Zgjedhjet si zgjidhje e mundshme

27 Shtator 2016 - 08:06 - Flaka Surroi      

Copëtimi i mëtejmë i opozitës vetëm sa do t’ua zgjasë jetën Klanit Pronto dhe përkrahësve të tij – sepse këta janë dëshmuar mjeshtër të lojës së politikës. Me të gjithë armiqtë bëhen miq dhe të gjithë miqtë i shndërrojnë në armiq, sa herë kjo u hyn në përdorim

Qysh quhet dikush që jeton në një vend ku për të protestuar kundër së keqes mblidhen veç 75 veta; ku pak më shumë se një e treta e Kuvendit e kalon një ligj që prek në bërthamën e kursimeve pensionale, sepse mashtruesve duhet dhënë pensione; ku njerëzit krejt problemet e dynjasë i zgjidhin duke pirë makiato apo edhe ku njerëzit e tregojnë fuqinë e tyre nëse brenda 60 sekondash e rrahin makinën e boksit dajak rrafsh dhjetë herë?

Përgjigjja gjendet lehtë, dhe shumica e atyre që jetojnë në Kosovë e identifikojnë veten me përshkrimin më lart. Ata pak që nuk e gjejnë veten këtu, janë aktorët që nga hija bëjnë të mundur që të gjitha të zezat, e shumë më shumë, të na ndodhin përditë -- e që për këtë të mos ndihen aspak fajtorë.

Trusti

Kuvendi u mblodh të enjten, qetë, për t’i kaluar ca ligje. Ndër to edhe një, që i rregullon pensionet dhe që do t’i shërbejë si deriçkë Qeverisë për të prekur në paratë e Trustit të kursimeve pensionale – të atyre që na është thënë se askush nuk do t’i prekë, sepse janë pronë e kontributdhënësve. Në mungesë të një ideje më të shëndoshë të përdorimit të këtyre mjeteve në investime që do të sjellin krijimin e vendeve të reja të punës, Qeveria ka vendosur që ta shqyejë thesin e prej aty t’i nxjerrë bile nja 15 milionë për t’i paguar pensionet e atyre që ua njohu statusin e veteranëve të luftës.

E mbështetur për muri, ngase FMN-ja me ngulm insiston që buxheti nuk do të duhej ta tejkalonte limitin e paraparë për paga dhe mëditje, Qeveria e zbulon pulën e vezëve të arta: Trustin, që me aq mund është duke u grumbulluar, për t’iu dhënë para nja 20 mijë njerëzve që supozohet se në mënyrë të padrejtë ndajnë epitetin e veteranit me ata që përnjëmend kanë luftuar ose që përnjëmend kanë kontribuuar në luftë.

Dhe hiç çuditërisht, puna e prekjes së parave të Trustit kalon pa asnjë reagim të vetëm nga pothuajse askush. Fillimisht për shkak se ligji ka kaluar në leximin e parë me 47 vota kryesisht të LDK-së dhe PDK-së (ani pse në sallë kanë qenë madje 101 deputetë, por prej të cilëve kanë votuar vetëm 60); së dyti, për shkak se askush nuk doli të thoshte se në çastin kur nis shqyerja e thesit, paratë prej aty do të vazhdojnë të shpenzohen pa kthim, sa herë që do të ketë ndonjë krizë për pagesa pensionesh apo rrogash.

Në vend se t’i hyhet sërish procesit të pastrimit të listave të të gjithë atyre “veteranëve”, neve na vidhen paratë, ama me ligj, për t’i paguar njerëzit që edhe me letra e kanë mashtruar shtetin.

Protesta që ka humbur momentumin

Kështu, bëri vaki që të njëjtën ditë të organizohej protesta e nëntë me radhë e qytetarëve kundër Prontove dhe të ngjashmëve. Mbledhja e kësaj radhe ishte edhe më dëshpëruese sesa herëve të shkuara. Numri i protestuesve ishte ndjeshëm më i vogël, dhe pos që ishin në gjendje të replikonin fjalë për fjalë dialogët e Prontove që s’kanë kunkurru dhe që dinin të identifikonin se cili nga lista e Grabovcit bënte e cili nuk bënte për ndonjë bord – nuk kishin më as fuqinë e as vullnetin për të brohoritur “hajnat në burg”. Për shkak se sërish, më shumë njerëz kishte të ulur nëpër tarracat e kafehaneve prishtinase sesa njerëz që qetazi protestonin; për shkak se një protestë e këtij lloji, me kaq pak njerëz, nuk u lë përshtypje atyre kundër të cilëve edhe organizohet; për shkak se një grusht njerëzish, pa lider apo liderë të identifikuar që do të marrë/marrin përgjegjësinë për masën dhe pa strategji për ta arritur qëllimin, nuk paraqet ama bash kurrfarë rreziku për lëkurëtrashët që vetëm mund të qeshin me apatinë qytetare që na ka kapluar. Së cilës natyrisht i gëzohen, sepse e tregon pushtetin e vërtetë që e kanë mbi këtë popull të nëmur.

