Bombat mbajnë nënshkrimin e pushtetit!

2 Shtator 2016 - 08:40 - Halil Matoshi      

Policia e Kosovës i ka hyrë një rreziku të madh: Ose të zbulojë një akt dhune të profilit shumë të lartë dhe t’i bindë qytetarët se është polici e zonja dhe profesionale, ose nëse nuk do të sigurojë prova bindëse do të dalë se është polici e kapur nga “Vëllazëria Pronto” – pra polici e PDK-së. Në anën tjetër, nëse policia siguron provat se gjashtëshja e Lëvizjes Vetëvendosje është vërtet e përfshirë në aktin e dhunës, atëherë Albin Kurti duhet t’ia vërë drynin organizatës së tij

Ajo që Hashim Thaçi e thoshte më 2012 për korrupsionin, të ishte vetëm percepcion i shoqërisë civile, i një pjese të medias (e jo tellallëve të tij mediatikë, me të cilët ishte dhe është i përfshirë, e këtë po e dëshmon Adem Grabovci, “oficeri i tij për lidhjet”) dhe i disa individëve që po shihnin – sipas HTH - vetëm zi, më 2016 mund të dëgjohet ‘live’, së këndejmi “në operacionin e kapjes së shtetit” tashmë mund të ketë qasje secili qytetar i Kosovës.

Dhe kjo e ka edhe anën e vet ‘pozitive”, lë ta shohin qytetarët se çfarë banditësh kanë votuar në “zgjedhjet fer dhe të lira”!

Derisa 17 kryetarë komunash janë nën hetime (i fundit “engjëlli” i LDK-së, Haxhi Lutfi Haziri!?) së bashku me 256 zyrtarë tjerë të shtetit, Policia e Kosovës e dirigjuar nga Qeveria e Hashim Thaçit (ai vazhdon të jetë edhe Kryeministër edhe President i vendit) ose “e kapur” nga regjimi i SHIK-ut qytetarëve kosovarë po u rezervon spektakle masive, me “terroristë”, vajza e djem idealistë, që besojnë se ky vend mund të bëhet i jetueshëm, ose të shumtën të rinj të mashtruar nga ideologë turlifarësh.

Katër mjete shpërthyese janë hedhur nga “duar të padukshme” vetëm muajin e fundit në Prishtinë.

Si gazetar veteran kam mësuar (edhe nga përvoja) që së pari të mendoj se kujt nuk i konvenon një akt dhune i çfarëdoshëm e tek pastaj se kujt (mund) i konvenon.

Në rastin e Kosovës bombat nuk i konvenojnë opozitës.

Vetëm nëse ajo ka vendosur që të bëjë vetëvrasje politike!?

Kujt i duhen pra dhe përse?

Konspiracionistët mendojnë gjithnjë te serbët, ose tek ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.

Por ja që në bomba gjendet lehtë nënshkrimi i pushtetit…

Si është e mundshme kjo kur policia po u thotë qytetarëve se ka kapur “terroristët” e vërtetë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!?

Disa herë ia kam rikujtuar udhëheqjes së kësaj organizate politike se ata me retorikat e tyre të forta po e legjitimojnë si të besueshëm faktin se ata po kryejnë vepra dhune që mund të ndërlidhen me terrorizmin, ngase nëse një nga liderët e kësaj lëvizjeje deklaron se ‘do të tërheqim zvarrë njerëz…” nëpër sheshet e Prishtinës, dikush nga ndjekës të tij besnikë këtë edhe mund ta provojë një ditë si diçka të ligjshme…

Nuk e di nëse Molliqaj është i vetëdijshëm se me këtë deklaratë ai sapo e ka përligjur terrorin.
Qytetarët kosovarë edhe një regjim të korruptuar deri n'asht (edhe individët e kriminalizuar brenda këtij pushteti) besohet se do t’i trajtojnë me dinjitet - sepse vetëm gjykatat legale mund t’i ndëshkojnë keqbërësit - e jo aktivistët politikë të opozitës...
Pra qytetarët kurdo duhet t’i thonë “jo” ligjit të hakmarrjes.
Jo marrjes së ligjit në dorë.

Me këtë hov, shoqja e partisë së Molliqajt, Donika Kadaj – Bujupi, ditë më parë po ua përligjte aktet e terrorit “milicive sekrete” – që po i cilësonim si antikosovare, tek po deklaronte:

“Nëse Qeveria e Kosovës nuk zmbrapset nga marrëveshjet për demarkacionin dhe asociacionin, atëherë eskalimi potencial i situatës do të jetë përgjegjësi mbi ta”.

