Rehabilitimi i Milosheviqit dëshmon se Serbia nuk është e sinqertë

24 Gusht 2016 - 08:29 - Augustin Palokaj      

Edhe pse në disa raste liderët e sotëm të Serbisë linin përshtypje se vërtet duan pajtim me fqinjët dhe të lënë të kaluarën e errët prapa, rehabilitimi i Slobodan Milosheviqit, retorika që nxit urrejtje ndaj fqinjëve, dëshmon se këta liderë nuk janë të sinqertë. Kjo nuk është shumë e çuditshme, por ajo që habit është heshtja e Bashkimit Evropian ndaj sjelljes së tillë të Serbisë

Në kohën kur zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden, lavdëronte Serbinë për rolin e saj pozitiv në rajon, sidomos ndaj përpjekjeve për të arritur pajtimin me fqinjët, në Serbi morën hov përpjekjet për të rehabilituar Slobodan Milosheviqin, personin i cili konsiderohet si përgjegjësi kryesor për luftërat dhe krimet e përgjakshme në territorin e ish-Jugosllavisë, prej represionit në Kosovë, në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, pastaj luftërave në Kroaci, Bosnjë- Hercegovinë e deri tek gjakderdhja në Kosovë, e cila u ndal vetëm pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.

Përpjekjet për rehabilitimin e personit që kishte marrë epitetin “kasapi i Ballkanit” i udhëheq ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë Ivica Daçiq, që sot është ministër i Jashtëm i Serbisë, por ato i mbështesin edhe politikanët e tjerë në Serbi. Edhe ata që kanë disa rezerva nuk janë kundër Milosheviqit, për shkak se ai i bëri të gjitha ato luftëra duke kryer agresion ndaj popujve të tjerë, por për shkak se ai i humbi ato.

Edhe pse në disa raste liderët e sotëm të Serbisë linin përshtypje se vërtet duan pajtim me fqinjët dhe të lënë të kaluarën e errët prapa, rehabilitimi i Slobodan Milosheviqit, retorika që nxit urrejtje ndaj fqinjëve, dëshmon se këta liderë nuk janë të sinqertë. Kjo nuk është shumë e çuditshme, por ajo që habit është heshtja e Bashkimit Evropian ndaj sjelljes së tillë të Serbisë.

Ivica Daçiq, sot ministër i Jashtëm i Serbisë e dikur zëdhënës i partisë politike të Slobodan Milosheviqit, për Kosovën partisë famëkeqe SPS-it, Tomislav Nikoliq, sot president i Serbisë e dikur bashkëpunëtor i ngushtë i radikalit çetnik Vojislav Sheshel dhe Aleksandar Vuçiq, sot kryeministër i Serbisë e dikur aktivist i njohur i regjimit të Milosheviqit dhe Sheshelit, që kërcënonte publikisht me deklarata fashiste se “për një serb do të vrisnin 100 myslimanë”, duke rehabilituar Milosheviqin në fakt duan ta rehabilitojnë vetveten. Prandaj përpjekjet e tyre janë të kuptueshme. Pos se nuk është e kuptueshme heshtja e Bashkimit Evropian, duket se pak ka pasur reagime ndaj kësaj edhe nga fqinjët, nga ish-viktimat e Slobodan Milosheviqit dhe regjimit të tij. Me përjashtim të Kroacisë nuk kemi parë reagime zyrtare të qeverive të vendeve fqinje, as të Kosovës.

