Për ndryshim

20 Maj 2014 - 08:20 - Flaka Surroi      

Frika nuk e parandalon vdekjen. Ajo e parandalon jetën (Nagib Mahfuz, fituesi i “Nobelit” për letërsi, 1988)

Dje në mesnatë skadoi afati i aderimeve dhe i paraqitjes së listës së kandidatëve për zgjedhjet që do të mbahen më 8 qershor. Me këtë përfundoi edhe seriali në vazhdime “Cili është i ardhshmi”, që u përshkua me një lëvizje marramendëse njerëzish nëpër parti të ndryshme dhe me prezantimin mediatik të “prurjeve” jo pak befasuese. Se çfarë efekti do të kenë këto lëvizje kadrovike do të shohim pasi të kenë përfunduar zgjedhjet, porse që na e kanë okupuar të gjithë vëmendjen në javën që e lamë pas, kjo nuk ka asnjë dyshim. Ashtu siç nuk ka asnjë dyshim se është hera e parë pas kaq shumë vjetësh, ku zgjedhjet duket se po priten me padurim – sepse ngjallin shpresën se këto do të jenë zgjedhjet e kthesës dhe të ndryshimit.

Kjo parafushata që nisi javën e shkuar, shkon duke u intensifikuar dhe pa kurrfarë dyshimi do të na ngufasë deri në ditën e heshtjes zgjedhore. Ajo vetvetiu e dëshmon edhe për një vendim shumë joparimor të partive politike anëtare të KQZ-së, kur vendosën që fushata të zgjaste 10 ditë. Është fakt se do të zgjasë një muaj dhe këtë kanë mundur ta zyrtarizonin pa shumë fizkultura. Sido që të jetë, edhe ky fakt flet për sa pak kanë rëndësi parimet dhe respektimi i fjalës për shumicën e partive politike të Kosovës.

* * *

rupi më i angazhuar i aktivistëve që e ka nisur fushatën qëmoti, është ai i kryeministrit dhe i PDK-së. Këta, duke i shfrytëzuar krejt mjetet në dispozicion, përfshirë edhe buxhetin e Kosovës që i mbulon rrogat e edhe shpenzimet e benzinës dhe të naftës, kanë dalë në gjah të votës që nga fillimi i vitit. Premtimet nga më të ndryshmet (si me pasë shku në Shtëpi të Mallnave) vijnë prej dakikit në dakik, dhe kulmojnë me një, që tashmë e ka sqaruar në perfeksion Lumiri në kolumnen e djeshme: se Kosova nuk mund t’i krijojë 200 mijë vende të reja pune për katër vjet, për shkak se kurrën e kurrës nuk do të mund ta realizonte rritjen ekonomike prej 20% për çdo vit të atij mandati.

Atë që Lumiri nuk e ka elaboruar është se sa vende pune i ka humbur Kosova në shtatë vjetët e shkuar të udhëheqjes nga Thaçi, duke marrë parasysh se, sipas planifikimit të tij financiar, ministria me më të madhin buxhet gjithmonë ka qenë ajo e Transportit/Infrastrukturës. Atë që mbaj mend ende nga deklaratat e zyrtarëve që krekoseshin me kontratën për autostradën (të cilën nuk e pamë, për pasojë nuk e pamë as trasenë sipas së cilës është lidhur kontrata) ishte se ndërtimet aty do të krijonin 5 mijë vende të punës. Ndoshta edhe i kanë krijuar, porse asnjëri nga ata punëtorë nuk është në punë tani dhe shumë syresh janë ankuar se derisa kanë punuar aty janë ekspolatuar nga firma e huaj. Lumi e ka harruar edhe faktin se Thaçi nuk e ka përfunduar as mandatin e dytë të plotë – që i bie se nëse fiton për të tretën herë, sipas premtimit të tij, do të mund t’i krijonte vetëm 150 mijë vende pune të reja.
Në fakt, nëse e fiton edhe mandatin e tretë, nuk do të bëjë asgjë që nuk ka bërë deri tash – do të na qesë edhe më thellë në fund të pusit.

* * *

 zgjuan nga gjumi më në fund edhe partitë “opozitare”. Kësaj radhe duket shumë më mirë të përgatitur sesa në zgjedhjet e shkuara. Nëse asgjë tjetër, kësaj radhe llogarisin në faktin se terri nuk mund të funksionojë aq shumë në favor të hajnave të votave, që nuk e di se përse përherë më asociojnë në hajna të pulave..., po nejse.

Është evidente se janë marrë me këtë punë prej kohësh, ngase që të gjithë tashmë kanë dalë edhe me moto fushate. Befasia më e mirë, megjithatë, do të jetë fakti se kësaj radhe janë lodhur për t’i përpiluar edhe programet zgjedhore, të cilat do të mund të kenë shumë ndikim te brezat e rinj. E të shpresojmë të kenë edhe tek ata më pak të rinj, që do t’i shmangen inercisë kur të vendosin të votojnë. Për ndryshim dhe për të mirën e vet.
Nuk ka dyshim se fushatës i janë qasur shumë seriozisht dhe me shumë shpresë se mund t’i animojnë votuesit që t’jua japin votën – kujt për shkak të figurës së liderit, kujt për shkak se e paraqet, së paku në letër, të kundërtën e asaj që e ka tash për pushtet. Dhe përderisa nuk do të ketë dhunë dhe imponime me zor, do të jetë interesante të shihet se sa bindës mund të jenë.

