Gjermania jep shembull: Vrasjet me motive politike kurrë nuk falen

10 Gusht 2016 - 08:16 - Augustin Palokaj      

Dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata në Munich i dy ish-zyrtarëve të UDB-së jugosllave, nga Kroacia, për vrasjen e një disidenti kroat, dëshmojnë edhe një herë se asnjë arsye, asnjë rrethanë nuk vlen për të falur ata që kanë vrarë me motive dhe vendime politike. Edhe fakti se dy të dënuarit vrasës UDB-ashë vërtet kanë luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e Kroacisë si shtet, në ndihmën në armatim dhe mbrojtje të vendit, nuk i ka amnistuar ata nga dënimi i merituar. Do të ishte mirë sikur rasti Perkoviq dhe Mustaq të ndihmojë në zbardhjen e vrasjeve edhe të disidentëve shqiptarë në Gjermani. Por, po ashtu që të zbardhen edhe të gjitha vrasjet me motive politike, që nga ish-Jugosllavia e deri në kohën e sotme në Kosovë.

Ishte episodi më i turpshëm në historinë e Kroacisë që nga dita kur u bë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Fjala është për veprimin e Qeverisë së Kroacisë, presidentit të atëhershëm dhe Parlamentit, kur vetëm tri ditë para hyrjes në BE ndryshuan Ligjin për zbatimin e urdhërarrestit evropian. Ligji për zbatimin e këtij ligji të BE-së ishte miratuar në vitin 2010. Sipas kësaj direktive të BE-së, shtetet anëtare janë të obliguara t’i arrestojnë dhe t’ua dorëzojnë vendeve të tjera personat që kërkohen, dhe nuk mund të mohohen kërkesat për arrestim dhe ekstradim duke u mbështetur në ligjet vendore që ndalojnë ekstradimin e shtetasve në shtetet e tjera.

Thjesht, për shtetet e BE-së nuk duhet të jenë shtete të huaja shtetet e tjera. Dhe pikërisht duke besuar në sinqeritetin e Kroacisë që të zbatojë këtë detyrim, Gjermania kishte pranuar mbylljen e negociatave të anëtarësimit dhe kishte ratifikuar Traktatin e anëtarësimit, madje duke qenë vendi i fundit i BE-së që bëri këtë.

Gjermania për disa vjet kërkonte nga Kroacia që t’ia dorëzonte Josip Perkoviqin, dikur një prej njerëzve kryesorë të Sigurimit të Shtetit në Kroaci gjatë kohës së komunizmit. Gjermanët donin ta merrnin së pari në pyetje, dhe nëse do të kishte dëshmi të mjaftueshme edhe ta akuzonin atë për vrasjen e Stjepan Gjurkoviqit, një ish-drejtor i kompanisë së naftës INA, që kishte emigruar në Gjermani, të cilin UDB-ja e kishte vrarë në një garazh në Bavari në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Kroacia nuk e kishte arrestuar Perkoviqin.

Ai, sikur edhe shumë UDB-ashë të tjerë, duke parashikuar mirë se çfarë mund të ndodhë, ishte rreshtuar ndër të parët me Franjo Tugjmanin në krijimin e shtetit dhe në çlirimin e Kroacisë. Ata krijuan edhe shërbimet e para të zbulimit, siguruan përmes lidhjeve të tyre armatimin, përgjuan armikun serb. Dhe, vërtet dhanë një kontribut të pamohuar dhe u dëshmuan si atdhetarë të vërtetë. Por në Gjermani kërkoheshin për një vrasje të rëndë. Prandaj edhe u fitua përshtypja se Kroacia, pa marrë parasysh se kush është në pushtet në momentin e caktuar, nuk do t’i dorëzojë ata, pasi që i konsideron si mbrojtës të interesave kombëtare.

Dhe kështu kjo çështje, pos që u bë shkas i ndasive ideologjike në Kroaci, shkaktoi edhe probleme në raportet e Kroacisë me Gjermaninë, njëri prej aleatëve më të mëdhenj të saj. Gjermania në fund vlerësoi se me anëtarësimin e Kroacisë në BE ky problem do të zgjidhet vetvetiu, sepse Kroacia, duke zbatuar urdhërarrestin evropian, do t’i arrestojë dhe dorëzojë ata që i kërkon Gjykata e Munichut.

