Shteti mbi moçal

4 Shtator 2016 - 08:09 - Brikenda Rexhepi      

Vetëm struktura të çoroditura, siç është bërë shteti i Kosovës, mund të ngrihen mbi një moçal. Mbi injorimin e së kaluarës, udhëheqësit e këtij vendi në vazhdimësi kanë marrë “vendime të guximshme” që e kthejnë Serbinë në Kosovë dhe e kanë zhytur atë në krim e korrupsion

Nuk është që ka pasur sivjet ndonjë verë për t’u mbajtur mend për të nxehtët. Edhe mushkonja ka pasur më pak. Nuk e di ta kem kaluar ndonjë natë duke e ndjekur ndonjë për ta përzënë nga dhoma. Nuk dua t’i vras, edhe pse ta pinë gjakun. Ato, as ndonjë gjallesë tjetër sado e vogël apo e madhe që mund të jetë. Viteve të kaluara më kujtohet vetja duke menduar metoda për t’i mbajtur larg, duke e ndalur dritën, duke mbajtur lule fisligeni në dhomë e duke mbyllur dritaret… nuk ka qenë asnjëherë arsyeja që të mos e zhysja murin, por thjesht se e kanë një jetë dhe atë nuk dua të jem unë ajo që ua merr. Por, këtu po e zbuloj, sërish duke rikthyer vitet e kaluara, që një ditë pranvere derisa dilja nga shtëpia, thellësisht në shpirt dëshiroja t’i vrisja disa njerëz. Jo veç që më kujtohet sot ajo ditë, por zemra më rrah fort sikur atëherë, kur e mendoj veten duke e mbyllur derën e shtëpisë më çelës; duke e mbajtur njërën këmbë mbi pragun e saj e duke mbështetur tërë trupin në të. Nuk më ikej nga aty.

Nuk ndieja frikë, veç dhimbje, dhe atë që më sillej nëpër kokë edhe e flisja. Disa nga fqinjët tashmë kishin zbritur shkallëve të hyrjes. Me fytyrë të ngrysur. Pa e thënë asnjë fjalë. Nëna ime ishte dy hapa pas meje duke më pritur. Përpara e kisha derën e shtëpisë. Duhej veç t’ia ktheja shpinën, të zbrisja dy palë shkallë e të dilja para hyrjes. Aty ku ishin stacionuar disa autoblinda, e rreth tyre dhjetëra paramilitarë e ushtarë serbë. Disa të maskuar e disave u shiheshin fytyrat. Nikoqirët e këtij grupi kriminelësh në mëhallën time ishin disa fqinjë të mi që u ishin bërë pjesë. Ultimatumi për të lëshuar banesat na erdhi nga fqinji ynë. Ky fqinj i kishte një qen dhe një djalë. Qenin e kishte nxjerrë në dritare dhe i thoshte që të përshëndetej me ne. Djalin e kishte nxjerrë te autoblindat dhe ata bashkë duhej të siguroheshin që shqiptarët po i braktisnin shtëpitë.

Derisa qëndroja mes nënës dhe derës, kaloi Bobani, një djalë i ri dhe i sjellshëm që e njihja prejse e njihja edhe veten. E kisha fqinj edhe atë. Kishte veshur uniformë ushtarake, por fytyrën e kishte të ngrysur edhe ai. Atë nuk po e përzinte askush dhe ai nuk po e përzinte askënd. Kur kaloi kah ne e ngadalësoi hapin dhe na shikoi në sy pa thënë gjë. Nuk do t’ia harroj shikimin derisa më dëgjonte duke thënë se “një ditë do t’ua nxjerr shpirtin me duart e mia”. Madje përshkrimin se si do ta bëja këtë e kisha më eksplicit. Bobanin nuk e kam parë më, as nuk di gjë për të. Nuk e kam parë as fqinjin që na përzuri. E di që me të përfunduar lufta, KFOR-i ia bastisi banesën prej ku kishin nxjerrë shumë armatim, dhe madje flitej që edhe kufoma njerëzish. As me qenin e tij nuk e di se çka ka ndodhur. E di që djalin ia ka vrarë dikush menjëherë pas luftës.