* * *

ixa më qitën sytë kur e pashë paralajmërimin e përfaqësuesit të serbëve të veriut që në bazë të propozimit që rridhte nga Serbia, deklaronte se si serbët do të duhej të dilnin me listë unike dhe se kështu, në bazë të përvojave të deritanishme, do të mund t’i siguronin madje 16 vende në Kuvendin e Kosovës. Xixa, prej hidhërimit që ma shkaktuan deputetët e Kuvendit të kaluar që nuk deshën ta votonin reformën zgjedhore dhe për shkak se do të ketë sërish përjashtim në rregullat e votimit: do të lejohen edhe dokumente jokosovare për të votuar – d.m.th., do të lejohen të votojnë krejt serbët që janë në Serbi e që thonë se janë nga Kosova.

E ky është diskriminim, të cilin e ndihmon marrëveshja që s’është marrëveshje dhe e cila vulosi pranimin e krejt kushteve për urgjencën e mbajtjes së zgjedhjeve komunale edhe në veri “me facilitimin e OSBE-së”, që përndryshe nuk e njeh Kosovën shtet...
Mirëpo, kjo deklaratë e përfaqësuesit serb mbase do të duhej të shërbente si “syçelës” apo “çelës i syve” dhe të prekë në ndërgjegjen e secilit prej nesh. Matematika e thjeshtë thotë: sa më pak shqiptarë të dalin të votojnë, aq më i madh rreziku që mos t’i sigurojnë 100 vende në Kuvend. Natyrisht, kjo matematikë ka të bëjë me të gjallët dhe me ata që përnjëmend votojnë. Porse, është edhe një gjë, shumë e rëndësishme: sa më shumë njerëz të dalin të votojnë, aq më pak gjasa për vjedhje votash, siç kishte ndodhur në Drenicë më 2010.

* * *

 mirëseardhur reagimi i dyhershëm i ambasadores amerikane në lidhje me zgjedhjet: një, se Ambasada amerikane nuk e përkrahte asnjërin kandidat apo parti (siç e kishin plasuar zyrtarët e partisë në pushtet) dhe dy, se SHBA-ja pret që zgjedhjet të jenë të lira, transparente dhe të drejta. Me fjalë të tjera, se mbase kësaj radhe nuk do të ketë shans që të pranohen zgjedhjet e vjedhura, sikur më 2010.

Deklarata sikur kjo, e që do të mund të pasohet edhe nga deklarata të ngjashme të ambasadorëve të tjerë të akredituar në Kosovë, sa është e dobishme aq është edhe e turpshme. Është turp që sa herë që kemi zgjedhje të huajt na e kujtojnë se zgjedhjet në Kosovë vidhen dhe se ata që vjedhin më së shumti e marrin pushtetin.
Do të duhej të na shërbente si mësim që të mos lejojmë vjedhjen e votës. Edhe në këto zgjedhje do ta kemi mundësinë e paraqitjes së rasteve. Ndërkohë, për të dytën herë dëgjojmë se si prokurorja/koordinatore e zgjedhjeve ua tërheq vërejtjen hajnave potencialë se nuk do të ketë mëshirë ndaj tyre, dhe se kësaj radhe madje do të ketë mundësi arrestimesh në vend të ngjarjes, pra në vendvotime.
Të shpresojmë që prokurorëve të mos u laget baruti.

* * *

e shumë emocione po e përcjell entuziazmin në rritje të të rinjve (me të cilët ndaj pjesën më të madhe të ditës), për mundësinë e ndryshimit që e sjellin zgjedhjet e reja. Kësi entuziazmi kisha vrojtuar gjatë balotazhit të zgjedhjeve të shkuara komunale, e që u përshkrua me një pamje të pazakontë: atë të “coolerave”, që e kishin gjetur arsyen dhe vullnetin për të votuar për diçka të re.
Atë që po e kuptoj nga ajo që ma thonë është se ky duket të jetë disponim i përgjithshëm dhe i përhapur, për shkak se nuk e shohin të gjithë perspektivën e tyre të realizuar po qe se i bëjnë paratë për një udhëtim në të zezë në Perëndim, apo nëse edhe ia dalin ta marrin një vizë për në Amerikë për të mos u kthyer më.

Ajo që po është shumë inkurajuese në këto bashkëbisedime është se, pavarësisht moshës së tyre të re, me lehtësi po i kapin porositë: me lehtësi dinë të dallojnë se çfarë është rrenë fushate dhe pse duhet dalë në votim për ta ndëshkuar të keqën. Është shpresëdhënëse të dëgjosh prej këtyre të rinjve se duan ta ushtrojnë pushtetin që ua jep vota, për shkak se janë ngopur jetë të mërzitshme dhe të paperspektivë. Shumë do të doja të besoja se këta nuk janë të vetmit që mendojnë kështu dhe se gjejnë bashkëmendimtarë në mesin e shumë moshatarëve të tyre anekënd.

* * *

Dhe nuk e di se përse e kam bindjen se do të ketë qenë dikush i ri në moshë dhe shumë kreativ pa dyshim, që dëshmoi guximin për ta modifikuar billbordin zgjedhor të kryeministrit dhe partisë së tij. “Misioni i ri” u shndërrua në “Milioni i ri” – duke u bërë kështu formulimi absolutisht më fantastik për ta përshkruar qeverisjen shtatëvjeçare të Thaçit dhe njerëzve të tij.

Nuk e di nëse billbordët e modifikuar me aq precizitet do të jenë zëvendësuar, porse e di që na e kanë lënë pas bile një porosi që do të duhej kultivuar në këto dhe të gjitha zgjedhjet e ardhshme: se duhet luftuar çfarëdo ndjenje frike që e shkakton kërcënimi i të fortëve që u bënë me para e pushtet. Sepse frika ta ndal jetën.
Për ndryshim, vyen guxim. Ashtu siç vyen për ta shfuqizuar të keqën. Guximin e kemi pranë. Quhet votim.

flaka@koha.net

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...