Si të nisim ekonominë në tre hapa

3 Tetor 2016 - 08:07 - Lumir Abdixhiku      

Parashikimet e Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Ballkan tregojnë për një rrugëtim të ngadalshëm të Kosovës në vitet vijuese. Në të vërtetë, Kosovës do t’i duheshin hiç më pak se 32 vjet për ta arritur Kroacinë, e plot 72 për ta arritur një mesatare evropiane. Kosovës, pra, i duhet një rrugë krejt tjetër. Dhe nisja e kësaj rruge kërkon marrjen e tre hapave makro

-1-

E para, të zhvaremi nga konsumi; të varemi nga investimet. Shoqëria jonë është konsumuese. Blejmë gjithçka, investojmë pak. Sot e gjithë ecja jonë ekonomike varet nga konsumi. Rritja jonë ekonomike, ajo rritje e vogël prej 2-3%, nxitet prej konsumit. Konsumi, që kjo shoqëri bart, është barrë. Barrë derisa s’bartim ecjen në investime.

Në tri ciklet e fundit qeveritare Kosova ka pasur rritje prej konsumi, rënie prej investimeve. Për sa herë rrisnim pagat para zgjedhjeve, për sa herë shumëfishonim përfitimet nga publiku, për sa herë nxirrnim mëditje e paga për grupe të privilegjuara, ne rrisnim konsumin.

Investimet, në anën tjetër, ishin rrumbullakuar vetëm rreth atyre publike. Dhe, për të keqen tonë, përreth rrumbullakimit publik ato mbaheshin për një projekt të vetëm – për një rrugë të dhënë, një autostradë. Autostrada s’kishte për të multiplikuar rritjen. Investimet private ndërsa ishin në rënie. Në rënie më të madhe mbesin ato të jashtmet, të cilat janë përgjysmuar nga plot 400 milionë sa i kishim në vitin 2008, në veç 200 milionë në vit sa i kemi sot.

Dhe cikli duhet të nisë nga e kundërta. Pra, të nisim me rritjen e investimeve të jashtme. Jo duke kundërshtuar secilën ide që na vjen në vend – siç bëjmë tani, por as duke sjellë secilën ide këndej – siç ka ndodhur deri më tani. Kjo shoqëri ka prirje për të kërkuar investitorë humanitarë – jo ndërmarrës që duan profit; dhe ka prirje për të sjellë tugjarë, jo ide që sjellin vlerë e punë. Shihni për pak skepticizmin që na shoqëron përpara secilës iniciativë investuese. Jemi në gjendje të plakemi mbi thëngjill, por të mos pranojmë asnjë nismë që shfrytëzon thëngjillin.

E njëtrajtësisht duhet nisur ciklin e investimeve individuale. Për të bërë këtë na duhet ulja e normave të interesit – jo veç për biznese ekzistuese siç ndodh tani, por për ide të reja e inovative. Për të ulur normat e interesit na duhet të funksionalizojmë gjykatat. Sepse siguria e tregut mbetet arsyeja kryesore prapa normave të larta. Për të funksionalizuar gjykatat e për të sjellë siguri në treg na duhet çkapja. Për çkapjen dhe domosdoshmërinë e saj kam shkruar më shumë se për gjithçka tjetër; s’do të marr hapësirë më shumë këtu. Pra, çkapja sjell gjykata, gjykatat sjellin siguri, siguria ul koston e kapitalit, ulja e kostos së kapitalit sjell investime, investimet sjellin rritjen e kërkuar që rrugën e gjatë për një standard normal, në rastin më të mirë, e përgjysmon.

-2-

E dyta, të zhvaremi nga importi, të varemi në eksport e zëvendësim importi. Shoqëria jonë secilin vit importon plot 2.5 miliardë euro. Eksporton hiç më shumë se 300 milionë. Një disbalancë e tillë, ku eksportojmë vetëm sa një e dhjeta e asaj që importojmë është paralizuese.

Ne s’mbajmë paranë në vend. Një euro qëndron shumë më pak kohë në Kosovë sesa në secilin vend tjetër në rajon. Një euro e njëjtë në Kosovë do të duhej të përdorej nga shumë aktorë; por s’ndodh ashtu sepse përfundon shpejt jashtë – tek origjina e produkteve që i konsumojmë. Në të vërtetë, edhe paratë që ne marrim nga diaspora, ato 700 milionë remitenca që i marrim për vit, i kanalizojmë nëpër të njëjtat rrugë që na vjen importi. Marrim nga Gjermania e Zvicra, i përcjellim për në Serbi e Maqedoni.

Dhe cikli i zgjidhjes së problemit duhet të nisë nga dekonstruktimi i strukturës së tanishme ekonomike; nga sektorët e tanishëm pra. Sepse kjo strukturë s’ka potencial për të ndryshuar ngërçin ekonomik në të cilën jemi futur tash e tetë vjet.

E struktura e tanishme dekompozohet po u fillua të mbështetet një platformë që krijon e stimulon industri – le të themi – krejtësisht të re për tregun tonë. Pra, Kosovës i duhet një “silicon valley”, ku infrastruktura, bankat, financierët, bizneset e mëdha, ideatorët e kreatorët bëhen në një vend dhe krijojnë ide e biznese të reja. Ky krijim më pas shitet jashtë. Kjo shitje jashtë krijon eksport. Eksporti sjell paranë brenda. Paraja brenda sjell brumë për më shumë investim.

-3-

E treta, të zhvaremi nga analfabetizmi e “diplomomania”, për të kaluar në aftësim. Pra, të punojmë në anën e ofertës. Të rinjtë e rejat tona seç kanë një mani për të marrë një copë letre që – në fund të ditës – nuk sjell punë. Por s’kanë asnjë lloj tendence që të marrin aftësi, sepse aftësi nuk prodhon sistemi jonë i arsimit.

Sistemi i arsimit, në të vërtetë, është platformë për mbajtjen e të papunëve, si të papunë në shkollë, për një kohë pak më të gjatë. Ky sistem madje në defektin e tij më të madh është jashtë secilës rrjedhë rajonale.

Shihni për pak industritë e reja që po marrin formë nëpër Evropën Juglindore; industri të nisura nga një supertransformim i sistemit edukativ në vende si këto. Rumania e Bullgaria janë bërë shembuj të një shpërthimi masiv të inxhinierisë softuerike dhe eksportit të produkteve si këto. I thonë “in-source” – meqë bëhet nga Evropa; një formë e zëvendësimit të “out-source” që bëhej deri vonë nga India e Kina. Kosova ka secilën predispozitë të bëjë një gjë të tillë.

Në të vërtetë, bizneset e karrierat me potencialin më të madh rritës tek ne janë pikërisht në fushën e programimit edhe sot. Pagat më të larta janë mu në këtë sektor. Kërkesa më e lartë për punë lind mu në këtë sektor. Por, Kosova s’ka shkolla e as universitete që ofrojnë në masë programerë e inxhinierë të softuerikes. Ka sërish kurrikula të vjetra, mësimdhënës – konsideratë për përjashtimet – të paditur, e vizion zero në këtë drejtim. Ne ende mbesim të ngërthyer nga drejtime e degë që mbushin tregun përlot.

Dhe aftësimi nuk kërkon domosdo nxitjet tek, siç mora veç një shembull, programimi. Aftësimi kërkon edhe saldues profesionalë, teknikë të tjerë, zdrukthëtarë e përpunues të zotë; pra, edhe për industri me vlerë më të ulët të shtuar.

abdixhiku@facebook.com 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...