Nokdauni i kurdisur

6 Shtator 2016 - 07:54 - Flaka Surroi      

Marrëveshja me serbët në seancën e kaluar është humbje edhe për Mustafën. Është humbje kredibiliteti te deputetët dhe votuesit e tij. Është humbje e terrenit, sepse sado që të përpiqet të bëjë fizkultura, nuk do të duhej të harronte se tre nokdaunë çojnë në nokaut

Se të gjithë nuk jemi Pronto e dëshmoi protesta dinjitoze e qytetarëve kundër grabitësve të së tashmes dhe së ardhmes së këtij shteti. Mbase do të ketë qenë hera e parë që ritmin e marshit të protestës na e diktoi muzika serioze: fuqia orkestrale e Boleros së Ravelit dhe takti frymëzues i Marshit Radetzky të Straussit. Për vetë protestuesit, por edhe për kafexhinjtë, ishte e pazakontë shprehja e pakënaqësisë me vepra kaq madhështore të klasikes. Por, mu ky element e shënonte dallimin thelbësor ndërmjet qytetarisë së ngopur me hile, mashtrime e vjedhje dhe Klanit Pronto të identifikueshëm me gjuhën vulgare dhe qeshjen cinike. Ani që sinqerisht, si i kemi punët, më shumë do të na përshtatej Requiemi i Mozartit.

Sidoqoftë, ajo që para disa javësh kishte nisur me një grusht njerëzish, po shndërrohet në një protestë që duket se po i merr krahët dhe ka gjasa të shndërrohet në protestën më autentike të qytetarëve kundër fatit që ua ka imponuar struktura më e keqe udhëheqëse që ka mundur ta imagjinonte cilido popull. Ka gjasa që aktiviteti edhe të ndalet, me dhunë apo edhe me infiltrim njerëzish që dikur do të jenë në gjendje që të shkaktojnë incidente nëse e shohin se kjo punë po bëhet rrezik për pushtetin. Mbase do të mundë të përpiqeshin ta ndalnin këtë protestë edhe me policinë, e cila duket se këtë e ka përshkrimin kryesor të punës, porse frymën e protestës nuk do të mundë ta ndalin. E as ta zhdukin.

Ekspozimi i forcës

Protesta që mblodhi rreth 300 veta, e cila përfundoi me “dhurimin” e mbeturinave oborrit të ndërtesës së Qeverisë, ndodhi në ditën kur policia arrestoi gjashtë aktivistë të VV-së, nën dyshimin se kishin kryer veprën terroriste të sulmit me minahedhës ndaj ndërtesës së Kuvendit. U mbajt konferenca për shtyp, Policia foli, tregoi fotografi, por materialin “inkriminues” nuk e ndau me opinionin. Tregoi se bajagi armë ishin konfiskuar, porse dikur doli për të pranuar se ato nuk kishin të bënin me sulmin e apostrofuar. Pas dy ditësh, tre nga të arrestuarit u lëshuan në arrest shtëpiak, e tre të tjerë u ndalën në paraburgim. Dhe mbase ky veprim tregon, pa paragjykim, se i gjithë rasti ka mundur të ishte inskenim i vetë policisë, ngase asnjë shtet normal në botë nuk i lë terroristët e dyshuar të lirë. Po nejse, Kosova s’është shtet normal, pra edhe kjo bën.

Vlen të theksohet se arrestimi ndodhi pas shpërthimit në Kuvend, pas gjetjes dhe shpërthimit të bombave në shtëpinë e Murat Mehës, në RTK dhe në shtëpinë e Mentor Shalës. Dhe pas secilit lajmërim për rastin, nga eksponentët e pushtetit, si dhe nga transmetuesi publik, gishti i fajësisë kthehej nga VV-ja. Natyrisht, duke e krijuar një situatë edhe më të tensionuar seç tashmë ishte, meqë po afrohej dita kur ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin duhej të dilte në Kuvend.

E enjtja në Prishtinë agoi si të ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Fëmijët nuk u nisën për në shkollë falë vendimit keq të arsyetuar nga ministri i Arsimit – sipas të cilit mungesa e parave ua kishte pamundësuar blerjen e librave. Para, të cilat, megjithatë, nuk u bë problem të siguroheshin brenda dy ditësh, ngase mësimi është caktuar të fillojë më datën 5. Ishte rrenë e kulluar, pra asgjë e jashtëzakonshme për ne. E enjtja thuajse ishte një ditë feste për zyrtarët e ministrive, sepse nuk shiheshin kund nëpër rrugë. Vendin ua kishin zënë shumë, shumë policë. Me gjasë të ardhur nga e gjithë Kosova, me gjithë mekanizimin përcjellës.

