Majlinda për kryetare

16 Gusht 2016 - 07:53 - Flaka Surroi      

Mbase ka ardhur koha që njerëzit sikur Majlinda të merren me politikë. Madje ta zgjedhim kryetare me vota të popullit. Ajo e dëshmoi se gjërat arrihen me punë, vullnet e me mund, pa mashtrime e pa vjedhje. Ajo sigurt nuk do të na turpëronte kurrë

Mbase dikujt nuk do t’i kujtohet data e saktë, porse tashmë brenda analeve të historisë së sportit do të shënohet se Majlinda Kelmendi, nga Republika e Kosovës, u stolis me medaljen e artë në Olimpiadën e Rio de Janeiros 2016.

E përgatitur fizikisht e në veçanti psikikisht për ta përballuar presionin e favorites në kategorinë e saj, Majlinda nisi furishëm shtegtimin drejt medaljes: për 25 sekonda e çoi në shtëpi garuesen zvicerane. Përballja e dytë ia dha kënaqësinë e revanshit për disfatën e pësuar në Londër katër vjet më parë, kurse e treta, kur mposhti shumëmedalisten japoneze, ia dha sigurinë e duhur për të garuar me mend dhe taktikë në finale.

Lotët që i rrodhën menjëherë pas fitores ishin, besoj, të gëzimit dhe të çlirimit njëkohësisht. Të çlirimit nga gjithë ajo barrë që ia kishim ngarkuar: që të na e bënte realitet një ëndërr; që të intonohej himni dhe të ngrihej flamuri i Republikës në ngjarjen më të madhe sportive në botë. Aty nga shikojnë sytë e gjithë rruzullit. Të gëzimit, për shkak se pas aq shumë vjet sakrificash, mundi, përpjekjeje e përkushtimi, shpërbleu veten, trajnerin e saj dhe të gjithë neve. Madje edhe ata që në euforinë e gëzimit u çuan ta kritikojnë si “pamjaftueshëm patriote”.

Majlinda fitoi vëmendjen e gjithë botës e falë saj, Kosova për herë të parë pas sa vjetësh, u rikthye në Google search dhe në të gjitha lajmet e agjencive dhe mediave botërore me një lajm të mirë, të bukur: për kampionen që kishte refuzuar milionat e shteteve të tjera, për të garuar me flamurin shtetëror, dhe për t’ua dedikuar medaljen të gjithë shqiptarëve pa dallim ku jetojnë.

Garat e saj i përcollën një kiamet zyrtarësh politikë e sportivë madje edhe të federatave që nuk marrin pjesë në Olimpiadë. Shkuan edhe ministri i Bujqësisë e edhe djali i kryetarit, për të cilët u tha se nuk ishin shpenzuar mjetet e buxhetit për të shkuar atje. Por askujt nuk i ra ndër mend që prindërve të Majlindës t’ua mundësonte që të ishin dëshmitarë të arritjes së saj në majë të Olimpit figurativ. Për më keq, as Ministrisë së Kulturës e Sportit e as komunave të Prishtinës e Pejës nuk u kishte rënë ndër mend që ta vendosnin nga një ekran të madh në sheshet e tyre për ta përcjellë Majlindën. Fundja për t’i shpërthyer ato fishekzjarrë të dreqit që ndizen madje edhe për dasma syneti. Do të ishte mirë që nesër kur të arrijë, të përmirësohet ky gabim trashanik – sepse Kosova kurrë nuk ka përjetuar fitore më të madhe sesa ishte kjo e Majlindës në Rio.

Ia kemi një borxh të madh.

Vëllazëria Pronto

Atyre që nuk u kemi borxh asgjë, por përkundrazi, prej të cilëve duhet kërkuar përgjegjësi, janë të gjithë aktorët e aferës Pronto. Neveritëse është mënyra e komunikimit e atyre që e kanë marrë mbi vete të drejtën për të menaxhuar me jetët tona në interes tyrin.

Punësime kushërinjsh, grash, dajallarësh, miqsh e militantësh nëpër pozicione fort të rëndësishme nëpër institucione e agjenci të “pavarura” – krejt këto janë rrëfime të përditshmërisë sonë. Janë realiteti të cilin e jetojmë që nga koha kur kjo kastë njerëzish e zbuloi se çfarë është pushteti dhe për çfarë shërben ai. Për pasurimin e tyre.

