Dalldi kolektive

26 Shtator 2016 - 08:23 - Lumir Abdixhiku      

Sikur pleqtë tanë të merrnin pensione të dinjitetshme; sikur familjet tona të shëroheshin në spitale moderne; sikur të rinjtë tanë të udhëtonin pa viza; sikur studentët të edukoheshin mirë për punë; sikur fëmijët tanë të ishin të sigurt nga plumbat që fluturojnë nëpër rrugë e sheshe – ndoshta dhe do të kishim luksin e trajtimit të simbolikës; të kishës me tulla e luftës paranoike. Por s’e kemi ama. Sepse pleqtë tanë marrin lëmoshë; spitalet i kemi pa penj; shkollat me analfabetë përplot; të izoluar jemi gjithandej - e sheshet e lira që i mbajmë si të tilla janë bërë arena gangsterësh e horrash përditë.

-1-

Ky vend ka afinitet të merret me gjëra të parëndësishme, të bëjë pra temë kolektive ide e çështje që në mënyrë periferike, në raste të rralla madje, zënë vendin në tryezën diskutuese të një familjeje mesatare kosovare. Dhe në magjiken e vendit tonë për të prodhuar sentimente mbi simbolika, u shtrua dhe u trajtua edhe çështja e kishës në kampusin universitar.

Në këtë trajtim, si gjithmonë, nuk munguan zërat ultranacionalistë që nivelin e lartë të hormoneve të pubertetit të vonuar të tyre e shpërfaqin me gulçima e klithma neveritëse. Dhe neveritëse do të ishte ideja e rrënimit të kësaj kishe – në idenë klasike rrënuese pra, ku makineri të rënda para turmave ekzaltuese turbofolkësh aktivistë, rrënojnë një objekt prej tullash me një kryq sipër. I paimagjinueshëm dhe i parikuperueshëm do të ishte dëmi i pamjeve të rrënimit të një kishe, nga një vend me shumicë myslimane, që dërgon – siç po na e thonë – për kokë banori më së shumti luftëtarë në ISIS në vit. Secili shpjegim mbi sentimentin e drejtë që kosovarët kanë ndaj këtij objekti, si rikujtim i shtypjes së Milosheviqit, do të bëhej i parëndësishëm. E rëndësishme, dhe primare, do të mbetej thirrja e Serbisë, dhe aleatit të saj kryesor Rusisë, se Kosova është vend i terrorit dhe i terroristëve, dhe se përpjekja shqiptare, është religjioze e jo kombëtare – apo në fund të ditës nuk është njerëzore e qytetare.

Kosova fatkeqësisht nuk ka zgjidhje të mirë të largimit të trashëgimisë së Milosheviqit. Por ka, megjithatë, ide që i afrohen mjaftueshëm mirësisë së trajtimit të kësaj problematike. E para, dhe më e rëndësishmja, do të ishte mosmarrja me këtë çështje fare tani. As që kemi rend e as që kemi pozicion imazhi për ta trajtuar atë tani. E dyta, jo më pak e largët, është transformimi i kishës në një objekt që rikujton periudhën e shtypjes së Milosheviqit. Dikush i kishte vënë emrin muze. E treta, dhe jo më pak e mundshmja, është bartja e objektit, tullë më tullë, në një lokacion tjetër.

Në të gjitha rastet, duhet pasur parasysh se thirrjet e kishës serbe se prona në kampus është e saj, duhen trajtuar mbi bazën ligjore të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, ku të gjitha vendimet e transformimet e periudhës së Milosheviqit, trajtohen nën parimin e diskriminimit – rrjedhimisht nuk merren për bazë. Në të njëjtin parim Kosova kishte refuzuar dhe borxhin ndërkombëtar të marrë nga regjimi serb në emër të Kosovës; në të njëjtën logjikë mund të refuzojë transferimin e pronës së Universitetit në pronë kishe.