Jo e qetë dhe “gjithëpopullore”

Arsyeja e daljes së gjithë asaj force të armatosur në rrugë qe paralajmërimi i protestës kundër demarkacionit thirrur nga VV-ja. Tashmë të njohur me terminologjinë, zyrtarët e saj ftuan qytetarët për një “protestë gjithëpopullore”, që ishte mbase edhe ogur se në rrugë atë ditë nuk do të mblidheshin më shumë se disa qindra, kryesisht, militantë të VV-së. Sepse duket se VV-ja ende nuk e ka kuptuar se nuk e ka fuqinë për të ftuar dikë tjetër pos anëtarëve të vetë Lëvizjes: nga njëra anë, ngase militantët e AAK-së dhe të NISMA-s nuk do të bashkohen pa marrë lejen nga shefat e tyre; nga ajo tjetra, është refuzimi i joanëtarëve t’iu bashkohen protestave që do të mund të përshkallëzonin në shkëmbimin mollotov/lotsjellës.

Për ta bërë situatën edhe më të komplikuar, nga krerët e VV-së sefte dëgjuam për protestë jo të qetë, por paqësore: paksa vështirë e shpjegueshme, edhe më vështirë e kuptueshme. Mbase edhe për këtë arsye numri i pjesëmarrësve aq neglizhent për pretendimin që kishte, do të mundë ta cilësonte protestën si një dështim të madh. Dështim që do të duhej ta detyronte udhëheqjen e VV-së të shqyrtonte nëse e ka zgjedhur qasjen e duhur. E, posaçërisht pasi që tërheqjen e Ligjit nga Mustafa deputetët e saj e festuan si fitore bashkë me përkrahësit e tyre në rrugë. Por, mosvotimi i demarkacionit të enjten nuk ishte fitore për askënd tjetër, pos për Lista Srpskan.

Teatri i gërditshëm

Seanca e Kuvendit nisi me një orë e gjysmë vonesë – qartazi, sepse koalicioni qeverisës po e shihte se nuk do t’i kishte numrat për ta kaluar ratifikimin. Porse, para se të niste shqyrtimi i pikave të rendit të ditës, deputeti rom, Kujtim Paçaku, kërkoi nga klanistët Pronto që të kërkonin falje publikisht për shprehjet pezhorative që përdornin bashkëbiseduesit e thirrjeve private për punë dhe prona shtetërore kur u referoheshin romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve.

Kështu, në skenë doli “i terrorizuari” shef i shefave. Grabovci, me një fjalim patetik, të pasinqertë e teatral u kërkoi falje “të gjithë atyre që janë prekur me këto biseda private”. Nuk e besoj se ndokush do t’u ketë besuar fjalëve të tij. Mbase as ai vetë. Në vend se ta luante rolin e viktimës së paqenë, e të dilte të shtirej se sa njerëzor e parlamentar është, Grabovci moti është dashur të jepte dorëheqjen prej deputetit. Se po ta kishte pasur përnjëmend, po të ishte ndier vërtet fajtor për ofendimet që kemi dëgjuar t’ia ketë bërë kujtdo që nuk e ka për qejfi, do t’i kishte ardhur turp t’u dilte para fytyrës. Do të turpërohej madje që fytyrën do t’ia kapte kamera. Por jo, ai vazhdon të dalë në Kuvend dhe ta ushtrojë ndikimin që e ka.

Kërkimfalja tjetër që pasoi nga Veseli do të ishte absolutisht e pavend, po të mos ishte mundësia që edhe ai të ishte i përfshirë në këtë mesele si urdhërdhënës, të cilit më së shumti i konvenon pastrimi i radhëve të PDK-së nga njerëzit që i kanë kontrolluar pushtetin dhe paranë me telefonata dhe vendime kabinetesh.

E nëse qëllimi ka qenë që kështu të fashitej i gjithë skandali, do të mundë të thuhej se edhe ky qe një dështim. Sepse mënyra e vetme që e gjithë kjo të përfundojë është nëse në fund do të ketë vendim meritor gjyqësor. E për të arritur deri te kjo pikë, nuk do të mjaftojnë hetimet e nisura kundër Grabovcit për disa vepra penale, për të cilat qysh tash është parashkruar ndjekja. Do të mjaftonte zgjerimi i hetimeve edhe për krim të organizuar, ngase bisedat deri tash kanë zbuluar se Grabovci ka së paku një shef; se ai ka vepruar me dijeni të plotë sipas udhëzimeve dhe në mënyrë të organizuar në bashkëveprim me kolegët e tjerë vartës të shefit/shefave; dhe se punët që i ka kryer janë në kundërshtim me ligjin, pra janë krime. Dhe, çka është më me rëndësi, afati i parashkrimit i ndjekjes së veprës Krimi i organizuar, është 10 vjet – pra prokuroria është ende me kohë.

