Kambanat ka kohë që bien

20 Shtator 2016 - 08:15 - Flaka Surroi      

...aq, sa ekziston rreziku të na shurdhojnë e që të mos i dëgjojmë më. E nëse na ndodh kjo, s’kemi si themi se nuk i dëgjuam kurrë

Disi pabesueshëm, zgafellja e kësaj radhe nuk do të merret as me demarkacionin, as me Zajednicën e as me Prontot – sepse nga hija e gjithë maltretimit psikik që na e bëjnë sistematikisht qeveritarët tanë me temat e lartpërmendura, javën e shkuar na u rishfaqen, zëshëm, kambanat.

Linjiti

Para katër-pesë ditësh, KTV-ja emetoi një storje, ku na tregohej se Qeveria ishte vënë në ndjekje të firmës amerikane Envidity për t’ia ofruar licencën që me vite të tëra i ishte refuzuar. Kompania, aksionar i së cilës është gjenerali Wesley Clark, kishte kërkuar lejen për eksploatimin e linjitit në fushën e Dukagjinit, ashtu që me investime shumëmilionëshe, të prodhonte naftë sintetike. Sipas idesë së kompanisë, pas disa vitesh do të prodhohej edhe një lloj kerozine, derivat që përdoret për transportin ajror.

Nga kjo punë, sipas firmës private amerikane, Kosova, nëpërmjet qeverisë, do t’i inkasonte rreth 300 milionë euro në vit – kurse fitimi i përgjithshëm i vetë asaj do të ishte diku rreth 700 milionë euro në vit.

Pra, ajo që flitet është se: kjo kompani do t’i investojë diku ndërmjet 1 dhe 3 miliardë dollarë; se do të punësojë me mijëra njerëz dhe do t’i sjellë prosperitet Kosovës. Nga ana tjetër, e kuptojmë se këtë projekt e përkrah ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Beqaj, në kohën e të cilit u nënshkrua kontrata skandaloze me Axos-Najafi, e të cilën kompani nuk e njihte askush, pos tij. E nëse edhe kjo ofertë del të jetë një skemë e ngjashme sikur ajo e PTK-së, duhet t’ia nisim të mërzitemi qysh tash, se si na ndodhin punët zakonisht, edhe kjo kontratë mund të mbarojë para arbitrazhit ndërkombëtar.

Sidoqoftë, në kohën kur nuk kemi investime të huaja për mungesë të sigurisë juridike, kjo që flitet, në shikim të parë, duket shumë gjë e mirë. Kësaj duhet shtuar se aty përmendet emri i komandantit të forcave aleate që na çliruan: duke qenë çfarë jemi, e kemi njëfarë borxhi ndaj tij, të cilin duhet larë. Se a bash me këtë projekt, ajo është tjetër muhabet.

Mirëpo, përvoja jonë e deritanishme me investimet e huaja na ka dalë kryesisht dardhë me bisht. Shitja e distribucionit për dy kilometra autostradë është shembulli më eklatant i shpërdorimit të pronës së shtetit.

Përderisa nuk dihen detajet e ofertës amerikane (e këto me gjasë kurrë nuk do të bëhen publike), dhe po qe se Kuvendi do ta miratojë lejen për eksploatim, atëherë kam bindjen se kushtet do të negociohen pro forma nga dikush në ndonjë komision ndërministror, që do të pranojë gjithçka që ofrohet, për shkak se ofertuesi është miku amerikan. Frikohem se kështu do të hapet rruga për nisjen e shkrirjes së pasurisë më të vëllimshme nëntokësore që e kemi dhe për të cilën, mbase jo rastësisht, me vite të tëra thuhet se nuk ka ndonjë vlerë kushedi sa të madhe, për shkak të kalorive të ulëta që prodhon. Unë nuk marr vesh nga xehet e as nuk e kuptoj cilësinë energjetike të tyre – porse logjikisht më bën të dyshoj se kjo që thuhet për cilësinë e linjitit kosovar nuk është e vërtetë, meqë dikush megjithatë po del të jetë i interesuar t’i fusë deri në 3 miliardë investime në një diçka që nuk ka cilësi.