Janë rrëfime për një grup keqbërësish të cilëve duhet pranuar aftësinë për të krijuar rrjetin e merimangës në të cilin do ta zënë në grackë këdo që e identifikojnë si dikë që do të mund t’u shërbente në një moment të caktuar. Për krime të këtij lloji nevojitet truri, madje inteligjenca, do të mundë të thuhej. Por mbi të gjitha, duhet mos pasur skrupuj dhe duhet pasur urrejtje për shtetin që është shtëpi e të gjithëve. Sistemi me të cilin kanë punuar ka qenë i thjeshtë: gjeje këdo që tregon se parimet i ka formë e jo përmbajtje; ofroja një vend të punës; ofroja mundësinë për të vjedhur me garancinë se nuk do të kapet; bëje deputet dhe në çastin kur të vyen vota, nxjerrja letrat dhe kërcënoju se mund ta çosh në burg kurdo dhe për çka do. Të njëjtën taktikë zbatoje edhe te ata më të vegjlit nëpër ministri – le të vjedhin pak për vete, e më shumë për ty. Dhe në rastin kur, prej çmendurisë i zgjohet ndërgjegjja, nuk do të jetë në gjendje të dëshmojë asgjë, sepse krejt letrat e inkriminojnë atë.

Duke e kthyer filmin prapa, aq më neveritëse tingëllojnë krejt deklaratat e zyrtarëve kosovarë sa herë që flitej për korrupsionin dhe nepotizmin. Thoshin, “korrupsioni në Kosovë është perceptim”. Po, perceptim janë telefonatat; perceptim janë falsifikimet e dokumenteve kadastrale; perceptim janë vrasjet e komandantëve nga komandantët për kontroll tokash e asetesh; perceptim janë shtëpitë e shtrenjta të zyrtarëve shtetërorë që kur kanë hyrë në luftë s’e kanë pasur asnjë qindarkë në xhep; perceptim është luksi në të cilin jetojnë...

E për gjithë këtë që na ndodh, pos që kemi faj vetë që e tolerojmë, shumë faj na kanë diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë. Kontakti i tyre i përditshëm me ta gjithmonë ua ka dhënë alibinë para publikut, i cili nuk di të mendojë vetë por më shumë i beson një deklarate të një ambasadori, sepse “ai nuk flet në emër të vetin, por me instruksione nga ministria e vet”. Ua kanë dhënë “argumentin” se ata janë njerëzit që i përkrah bashkësia ndërkombëtare. Ani që vjedhin nga pak, por janë të dëgjueshëm.

Reagimi qytetar jo vetëm ndaj aferës, por edhe jetës së keqe që e jetojmë në Kosovë, është zhgënjyes. Thuajse njerëzit janë në pritje që këta do të japin dorëheqje në masë. Po pse të japin dorëheqjen, kur një popull i tërë tregohet i pavullnetshëm për t’ua kërkuar dhe i pafuqishëm për ta realizuar atë. Një grusht njerëzish dalin për të protestuar, por që në mungesë të një lideri karizmatik që do ta udhëhiqte masën me përgjegjësi, përpiqen që me sarkazëm të tregojnë se nuk pajtohen me hajnat në pushtet. Javën e shkuar gjatë protestës, doli posteri i Adem Grabovcit të veshur në stilin e Ledrit dhe teksti në vijim:

Shtinëm ku dush
Ku t’vjen ma leht
Ku t’vjen ma leht
Shtinëm ku dush
Ndaq shtinum n’bord
Ndaq bonum shef

Shënim për kryeprokurorin: ky tekst është përmbledhja më sintetike e të gjitha përgjimeve që janë dëgjuar deri tash.

Mustafa i verbër

Në kontekstin e gjithë kësaj që po ndodh, është e pabesueshme moslëkundja e Isa Mustafës si shef i partisë së vet dhe i Qeverisë, në raport me partnerin e vet qeveritar – bartësin kryesor të keqqeverisjes, keqpërdorimeve dhe korrupsionit në nivel qendror. Fakti se as ai as Partia e tij nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme për përgjimet tregon shumë. Tregon për amnistinë e krimit; për më tepër tregon për bashkëpjesëmarrje në krim: për shkak se koalicioni i lidhur me PDK-në, e mban në krye të Kuvendit, njeriun që me vite e ka udhëhequr SHIK-un; e mban shef të grupit parlamentar shefin e shefave të punësimeve patriotike dhe mbi të gjitha e mban kryetar shteti njeriun që është fajtori kryesor për nëpërkëmbjen e Kosovës.

