Partia e djathtë e sharjeve me nënë

3 Shtator 2016 - 08:00 - Veton Surroi      

Gjuha me të cilën flet “Pronto” është e sinqertë. Nuk ka nevojë për garë të tregohet më e mirë

1.

Nëse “Klanin Pronto” mund ta kuptojmë prej Leninit para Don Corleones, nëse struktura organizative është inspiruar nga Kominterna dhe jo nga Cosa Nostra, pse në përgjimet e Grabovcit dhe shokëve të tij partiakë gjuha e përdorur gjendet më afër rrugaçërisë (ndonjëherë me nevojë stimulimi përkthyes në gjuhën e rëndomtë shqipe) sesa “Kapitalit” të Marksit? Dhe, rrjedhimisht, pse në përgjime nuk ekziston as edhe një indikacion i kujdesit për të mirën publike, por në çdonjërin prej tyre e mira identifikohet me anëtarët e Organizatës?

Që të dyja pyetjet janë të ndërlidhura. Grabovci bisedon brenda strukturës Parti-Ushtri në cilësinë e Kadrovikut (prapë një huazim nga Bashkimi Sovjetik postrevolucionar), pra të njeriut që kujdeset për kuadrot. Preokupimi kryesor i Grabovcit dhe i shokëve është vendosja e anëtarëve të Partisë-Ushtri në vendimmarrje.

E vendosja e kuadrove bëhet në formë të njëjtë, jokompetitive, prej vitit 1999 e këtej. Në ditët e para të pasluftës, drejtori i KEK-ut u vendos me argumentin e forcës së automatikëve AK-47. Më 2011 drejtorët tjerë do të vendosen me diktatin e Partisë-Ushtri, në procedura që po bëhen transparente tash, me Grabovcin në rolin e “dispeçerit” të njerëzve.

2.
Ta vendosësh drejtorin e KEK-ut, rektorin e Universitetin e Prishtinës dhe atë fatkeqin që u zgjua nga gjumi si i emërtuar në bordin e KOSTT-it (“çka asht aja?”), duke mos kuptuar se si mund të pranohet “kur s’kum kunkuru”- të gjitha janë veprime që mund të duken kriminale, por janë konsekuente në një formacion ideologjik.

Që të gjitha këto veprime janë mohimi i garës personale, përkatësisht mohim i konkurrencës. “Musteqja”, siç e quajnë rektorin brenda “Klanit Pronto” është vendosur në atë pozicion falë përkatësisë brenda Partisë-Ushtri dhe është në të njëjtën pozitë si anëtari tjetër i Partisë-Ushtri, që duhet të vendoset në krye të një ndërmarrjeje që gjeneron 3 milionë euro - që të dy janë aty duke mohuar të drejtën e tjetrit që të garojë për atë pozicion.

Mohimi i së drejtës së garës është pjesë e veprimit të Partisë Demokratike të Kosovës. Do ta mohojë këtë me emërtime në institucione publike (me kallash a pa të). Do ta mohojë me tenderët njëburimorë, ku fitues të parasë publike do të jenë anëtarët e Partisë-Ushtri. Dhe do ta mohojë, në fund, edhe me vjedhjen e votave, në përmasa industriale.

Mohimi i së drejtës së garës nuk perceptohet si krim nga “Klani Pronto”. Në fakt, konsiderohet si ushtrim i përpiktë i Udhëzimit të Kominternës së vitit 1921, përkatësisht të përvojave postrevolucionare të partive fitimtare komuniste. Që nga Lenini e tutje, përcaktimi i këtyre partive ka qenë marrja e pushtetit dhe vendosja e diktaturës së proletariatit, që në thelb është vendosja e institucionit të mungesës së garës së hapët.

