Mbi kapjen dhe korrupsionin

22 Gusht 2016 - 08:24 - Lumir Abdixhiku      

Një tregim mbi privilegjin e korruptimit, transformimin e korrupsionit e kapjes si normë shoqërore dhe martesën e paqëllimshme me ndërkombëtarët

-1-
Kapja dhe korrupsioni vazhdojnë të mbesin dy sëmundjet më kronike dhe më të kushtueshme të vendit tonë, në veçanti të ardhmërisë së fëmijëve tanë. Në këtë shkrim, do të provoj të rrumbullakoj tri shtyllat kryesore, që unë besoj se sot përbëjnë substancën e kapjes dhe korrupsionit. Nëpërmjet këtyre shtyllave do të provoj të shpërfaq në formë të përmbledhur natyrën, forcën dhe pasojat ekonomike e shoqërore të kapjes dhe korrupsionit.

-2-
Në shtyllën e parë – privilegjin e korruptimit – do të provoj të diskutoj mbi konsekuencat dhe interferencën e kapjes e korrupsionit në ciklin e bizneseve dhe se si kjo interferencë ndikon në jetën e një kosovari të ri, i cili në secilën përllogaritje del të jetë kryesisht i papunë.

Korrupsioni këndej nuk është i zgjeruar, është i fokusuar. Të mos keqkuptohemi, korrupsioni është me prezencë enorme, është i madh pra, por është i fokusuar. Një kosovar mesatar ka pak gjasë të hasë në praktika korruptive, le të themi me forcat policore në komunikacion, më mësues apo shërbyes civil të rendit të ulët. Do të jetë shumë e zakonshme që një pjesë e kosovarëve kanë dhënë pak ose fare mjete financiare për shërbime ditore. Por korrupsioni në Kosovë është i ndërlidhur me vendimet e mëdha, të politikave të mëdha, tek politikanët e mëdhenj. Pra është i ndërlidhur në a) prokurim publik dhe b) punësim publik. Zgjerimi i ndikimit të tyre natyrisht se është i madh, porse burimi i nisjes së tyre është i ngushtë.

Prokurimi publik, apo paraja që tenderohet nga qeveria, përbën sot një të pestën e vlerës së ekonomisë kosovare. Nga madhësia është njëri ndër faktorët më të mëdhenj ekonomikë, në mos faktori më i madh. Është pesë herë më i madh se investimet e jashtme direkte, është pesë herë më i madh se donacionet që Kosova merr çdo viet nga jashtë. Është më i madh se sa remitencat – apo paratë – që kosovarët marrin nga diaspora e tyre. Është 1 miliard euro në vit, çdo vit dhe është i korruptuar.

Prokurimi publik është burimi kryesor i trajtimit të pabarabartë të bizneseve, demotivues i secilës nismë ndërmarrëse në vend, shkatërrues i konkurrencës – rrjedhimisht shkaktar i papunësisë së të rinjve në vend. Shihni, sikur korrupsioni të ishte rregull i njëjtë për të gjithë, do të thoshte se bërja e gjërave këndej, përfshirë aktiviteteve biznesore, do të ishte më e kushtueshme – por më e kushtueshme për të gjithë. Secili, në fund të ditës, do të merrte trajtim të njëjtë, secili do të kishte fushë të njëjtë gare.

Këtu, megjithatë, kemi të bëjmë me “privilegjin e korruptimit”. Këtu, jo gjithkush mund të korruptojë. Ka pra një garë parakonkurruese mbi të drejtën e korruptimit. Ata që përfitojnë këtë privilegj konsiderohen me fat. Ata marrin të drejtën e shfrytëzimit të xhepit prej 1 miliard eurove në vit.

Dhe mu për shkak të këtij fakti, një cikël disfunksional i produktivitetit dhe punësimit fillon. Shihni, një biznes normal, një biznes në pronësi të familjes apo një ndërmarrës i rëndomtë, ka një logjikë biznesore shumë të thjeshtë. Do të shesë, do t’i rrisë të ardhurat, do të bëj fitim, do të riinvestojë këtë fitim në biznes dhe do të shtojë fuqinë punëtore për t’iu përgjigjur investimit të ri. Në gjithë këtë rrjedhë përfitojnë të gjithë. Një euro e shpenzuar nga qeveria do t’i prekte të gjithë. Ndërmarrësit, duke ja rritur vlerën e biznesit, shoqërisë duke ia ulur papunësinë.

