Korrupsioni si percepsion dhe si fakt

19 Shtator 2016 - 08:09 - Lumir Abdixhiku      

Nt: Percepsioni i qytetarëve nuk është fantashkencë. Qytetarët, megjithatë, reflektojnë. Shohin teksa fëmijët e familjarët e tyre mbesin të papunë, sepse s’kanë të afërm që sistemojnë pa “kunkuru”. Studentët e studentet më të mirë në vend përfundojnë të papunë, përderisa fëmijët e politikanëve shëtisin nga një vend pune në tjetrin pa asnjë problem

-1-

Sa herë që flitet për matjen dhe vlerësimin e korrupsionit, duhet bërë qartë një vijë ndarëse në mes të percepsionet dhe përvojës me të. Ndonëse të dyja dallojnë ndërmjet vete në gjetjen e vlerës aktuale të aktiviteteve korruptuese në një vend, ato kanë – megjithatë – pasojë të njëjtë; rrënimin e relacionit me sistem. Për shumëkënd, për të thënë gjërat drejt, percepsioni nuk amplifikon aktivitetin korruptues. Për shumëkënd percepsioni është matës korrekt i korrupsionit në një vend. Qytetarët, në fund të ditës, nga përvoja vetjake apo komunikimi me të tjerë, ndërtojnë vlerësimet dhe bindjet mbi shëndetin e sistemit të tyre. Dhe në vija si këto, ndërtohet dhe indikatori më i njohur botëror, prodhuar nga “Transparancy International” e njohur si “Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit”. Pra, perceptimi është element i rëndësishëm llogaritës në luftën antikorrupsion.

Këtë javë, në kuadër të institutit “Riinvest”, si pjesë e një aktiviteti rajonal, prezantuam të dhënat e një ankete me 1000 qytetarë kosovarë, mbi percepsionet, praktikat dhe pritshmërinë e tyre rreth korrupsionit. E njëjta anketë, me të njëjtën metodologji, ishte zhvilluar edhe në njëmbëdhjetë shtete të tjera: në Bosnje, Bullgari, Kroaci, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Turqi, Moldavi dhe Rumani. Mbi të gjitha, e njëjta anketë ishte zhvilluar dhe në vitin 2014 – çfarë bënte të mundur krahasimin në një trend kohor. Kjo anketë ishte zhvilluar gjatë muajve shkurt-mars të këtij viti, pra, në pritshmërinë e secilit llogaritës, nuk merrte parasysh skandalin e fundit “Pronto 2”. Rezultatet e reja, po të mateshin sot, domosdo do të jepnin një pasqyrë dhe më të rëndë.

-2-

Dhe rezultatet ishin të trishta. Fillimisht, në krahasim me vitin 2014, qytetarët e Kosovës raportonin se ishin përfshirë më shumë në aktivitete korruptuese – se kishin dhënë ryshfet më shumë. Përderisa në vitin 2014, rreth 20.4% e kosovarëve kishin dhënë ryshfet, në vitin 2016 kjo përqindje ishte rritur në 21.9%. Proporcionalisht më shumë ishte rritur dhe presioni – apo kërkesa – për ryshfet. Derisa në vitin 2014, rreth 23.4% e kosovarëve kishin deklaruar se nga ta ishte kërkuar ryshfet, në vitin 2016 plot 27.4% raportonin një gjë të tillë. Pjesa më e madhe e atyre që kanë pranuar se kanë dhënë ryshfet, rreth 14.3% kanë deklaruar se këtë gjë e kanë bërë në formë të të hollave. Rreth 12.8% kanë deklaruar se kanë bërë dhurata; e rreth 13.3% se kanë kthyer favore të ngjashme.

Një trend si ky dëshmon një pasqyrë tjetër; krejt ndryshe nga percepsioni, pra që merr sot aq shumë kritikë. Tregon se çdo i pesti kosovar, brenda një viti, në një rast të dhënë jep ryshfet. Tregon, gjithashtu, se kërkesa për ryshfet po bëhet e zakonshme. Se korrupsioni po bëhet normë shoqërore në Kosovë; qoftë brenda institucioneve që sistematikisht kërkojnë e bëjnë presion për korrupsion, si brenda qytetarëve që janë të gatshëm të japin për korrupsion. Pra, ka një kërkesë për ryshfet, dhe ka një gatishmëri për ofertë të ryshfetdhënies.