Protesta, e cila e pati një qëllim shumë të qartë të shprehjes së revoltës qytetare, hasi në mospërkrahje. Rrugës e humbi edhe shtytësin kryesor që qenë përgjimet, që sollën nisjen e hetimeve kundër aktorit kryesor të tyre. Të hetimeve që mund të mos sjellin asnjë gjë, përderisa atij nuk ia prishin rehatinë, sepse pos tërheqjes nga kryesimi i grupit parlamentar të PDK-së, Grabovci vazhdon t’i mbajë krejt postet e tjera që i ka pasur në dispozicion. Duke treguar se edhe veprimet e Prokurorisë do të mundë të jenë vetëm edhe një në vargun e talljeve që i bëhen Kosovës.

Me ritmin se si po zhvillohen, ndodh që protestat së shpejti do të ndalen krejt, sepse në to nuk do të mundë të mblidhen as 20 veta. Ngase Kosova përfundimisht tregon se nuk ka popull që mund të vetorganizohet pa pasur nevojë të identifikohet me ndonjë lider, ndonjë strukturë të organizuar qytetare apo edhe ndonjë parti politike që ka mekanizma për të mbledhur aktivistë për të bërë presion publik kundër atyre që janë duke e dëmtuar Kosovën deri në palcë.

Krejt në pritje të zgjedhjeve

Tashmë është bërë e qartë se ka nisur fushata parazgjedhore për zgjedhjet komunale që do të duhej të mbaheshin vjeshtën e ardhshme. Intensiteti i kritikave veç sa shkon e shtohet, kurse temat që përfliten në fakt janë riciklim i të njëjtave me të cilat kanë nisur mandatet më 2013-n. Gjithashtu po bëhen më evidente edhe koalicionet e mundshme që do të garojnë në zgjedhjet që do të vijnë, me rikthimin e partive që nuk e kaluan pragun herën e shkuar dhe me krijimin e partive të reja që mëtojnë të sjellin ndryshim në skenën politike.

Se a do të ketë zgjedhje të parakohshme nacionale do të varet nga sigurimi i fuqisë politike të partive të mëdha në muajt në vijim. Partia e cila i ka më së miri punët momentalisht është PDK-ja. Barrën e qeverisjes ia ka hedhur LDK-së, së cilës ia ka lënë këmbët e arushës me temën e Zajednicës, të demarkacionit, të rritjes së rrogave të shërbimit publik; të papunësisë; të sistemit të kolapsuar shëndetësor; të pensioneve të veteranëve; të liberalizimit dhe të investimeve të huaja etj., – që të gjitha premtime zgjedhore nga të cilat i ka larë duart që në çastin kur u arrit ajo që e deshi Thaçi: që të zgjidhej kryetar shteti. Nëse e mbërrin fundin e mandatit, askush nuk do ta fajësojë koalicionin qeveritar për dështimet. Ato do të identifikohen me një emër dhe një parti: Mustafa dhe LDK-ja, që do të dalë humbësja më e madhe nga kjo aventurë.

Nga ana tjetër, opozita e shkapërderdhur, po qe se do të vazhdojë të funksionojë e ndarë, nuk do t’ia dalë kurrë t’i mbledhë së bashku më shumë vota sesa partia, e cila i ka fituar tri zgjedhjet e fundit. E opozita e ka një problem të madh – e ky është bajraktarizmi që i udhëheq partitë opozitare. Përderisa VV-ja mund të vazhdojë t’i humbë përkrahësit kosovarë të hidhëruar me mohimin e shtetit të Kosovës që ia bëjnë udhëheqësit partiakë të saj, NISMA dhe AAK-ja me gjasë do të rrezikojnë edhe pragjet zgjedhore. Te e para, ngase udhëhiqet nga një njeri që deri në zgjedhjet e shkuara ka qenë pjesë e establishmentit që e ka rrënuar Kosovën, kurse te e dyta se udhëhiqet nga një njeri që ende beson se ka qenë kryeministri më i mirë që ka pasur ky shtet, dhe i cili për t’u bërë sërish me atë pozitë ka udhëzuar deputetët e tij ta votojnë Marrëveshjen e Brukselit ashtu të keqe çfarë është.