Por Kroacia ndryshoi ligjin duke vënë si pengesë për ekstradim nëse rasti për të cilin akuzoheshin personat kishte ndodhur para vitit 2002, kur edhe ishte miratuar vendimi në BE për fletarrestin evropian. Kroacia pohonte se me këtë dëshironte të siguronte trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve të BE-së, sepse, nëse për shtetet e tjera vlen kufizimi i tillë, duhet të vlejë edhe për Kroacinë. Por Kroacia kishte pranuar të hynte në BE me ato kushte dhe e dinte se nuk mund të kërkonte heqje retroaktive të obligimeve ndaj rregullave të BE-së në këtë fushë. Prandaj edhe besohej se tërë këtë Kroacia e kishte bërë për të evituar ekstradimin në Gjermani të Perkoviqit, ish-agjent i UDB-së dhe ish-bashkëpunëtor i Franjo Tugjmanit dhe ish-zyrtar i lartë i Kroacisë në kohën kur ky shtet fitoi lirinë dhe pavarësinë.

Kjo u kuptua si një lloj tradhtie jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga BE-ja. Besohet se pikërisht për këtë arsye kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk erdhi më 1 korrik të vitit 2013 në festën e anëtarësimit të Kroacisë në BE. Kroacia nga disa zyrtarë të BE-së u akuzua se “po mbron vrasësit e regjimit komunistë”.
Por shpejt Kroacia u bind se nuk ka miq në BE që do ta mbështesnin në një veprim të tillë, kur edhe opinioni në Kroaci donte që Perkoviq të ekstradohej në Gjermani, në mënyrë që të kuptohej e vërteta e mënyrës së veprimit të regjimit komunist, kur Komisioni Evropian nisi procedurën për dënimin e Kroacisë në formën e ndaljes së disa fondeve të BE-së, Zagrebi u bind dhe ndryshoi ligjin përsëri, duke e bëri në përputhje të plotë me atë që kërkoi BE-ja.

Si pasojë Perkoviqi dhe Mustaqi u arrestuan dhe u ekstraduan dhe pas afro dy vjet procesi nga Gjykata në Munich u dënuan me burgim të përjetshëm për planifikim dhe pjesëmarrje në vrasje me motive politike.

Dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata në Munich i dy ish-zyrtarëve të UDB-së jugosllave, nga Kroacia, për vrasjen e një disidenti kroat, dëshmoi edhe një herë se asnjë arsye, asnjë rrethanë nuk vlen për të falur ata që kanë vrarë me motive dhe vendime politike. Edhe fakti se dy të dënuarit vrasës udbashë vërtet kanë luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e Kroacisë si shtet, në ndihmën në armatim dhe mbrojtje të vendit, nuk i ka amnistuar ata nga dënimi i merituar. Do të ishte mirë sikur rasti Perkoviq dhe Mustaq të ndihmonte në zbardhjen e vrasjeve edhe të disidentëve shqiptarë në Gjermani. Por po ashtu që të zbardhen edhe të gjitha vrasjet me motive politike, që nga ish-Jugosllavia e deri tek koha e sotme në Kosovë.

Gjykatësi gjerman, duke shqiptuar dënimin, ftoi vendet e krijuara në ish-Jugosllavi që të shfrytëzojnë këtë rast për t’u përballur me të kaluarën e errët. Por duhet thënë se ky rast dëshmon se edhe Gjermania po përballet me një pjesë të së kaluarës së saj, sepse as atje, si duket, në të kaluarën nuk ka pasur sa duhet gatishmëri që të zbardhen vrasjet e UDB-së, për shkak se Gjermania donte raporte sa më të mira me regjimin e Titos në ish-Jugosllavi. Fati që Gjermania ka ligje, sipas të cilave vrasjet e tilla nuk vjetrohen si lëndë dhe herdokur mund të nxirren para drejtësisë kryerësit dhe planifikuesit e tyre.

Dënimet e tilla nuk do t’i kthejnë në jetë njerëzit e vrarë pa faj vetëm pse kanë menduar ndryshe. Por mund t’iu dërgojnë porosi të gjithë atyre që mendojnë se me vrasje të tilla të arrijnë qëllime politike, duke besuar se kurrë nuk do të dalin para drejtësisë, se drejtësia do t’i pretë herdokur që të përballen me të.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...