Dhe fakti më i trishtë në këtë relacion qëndron në gatishmërinë e kosovarëve për të qenë të ndërlidhur në aktivitete korruptuese. Rreth 48% e kosovarëve, sipas këtyre rezultateve, kanë deklaruar se do të pranonin ndonjë lloj të praktikës korruptuese – po qe e domosdoshme dhe formë e vetme e marrjes së qëllimeve. Sa për krahasim, kjo përqindje është rritur nga 42% sa ishte dy vjet më parë. Një krahasim mes vendeve tregon se pranueshmëria e kor¬rupsionit në Kosovë është e lartë në krahasim me pran¬ueshmërinë e korrupsionit në vendet e tjera të Evropës Juglindore. Të renditura në bazë të përqindjes së popullsisë që pranojnë forma të ndryshme të korrupsionit, Kosova renditet si vendi i dytë me popullsinë më tolerante ndaj korrupsionit, me vetëm Shqipërinë, e cila rendit një pozitë më lart.

-3-

Pjesa thelbësore e të dhënave ndërlidhej me vlerësimin e mjedisit të korrupsionit – pra me perceptimet e qytetarëve rreth mendimit politik dhe besimit të tyre në praktikat qeveritare. Dhe në këtë renditje, pozitën më të rëndë sa i përket percepsionit mbi korrupsion e bart Qeveria e Kosovës, pasuar nga Kuvendi, gjykatat, prokuroria, qeveria komunale e hetuesia. Institucionet më pak të korruptueshme – siç i shihnin qytetarët pra – ishin Forca e Sigurisë, Presidenca (anketa ishte zhvilluar në kohën e presidentes Jahjaga), Banka Qendrore e Kosovës, Policia dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kosovarët besonin se ministrat, zyrtarët nëpër ministri, deputetët e Parlamentit, gjykatësit – si dhe zyrtarë të lartë të partive politike në vend – janë njerëzit më të korruptuar në Kosovë. Sipas rezultateve të anketës, më shumë se 60 për qind e të anketuarve besojnë që korrupsioni është i përhapur mes të gjithë ose shumicës së zyrtarëve publikë.

Pra, ka një thyerje enorme të besueshmërisë nga qytetarët në relacion me pothuajse të gjitha institucionet vendimmarrëse, ekzekutive e ligjore në vend. Dhe është m’u kjo thyerje që shkakton dhe distancimin e kosovarëve nga shtetit i tyre. Është e pamundur që në nivele të tilla besueshmërie të lindin shpresa, bashkëpunimi e sinergjia në këtë vend. Dhe për të krijuar një cikël të ri besimi, për të nisur një cikël të ri ngritjeje, hapi i parë që duhet bërë është të mbajnë përgjegjës të figurave më të larta politike në vend – të atyre që konsiderohen si të paprekshëm.

Percepsioni i qytetarëve nuk është fantashkencë. Qytetarët, megjithatë, reflektojnë. Shohin teksa fëmijët e familjarët e tyre mbesin të papunë sepse s’kanë të afërm që sistemojnë pa “kunkuru”. Studentët e studentet më të mirë në vend përfundojnë të papunë, përderisa fëmijët e politikanëve shëtisin nga një vend pune në tjetrin pa asnjë problem. Kosovarët shohin dhe kuptojnë mirë nevojën për ryshfet në administratë e shëndetësi. Kuptojnë domosdoshmërinë e korruptimit po qenë në biznes. Percepsioni, pra, para se të hidhet poshtë tërësisht duhet të pranohet si i qenë. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, e përgjigjja e parë duhet të jetë arrestimi e mbajtja përgjegjës i tallësve publikë. Tek atëherë do të nisë një rend i ri besimi, një rilindje e Republikës për të cilën kemi nevojë aq shumë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...