Dhuna si shpëtim i kapësve

29 Gusht 2016 - 08:13 - Lumir Abdixhiku      

Kosova ka mundësi të provojë nisjen e çkapjes. Dhe në këtë provim të saj, Kosova ka vetëm një shans. Jo duke bërë lojën që kapësit në këtë kohë duan – pra përplasjen – as duke përshkallëzuar e përfunduar në dhunë – por duke dhënë një alternativë të arsyes e rezonit. Duke mbledhur njerëzit më të mirë, në rreshtin më të mirë të shpëtimit të vendit

-1-

Ngjarjet e javëve të fundit, të përplasjeve, kërcënimeve e mjeteve shpërthyese, tregojnë për një fazë të re të krizës kosovare. Pra, përtej krizës së kapjes që shpërfaqet secilin mëngjes nga publikimet e përgjimeve; përtej krizës morale që del në pah nga mosreagueshmëria e mbrëmjeve; Kosova po ndërton një krizë të re, atë të sigurisë e flakëvënies.

Dhe në procesin e vënies së flakës, piromanët do të jenë të njëjtit që kanë ndërlidhur fatin e vendit me të vetin. Shihni për pak. Përgjimet telefonike që dalin këndej tregojnë se ka një strukturë mirë të themeluar, parapolitike e kriminale, që mban nën kontroll e shfrytëzon secilin mjet të jetesës në Kosovë. Pra, pjesë e këtij sistemi të shfrytëzueshëm është edhe policia, edhe prokuroria, edhe gjyqësia – në masë të madhe pra – gjithçka që rregullon jetën shoqërore këndej.

E në një sistem të tillë, krimi e krimëbërësi ndihen fare mirë. Ata, në fund të ditës, duke kontrolluar gjithçka, janë dhe në gjendje të bëjnë gjithçka. Prandaj dhe ditën sulmojnë veten, mjetet e kapjes, nga simbolika e deri tek propaganda, e në mbrëmje fajësojnë kundërshtarët politikë.

-2-

Nxitja e flakës ka vetëm një qëllim. Të rrisë pazarin e negocimit mes krijuesve të krizës me një komunitet mbikëqyrës të Kosovës; atë ndërkombëtar. Pra, kapësit, të vetëdijshëm se, në njërën anë, janë ekspozuar marrëzisht me skandalin e “Prontos”; dhe, në anën tjetër, të vetëdijshëm se po u ofrohet një gjyqësi speciale për krimet që do të dalin të jenë dhe më të tmerrshme, do të provojnë të vënë në flakë, për aq sa munden e aq sa kanë kapacitet kërcënues, gjithë vendin tonë.

Ka një qëllim esencial në gjithë këtë akrobacion piromanie të tyre. Që përplasja për mbijetesën e klaneve të kalojë në një përplasje qytetare. Ka një duhmë urrejtjeje mbi baza partie, që ushqehet vazhdimisht nga politikanë të papërgjegjshëm në të dyja anët, e që mund të prodhojë, në një ditë të keqe tonën, një rrugë që vështirë mund të ketë fund të mirë.

Dhe këtë ndarje e përçarje duan pikërisht kapësit. Ata, pra, duan që, në përplasjen eventuale më të madhe, të dalin si qetësues, garantues e shpëtues së Kosovës në flakë; flakë të cilën do ta nisin vetë.

Prandaj sot dhe bëjnë viktimën. Prandaj sot dhe kanë mobilizuar të gjitha lidhjet e kanalet private, në media, biznese e institucione, për të shpërndarë sa më shumë flakë. Janë aktivë e të koordinuar – siç dhe shihet lehtësisht – të gjithë.

-3-

Kosova, ç’është e vërteta, s’ka qenë asnjëherë më rëndë se kaq. Keqësimit tonë nuk i kanë kontribuar vetëm “prontoistët”. Atij po i kontribuojnë edhe cinikët e sharlatanët të patakt. Të njëjtit që arsyetojnë kapjen me idenë e gërditshme se pushteti për këtë qëllim merret. Zëra të tillë ka plot. Janë, ç’është e vërteta, të njëjtit që kanë replikuar kapjen e “prontos”. Janë të njëjtit që kanë kapur alternativën politike në vend.

Keqësimi i Kosovës, pra, nuk është vetëm në ekzistencën e problemit tonë, por në mosekzistencën e një alternative që nesër do t’u bëjë zgjidhje problemeve në fjalë. E do ta them, siç dhe kam thënë shpeshherë, se Kosova sot është e paalternativë. Kosova ka plot parti, por s’ka ide që i bashkon njerëzit në një vend.

Ata që thirren si zëvendësues të së nesërmen argumentojnë në gjetjen e zgjidhjeve më pak të rënda të mundshme; pra në gjetjen e tyre – si më të mirë sepse janë më pak të dëmshëm. Në gjithë angazhimin politik, të njëjtit kanë dështuar të afrojnë njerëz. Në vend të afrimit bastin kanë vënë në mobilizimin e militantëve të vet. Janë rrumbullakuar pra në kufijtë e përkrahësve të verbër.

Dhe në këtë nivel mbahet sot dhe politika kosovare. Pra, në nivel të mobilizimit të militantëve e përkrahësve partiakë. Sot në Kosovë nuk ka një lëvizje e nismë që do t’i rreshtonte në një vijë gjithë kundërshtarët e kapjes. Për paradoksin më të madh, ka shumë përplasje e nisma etiketuese ndaj bashkëkundërshtarëve.

Dhe, mbi të gjitha, s’ka asnjë lloj gatishmërie për shitësit e alternativës për të ndryshuar pak; me mjete e me qëllime. Kërkojnë ndryshimin e secilit tjetër në këmbim – një rrugë që, për fatin tonë të keq, do të bëjë zgjatjen e jetës së kapësve edhe më shumë.

-4-

Kosova nuk do të ketë luksin e adresimit të të gjitha problemeve në vend. Do të jetë vështirë, në mos e pamundshme për një kohë të afërme, shuarja e krizës morale e pareagueshmërisë. Me siguri do të na duhet punë dekade në formësimin e kosovarit të ri që tallësit publikë t’i mbajnë për budallenj, jo për politikanë që mbajnë përgjegjësinë e tyre.

Por, Kosova ka mundësi të provojë nisjen e çkapjes. Dhe në këtë provim të saj, Kosova ka vetëm një shans. Jo duke bërë lojën që kapësit në këtë kohë duan – pra përplasjen – as duke përshkallëzuar e përfunduar në dhunë – por duke dhënë një alternativë të arsyes e rezonit. Duke mbledhur njerëzit më të mirë, në rreshtin më të mirë të shpëtimit të vendit. Shpëtimi do të matet në zgjedhje; zgjedhjet janë më afër se kurrë.

Aftësia rreshtuese, e sakrifikimit të ambicieve personale për të mirën e madhe, do t’i definojë patriotët nga llafazanët, atdhetarët nga sharlatanët.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...