, siç e kanë quajtur në Kroaci, “mini Hagës”. E për Kosovën gjithkush po merr të drejtë të akuzojë dhe gjykojë qytetarë të saj, nga Haga e Serbia, e tash edhe të ashtuquajturat “dhomat e specializuara të Kosovës” me seli në Hagë.

Por Kroacia kishte mbetur e vetme në këmbënguljen e saj dhe nga Kosova nuk i kishte ardhur ndonjë mbështetje së paku morale publike. Sepse liderët e Kosovës duan të paraqiten si miqësorë ndaj Serbisë dhe ta mbështesin përparimin e saj drejt BE-së. Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Miro Kovaç, kompetencat e Serbisë për të gjykuar krime të luftës i kishte quajtur si “perversitet historik”, duke ditur se nga Serbia ishte nisur dhe drejtuar agresioni ndaj Kosovës, Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Serbia pa dyshim se këto kompetenca që i ka dhënë vetes dhe të cilat ia njeh edhe BE-ja, duke mos e ditur se ato nuk janë kompetenca universale sikur që kanë edhe shumë shtete të tjera, por janë politike, mund t’i përdorë dhe i përdor edhe për qëllime politike. Po të ishte fjala vetëm për kompetenca universale për të gjykuar krimet e luftës, Serbia do të kishte akuzuar presidentin e Sudanit për krimet e luftës në Darfur, por në fakt Serbia atë e ka dekoruar me medalje të veçantë për shkak se nuk e ka njohur Kosovën, ani pse i njëjti është akuzuar për gjenocid.

Përsëri problemi i vjetër kthehet gjithmonë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu nuk e ka as formën e as metodologjinë e negociatave ndërkombëtare. As marrëveshjet nuk janë ndërkombëtare. Sikur të ishin ndërkombëtare, do të ekzistonte një trup kompetent për të gjykuar në raste të interpretimeve të ndryshme të tyre dhe në raste të shkeljeve. E BE-ja, ndonëse është ndërmjetësuese, nuk pranon të ketë rolin e arbitrit për të vërtetuar se kush ka të drejtë. BE-ja bën raporte për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut dhe për përparimin në procesin e normalizimit të raporteve “Beograd-Prishtinë”. Por këtë e bën sipas nevojave politike. Nëse ka nevojë të avancohet Beogradi në procesin e integrimeve evropiane, atëherë edhe raporti përshtatet në atë mënyrë që të thuhet se ka pasur përparim. Nëse edhe duhet kritikuar, atëherë kritikohen të dyja palët njëlloj. Dhe paqartësitë në dialog në fund reflektohen si pasoja tek qytetarët, sidomos tek ata që vërtet besojnë se raportet janë normalizuar aq shumë saqë pa problem mund të udhëtojnë përmes Serbisë. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...