Në një botë ku dominon “privilegji i korruptimit” gjërat nuk ndjekin një cikël të tillë. Bizneset e privilegjuara nuk ndjekin këtë logjikë. Ata e dinë se dritarja e mundësive të tyre, të marrjes së punëve nga qeveria pra, është e kufizuar – është pra e hapur për një kohë shumë të shkurtër. Për t’iu përgjigjur kësaj periudhe të shkurtër ata shkurtojnë dy fazat e fundit të operimit. Pra, nuk riinvestojnë dhe nuk punësojnë. Për ta, e mjaftueshme mbetet rritja e shitjeve dhe gjenerimi i fitimit – për aq kohë sa mbetet dritarja e hapur – duke ditur gjithnjë se në mbylljen e parë të saj, janë bizneset e reja që i zëvendësojnë ato.

Një sjellje e tillë perverse e bizneseve ka bërë që kosovarët të mos marrin vlerë për paranë e shpenzuar. Por mbi të gjitha, kanë bërë lindjen e një cikli të përçuditshëm biznesor ku fati i bizneseve ndërlidhet me fatet e qeverive. Kështu, bizneset më të mëdha në vend kanë cikël ekspansionist të ndërlidhur me ciklet zgjedhore e të prezencës së qeverive. Mbi të gjitha, kanë numër qesharak të të punësuarve për qarkullimin (tërësisht nga prokurimi publik pra) që këta bëjnë.

 

-3-
Në shtyllën e dytë – korrupsioni është normalja e re – do të provoj të diskutoj mbi transformimin e së keqes në normë shoqërore, në diçka të pranueshme e tolerueshme nga të gjithë. Pra, në njërën anë nga organizimet politike e partiake, e në anën tjetër nga shoqëria në tërësi.

Partitë politike, në masë të madhe, nuk bëjnë konkurrencë mbi luftën ndaj korrupsionit, por bëjnë konkurrencë mbi luftën për korrupsion. Përfitimet e kapjes dhe korrupsionit, të standardizuara e formësuara mirë, shërbejnë për këto parti si karrem i tërheqjes së mbështetësve e votuesve. Për partitë, plaçka përfundimtare e bollshme, është material promovues i marrjes së mbështetjes. Për votuesit e mbështetësit, ndërsa, partitë politike janë baste që – në rast të qëllimit – japin rendiment të përfitimit personal.

Ky cikël, ç’është e vërteta, tashmë është i formësuar mirë. Edhe në mes të votuesve individualë që për një vend pune të poseduar vazhdojnë votimin e kapjes; edhe në mes të atyre që për një vend pune të premtuar kërkojnë vazhdimin e kapjes – nga akterë të rinj. Kapja, gjithsesi, në të dyja rastet është qëllimi. Ata që janë më të zot të grupohen. E bëjnë këtë për të rritur pazar. Prandaj ke sot grupe degësh e anëtarësish që ndryshojnë parti politike në grup. Sepse është punë pazari e rritjeje çmimi, është punë premtimi për përfitim. Dhe kjo kulturë partiake, në masë të madhe pra, është bërë e zakonshme. Sot, një parti politike e ka vështirë të fitojë po nuk ofroi në paketën e tërheqjes shpërblime si të kapësve ekzistentë.

Në një pikë, përfituesit e sistemit krijojnë një shumicë të thjeshtë. Dhe është kjo shumicë e thjeshtë që shpërfaqet si shkatërruese për shoqërinë. Pra, praktikisht, në një sistem ku vota është e ndarë, kushdo që siguron primatin – vendin e parë pra – pavarësisht madhësisë së këtij primati, merr të drejtën e përfitimeve të bollshme. Siguron përfitim pra në tenderët publikë, pagat publike e privilegjet publike. Në Kosovë, ky primat është treguar të jetë në jo më shumë se një të tretën e votave. E një e treta e votave është fare e lehtë për t’u mbajtur në sistem. Në të vërtetë, është një e treta në Kosovë që mbahet në sistem tash e sa kohë.

Por ndoshta, dëmi më i madh nuk është krijuar në transformimin e korrupsionit si normë shoqërore brenda partive politike. Dëmi më i madh është krijuar në pareaksionin e qytetarëve dhe pranimin e korrupsionit nga ta si normë shoqërore.

Ne jemi në mes të shpërthimit të skandalit më të madh të përgjimeve telefonike në vend. Siç dhe kam argumentuar më parë, ky skandal tregon përmasën shkatërruese të korrupsionit dhe kapjes së shtetit tek ne. Skandali tregon se të gjitha pozitat publike, filluar nga prokurorët publik, gjykatësit e shkallës së parë e deri tek ata të apeleve, pozitat në polici, hetuesi, në ndërmarrje publike – sërish nga kryeshefat e deri te rojtarët e godinave, pozitat e tjera në agjenci, komisione, universitete, shkolla e trupa të pavarura, që të gjitha janë pjesë e një organizimi parapolitik e parinstitucional që vepron drejt kapjes së shtetit. Në këtë organizim parainstitucional janë të përfshira figurat kryesore politike në vend. Dhe sërish, kur sekreti publik faktohet, shoqëria jonë vazhdon të heshtë e të mos reagojë. Një i ri apo e re, dëgjon se secili përfitim publik është i parapërcaktuar, dhe kupton se në bisedat si këto vidhet ardhmëria e tij, e rrethit e vendit të tij, dhe sërish nuk reagon – tregon, në masë të madhe, derexhenë e shoqërisë sonë.

