Heronjtë e Republikës

15 Gusht 2016 - 08:24 - Lumir Abdixhiku      

Përtej secilës llogaritje të sëmurë partiake e politike këndej, përtej secilës nevojë perverse për të sharë e ofenduar përfaqësimin tonë prej Republike, ka vajza e djem, më të mirët nga ne, që do të bëjnë diçka që kapësit në pushtet, llafazanët turbofolk e fashistët fqinj, s’kanë për të imagjinuar e mundur asnjëherë – do t’i japin këtij shteti, të pavarur, dinjitet

-1-

Në kohën e shpërfaqjes së anës së errët të kastës parapolitike, që ka kapur secilën pjesë të publikes këndej, në kohën e apatisë qytetare për reagueshmëri të çfarëdollojshme, në kohën e zymtësisë së përballjeve të gërditshme e kokëngrirëse të partive politike kosovare, Majlinda Kelmendi i dha këtij vendi - dinjitet, atë çfarë asnjëri nga këta nuk kishte bërë më parë.

Jehona e fitores së Majlindës, ishte, me siguri, përtej secilit parashikim që dikush mund të kishte bërë këndej. Sepse, në natën e parë të fitores, mediat botërore kishin nisur të shpërfaqnin fotografinë e suksesit të një vendi të vogël, i cili, nëpërmjet një sportisteje të vetme, kundrejt të gjitha gjasave, kishte marrë medalje olimpike në pjesëmarrjen e tij të parë. Fjala “Kosovë” ishte ndër më të përmendurat në rrjetet sociale atë natë. Një imazh i shkëlqyeshëm që po ekon edhe sot.

Ishte pjesëmarrja e parë çfarë kishte bërë Kosovën të jetë në qendër të vëmendjes së këtij edicioni qysh në fillim. Parakalimi, madje, i sportistëve kosovarë në ceremoninë hapëse ishte përcjellë me fokus të ndarë nga të tjerët. Kishte, pra, një shenjë solidariteti ndaj një vendi që, për shumë kë, i bëhej e padrejtë. Dhe në ditën e parë të heqjes së kësaj padrejtësie, Kosova kishte shpërthyer shpejt, me medalje të partë. Është vërtet, siç dhe e kishin quajtur shumë, tregim përrallor.

-2-

Suksesi i Majlindës, dhe shtetit të Kosovës, natyrisht, kishte ngjallur një ndjenjë shpërthyese ndaj identitetit të Republikës. Besoj se janë të shumtë kosovarë që kanë ndier me zemër e lot – siç dhe ndjeva unë – momentin e ngritjes së flamurit e intonimit të himnit. Të të njëjtëve që këndej shpërfillen jo pak nga llafazanë politikë e eurokrem patriotë.

Shihni, përtej diskutimeve mbi mënyrën e përcaktimit të simboleve, ishte substanca e tregimit të tyre që jepte atë natë emocion. Dhe substanca e këtij tregimi nuk kishte vetëm një kapitull, atë të fundit, të dukjes së tyre. Substanca tejkalonte, natyrisht, aktin përfundimtar, e stërtejkalonte madje. Sepse, momenti i ngritjes nuk ndërlidhej me proces dizajnimi flamujsh, as me bukurinë e simbolit, por ndërlidhej me përpjekjen e Kosovës, e gjeneratave të tëra, të familjeve, pleqve, burrave e grave kosovare për të pasur liri dhe shtet. për të qenë me shtëpi tonën siç jemi sot. Kjo shtëpi është natyrisht larg nga çfarë e kemi menduar, por ajo megjithatë mbetet shtëpi jona. S’do të bëhet më e mirë po e përlyem atë.

Dhe shtëpi jona, ky shtet yni pra, i përpjekjeve të mësuesve, bujqve, mjekëve, punëtorëve të krahut, gazetarëve, intelektualëve e luftëtarëve pra, po ngrihej atë natë nga Majlinda triumfalisht. Në atë qetësi e këndshmëri intonuese të tingujve që identifikojnë çfarëdo që kemi mbërritur sot, neve na shfaqej në pak sekonda i gjithë rrugëtimi ynë shoqëror.

