Sëmundja kronike

2 Gusht 2016 - 08:16 - Flaka Surroi      

Mungesa e aktivizmit dhe e reagimit qytetar e ka shndërruar, edhe nëse ky nuk ka qenë qëllimi, amnistimin në atë që mund të na lërë pa substancë për t’u bërë shtet përnjëmend

Tri do të ishin lajmet më të veçuara të kësaj jave – një që ekipi olimpik i Kosovës do të niset për Rio de Janeiro javën që vjen, për të marrë pjesë për të parën herë me flamurin shtetëror në ngjarjen më të madhe sportive në rruzull. I dyti, që lidhet për një notë verbale të ambasadores turke drejtuar Ministrisë së Jashtme me kërkesë marrje masash dhe dënimi eventual të një qytetari të Kosovës që rastisi të jetë gazetar. I treti, me humbjen e gjyqit para Arbitrazhit ndërkombëtar në rastin e skandalit të pasaportave dhe detyrimin që shteti i Kosovës t’ia paguajë një shtypshkronje në Austri shumën prej 5 milionë eurosh. Çështjen e demarkacionit as që po e fus në kategorinë e lajmeve – se ai moti s’është lajm. Është sagë.

Me këmbë të mbarë

Javën e ardhshme kur do të më vij radha për ta shkruar zgafellen e radhës, Majlinda Kelmendi do të defilojë në krye të ekipit 8-anëtarësh që do të na përfaqësojë në Olimpiadën e Rios. Do të jetë, për të gjithë ata që e mohojnë ekzistimin e shtetit tonë, goditja më e fuqishme që do të mundë ta përjetojnë deri në atë çast. Do të jetë dëshmi e vendosmërisë së këtij populli të vogël për ta mbrojtur dhe ruajtur identitetin e vet dhe për ta shijuar gjendjen e të qenit i pavarur. Do të jetë kënaqësia e pjesëmarrjes së një përfaqësueseje të vogël të sportit në arenën më të madhe ndërkombëtare: përmbushjen e një ëndrre të mohuar prej shumë kohësh nga politika.

Dhe kështu i vogël siç është ekipi, në përbërjen e vet i ka madje dy sportiste që e kanë arritur normën olimpike me merita të veta. Me shumë sakrifica personale e familjare, me shumë ushtrime e me shumë mund. Dhe, natyrisht, nën tutelën e një njeriu që me shumë devotshmëri ia kushtoi jetën profesionale sportit të xhudos. Nën udhëheqjen e Toni Kukës, Majlinda dhe Nora Gjakova do të garojnë seriozisht edhe për medalje. Nëse arrijnë të stolisen me to, do të jetë ky kulminacioni i karrierave të tyre, ani që të dyja janë të reja me moshë. E, nëse vërtet duam që kjo të ndodhë, duhet t’i lëmë rehat dhe të mos u bëjmë presion, sepse mund t’i djegim në dëshirën tyre për ta mbërritur podiumin. Duhet t’ua lëmë hapësirën që të marrin frymë lirshëm e që të përqendrohen në botën e tyre, ashtu që ta bëjnë punën e vet ashtu siç dinë ato.

Pavarësisht epilogut, një është e sigurt: e premtja e 5 gushtit 2016 do të jetë ditë historike për Kosovën. Për Kosovën shtet.

Shembulli i pengmarrjes

E Kosovën shtet më së shumti e kanë afirmuar sportistët dhe artistët tanë. Në ditën kur po e kuptonim se tenori ynë i shkëlqyer, Ramë Lahaj, e kishte fituar vendin e tretë në konkursin e Placido Domingos, Operalia, politikanët tanë po e përjetonin turpërimin publik me një notë verbale të shkruar nga ambasadorja turke drejtuar Ministrisë së Jashtme. Objekt i letrës ishte një koment sarkastik në FB në lidhje me puçin në Turqi, që u kualifikua si thirrje për pjesëmarrje në luftë jashtë Kosovës, i dënueshëm sipas ligjit homonim prej 6 muajsh deri në 5 vjet burgim.