Për më tepër, me verbëri të pashpjegueshme, merr mbi vete obligimet e dëmshme ndërkombëtare që ky njeri i ka nënshkruar në kohën derisa ka qenë kryeministër e ministër i Jashtëm, aq sa është në gjendje të lejojë shpërthimin e trazirave masive, para se të ulet e të bisedojë me ata që mendojnë ndryshe. Për më tepër, është në gjendje t’i eliminojë politikisht krejt anëtarët e partisë së tij që e shprehin mendimin e kundërt me të, nëpërmjet komunikatave të “presidiumit dhe plenumit partiak”, sikur të bëhej fjalë për diferencimin ideopolitik të viteve ’80. Është në gjendje të shajë e të ofendojë këdo që ia merr mendja dhe më pas të dalë e të shprehet i ofenduar kur dikush e përdor gjuhën e njëjtë ndaj tij. Duke harruar njëkohësisht se nivelin e debatit e ka qitur vetë përtokë – mbase duke menduar se edhe ai, sikurse pararendësi i tij, është i paprekshëm.

Pas tetë muaj refuzimi, e bashkorganizoi “debatin shkencor”. Kur doli se palët nuk e bindën njëra-tjetrën, organizoi konferencë të veçantë me qëllimin që ta fuste në rend dite në Kuvend çështjen e ratifikimit. Kur e kuptoi se nuk i ka votat e nevojshme, atëherë e shtyu ngjarjen për 1 shtator, duke premtuar se do të dalë sërish të na e shpjegojë se ajo që është nënshkruar është tamam, dhe se njerëzit nuk kanë pse ankohen a frikësohen. Do të jenë dy javë e fiu kohë në të cilën do të bëhet lufta speciale kundër atyre që hamenden rreth këtij votimi, dhe ku do të përdoren të gjitha mjetet për ta “bindur” popullin. Siç ishte deklarata e Mehës në konferencë për shtyp kur shpjegoi se regjistrat kadastralë janë të vetmit relevantë me të cilët duhet të shënohet kufiri: “Keni për të parë ku ka për të na hyrë Serbia nëse nuk respektohen regjistrat kadastralë”.

Por Meha harroi të tregonte një detaj – që ai dhe Fjolla Tahiri kanë nënshkruar një dokument në Bruksel sipas të cilit librat origjinalë kadastralë mbesin në Serbi, kurse ne mjaftohemi me dokumentet e skanuara. Për ne që jetojmë në kohën e bumit teknologjik, nuk na vyen shumë mend për të kuptuar se dokumentet që përpunohem me kompjuterë mund të modifikohen si të dojë ai që i mban origjinalet në duar. Kush është ai pra, mes këtyre dyve dhe të tjerëve që kanë qitur nënshkrime në këso “marrëveshje”, që do të garantojë saktësinë e këtyre dokumenteve? Kush do të jetë në gjendje të garantojë se kufiri me Serbinë nuk do të na i hajë edhe kush e di sa mijëra hektarë tokë?

Do të ishte mirë që demarkacioni të mos kalojë derisa nuk hiqen të gjitha dilemat rreth Marrëveshjes, sepse njëherë e votuar, vështirë se mund të ndërrohet. Dhe këtu fare nuk është me rëndësi as liberalizimi i vizave, e as fakti që Mali i Zi ka qenë ndër shtetet e para që na ka njohur. Me rëndësi është shteti, të cilin vetë jemi duke e lejuar të shkatërrohet nën tutelën e Vëllazërisë Pronto dhe shpëtimtarëve të tyre politikë, LDK-së.

* * *

Kosova krenohet me Majlindën dhe të gjitha medaljet që i ka fituar në të gjitha garat ku ka marrë pjesë. E i ka fituar të gjitha, duke iu falënderuar trajnerit të saj, që shtëpinë e vet e ka shndërruar në sallë të trajnimeve dhe shkollë të xhudos. Ndërtesë e cila ka mundur lehtë të ndërtohet, pajiset e mirëmbahet me ato 5 milionë euro gjobë dhe 1,4 milionë eurot e vjedhura në skandalin e pasaportave. Madje, edhe do të tepronin paratë për të ndërtuar edhe ndonjë sallë tjetër për Filarmoninë e shkretë që ende punon aty ku dikur ka qenë foshnjorja të cilën e kam vijuar unë para 50 vjetësh.

Mbase ka ardhur koha që njerëzit sikur Majlinda të merren me politikë. Madje ta zgjedhim kryetare me vota të popullit. Ajo e dëshmoi se gjërat arrihen me punë, vullnet e me mund, pa mashtrime e pa vjedhje. Ajo sigurt nuk do të na turpëronte kurrë.

flaka@koha.net

 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...