Pa e ditur se edhe cili do të ishte dëmi mjedisor që do të mund ta shkaktonte një projekt i këtillë, falja e linjitit në sasi të pakufizuar, përkatësisht dhënia e monopolit mbi linjitin një kompanie private (edhe amerikane të jetë), për t’i inkasuar 300 milionë euro në vit, në vend se t’i realizojmë vetë 1 miliard në vit, më duket diçka si ajo marrëveshja e PTK-së me Dardafonin: Posta i ofron krejt kapacitetin, mjetet, pajisjet, infrastrukturën dikujt që pa investuar më shumë sesa në kartela e reklama, nga shitja e atyre shërbimeve i mban 72% të fitimit për vete.

Po të kishim pasur mend, me gjithë këtë kapacitet minerar, pas lufte do t’i ishim drejtuar një shteti si Norvegjia që ka dalë nga varfëria duke iu falënderuar naftës që e nxjerr nga nëntoka dhe nëndeti. Po të kishim pasur mend, kishim krijuar konsorcium ndërshtetëror me ta apo me Japoninë, për shembull, sepse paratë i kemi pasur – për dy autostrada që bëjnë bashkë 120 kilometra, i kemi harxhuar nja një miliard e gjysmë euro në të gatshme. Po t’i kishim investuar në teknologji dhe aftësim kuadrosh, do ta kishim mbërritur pikën ku do të mund të prodhonim dhe eksportonim në mënyrë të pavarur. Do të mbërrinim në pozicion shumë më të mirë negociues për të shitur ndonjë pjesë të aksioneve, për ta siguruar vijueshmërinë e prodhimit. Dhe, nuk do të vareshim nga dogana dhe importet për ta ndërtuar buxhetin tonë.

Kështu, druaj se do ta lidhim një kontratë, sikurse atë për autostradat që na kushtuan nja tri herë më shumë seç na është thënë (pa e përmendur dëmin që i është shkaktuar trashëgimisë historike të zbuluar me gërmimet e vrazhda) dhe në fund do të dalim humbës. Natyrisht, jo të gjithë. Fitues përherë do të jenë ndërmjetësit dhe ata në hije që i marrin përqindjet – si shpërblimin për lejen e dhënë.

Arsimi

Mendtë e përmendura në ndonjërin paragraf më lart natyrshëm kultivohen dhe përpunohen në një sistem arsimor cilësor. Fati i keq i Kosovës është se paslufta, në vend se t’i sillte një sistem të ri të avancuar nxënieje, i ka sjellë një sistem që prodhon analfabetë funksionalë me diploma.

Nuk duhet shumë elaborim për të kuptuar se arsimimi 13-vjeçar parauniversitar si dhe ai universitar në fakt i ndihmojnë pushtetit që t’i kamuflojë numrat realë të papunësisë në Kosovë. Fillimisht, për shkak se kot së koti u fut klasa e nëntë, për të cilën duhej angazhuar ende mësimdhënës – pra të siguroheshin e një numër votuesish. Më pas, për shkak se u mundësua hapja e gjithë atyre institucioneve private universitare pa disponuar me personel të mjaftueshëm që do t’u siguronte nxënie. Por, siguronte vende studimi që duhej paguar; dhe përderisa paguajnë, nuk hyjnë në listën e të papunëve.

Sido që të jetë, se sistemi arsimor parauniversitar nuk po funksionon si duhet, e dëshmojnë më së miri testi i arritshmërisë dhe ai i maturës. Nuk ka vit në të cilin Ministria e Arsimit nuk e zbret kriterin për kalimin e cilitdo nga këto teste. Këtë e bën në kushte kur falë teknologjisë dhe marifetit të kopjimit, nxënësit me hile u përgjigjen pyetjeve. E me gjithë këto, çdo vit kalueshmëria e nxënësve është nën 50% -- që në vend se të festohej si sukses, do të duhej të ishte shenjë alarmi.

Përderisa një pjesë e madhe e fajit mbetet me nxënësit që nuk lodhen fort për provimet përfundimtare, sepse në fund të fundit kjo po tregohet se nuk çon shumë kandar kur vjen koha e regjistrimit nëpër shkolla të mesme a fakultete publike, pjesa tjetër e fajit gjithsesi duhet t’u atribuohet mësimdhënësve. Është indikator shumë i keq kur gjysma e nxënësve nuk ia del ta kalojë një provim. Kjo logjikisht ngre dilemën nëse të angazhuarit në procesin mësimor janë të duhurit për t’u marrë me këtë punë.