Kjo i bie si t’u thuash “atyre qarqeve destabilizuese”, grahni se jemi me ju!
Ose ajo është vërtet me ta.

Kushedi?

Dhe në këso situatash është vërtet zor që ta ndash dhunën nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse dhuna sistematike e pushtetit të PDK-së për shtatëmbëdhjetë vjet në Kosovë ndonëse nxit, nuk e justifikon dhunën e të tjerëve.

Për situatën e pasigurisë totale qytetare dhe institucionale në vend padyshim se është fajtore Qeveria, prandaj inskenimi i “zbardhjes” së një akti dhune në të cilin kryesit dalin të jenë të VV-së, është thuajse vetëvrasës, ndërkohë që policisë do t’i duhen tepër shumë dëshmi kredibile për t’i justifikuar arrestimet.

“Zbardhja efektive” e shpërthimit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës mund të jetë trill policor - i porositur nga politika - për t’i shtyrë deputetët që të votojnë demarkacionin me gjithë kundërshtimet e dhunshme të VV-së, por mund të jetë edhe alibi për shtyrjen ose pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi.

Ndërkohë që nëse Prokuroria e shtetit nuk gjen prova të bollshme sa për të ngritur aktakuza, atëherë Policia e Kosovës përfundimisht do të komprometohet si polici e regjimit dhe jo si polici profesionale në shërbim të paqes qytetare dhe stabilitetit të vendit.

Për këtë duhet të presim, ndonëse armët e ekspozuara nga policia që qenkan gjetur gjatë bastisjeve të gjashtë të dyshuarve, nuk garantojnë se këta janë kryesit e vërtetë të shpërthimit, duke e ditur se ndërtesa e Kuvendit nuk është gjuajtur me pushkë karabinë as me revole, por me predhë antitank!?

Dhe duke pasur parasysh faktin se organizata të ndryshme thonë se në Kosovë janë në posedim civil rreth 300 mijë armë, po ashtu duke e sjellë në mendje historinë e konfliktit në Kosovë, atëherë është e mundshme që në shtëpitë e eksponentëve të PDK-së mund të gjenden edhe topa kundërajror!?

Këtë u përpoq ta thoshte edhe njëri nga aktivistët më të zëshëm të VV-së, Dardan Molliqaj.

Vërtet armët e gjetura në shtëpitë e bastisura nuk paraqesin ende kurrfarë prove se janë kapur “terroristët”.

Ashiqare raportet thonë se Kosova nuk është “pacifikuar” edhe 17 vjet pas luftës dhe si dëshmi për këtë thuhet se nga armë zjarri për 15 vjet janë vrarë 1.500 njerëz, apo mesatarisht sa në një luftë të kufizuar civile!?

Vetëm gjatë një jave janë shuar tetë jetë njerëzish përmes vrasjesh mizore, kurse një njeri ka mbetur i plagosur.

Policia në këtë rast duhet t’i përvjelë mangët dhe t’i bindë qytetarët se nuk kanë inskenuar asgjë.

Në këtë mënyrë ata ose do ta dëshmojnë veten profesionistë të zotë, ose vegla qorre të PDK-së.

Në këtë storie nuk ka rrugë tjetër.

Edhe nëse është kalkuluar ndryshe.

Natyrisht se bombat, edhe nëse i hedh “pala e tretë” ato mbajnë nënshkrimin e pushtetit, sepse janë përdorur sipas “flamujve të rremë” (kur pala që kryen një akt është e bindur se po i shërben një kauze të saj, por në thelb i shërben kauzës së kundërshtarit), sepse pushteti e ka dëmtuar aq shumë vendin, saqë ka krijuar shumë vrima në aspektin e sigurisë.

Qoftë edhe duke toleruar veprimtaritë e spiunazhit të disa shteteve fqinje.

Dëshmi, dëshmi, dëshmi…

Policia e Kosovës duhet t’i sigurojë një kodër me dëshmi, sepse “zbulimi” i saj këtë herë nuk është hajgare, përndryshe rrezikon të komprometohet në publik.

Nëse del i vërtetë versioni i policisë, atëherë duhet të shtrohet një pyetje legjitime prej nga e diti RTK-ja një javë më parë se VV-ja paskësh sulmuar ndërtesën e Kuvendit me antitank?

