Shantazhi si mjet për t’u ngjitur në politikë

25 Maj 2014 - 08:34 - Elmaz Isufi      

Aty ku ekziston korrupsioni, ekziston edhe krimi i organizuar. E në majë të tyre, mafia politike. Kosova s’bën përjashtim

Jo pak herë në vitet e para të pasluftës njerëzit që kishin trashëguar biznese apo kishin investuar kapitalin në iniciativa private janë ankuar se po shantazhohen nga grupet e interesit, sidomos nga një pjesë e “komandantëve” dhe nga shërbimet e ashtuquajtura inteligjente, të kamufluar në organizata partiake. Afaristët atëbotë, veç tjerash, akuzoheshin si bashkëpunëtorë të Serbisë, dhe për të shpëtuar kokën e tyre dhe të familjes si dëmshpërblim duhej të paguanin haraç.

Në pamje të parë, e tërë marrëdhënia e tyre me politikanë dukej si një partneritet, si ndihmë e solidaritet për “kontributin” që këta të dytët kishin dhënë për lirinë. Por, në themel aty kombinohej frika dhe kërcënimi. Dhe s’ishte çudi që jetë më luksoze bënin “reketashët”, sesa financuesit e pashallëkut të tyre.

Por me kalimin e viteve, naivitetin e politikanëve me “çorapë të leshta”, afaristët e rryer dhe kreativë e kanë përkthyer me mençuri në rritjen e kapitalit, duke u kërkuar kthimin e mijëra eurove “donacion” në miliona euro kontrata publike. Biznesmenët, paralel me fuqinë financiare, kanë arritur që përmes angazhimit aktiv në politikë të sigurojnë edhe imunitet publik. Madje, duke parë vobektësinë mendore të liderëve politikë dhe ngarendjen e tyre pas çdo specie njerëzore për ta përfshirë për numra në garën zgjedhore, ata kanë rritur pazarin e tyre, madje edhe guximin, për të zgjedhur e për të ndërruar partitë politike.

Dhe tash politikanët nuk i shohin biznesmenët më si “tradhtarë” dhe firmat e tyre si thes pa fund i parave, por si partnerë dhe lojtarë të rëndësishëm në betejën për pushtet. I shohin si magnet për votues dhe i promovojnë si “storie suksesi”.

Të përfshihet komuniteti i afaristëve në politikë nuk përbën mëkat, ashtu siç kemi thënë se nuk ka të keqe që kjo të ndodhë edhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile. Nga disa kundrohet si ndryshim pozitiv kadrovik i skenës politike, nga disa si synim i tyre për të përmbushur egon personale, e nga të tjerët si anim normal partiak.

Por afria e biznesmenëve me politikanë dhe politika të dëshmuara si të këqija dhe të kriminalizuara, për të njëjtën kauzë - marrjen e pushtetit, çon nga dyshimi se qëllimi final i tyre është futja në Qeveri, e rrjedhimisht edhe qasja direkte në paranë publike, në tenderë, në privatizim..., por edhe mbi organet e ndjekjes. Ata, duke u veshur me pushtet, nuk do të kenë nevojë të paguajnë haraç në formën klasike, “nën tavolinë”. Nuk kanë nevojë t’i “msitnojnë” këto punë nëpër shumë duar, apo të gjejnë skuta brenda dhe jashtë vendit ku mund të ndajnë “tallin”. Të gjitha ato, me futjen eventuale në Kuvend, e edhe më mirë në Qeveri, ka mundësi të bëhen në zyrat qeveritare, në komisionet parlamentare, në konferenca donatorësh, në udhëtime të ashtuquajtura lobuese dhe në forume partiake.