Do të kujtojmë se pas luftës punësimi në sistemin arsimor ishte bërë mundësia e vetme për punësim për gjithë ata që nuk gjenin punë në ndonjë institucion shtetëror. Nuk mund të thuhej se kishte garë të madhe për mësimdhënie, aty ku obligime kishte shumë e rrogat ishin minimale, madje ofenduese. Prandaj edhe shkollat u mbushën me njerëz që mund ta kenë kualifikimin profesional të kërkuar, porse jo edhe njohuritë apo edhe zellin e mjaftueshëm për të edukuar me breza fëmijësh.

Mbase dhe kjo do të jetë njëra nga arsyet themelore se pse me aq ngulm Sindikata e Arsimit refuzon, në emër të mësimdhënësve, që këta t’i nënshtrohen testimit profesional që Ministria mëton ta organizojë. Përderisa arsyetimi që jepet nga sindikata (se për këtë testim me shkrim nuk ka bazë ligjore), është valid, nga ana tjetër, intenca e Ministrisë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një testimi me shkrim duket ide shumë e mirë. Me kusht që prapa kësaj nuk fshihet intenca e zëvendësimit të arsimtarëve “ngelcanë” me arsimtarë partiakë. Sinqerisht, do të ishte mirë të zbulohet njohuria, fillimisht, e shqipes bazike të vetë arsimtarëve – që nëse duhet gjykuar nga mënyra se si shkruajnë nxënësit, del të jetë e një niveli tepër të pakënaqshëm.

Ashtu siç e ka synuar testimin e arsimtarëve parauniversitarë, ministri i Arsimit të njëjtën do të duhej të mendonte ta impononte edhe në universitete – por droja është se atëherë partia e tij do të mbetej me shumë pak përfaqësues e përkrahës përbrenda sistemit publik. Se, pos që shumica bëjnë gabime elementare kur shkruajnë shqip, punimet shkencore i kanë të një cilësie të dyshimtë dhe të botuara në revistat e Filan Fistekut. Problemi tjetër është se kush do ta bënte vlerësimin e universitarëve.

Është fatkeqësi për këtë vend që i humbi 17 vjet duke bërë eksperimente të pasuksesshme në arsim. Po të ishte punuar me mend, kemi mundur të krijonim, meqë nisnim praktikisht nga e para, një sistem ku arsimi profesional – ai i prodhimit të zanatlinjve profesionalë, do të forcohej aq sa do të mund të krijonte vende pune. Në vend të kësaj, sistemi ynë prodhon shumë studentë që s’mund të bëjnë asgjë me diplomat e tyre universitare, sepse ky vend është shumë i vogël për t’i punësuar 1 mijë juristë në vit, sa për ta marrë një shembull.

Është gjithashtu fatkeqësi që gjithë këto vite shkuan huq duke u përqendruar vetëm në shkronjën e dytë të akronimit të Ministrisë. Kush s’u mor kurrë me shkencë, e aq më pak me teknologji. Se po të kishim pasur ide se si t’i përkrahnim talentet e shkencës dhe të teknologjisë, e të kishim ditur si t’i lidhnim me institutet e ndryshme nëpër botë, që pas lufte kanë qenë më se të gatshëm të na përkrahnin, sot do ta kishim ekipin tonë të ekspertëve që do të dinin si ta eksploatonin linjitin për ta shndërruar në naftë artificiale.

Por jo, në Prontoland, arsimi, teknologjia, shëndetësia, mirëqenia, etj., vazhdojnë të jenë sekondare. Sepse në të mbisundon shkenca e akomodimeve pa kunkurru; e negociatave që i falin pushtet Serbisë mbi ne dhe i talljes së politikanëve me shtetin në emër të patriotizmit.

* * *

Kambanat ka kohë që bien – aq, sa ekziston rreziku të na shurdhojnë e që mos t’i dëgjojmë më. E nëse na ndodh kjo, s’kemi si themi se nuk i dëgjuam kurrë.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...