Versioni i policisë, sipas disa burimeve mediale në Prishtinë, thotë se kryesit e aktit terrorist i paskësh strehuar Visar Ymeri, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, me çka ai përfshihet direkt në një vepër të rëndë me elemente terroristet dhe kjo, objektivisht, e delegjitimon atë si politikan që mësyn pushtetin, pra kjo do të ishte goditja më e rëndë që merr kjo lëvizje prej se ekziston.

Ngase votuesit dhe simpatizuesit e kësaj lëvizjeje sigurisht që nuk duan të jenë tutje pjesë e një organizate që mësyn marrjen e pushtetit me dhunë…

Nëse Visar Ymeri e di se kryesit e vërtetë të aktit të shpërthimit janë kapur nga policia dhe deklaron se “kjo është saktësisht mënyra sesi UDB-ja e përdorte dikur dhe që e ka përdorur ShIK-u qe sa kohë në Kosovë”, atëherë do të ishte kjo papërgjegjësi e skajshme e një lideri politik, që do ta bënte atë të padenjë për ta kërkuar votën qytetare.

Porse, nëse Ymeri ka të drejtë në këtë që e thotë, pra nëse policia nuk do të gjejë prova të mjaftueshme për t’ia deponuar Prokurorisë, atëherë ky do të jetë grushti përfundimtar mbi “shtetin e kapur” dhe do të shërbente për tfillimin e një epoke të re në shtetndërtim.

Po pse ideja se bombat mbajnë nënshkrimin e pushtetit është lehtë e argumentueshme?

Sepse në këtë rast do të vërtetoheshin parantezat se disa nga aktivistët kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje janë “të kapur” nga SHIK-u dhe janë në shërbim të “Vëllazërisë Pronto” me vetë faktin se ata ishin më të zëshmit kundër Gjykatës Speciale, duke votuar kundër.

Dhe pushteti i PDK-së përmes segmenteve legale ose ilegale të sigurisë, ata i përdor për t’i ngritur “flamujt e rremë.”

Në këtë rast nënshkrimi i bombave është i qartë – po aq i qartë është edhe adresimi i tyre: kundër Gjykatës Speciale.
Njëherësh kundër votimit të demarkacionit si shtysë për zgjedhje të jashtëzakonshme në të cilat pritet fitorja e të nominuarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Po të mos “ngutej” policia që pikërisht tash të “zbulonte terroristët”, vetëm të mendohej nga ndokush se bombat (si ajo te shtëpia e drejtorit të RTK-së, Mentor Shala) janë kurdisur nga opozita (VV-ja) do të ishte marrëzi.

Pas shpërthimit në muret e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës pata thënë se pushteti për të qëndruar në pushtet me zor, po provokon destabilizim në vend.

Mirëpo, sipas policisë, del se minahedhësi i prodhimit jugosllav “Zola” është shkrepur nga aktivistë të VV-së!?

Kjo i rritë hamendësimet.

Derisa “bomba” e montuar në shtëpinë e një zyrtari qeveritar, Murat Mehës), e viktimizonte atë, njëjtë ndodhi edhe hedhja e një granate në drejtim të shtëpisë së drejtorit të transmetuesit publik, po ashtu po e viktimizonte një abuzues të madh me të vërtetën.

Si mundet pra që opozita t’i viktimizojë eksponentët e pushtetit?

Si mundet që “me bomba: t’u jepet të drejtë atyre?

Si kritik i hapur ndaj politikave të PDK-së dhe pushtetit personal të kësaj kaste, porse, si qytetar, ndihem i ofenduar me disa nga performancat e aktivistëve të VV-së, sidomos ndaj atyre që mësynin shtëpinë e Kadri Veselit në Mitrovicë, siç kishin vepruar më përpara në Prapashticë te shtëpia familjare e Isa Mustafës.
Kur dihet qe të dy këta politikanë, Isa edhe Kadriu, kanë zyra publike në Prishtinë, mësymja e shtëpive në vendlindje, ku mund të jetojnë prindër ose farefis, është akt që të turpëron qytetarisht dhe të bën të dyshosh edhe në thirrjet e VV-së për përmbysjen e pushtetit.
Pra, të cenohet prona dhe privatësia, është akt ekstremist i “revolucionarëve adoleshentë”, të cilët me kësi hapash po e bëjnë Kosovën edhe më të pajetueshme, edhe më të frikshme se epoka e PDK-së!