-2-

Diskutimi kolektiv mbi kishën – e temat e ngjashme si kjo – ka kohë që po eklipsojnë problemet bazike të kosovarëve. Sikur pleqtë tanë të merrnin pensione të dinjitetshme; sikur familjet tona të shëroheshin në spitale moderne; sikur të rinjtë tanë të udhëtonin pa viza; sikur studentët të edukoheshin mirë për punë; sikur fëmijët tanë të ishin të sigurt nga plumbat që fluturojnë nëpër rrugë e sheshe – ndoshta dhe do të kishim luksin e trajtimit të simbolikës; të kishës me tulla e luftës paranoike. Por s’e kemi. Sepse pleqtë tanë marrin lëmoshë; spitalet i kemi pa penj; shkollat me analfabetë përplot; të izoluar jemi gjithandej - e sheshet e lira që i mbajmë si të tillë janë bërë arena gangsterësh e horrash përditë.

Dhe në vend të diskutimit e angazhimit për tema si këto, fukarallëku ynë i ideve plotësohet me muhabete të kota. Muhabet i kotë ishte dhe paralajmërimi për luftë i liderit në hije të lëvizjes “Vetëvendosje”, Kurti.

Nuk kam asgjë kundër idesë së përgatitjes ushtarake të Kosovës. E bën secili shtet sot nëpër botë, do të duhej ta bënim dhe ne, konform kapaciteteve tona financiare e nevojave për siguri. Buxhetet ushtarake të plot vendeve zënë vendin më të lartë në shpërndarjen e parasë publike. Por janë shtetet që bëjnë këtë gjë. Shtetet pra, jo individët. Dhe diskutimi i luftës në cilësimet e individëve e jo të shtetit – pra kur ke shtet, ushtri, polici, inteligjencë e forca të tjera të sigurisë – ato që i kemi e ato që po këta anëtarë Parlamenti i kanë ndërtuar nëpër vite – mbesim diskutime të huqura e të vonuara për hiç më pak se 17 vjet. Është e pakuptimtë të mbajmë në një anë shtet, e të presim në anën tjetër mobilizime civilësh. Shteti nuk është lojë, si lojë fatkeqësisht po trajtohet nga të gjithë.

Një mendësi e tillë vjen me siguri nga bindja refuzuese e shtetësisë së Kosovës, dhe mospranimit të idesë se Kosova është shtet. Së këndejmi, Kosova provohet të shihet siç është parë 17 vjet më parë; kur s’kishim shtet; kur pritjet ishin mbi kushdo që mundet; çfarë të mundet. Në rrethana si këto, lufta e Kosovës konceptohet si luftë regjionesh e mëhallësh; jo luftë e shtetit. Sepse lufta e shtetit nuk pranon qetësi në Prishtinë e përballje në Dukagjin. Lufta e Kosovës, shtet e Republikë, nënkupton mobilizim të organizuar, për aq sa vlen organizimi në luftë. Lufta e Kosovës, mbi të gjitha, nuk nis për një mëhallë. Në emër të Kosovës, si shtet për luftë, do të flasin të gjithë qytetarët e saj, jo vetëm disa.

Mbi të gjitha, diskutimi i sotshëm për luftë para të gjitha temave të tjera është tregues se sa keq është e ngatërruar një pjesë e opozitës në vete. Dhe ky ngatërrim bëhet edhe më i rëndë kur një pjesë e madhe e individëve brenda opozitës rreshtohen me automatizëm pas çdo deklarate të liderit të tyre – suprem. Është e pabesueshme se si mendje intelektuale, të ngritura e mjaftueshëm kritike (që dalin se s’janë), ndryshojnë brenda natës bindjet që kanë dhe bëhen mbrojtës të ideve që as i kanë menduar, as i kanë besuar – e s’kanë për t’i besuar asnjëherë. Gatishmëria e militantëve për të ndjekur liderin për çdo deklarim mund dhe të pritet. Por mendjet e pavarura kur ndjekin një rrugë të tillë tregojnë se sa të trushpëlarë po bëhen për secilën ditë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...