Partia e re që do të dalë me katër muaj vonesë nga koha kur ishte paralajmëruar nuk dihet se çfarë mund të sjellë; nuk dihet se me përkrahje të kujt del dhe nuk dihet nëse do të ketë fuqi të mjaftueshme për t’u organizuar në brendi, aq sa për ta kaluar pragun elektoral. Ajo që dihet është se ajo, sikurse asnjë parti opozitare vetëm, nuk mund ta marrë pushtetin, për shkak se do ta ketë shumë vështirë t’i animojë për votim ata që tradicionalisht u shmangen votimeve, sepse ende nuk e kanë kuptuar fuqinë e votës.

Trysnia ndërkombëtare

E se tashmë po bëhet e qartë se zgjedhjet mund të ndodhin, tregojnë dy veprime të ndërkombëtarëve. I pari është takimi i kryeparlamentarit me ambasadorin amerikan, ku, ndër të tjera, është diskutuar për riformatimin e Qeverisë. Po të ishte mbajtur takimi në selinë e PDK-së, kjo deklaratë edhe do të kishte kuptim, sepse riformatimi s’është punë e Parlamentit, por e Qeverisë. Por me gjasë ambasadori amerikan ka dalë për t’i treguar Veselit se Qeveria duhet t’ia zgjasë vetes jetën sa më shumë, ashtu që të kalojnë edhe demarkacioni e edhe Zajednica, sepse, në të kundërtën, humbës dalin ata që kanë insistuar shumë që këto dy tema të kalojnë kështu siç janë përgatitur.

I dyti ishte deklarimi i përsëritur nga përfaqësuesja e re e BE-së në Kosovë, Apostolova. Në takim me “Fjolla” Tahirin, ajo kishte thënë se opozita duhet të jetë pjesë e bisedimeve. Dhe këtë që e kishte thënë ishte me vend, porse këtë që e tha erdhi me nja shtatë vjet vonesë. Para saj, këtë është dashur ta kenë thënë dhe imponuar Feithi e më pas edhe Zhbogari, e me siguri se nuk do të kishin ndodhur as Zajednica e as demarkacioni.

Tash, pasi janë nënshkruar të gjitha këto marrëveshje që nuk kanë kurrfarë kuptimi logjik, është vonë të inkuadrohen edhe partitë opozitare, sepse nuk e besoj se janë aq naive sa t’ia fusin vetes therrën në këmbë, e të shpallen bashkëfajtore për një proces negociatash të menaxhuar keq.

Në takim me Kuçin, nga ana tjetër, kërkoi të opozita të jetë pjesë e vendimmarrjes – që sërish është ftesë e vonshme, por e cila, megjithatë, mund të zbatohet në fazën transitore deri te zgjedhjet e reja. Nëse për kurrgjë, atëherë për ruajtjen e aseteve të pakta që kanë mbetur, e që mund të humben duke iu falënderuar veprimeve të papërgjegjshme politike.

Apostolova me gjasë e di se partitë opozitare kanë pikëvështrim tjetër për dialogun, dhe se po t’i fitonin zgjedhjet, procesi i Brukselit do të duhej të ndalej, apo edhe të riformulohej. Prandaj edhe frika nga një diçka që mbase nuk do të vonojë shumë për të ndodhur.

* * *

Në kontekstin e krejt kësaj që po ndodh duket se zgjedhjet do të mundë të ishin zgjidhja e nyjës e cila është duke na ngufatur.

Nëse ndodhin shpejt, mënyra e vetme për ta hequr PDK-në nga pushteti do të jetë bashkimi i të gjithë opozitës në një grup harmonikë, që do të përfshinte edhe intelektualë që do të garonin individualisht, por përbrenda një ombrelle që duhet të lirohet nga fytyrat e liderëve me të cilat identifikohen partitë e caktuara politike. Nëse ndodhin më vonë, do të ketë më shumë kohë që kjo ide të ndërtohet si duhet; që të përpilohet një program qeverisës normal dhe i zbatueshëm dhe që të identifikohen njerëz të rinj që tashmë nuk janë djegur me aktivitetet e tyre paraprake politike.

Copëtimi i mëtejmë i opozitës vetëm sa do t’ua zgjasë jetën Klanit Pronto dhe përkrahësve të tij – sepse këta janë dëshmuar mjeshtër të lojës së politikës. Me të gjithë armiqtë bëhen miq dhe të gjithë miqtë i shndërrojnë në armiq sa herë kjo u hyn në përdorim.

Janë të tillë që as eventualisht ndonjë aktakuzë nga Gjykata Speciale nuk do të mundë t’i lëkundë, po qe se numri i votuesve që nuk dalin në votime vazhdon të jetë më i madh sesa i atyre që votojnë.

Për shkak se këta i kanë shtrirë rrënjët thellë, e prerja e ndonjë trungu nuk çon shumë kandar.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...