Ku është rrobaqepësi?

1 Shtator 2016 - 08:48 - Enver Robelli      

«Na i kanë pre teshat pa na pyet»: mbi thellësinë absurde të deklaratave të politikanëve të Kosovës mbi demarkacionin me Republikën e Malit të Zi

Cilës palë t’i besohet për çështjen e demarkacionit me Republikën e Malit të Zi? Kjo çështje, në thelb teknike, është shndërruar në betejë të luftës së brendshme politike, saqë zor t’u besohet përkrahësve apo kundërshtarëve të demarkacionit. Përkrahësit nuk tingëllojnë bindshëm në argumentimin e tyre, ndërsa kundërshtarët po sillen sikur me çdo kusht duan t’ua japin një shpullë eksponentëve të pushtetit edhe nëse Komisioni për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk ka bërë gabime.

Por, komisioni nuk lë përshtypje se ka bërë punë serioze. Nga qarqe të afërta me këtë komision mësohet se disa anëtarë më shumë kanë qenë të fokusuar në mëditje se sa në kryerjen e punës si duhet. Komisioni qeveritar ka dështuar të njoftojë publikun me hapat që ka ndërmarrë, madje nuk e ka parë të udhës të ketë një zëdhënës që do të ishte në shërbim të opinionit publik. Asnjë anëtar i Komisionit për demarkacion nga është me origjinë nga rajoni kufitar me Malin e Zi – edhe ky një lëshim gati i pafalshëm.

Duket se të dyja palët – kundërshtarët dhe përkrahësit – janë futur në një qorrsokak, prej të cilit e kanë vështirë të dalin. Nëse i lëmë anash qëndrimet e opozitës, shohim se as përfaqësues të pushtetit nuk janë të sigurt sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Dhe këtë më së miri e ilustrojnë deklaratat e tyre absurde, humoristike, frikësuese, bajate. Nga shkrimtari rus Anton Çehov rrjedh kjo fjali: «Çdo idiot mund ta përballojë një krizë. Është jeta e përditshme ajo që na dërrmon».

Për shembull kur flet Bajram Gecaj, zëvendësministër i Ministrisë së Administratës Publike. Ai është aq i sigurt se nuk janë bërë gabime në caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, saqë thotë: «Na i kanë pre teshat pa na pyet». Kush janë ata që ia paskan prerë teshat Kosovës? Kush është ai rrobaqepës? Qeveria që thotë «na i kanë pre teshat» është e paaftë dhe e papërgjegjshme, andaj është e rrezikshme që një ekipi të tillë qeverisës, i cili figurë dalluese e ka Bajram Gecajn, t’i lihet në dorë fati i një vendi.
Margaritarët gjuhësorë s’kanë të ndalur. Importuesi i prodhimeve serbe, Ramiz Kelmendi, të cilit pas largimit nga AAK dhe PDK i ka mbetur të anëtarësohet në partinë e atyre që kanë ndërruar 100 parti, ka deklaruar se pajtohet me demarkacionin, por nuk do ta votojë atë. Ndërsa deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi, ka thënë: «Nuk pajtohem me demarkacionin, por do të votoj pro». Pas këtyre fjalëve jo veç anglezi do të thoshte: «Holy shit!» - a janë këta njerëz humoristë të këqij apo vetëm idiotë?

Janë ndarë edhe gjeografët. Shpëtim Bulliqi është i bindur se Kosova po humb territor, Tomor Çela citohet nga mediat të ketë thënë se me demarkacion Kosova nuk humb territor, por Malit të Zi i është shtuar sipërfaqja. «Molim?», do të thoshte malazezi në këtë rast.

Por, furnizuesi më i rregullt i opinionit me marrëzira për demarkacionin mbetet Bajram Gecaj, ky Zbigniew Brzezinski i Isa Mustafës. Krejt ata që kanë dyshime ndaj mënyrës se si është bërë demarkacioni, Gecaj i ka quajtur nostalgjikë të Jugosllavisë.

Në një postim në “Facebook” ai ka shkruar: «Institucionet kredibile të ish-Jugosllavisë i kanë prodhuar hartat të cilave u besojnë Shpejtim Bulliqi e Florim Isufi (një gjeograf tjetër kundërshtar i demarkacionit, v.j.); a nuk ju tingëllon kjo si një lloj nostalgjie për sistemin ‘perfekt’ në të cilin kemi jetuar dikurë?» Për dallim nga broçkullat e Bajram Gecajt, i cili s’është në gjendje të shkruajë një status në “Facebook” pa gabime trashanike gjuhësore («dikurë»!), Jugosllavia ka qenë shtet mjaft serioz, me përjashtim të fazave kur është dominuar nga budallenjtë nacionalistë. (Për më shumë detaje për atë periudhë Gecaj le ta pyesë shefin e tij Isa Mustafa). Kur ka nisur shpërbërja e Jugosllavisë Shpëtim Bulliqi dhe Florim Isufi kanë qenë rreth 20-vjeçar, pra s’kanë mbajtur asnjë funksion në shtetin socialist jugosllav, as nuk kanë përfituar nga sistemi, andaj akuza për «jugonostalgji» është një përpjekje e marrë – si kudo në Ballkan - për të njollosur tjetrin, kur nuk ke më argumente. Tendenca e Bajram Gecajt dhe Isa Mustafës që çdo dokument të kohës së Jugosllavisë ta cilësojnë si të dyshimtë, është sall një tentim absurd për t’i ikur përgjegjësisë për dështimet e sotme, jo vetëm në rastin e demarkacionit me Malin e Zi.

Para disa javësh kryeministri Isa Mustafa shkroi në “Facebook” se kundërshtarët e demarkacionit duhet të shkojnë të kontrollohen te mjeku, duke nënvizuar se këtë shërbim shteti e ofron falas. Si askush tjetër Isa Mustafa e praktikon artin e vetëmashtrimit. Sepse deklaratat absurde të atyre që po mbështesin demarkacionin tregojnë se kush ka nevojë urgjente për kontroll së paku te logopedi.
robelli@bluewin.ch
 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...