Kosovës i mungon pavarësia, sepse atë nuk e duan të plotë vetë kosovarët

3 Gusht 2016 - 08:33 - Augustin Palokaj      

Është gabim i madh që kosovarët, kinse në shenjë të respektit ndaj atyre që na ndihmuan në çlirim dhe pavarësim, të gjithë fatin e tyre edhe 8 vjet e gjysmë pas pavarësisë ta lënë në duart e ambasadave të huaja. Dalja e Britanisë nga BE-ja, rreziku që Trump të bëhet president amerikan, largimi i mundshëm i Erdoganit nga Perëndimi dhe afrimi i tij me Rusinë e Putinit, janë vetëm disa shenja se Kosova nuk mund të llogaritë gjithmonë se të tjerët do të kenë energji, durim dhe dëshirë të merren me mikro-menaxhimin e punëve të Kosovës. Prandaj ka ardhur koha që politikanët kosovarë të kenë më shumë mirësjellje ndaj njëri-tjetrit, më shumë unitet, në vend që të vazhdojnë me gjuhën e turpshme me të cilën komunikojnë me njëri-tjetrin.

Asnjëherë gjatë qëndrimit në Kosovë nuk mund t’i ik pyetjes: “qysh i kena punët?”. Unë menjëherë kësaj pyetjeje i përgjigjem me kundërpyetjen; “Si i keni punët?”. E kuptoj se pse më pyesin mua “qysh i kena punët?”. Sepse unë tash e 19 vite jam korrespondent nga Brukseli. Dhe mendojnë se askush nuk i di më mirë punët e tyre, të Kosovës dhe qytetarëve të saj, sesa Brukseli.

Dhe rrjedhimisht duhet ta dinë nga unë se si i kanë punët në Kosovë, nga familjarët e mi, shokët e deri tek institucioni i fundit shtetërore jo në bazë të asaj që di unë, por në bazë të asaj që di Brukseli. Dhe kur në Kosovë e bëjnë këtë pyetje nuk mendojnë te raportet e Kosovës me BE-në, as te hyrja në fuqi e Marrëveshjes së stabilizim asocimit. Mendojnë në punët e brendshme të Kosovës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në përpjekjet për të luftuar ekstremizmin fetar dhe terrorizmin. Sepse në Kosovë mendojnë se kjo bëhet vetëm për shkak se kështu kërkojnë ata, Brukseli e Washingtoni. Dhe kjo bëhet me ndihmën e tyre.

Dikur ka qenë e mundur që të ketë edhe përgjigje të përafërt pyetjes se si i ka punët Kosova shikuar nga Brukseli. Por tash më nuk është. Thjesht në Bruksel nuk mendojnë shumë për Kosovën. Kanë punë të tjera. Ka probleme që për ta janë shumë më të mëdha. Duhet të kryejnë procedurat e shkurorëzimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja. I shqetëson mundësia që në SHBA të bëhet president një person që nuk e konsiderojnë serioz siç është Donald Trump. Përballen me rrezikun nga terrorizmi dhe vrasjet, nga të cilat pësuan edhe kosovarë siç ishte rasti në sulmin në Munih të Gjermanisë.

Përballen me krizën në Turqi që mund të shkaktojë edhe krizë në raportet e këtij shteti me BE-në dhe të ketë pasoja përsëri në menaxhimin e krizës së migrantëve. Përballet BE-ja edhe me deficitin buxhetor në Portugali dhe Spanjë, të cilat për herë të parë në histori duhet të gjobiten nga Brukseli për shkak se nuk kanë ndërmarrë veprime të mjaftueshme që ta zvogëlojnë deficitin buxhetor nën 3 për qind sa e lejojnë rregullat e Bashkimit Evropian për stabilitetin fiskal. Kanë probleme me prodhuesit e pakënaqur të qumështit. Kanë shumë e shumë probleme dhe pakkush mendon për Kosovën. Natyrisht se, duke qenë një organizatë e madhe, në të ka njerëz që e marrin rrogën vetëm për t’u marrë me Kosovën. Por ata janë të paktë dhe janë nëpunës të nivelit më të ulët. Me përjashtim të raporteve të Kosovës me Serbinë dhe disa aspekteve të sigurisë rajonale, që kanë ndikim edhe më gjerë, në “nivelin e lartë” në Bruksel nuk merren fare me Kosovën.

Dhe prandaj nga Brukseli nuk duhet Kosova ta presë përgjigjen për pyetjet: “Si i kemi punët” pos në rastin e nxjerrjes së raportit të progresit në vjeshtë i cili, pak a shumë në mënyrë reale, do ta pasqyrojë situatën në Kosovë pikërisht ashtu siç e shohin dhe përjetojnë vetë kosovarët: me korrupsion të tepruar, me nepotizëm, me lidhje të strukturave politike me krimin e organizuar, me konflikt politik, me funksionim të dobët të administratës.