Në një skenë politike normale, sherri nuk mund dhe nuk do të duhej të vinte nga biznesmenët që operojnë publikisht dhe që një pjesë të fitimit e ndajnë edhe për të mirën e qytetarëve. Nuk mund t’i kriminalizojmë ato kompani që veprimtarinë e kanë transparente e që kanë siguruar punë për dhjetëra, qindra e edhe mijëra veta. As për insistimin e tyre të hapur për politika që u shkojnë në favor zhvillimit të bizneseve të tyre, dhe përgjithësisht ekonomisë së Kosovës. Angazhimi i tyre në jetën publike mund të jetë i dobishëm, ndërsa eksperiencat në funksion të përhapjes së idesë se të mirat në ekonomi vijnë nga iniciativa private dhe nga respektimi i ligjit.

Por rreziku është faktorizimi i afaristëve që në skenën politike futen nga nëntoka apo janë të lidhura me të. Të atyre që e shfrytëzojnë pasionin e sëmurë të liderëve politikë për pushtet. Të atyre që pasurinë e kanë krijuar nga para të pista, nga kontrabanda, nga trafikimi me narkotikë dhe qenie njerëzore, nga përfshirja në rrjetet kriminale rajonale dhe me gjerë. Të atyre që nuk duan t’ia dinë për nocionin “sundim i ligjit”.

Numri i tyre është goxha i madh për sa kohë që të dhënat flasin për shkallë të madhe të kontrabandës dhe ekonomisë informale. Në vit llogaritet se një e treta e shkëmbimit tregtar funksionon në të zezën. Për ta vënë në funksion këtë rrjet kriminal, duhet pjesëmarrja e mijëra njerëzve, para se gjithash, duhet një koalicion mes tyre dhe pushtetit.

Ky bashkëpunim kriminal dhe korruptues, por edhe fenomeni i ngritur disa herë nga institucionet ndërkombëtare – pastrimi i parave, nuk ka se si të mos krijojë një perceptim paradoksal në Kosovë. Vendi me afro 40 për qind të papunë, e me po aq përqindje njerëzve të varfër, ka dinamikën të madhe të investimeve në ndërtimtari, ka numër rekord të pikave të karburantit, të objekteve hoteliere e të qendrave tregtare. Në zonat industriale të qyteteve të Kosovës, veçmas në Prishtinë, bien në sy godina luksoze gjigante, të cilat do t’i lakmonin edhe shumë kompani ndërkombëtare që kanë shtrirje të tregut në të gjitha cepat e botës.

Dhe ndryshe nga këto të fundit që përfaqësojnë marka të popullarizuara dhe qarkullimin e kanë disa miliardësh, këto tonat brenda kanë, ta zëmë, bizhuteri, mall “gjithçka 1 euro”, lodra për fëmijë e kova plastike. I tërë malli i tyre nuk arsyeton as investimin në fasadën strukturale. Ka prej tyre që janë krejt të zbrazëta dhe ashtu qëndrojnë me vite.

Kush dhe si i ndërtoi. Kush i gjeti paratë dhe hodhi me aq lehtësi në projekte që nuk kanë asnjë të ardhme. Si u bë që “menaxherët” e këtyre pronave, pavarësisht operimit të zaiftë në treg, ngasin makina superluksoze, drekojnë sa herë të duan në Dubai dhe ndërtojnë vila që nuk i vizitojnë dy-tri herë brenda vitit.
Në të shumtën e rasteve, sipas hulumtimeve dhe praktikave ndërkombëtare, mbrapa këtyre pronave dhe bizneseve zakonisht qëndrojnë njerëzit e politikës. Dhe aty ku ekziston korrupsioni, aty ekziston edhe krimi i organizuar. E në majë të tyre, gjithmonë mafia politike. Kosova s’bën përjashtim, këtë e thotë edhe Misha Glenny, autori i librit "McMafia".

“Kemi bërë kërkime dhe i kemi lexuar raportet e agjencive informative gjermane për të parë kush po vepron kundër kujt brenda Kosovës dhe se çfarë biznesesh janë përfshirë. Të gjithë e dimë që janë lidhur me figura të rëndësishme politike në spektrin e Kosovës”, ka thënë ai.

Glenny, “mafinë” e përkufizon edhe si formë të organizimit shoqëror që krijohet në mungesë të një force policore, të sistemit gjyqësor dhe të një burokracie funksionale që vepron dhe arbitron si palë e paanshme.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...