Këtë ndjenjë s’kanë sesi ta kuptojnë folk-nacionalistët tanë, e as ardhacakët e llafazanët trushpëlarës nga Tirana. Nuk e kapin dot. Nuk e kapin dot përpjekjen e një familjeje mesatare nga Kosova, që përtej skamjes e frikës së pushtimit ndërton ëndrrën për pavarësi e shtet – për liri. Dhe ky rrugëtim i tyre, atë natë, u shpërfaqej kosovarëve shpejt, në pak sekonda, nëpërmjet një flamuri dhe një himni. Ishte gëzim që meritonin gjithherë.

-3-

Idiotët llafazanë e turbofolk nuk e kuptojnë dot se identiteti i Republikës së Kosovës është po aq shqiptar sa gjithçka shqiptare sot. Këta idiotë vënë dilema të përzgjedhjes në mes të “kosovarizmit” dhe “shqiptarizmit”, në mes të flamurit të Republikës dhe atij kombëtar. E bëjnë përballjen si zgjedhore e jo komplementare. Thuajse Kosova nuk është e shqiptarëve, se shqiptarët e Kosovës që jetojnë në një shtet e organizmi të ndarë politik nga shqiptarë të Shqipërisë janë më pak shqiptarë. Çfarë idiotizmi i pashoq. Idiotët kështu e shohin këtë punë, pak nga padituria, shumë nga kompleksi për protagonizëm. Çfarë idiotët mendojnë ka pak rëndësi. Do të zhbëhen ngadalë me secilin triumf të më të mirëve të Republikës. Janë të humbur.

Çfarë s’po zhbëhet është kapja e korruptuesve, që secilin sukses tonin jashtë, e minusojnë brenda me skandale, regres e imazh tmerrues të vendit tonë. Sukseset e Majlindës, të sportistëve të tjerë, të artistëve, shkencëtarëve e individëve të tjerë, do të duhej të ishin standard i zakonshëm. Nëse asgjë tjetër, Kosova ka treguar potencial të jashtëzakonshëm që për kokë banori të prodhojë suksese, që krahasohen me pak kë. Në sport, pra, po japim futbollistë, xhudistë e basketbollistë të niveleve triumfuese, në kinematografi kemi arritur në “Oscar”, në muzikë, ndërsa, po renditemi – në vazhdimësi madje – me talentet më të spikatura të kohës. Këto s’janë pak. Një vend i vogël si ky yni po i jep botës sport, art e kulturë.

Triumfet e tyre, pra, do të duhej të ishin pjesë e zakonshme jona. Por s’janë. Në vend të krijimit të pasuesve të tyre ne po krijojmë kapës që punësohen nga partia në gjyqësi, prokurori, polici, mësimdhënie, universitet e shëndetësi. Po krijojmë analfabetë e injorantë me përgjegjësi.

-4-

Zhbërja e samëparme e kapësve do t’i hapë rrugë forcimit e lartësimit ndërkombëtar të shtetit të panjohur të Kosovës. Do t’i jepte shanse krijimit të një identiteti shqiptar nga Kosova, i cili, deshën apo s’deshën kapësit, llafazanët idiotë e fashistët në Serbi, do të ketë sukses, s’ka për të rënë.

Sepse, përtej secilës llogaritje të sëmurë partiake e politike këndej, përtej secilës nevojë perverse për të sharë e ofenduar përfaqësimin tonë prej Republike, ka vajza e djem, më të mirët nga ne, që do të bëjnë diçka që kapësit në pushtet, llafazanët turbofolk e fashistët fqinj, s’kanë për të imagjinuar e mundur asnjëherë – do t’i japin këtij shteti dinjitet.

Këto vajza e djem, më të mirët të Republikës, do t’i tregojnë secilit turbofolk, kapës e hajn se çfarë do të thotë të duash a bësh për atdheun. Do t’i tregojnë botës - dhe neve - anën tjetër të Kosovës, atë të ndritshmen, më të mirën, atë që do të triumfojë këndej herët apo vonë. Do t’u tregojnë fëmijëve tanë modelin e patriotëve modernë, e prindërve tanë se sakrifica e tyre për shtet e dinjitet ja ka vlejtur. Në fjalë të Majlindës, do t’i tregojnë secilit se është nder e privilegj, siç e kishte thënë kampionia vetë “të ngritësh flamurin e himnin e Republikës” nëpër botë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...