Vetëm se, meqë, sipas Udhëzimit të Kominternës “Organizimi i partisë duhet t’u adaptohet kushteve dhe qëllimit të aktivitetit të tij”, Partia Demokratike e Kosovës ka kuptuar që më herët se me vdekjen e komunizmit duhet të braktisë çfarëdo përcaktimi marksist që mund të ketë pasur, përfshirë edhe nocionin e diktaturës së proletariatit. Për më tepër, e për të dëshmuar se nuk ka kurrfarë lidhjeje me Kominternën, me votimin e propozuar nga Kryetari i saj i atëhershëm Thaçi dhe me efikasitetin që do t’ia kishte zili çdo Parti e Kominternës, PDK u transformua brenda disa minutash prej një partie të majtë në një parti ideologjike të djathtë.

Kjo parti e djathtë, që në traditën evropiane të gjysmës së dytë të shekullit XX do të duhej të këmbëngulte në procedura dhe sundim ligji, ka prodhuar një koncept tjetër respekti procedurash e sundimi të ligjit.

Mataj: Ani, po ky Fehmia nuk besoj që i plotëson kushtet, se aty duhet me pas nifarë diplome, Fehmia nuk osht i diplomum.

Grabovci: Ajo, hiç hiç, s’osht me rëndësi.

Me rëndësi është që të jetë i dërguar aty nga Partia-Ushtri.

3.
Po përse gjuha e rrugaçërisë? Përse komunikimi është aq i ulët, qoftë në formë a përmbajtje? Përse përshkrimi i parë i kundërshtarit politik është sharja me nënë?

Për shkak të sinqeritetit. Forma e komunikimit mes anëtarëve të “Klanit Pronto” është forma e sinqertë e përmbajtjes së gjuhës dhe mendimit të tyre. Kreu i Partisë-Ushtri, i zënë në bisedat e përgjuara është i atillë. Është i varfër në gjuhë dhe mendime mbi shtetin e shoqërinë dhe është jashtëzakonisht i zhdërvjelltë në kontrollimin e instrumenteve për kapje të shtetit. Në përgjimet e “Klanit Pronto” jepet një prerje e shtetit në të cilin Partia-Ushtri ka futur njerëz të vet kyç në polici, prokurori, administratë publike, universitet, ndërmarrje publike...

Dhe, ashtu si çdo gjë tjetër, edhe gjuha reflekton mungesën e kompeticionit. Meqë nuk i nënshtrohet konkurrencës, meqë nuk është gjuhë që kërkon përkrahjen e shumicës demokratike, ajo nuk duhet të ketë formë e as përmbajtje më të mirë - është e mjaftueshme me të shara dhe me lokalizmat e vet për të kryer funksionin bazik të kapjes së shtetit.

Shtetndërtimi do të kishte nevojë për një gjuhë (e mendim) më të pasur, por “Klani Pronto” nuk është angazhuar në këtë drejtim.

Në fakt, siç do të tregojnë përgjimet shtetndërtimi është objekt talljeje:

X: Çka po bon a, qysh po t’shkon a?

Grabovci: Vallain kurgjo, qishtu me punë të përditshme të… ndërtimit të institucioneve të vendit edhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës.

X: Heheheh…

Grabovci: Hahaha…

4.
Paralelja e Udhëzimit të Kominternës, mbi Partinë në legalitet dhe atë në ilegalitet, dhe nevojën e bashkëveprimit drejt kauzës unike “revolucionare”, e ka gjetur shprehjen e vet gjuhësore në “Klanin Pronto”. Gjuha “legale” është ajo e sundimit të ligjit, ndërtimit të institucioneve, integrimeve euroatlantike dhe formulave të tjera që shprehen para publikut, në Kuvend, në TV, në gazetë, në faqet zyrtare të “Facebook”-ut.

Gjuha “ilegale” është ajo e sharjes me nënë dhe e shtrirjes së rrjetit të njerëzve që duhet ta kapin shtetin, dhe ta mbajnë atë në shërbim të Partisë-Ushtri.

Dhe ekziston një përbashkues i këtyre dy gjuhëve. Siç do të shprehet në njërin prej përgjimeve kryetari i atëhershëm i Partisë-Ushtri, Hashim Thaçi, duke paralajmëruar veprimet që do t’i bëjë me Ambasadën amerikane lidhur me një iniciativë ligjore, përbashkuesi i këtyre dy gjuhëve quhet “lojë koqesh”.

(Nesër: “Bullshit” shqip) 

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...