Të paktën VV-ja po shfaqet me modelin e njëjtë: mësymje e dhunshme e pushtetit politik.

Për ta përligjur maksimën se ai që jeton nga shpata, nga shpata vdes.

Sado që eksponentët e pushtetit kanë bërë krime sistematike, VV-ja duhet të përmbahet nga aktet e tilla agresive dhe të padenja për demokracinë.

Pushteti i PDK-së ashtu edhe opozita janë të papërgjegjshme dhe jokompetente (e LDK-ja është tkurrur dhe hesht, pra thuaja është nxjerrë nga historia politike e Kosovës) së këndejmi të paafta me u dhanë zgjidhje rrum qe dy vjet dy çështjeve shtetërore me interes vital, si demarkacioni dhe asociacioni...
Kjo kastë politike e zhytur në krim (krime lufte, vrasje politike, korrupsion e zhvatje të aseteve kombëtare, pra krime ekonomike) po synon që ta përplasë shoqërinë kosovare, duke fabrikuar dhunë të përmasave destabilizuese deri në shkallë të konfliktit civil.
Sepse në shtator shumë nga këta përfaqësues të këtyre maskarallëqeve, mund të jenë të prangosur me urdhër të Gjykatës Speciale.
Pjesa më normale e opozitës dhe qytetarët kosovarë - sidomos - duhet të kenë kujdes që të mos e pranojnë yshtjen, për gjunjëzimin e shtetit, sepse mund të ngatërrohen me “flamujt e rremë” të SHIK-ut dhe të disa segmenteve tjera agjenturore në Kosovë dhe ta dëmtojnë rëndë vetveten.
Në secilin variant konflikti shoqëror i konvenon pushtetit të PDK-së, për ta zhvendosur vëmendjen nga afera “Pronto” – që e ka zapue shtetin dhe e ka për qëllim ruajtjen e interesave ekonomike të “Vëllazërisë Pronto” me çdo kusht, po ashtu përplasja u konvenon edhe disa të dyshuarve tjerë potencialë për krime të luftës!
Të gjitha këto inskenime përplasjesh e mbajnë vulën e Gjykatës Speciale, prandaj qytetarët do të dinë saktë kë ta mbajnë përgjegjës për cenimin e Republikës!

Elitat e mendësisë politike totalitariste kanë dështuar ta projektojnë një shoqëri me synim modernitetin dhe perëndimorizimin;
Këto elita, qe 17 vjet kanë derivuar dhe legjitimuar pushtete ekstraktive, neoenveriste, në bashkëpunim me banditë lokalë që kanë prodhuar vetëm konflikte e dhunë!
Dhunë sistemore!
Kjo shoqëri e kalbur (me sjellje arkaike dhe shtysa primitive) nuk ka ditur as mundur të krijojë as moral qytetar, as shtet ligjor, as shkollë normale.
- Moralin e ka të dyfishtë, pra është shoqëri dyfytyrëshe;
- Shtetin e ka të kapur, pra është shoqëri e zapu’me;
- Shkollën e ka kazermë, pra prodhon analfabetë funksionalë;
Politikën dhe shtetin e ka kapë “Vllazëria Pronto” - një kombinim klanesh mafioze me politikanët e padijshëm e abuzivë - prandaj edhe qytetarët po duan t’ia nxjerrin sytë njeri-tjetrit!
Tribalizëm!
Dhunë egërshane fisesh kundër fiseve!
Bomba mbi institucionet, frikë e pasiguri kudo...
Pushteti dhe opozita qe dy vjet s'kanë aftësi t'u japin zgjidhje dy çështjeve shtetërore: demarkimit të kufinit me Malin e Zi dhe Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë që nga ana e “inxhinieringut të pushtetit” paraqiten si dy probleme madhore e që në fakt nuk janë.
Liderët institucionalë kosovarë janë të pafytyrë, të korruptuar dhe të kriminalizuar, ky është problem kombëtar numër një i Kosovës.
Ata në mungesë të instalimit të gjykatësit të pavarur, i kanë rikthye - në vendin që kinse e udhëheqin - format më të degjenerueme të Kanunit të Maleve, dhunën dhe agresionin – i kanë riaktivizuar konspiracionet dhe “milicitë sekrete”, thjesht për ta shpërbërë shtetin dhe shoqërinë kosovare, sepse janë të alarmuar se ky mund të jetë fundi i tyre i palavdishëm!

Top of Form! 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...