-4-
Në shtyllë e fundit – martesa me komunitetin ndërkombëtar – do të provoj të elaboroj një bashkëjetesë të paqëllimshme por ekzistente në mes të ndërkombëtarëve dhe klasës kapëse e korruptive në vend. Them e paqëllimshme, sepse do të ishte absurde e tërësisht jokorrekte të injorohen thirrjet e ndërkombëtarëve për luftë ndaj korrupsionit. Vetëm ambasadori i SHBA-së në muajt e fundit ka bërë thirrje e mbështetje për luftë kundër korrupsionit më shumë se sa secili institucion tjetër në vend. Në të vërtetë, është vetëm falë kërkesës së tij për hetime ndaj “Pronto II” që u aktivizua kryeprokurori i shtetit pas konferencës së parë tërësisht amortizuese. Pra, pa një prezencë ndërkombëtare, gjërat do të ishin shumë më keq.

Por përtej qëllimeve e prezencës në fjalë, ka dhe një anë tjetër që shfrytëzohet për së mbrapshti. Ka pra, një keqshfrytëzim të relacioneve zyrtare për popullizëm publik e mbështetje publike. Për të qenë i qartë, korrupsioni në Kosovë para se të jetë punë e ndërkombëtarëve është punë jona, e shoqërisë sonë. Por hierarkia e reagimeve nuk duhet t’i kursejë të tjerët në listë.

Shihni, për komunitetin ndërkombëtar, në listën e prioriteteve mbi Kosovën dhe regjionin, gjendet stabiliteti politik. Gjëja e fundit që komuniteti i jashtëm do të donte sërish të ndodhte në Kosovë e Ballkan është zjarri i viteve ‘90 që kishte ngjarë këndej. Dhe në këtë ndjekje të prioriteteve të tyre, ata në masë të madhe, kanë zgjedhur të bëjnë tregti me, siç i quajnë ata “delivery guys”. Pra me individë e grupe që sigurojnë këtë stabilitet.

Ndodh, megjithatë, që këta individë që sigurojnë stabilitet, janë të njëjtët që kërcënojnë me stabilitet – apo dhe, në paqëllimshmërinë e tyre për destabilitet, me politikat e tyre të kapjes krijojnë këtë destabilitet. Pra jostabiliteti i tyre, i qëllimshëm, është përdorur nga të njëjtët si formë kërcënuese për të mbetur në pushtet. Dhe këtu ndodh kurthi i mbajtjes së tyre. Për të siguruar një stabilitet rajonal, këta marrin të drejtën e kapjes që kishte ndodhur para të gjitha misioneve ndërkombëtare në vend.

E shtatëmbëdhjetë vjet më pas, ne dëgjojmë nga ndërkombëtarët se “secili popull meriton qeverinë që ka”. Fillimisht, e kam të vështirë të pajtohem me një thënie të tillë. Personalisht mendoj se amerikanët s’e meritojnë Donald Trumpin, e as britanikët Boris Johnson. Në të vërtetë, as ne nuk i meritojmë këta.

Dhe në përpjekjen e vogël të një mase kritike për të transformuar këtë shoqëri, e për të sjellë një qeverisje që meritohet njëmend nga Kosova e Majlindës, Ritës, e Dua Lipës, martesa e paqëllimshme me komunitetin ndërkombëtar po bëhet e dëmshme. Është jashtëzakonisht e dëmshme për luftën ndaj kapjes, një fotografi a takim me politikanët më të lartë nëpër botë. E njëjta fotografi e i njëjti takim transformohen këndej, në mos në përkrahje, në mosreagueshmëri e amortizim.

E vërtetë që institucionet e jashtme takojnë të deleguarit e qytetarëve, por është aq e vërtetë se ky delegim nuk ka për të ndryshuar përderisa nuk ndryshojmë ciklin e tanishëm. Prandaj, është esenciale që ndërkombëtarët të dalin me emra konkretë, të individëve që kanë kapur shtetin, me të cilët do të refuzojnë bashkëpunim. Në mos qofshin këta më të lartët institucionalistë, do të jenë më të fuqishmit në ciklin e zinxhirit politik të të mëdhenjve. Dobësimi i këtyre lidhjeve forcon transformimin njëmendtë të Republikës.

abdixhiku@facebook.com
 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...