Në Maqedoni, ku shkuam pasi na përndoqën, pata punuar në mbledhjen e fakteve për krimet në Kosovë. Në intervistat që bënim me shqiptarë nëpër kampe, pata dëgjuar rrëfime për vrasjet, dhunimet, rrahjet, plaçkitjet... që u bëheshin kur dëboheshin nga shtëpitë. I shikoja në sy nënat që kishin parë vrasjen e fëmijëve; vajzat që ishin dhunuar para se t’ia kthenin shpinën derës së shtëpisë dhe derisa familja po i priste përjashta; gratë që u ishin kidnapuar burrat... E mendoja atëherë se sa më e madhe mund të ishte dhimbja nga ajo e imja që përjetova kur lash pas derën e shtëpisë. Sa më shumë se unë do të kishte dashur një nënë, një vajzë, një grua... t’ia nxirrte shpirtin me duart e saj një krimineli që ia kishte shembur jetën.

Tash e mendoj se sa e poshtëruar mund të ndihet sot ajo nënë, vajzë, grua në një Kosovë që as nuk ka numëruar të vrarët, nuk ka llogaritur dëmet, nuk kërkon të zhdukurit. Në një Kosovë që për 17 vjet nuk është mërzitur të identifikojë e të ndjekë apo kërkojë ndjekjen e kriminelëve; që nuk e ka paditur kë për krimet; që nuk do kërkimfalje nga shteti që ka shkelur shtëpitë e shpirtin e shqiptarëve teksa me të sot negocion pa kushte; që as nuk e përmend reparacionin e luftës... Në një Kosovë që ka nxjerrë nga konteksti i vet rreth 12 mijë të vrarët, 20 mijë gratë e dhunuara, 1600 të zhdukurit, 100 mijë shtëpitë e shkollat e rrënuara. Që ka harruar poshtërimin e 1 milion të dëbuarve.

Sot krerët e institucioneve ua zënë për të madhe familjarëve të Mushtishtit pse nuk lejojnë pelegrinazhin e serbëve në lokacionet ku kanë ndodhur krimet e luftës. Poshtërues pozicionohen karshi qytetarëve që me vite i kanë kërkuar këtij shteti të merret me identifikimin e ndjekjen e atyre që kanë bërë krime. Që kriminelët të mos fshihen pas bashkëkombësve të tyre të pafajshëm e të kthehen në vendin e krimit, për të nxitur atë që Beogradi, bashkësia ndërkombëtare dhe krerët e institucioneve kosovare e interpretojnë si pengim të kthimit të serbëve në vendbanimet e veta. Si të mos dalin banorët e hyrjes sime të kundërshtojnë kthimin në mëhallë të fqinjit që na përzuri, e që kushedi sa të zeza i ka bërë në uniformën që ka bartur? Dhe për këtë nuk ka të drejtë të na akuzojë askush, as Washingtoni, as Brukseli, as Parisi, as Berlini, as Thaçi e Mustafa. Ironia më e madhe është se në këso pozite banorët e Mushtishtit janë vënë pikërisht për fajin e këtyre që po i kritikojnë. Ka 17 vjet, as institucionet vendëse dhe as ato ndërkombëtare nuk kanë qenë të interesuara ta sqarojnë të kaluarën e Kosovës - që familjarëve të mos ua lënë plagët e hapura e që shpirtin e të vrarëve të mos e lënë të trazuar.

Protesta e Mushtishtit është një thirrje që pa u adresuar kërkesat e tyre dhe të familjarëve të tjerë gjithandej Kosovës, zor se mund të adresohen thirrjet e protestuesve kundër korrupsionit e marrëveshjeve me Serbinë. Vetëm struktura të çoroditura, siç është bërë shteti i Kosovës, mund të ngrihen mbi një moçal. Mbi injorimin e së kaluarës, udhëheqësit e këtij vendi në vazhdimësi kanë marrë “vendime të guximshme” që e kthejnë Serbinë në Kosovë. “Guximi politik” për ta bërë atë që u pati prezantuar si decentralizim i pushtetit lokal para më shumë se dhjetë vjetësh ka krijuar komunat etnikisht të pastra serbe. “Guximi politik” për të miratuar krijimin e Asociacionit të këtyre komunave sot instalon një entitet të dirigjuar nga Beogradi, i cili udhëhiqet nga njerëzit e strukturave që para gati njëzet vjetësh kanë kryer krimet e pandëshkuara në Kosovë. Këto “vendime të guximshme” janë barrë e udhëheqësve shqiptarë të ngritur mbi përrallat për luftën, mbi përkrahjen ndërkombëtare, mbi plaçkitjen e shtetit dhe mbi mjerimin e qytetarëve të përgjumur të këtij vendi.

Nëse tri llojet e protestave – Mushtishti, Pronto e demarkacioni – bëhen bashkë në një, atëherë mund të ketë shpresë për këtë vend.

brikenda@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...