Por, natyrisht, punët e prokurorisë i dinë më mirë institucionet e gjyqësorit sesa unë. Ata e dinë se si do të veprojnë.

Shpëtimi i përkohshëm i Mustafës

E ai, i cili diti si të vepronte të enjten, qe Mustafa. Pas një vit maltretimi të të gjithë opinionit me një temë e cila është trajtuar krejtësisht në formë jotransparente nga Qeveria dhe në kundërshtim me udhëzimin e Kuvendit, 11 deputetët e Lista Srpskas, të cilët nuk ishin deklaruar deri në atë çast asnjëherë për temën, nuk erdhën në seancë. Pa 11 deputetët serbë, Mustafa i kishte, potencialisht, 73 vota për, me ç’gjë nuk kalonte ratifikimi që i kërkonte 80 sosh. Deklarata e mëvonshme e Rashiqit se serbët nuk kishin asnjë informatë për procesin e demarkacionit, e konfirmuar nga këshilltari i Mustafës, Abdullahu, tregon për një marrëveshje prapa perdeve për të shpëtuar fytyrë, e besa edhe mandat.

Pra, njësoj siç e kishin votuar Thaçin për kryetar, serbët do ta votonin demarkacionin, se aq ua bën, posaçërisht nëse u është premtuar se Zajednica është votimi i radhës. Mustafa e ka ditur se nuk mund të llogariste në votën e ndoshta 12 deputetëve të koalicionit qeverisës, e që në rast votimi do ta kthenin të gjithë procesin nga e para. Kështu, me ndihmën e serbëve që dolën me një arsyetim sa logjik, paradoksalisht aq edhe banal, Mustafa e tërhoqi ligjin nga procedura deri në një rast të ardhshëm. Deri në një rast kur mund ta thyejnë rezistencën e rezistuesve.

Po të ishte votuar demarkacioni, e po të mos kishte kaluar, ky do të ishte edhe një lloj votëbesimi ndaj Qeverisë Mustafa, e cila do të duhej të binte. Mu për shkak se demarkacioni ka qenë njëra nga luftërat më të ashpra që i ka zhvilluar Mustafa, ani që këtë punë ia kishte lënë kile Thaçi. E ta humbte luftën me votat e anëtarëve të partisë së tij, do të ishte debakël, i cili do të duhej ngrehur pasoja.

Viti i humbur dhe gjithë energjia e shpenzuar kanë mundur të zgjidheshin moti. Komisioni shtetëror është dashur të zëvendësohej me një ekip gjithëpërfshirës të përfaqësuesve të të gjitha partive politike. Kur do të ishte arritur konsensusi dhe të ishin hequr krejt dilemat, do të ishte krejt irelevante, po qe se në votim do të merrnin pjesë serbët ose jo, për shkak se edhe opozita do ta kishte votuar. Mbase do të kishte qenë njëri nga pak ligjet që do t’i kishte mbledhur votat e mbi 100 deputetëve.

Mundësi për një gjë të tillë ka ende. Është më mirë të hiqen dilemat sesa të votohet diçka që do të mundë të dilte dardhë me bisht. Dhe do të ishte shumë lehtë të bëhej nga ana jonë – aq shumë dokumente e harta na janë paraqitur në dy muajt e fundit, saqë gjithë ato koka që do të mblidheshin aty me dijen e tyre, do ta gjenin pozicionin për ta mbrojtur para malazezve. Kjo do të ishte shumë më mirë sesa të na përshkallëzohej situata për një problem të evitueshëm dhe i cili do të mundë të zgjidhej shpejt, ashtu që secila palë të fitonte: Kosova ta ruajë territorin që mund ta humbë, kurse Mali i Zi ta fitojë statusin e shtetit anëtar fuqiplotë të NATO-s.

Nokdauni i kurdisur i Mustafës në marrëveshje me serbët është humbje edhe për të. Humbja e kredibilitetit (të cilën e ndihmon për çdo ditë të lume me ndonjë status shtazor a insektor në FB), te deputetët e tij në rend të parë, e me gjasë edhe te votuesit, do t’i kushtojë shumë shtrenjtë në zgjedhjet e ardhshme. Ai do të mundë të vazhdonte të bënte fizkultura të këtilla edhe në ndonjë rast në ditët në vijim, porse nuk do të duhej të harronte se tre nokdaunë çojnë në nokaut. E pastaj?

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...