Lajme nga kazinoja politike e Kosovës

8 Shtator 2016 - 08:13 - Enver Robelli      

Pushteti i korruptuar dhe kriminal e nxjerr vendin në titujt kryesorë të gazetave perëndimore. Kjo po ndodh sërish muajve të fundit, falë zellit të pamatshëm të PDK-së për të shkatërruar shtetin e Kosovës.

Kur në dhjetor të vitit 2010 u botua raporti kompleks i Dick Martyt, i cili pastaj u miratua pa gati asnjë ndryshim si raport i Këshillit të Evropës, Kosova u gjend në krye të lajmeve të mediumeve botërore. Reagimi i pushtetit të atëhershëm kosovar ishte për beter.

Në vend se të kuptohet serioziteti i raportit, disa nga protagonistët e përmendur nga Dick Marty, përfshirë edhe Hashim Thaçin, filluan të sillen si “të ofenduar”, “të prekur në sedër”, nisën të përbetoheshin “se jemi të pastër si loti”, “do ta padisim Dick Martyn”, gazetën britanike “Guardian” dhe çka jo tjetër. Ndërkohë e kemi parë se në këtë drejtim nuk ka ndodhur asgjë, sepse gjasat për të fituar ndonjë betejë juridike me pretendime fluturuese vazhdojnë të jenë baras me zero.

Me papërgjegjësi të ngjashme eksponentët e PDK-së u sollën në fund të vitit 2008, kur u arrestuan tre agjentë gjermanë. Në vend se kjo çështje, ky budallallëk të mbyllet, ata vazhdonin të rrihnin gjoks se “i kemi zënë tre gjermanë të përzier në vrasjet e pasluftës”. Përmendej se gjermanët e paskëshin vrarë Komandant Drinin. Çmimin e kësaj çmendurie Kosova e ka paguar shtrenjtë. Ata që vrasjet përpiqeshin t’ua vishnin gjermanëve, me gjasë vetë qëndrojnë pas tyre.

Dhe çmimin e qeverisjes së keqe nga PDK-ja (tani bashkë me partinë-patericë LDK) Kosova vazhdon ta paguajë edhe sot. Ashtu siç ta sjellë ujkun në torishtë qeni i keq, njëjtë edhe pushteti i korruptuar dhe kriminal e nxjerr vendin në titujt kryesorë të gazetave perëndimore.

Shembulli më i ri është një artikull i gjatë i revistës amerikane për çështje gjeopolitike “National Interest”, ku vihet në dyshim tërë strategjia vendore dhe ndërkombëtare për shtetndërtim, për shkak se premisa është e gabuar: s’mund të bëhet shtet kur aleatë i ke politikanët e korruptuar, batakçinj, të etur për krime. Autori i tekstit, profesori Aidan Hehir nga Universiteti i Westminsterit, konstaton se: “Ngulmi (i bashkësisë ndërkombëtare, v.j.) për të ruajtur në mënyrë artificiale fasadën e paqes dhe stabilitetit brenda Kosovës ka bërë që aktorët e jashtëm të tolerojnë dhe nganjëherë edhe të përkrahin korrupsionin dhe shkeljet e rënda ligjore të rrjetit të fuqishëm kriminal të Kosovës.

Andaj është paradoksale që populli i Kosovës është detyruar të pranojë praktika me themel joliberale të orkestruara prej ‘ndërkombëtarëve’ të shumtë, që janë mikromenaxherë të vendit, me qëllim të ruajtjes së imazhit Kosovës si sukses i tyre”.

Në këtë kuadër hyn edhe deklarata e marrë e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, i cili e quan Hashim Thaçin “George Washington të Kosovës”. Hipokrizia e kësaj politike shihet kur po një zyrtar amerikan, Clint Williamson, i drejton hetimet bazuar në raportin e Dick Martyt dhe arrin në po atë përfundim që ka arritur zvicerani: që Thaçi është kreu i një “organizate mafioze”. A kemi të bëjmë me një George Washington mafioz, të versionit kosovar? Me kalimin e viteve pjesë e problemit të Kosovës janë shndërruar edhe ndërkombëtarët dhe kjo duhet të thuhet hapur.

Sepse çmimi i keqqeverisjes po rritet për çdo ditë. Kur me privatizim të ndërmarrjeve publike merren dallaveraxhi si Besim Beqaj, kur pas tij qëndrojnë figura si Thaçi me kamarillën e tij, atëherë Kosova e ka të garantuar prezantimin negativ në gazetat kryesore perëndimore. Javën që shkoi gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkroi se si një grup investitorësh gjermanë, pas të cilëve qëndrojnë figura politike me ndikim, po kërkon gati 400 milionë euro dëmshpërblim nga Kosova për shkak të dështimit të tenderit për shitjen e PTK-së.

Me këtë çështje së shpejti do të merret një gjykatë arbitrazhi në Washington. 400 milionë janë rreth një e treta e buxhetit të Kosovës. Ose së paku gjysma e parave që janë paguar për autostradën Vërmicë-Arllat (për detajet duhet pyetur diplomatin, në fakt mashtruesin amerikan Christopher Dell).

A i kërcënohet Kosovës një proces arbitrazhi edhe në rastin e tenderit për qendrën dimërore dhe verore sportive në Brezovicë? Në shtetet e rajonit investitorët e huaj po hapin vende pune, Kosova po u jep punë këshilltarëve juridikë për ta mbrojtur para gjykatave të arbitrazhit. Ambasadori gjerman në Beograd së fundi deklaroi se kompanitë gjermane në Serbi kanë hapur 31 mijë vende pune. Po ashtu, sipas tij, në Serbi kanë investuar 350 firma gjermane.

Për ta plotësuar kornizën me lajme nga kazinoja politike kosovare së fundi ka raportuar edhe gazeta amerikane “New York Times”, kësaj radhe për problemin e ekstremizmit fetar. Artikulli ishte i hulumtuar si duhet, një përmbledhje e mirë e fakteve, por në Kosovë kishte zëra nga pushteti dhe nga publicistika që thanë se gazeta amerikane kishte alarmuar së tepërmi.

Nëse brenda pak vjetësh në Siri dhe Irak bien si xhihadistë mbi 40 shqiptarë, nëse rreth 300 të tjerë vazhdojnë të luftojnë në “Tokën e Shamit”, nëse hapësirën publike e dominojnë imamë që me “predikimet” e tyre fyejnë çdo logjikë njerëzore, atëherë domosdo mediumet do të informojnë. Madje dhe me ton alarmant. Kosova do të vazhdojë të jetë lajm negativ në mediumet e huaja për aq kohë sa toleron këtë gangrenë politike, që shtetin e konsideron si vetëshërbim.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...