Pritja që të tjerët t’i zgjidhin problemet e Kosovës e ka bërë Kosovën të krijojë një kulturë të varësisë e jo të pavarësisë. Sikur vetë kosovarët të mos e duan pavarësinë e vërtetë. Qytetarët mendojnë se “ata”, pra BE-ja ose Amerika, t’i zgjidhin të gjitha punët. Mendojnë se të huajt do tua heqin qafe politikanët që nuk po arrin, apo nuk po duan, t’ua përmirësojnë njerëzve kushtet e tyre të jetës dhe ta bëjnë Kosovën shtet funksional. Ndërsa edhe politikanët presin që të huajt t’ua zgjidhin problemet kur nuk i kanë votat për ndonjë vendim apo veprim të tyre, të bëjnë presin ndaj opozitës dhe, pse jo, ti tregojnë popullit se është në të mirë të tyre të mbështesin vendimet dhe vlerësimet e qeverisë.

E pastaj në vjeshtë pikërisht këta “të huaj” të njëjtën qeveri e kritikojnë për mungesë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra në Kosovë edhe pas 8 vjet e gjysmë pavarësie “të huajt” pritet që të luajnë rolin e arbitrit e jo të jenë vetëm diplomatë që përfaqësojnë shtetet e tyre. Nga ta tash pritet që të thonë se Marrëveshja me Malin e Zi për kufirin është “në të mirë të Kosovës”. Por fakti është se nuk bëhet fjalë për territorin e tyre por të Kosovës dhe të Malit të zi. Dhe në kushte normale ata nuk do të duhej të përziheshin fare. Natyrisht se do të duhej të mbështesnin qëllimin e zgjidhjes së kontestit përmes marrëveshjes, por jo edhe të jenë arbitra që të gjykojnë vetë përmbajtjen e marrëveshjes. Kjo do të duhej të ishte punë e dy shteteve sovrane, të Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, siç shihet edhe kur heshtin ndaj sjelljes së papranueshme të ambasadores së Turqisë në Kosovë, jo vetëm në një rast, apo ndaj fyerjeve që i bën Serbia Kosovës, apo nga shumë sjellje të tjera, liderët e Kosovës duket se nuk kanë guxim, sikur të jenë pakurrizorë dhe tepër të sjellshëm me të huaj ndërkohë që me kundërshtarët politikë bëhen shumë të egër. Madje duke i fyer, siç bën kryeministri Mustafa që gjithnjë e më shumë po e merr epitetin “Kryeministër i Facebookut”.

Është gabim i madh që kosovarët, kinse në shenjë të respektit ndaj atyre që na ndihmuan në çlirim dhe pavarësim, të gjithë fatin e tyre edhe 8 vjet e gjysmë pas pavarësisë ta lënë në duart e ambasadave të huaja. Dalja e Britanisë nga BE-ja, rreziku që Donald Trump të bëhet president amerikan, largimi i mundshëm i Erdoganit nga Perëndimi dhe afrimi i tij me Rusinë e Putinit, janë vetëm disa shenja se Kosova nuk mund të llogaritë gjithmonë se të tjerët do të kenë energji, durim dhe dëshirë të merren me mikro-menaxhimin e punëve të Kosovës. Prandaj ka ardhur koha që politikanët kosovarë të kenë më shumë mirësjellje ndaj njëri-tjetrit, më shumë unitet, në vend që të vazhdojnë me gjuhën e turpshme me të cilën komunikojnë me njëri-tjetrin.

E sa u përket raporteve të Kosovës me BE-në ato kanë arritur kulmin e asaj që është e mundshme në rrethana të caktuara. Më shumë se MSA-ja nuk mund të ketë derisa të mos njihet Kosova nga të gjitha shtetet anëtare. Kjo nuk do të ndodhë në një kohë të afërt. E dhe vizat, jo vetëm për shkak të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, nuk duket se do të hiqen deri në fund të vitit.
Por ndoshta presidenti Thaçi i di punët më mirë. Ndoshta ai ka ndonjë “garanci” siç ka pasur tash e 6 vjet se “së shpejti” do të hiqen vizat. Ndoshta ai di më shumë se ne edhe kur thotë se “raportet me Serbinë janë shumë më të mira sesa që mendohet në opinion”. Ndoshta edhe kryeministri Mustafa di më shumë se të tjerët kur ai flet për kufirit në livadhet dhe malet mbi Grykën e Rugovës në Bjeshkët e Nemuna.

Por kur ata flasin për “integrime në BE dhe NATO” duket sikur nuk dinë ama asgjë nga procedurat dhe traktatet, apo vetëm flasin atë që tingëllon bukur edhe pse është për komentin krejtësisht e pamundur. Të presësh që Spanja të njohë Kosovën, të thotë që Kosova do të nisë procesin e anëtarësimit në BE (që do të ishte një hap i natyrshëm pas MSA-së) dëshmon mosnjohje të rrethanave në BE dhe NATO. NATO madje vetëm në cilësinë e personave privatë i takon kryeministrat dhe presidentët e Kosovës, duke mos ua përmendur as postet që mbajnë.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...