Kur të bëjnë takime me liderët e Serbisë, qoftë për të “luajtur koq…” me përfaqësuesit ndërkombëtarë, për t’ua bërë qejfin atyre, apo për të “fituar poenë”para tyre, apo për të tentuar të blejnë amnisti ndërkombëtare, apo për të fituar ndonjë takim me qëllime që “të plasë opozita”, përfaqësuesit e popujve që ishin viktimë e politikës së Slobodan Milosheviqit, qofshin të Kosovës, Bosnjë- Hercegovinës apo Kroacisë, e besa edhe të Shqipërisë, duhet të kenë kujdes e të mos bien në grackën e politikanëve të sotëm të Serbisë. Duhet të sillen me dinjitet dhe të thonë se përpjekjet për të rehabilituar Milosheviqin do t’u bëjnë dëm përpjekjeve për të arritur pajtimin e vërtetë në rajon. Kosovarët, boshnjakët apo kroatët nuk kanë nevojë për ndonjë komision ndërkombëtar, as për ndonjë diplomat të huaj, madje as për Tribunalin e Hagës që t’u vërtetojë se a ka qenë apo jo politika e Serbisë agresive, kriminale e gjenocidale. Ata efektet e kësaj politike i kanë përjetuar vetë.

Lidershipi i sotëm i Serbisë është ai i cili ishte në përbërje të regjimit të Milosheviqit. Ata kanë ndryshuar pak sjelljen, duken më të moderuar, janë të pranueshëm për Brukselin dhe Washingtonin, por nuk jemi të sigurt se sa kanë ndryshuar në mendjen e tyre. Kur ata duan ta rehabilitojnë Milosheviqin, ata në fakt na kthejnë nga e kaluara.

Janë disa gjëra rreth të cilave përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit nuk duhet dhe nuk guxojnë gjithmonë të dëgjojnë të huajt, qofshin ata edhe miq të tyre. Ende nuk i kemi rënë në fije se çfarë ka menduar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur në Bruksel ka thënë se raportet e Kosovës me Serbinë janë “shumë më të mira sesa që fitohet përshtypja në opinion” dhe me çfarë qëllimesh e ka thënë një gjë të tillë. Natyrisht se janë qytetarët e Serbisë ata të cilët vendosin se kush do të jetë në krye të shtetit dhe të qeverisë së tyre. Po ashtu nuk munden vendet fqinje të ndërhyjnë në punët e brendshme të Serbisë. Por edhe miqve tanë ndërkombëtarë duhet bërë të ditur se janë fyese dhe lëndojnë ndjenjat e viktimave përpjekjet për rehabilitimin e Milosheviqit. Duke heshtur ndaj përpjekjeve të tilla vetëm i ndihmohet Serbisë që ajo të relativizojë përgjegjësinë e saj për krimet e bëra ndaj popujve të tjerë, e pastaj madje të paraqesë veten si viktimë e të tjerët si përgjegjës.

Sot në Serbi po keqpërdoret një mendim i Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në rastin kundër ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, se kinse “Slobodan Milosheviqi nuk ka qenë përgjegjës për krimet në Bosnjë- Hercegovinë”. Ky është një manipulim, sepse po i njëjti Tribunal ka dënuar për krimet në Kosovë liderët kryesorë politikë, ushtarakë e policorë të Serbisë, në krye të së cilëve ka qenë Slobodan Milosheviqi. Po të mos kishte vdekur në qelinë e paraburgimit të Tribunalit të Hagës, me siguri Milosheviqi do të shpallej fajtor për krimet në Kosovë, po ashtu sepse në procesin kundër tij janë nxjerrë shumë dëshmi. Po ashtu edhe Tribunali i Hagës nuk e kishte proceduar si duhet këtë rast duke i dhënë mundësi të akuzuarit kryesor që të zvarrisë procesin gjatë së cilit së pari kishte vdekur gjykatësi kryesor e pastaj edhe vetë i akuzuari.

Materialet e dëshmive për përgjegjësinë e Milosheviqit për krimet në Kosovë janë të shumta dhe ato mund të gjenden lehtë. Është problem tjetër se në Serbi as sot, sikur as edhe në 20 vjetët e shkuar, nuk ka pasur as interes e as gatishmëri që ato të merren parasysh. Nëse i lejohet Serbisë të vazhdojë me këtë sjellje, shumë shpejt do të vijë koha kur BE-ja do të duhej t’i kërkonte falje Serbisë për rolin që ka pasur në rrëzimin e regjimit të Milosheviqit. Por, pos BE-së edhe vendet e rajonit e kanë detyrë që të mos lejojnë të harrohen krimet e tij. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...