Rastisi që autori i shkrimit të jetë gazetar e njëkohësisht edhe katolik – që mund edhe të mos ketë lidhje me reagimin e ambasadës, porse që gjithsesi e bën atë skandaloz. Kjo, ngase shkrime të ngjashme do të ketë pasur shumë, por që qëllimisht të jetë identifikuar vetëm një. Mbase për t’u treguar udhëheqësve të këtij vendi se nënshtrimi ndaj interesave të shteteve të mëdha me qasje paternaliste, sjell edhe situata të këtilla. Situata që e injorojnë sistemin kushtetues të Kosovës me pushtetet e ndara; që e anashkalojnë Kodin e procedurës penale, që nuk ua ndalon të huajve që të bëjnë kallëzime penale në polici a prokurori; që tregojnë se njerëzit që punojnë në media jetojnë të vëzhguar për së afërmi dhe me llupa të mëdha dhe që kanë për qëllim ta replikojnë përvojën vetjake: të asaj të ngufatjes së fjalës së lirë. Qoftë ajo me mbyllje mediumesh, qoftë me arrestime gazetarësh.

Për Kosovën që jeton në kushtet në të cilat jeton, me gjithë përpjekjet për të fshehur informacione dhe për të instaluar mostransparencën si filozofi qeverisjeje – fjala e lirë është një vlerë e cila është fituar me përpjekje mbinjerëzore. Është vlerë të cilën gazetarët e mirëfilltë të Kosovës e kanë përqafuar hapekrah nga Perëndimi dhe nuk e kanë ndërmend ta lëshojnë duarsh. As kur kërcënohen e as kur u nënshtrohen metodave të frikësimit dhe të shantazhimit.

E këtë punë ambasadorja turke ose nuk e ka ditur, ose nuk ka dashur ta dijë. Sepse me gjasë do të jetë nisur nga paragjykimi se e gjithë Kosova është küçük kardaş (vëlla i vogël), sikurse kryetari turk e quan kryetarin e Kosovës, përderisa ky nuk e kundërshton. Apo mbase edhe nisur nga paragjykimi se pas gjithë ndihmës që i ka dhënë Turqia Kosovës, kjo e para ka të drejtë edhe të urdhërojë. Edhe të diktojë se cilat janë vlerat që ne duhet kultivuar si shoqëri, e që të jemi në sintoni të plotë me shtetin turk. Në fund, edhe ta kufizojë lirinë të cilën e kemi fituar mbas shumë vjetësh përpjekjeje, represioni e lufte.

Nëse bash doni të na ndihmoni, atëherë na mësoni sesi të ndërtohet një shtet i fuqishëm ekonomik pa vjedhur; si të ndërtohet një sistem gjyqësor ku udhëheqin parimet dhe ligji; si të dëgjohet fjala e qytetarit në Kuvend, e që ky i fundit të mos lejojë të udhëhiqet nga Qeveria.
E shembulli i Turqisë, i dy javëve të fundit, është mu e kundërta e këtyre kërkesave. Është mësimi më i keq që mund t’u jepet pushtetarëve, edhe ashtu të paaftë e të papërgjegjshëm kosovarë. Është shembulli sesi munden edhe më dhunshëm ta marrin peng edhe shtetin, edhe qytetarin.

Taksapaguesit pa gojë

E qytetari në Kosovë qëmoti nuk shërben për asgjë tjetër pos për të paguar tatime – e që më pas këto tatime të keqpërdoren nga ata që kinse i ka zgjedhur.

Para katër vjetësh u zbulua një hajneshë, që ia kishte dalë ta mashtronte Ministrinë e Brendshme. Merreni me mend, MPB-në që supozohet se duhet të përkujdeset për zënien e hajnave. Por, duke e marrë parasysh paaftësinë e Policisë dhe të MPB-së për t’i zënë hajnat e dhomave të dëshmive në Prishtinë e Pejë, zhdukja e 1,4 milionë eurove të dedikuara për pagesën e ryshfetit nuk paraqet ndonjë befasi për Kosovën.

Sido që të jetë, u ndërpre një kontratë kur u zbulua hajnia. Nuk e di as sa pasaporta arritën të shtypeshin deri në atë çast dhe ende e kemi të paqartë sesa prej atyre 14 milionëve të tenderit u kanë shkuar austriakëve. MPB-ja tha ne nuk paguajmë tutje se kjo na ka mashtruar. Austriakët thanë, ajo është punë për ju, ne i duam paratë që na i keni borxh sipas kontratës, dhe për çdo ditë vonese do t’ju penalizojmë. Dhe Arbitrazhi ndërkombëtar vendosi: 5 milionë dëmshpërblim për shkëputje të kontratës me gjithë kamatat. Kush do t’i paguajë ato? Natyrisht, qytetarët.

Po të njëjtët qytetarë që kaluan nëpër të gjitha skandalet për të cilat jemi këputur duke shkruar e folur, e na prekin direkt në xhep. Thuajse kur i paguajmë tatimet me të e deklarojmë edhe amnistinë e ndjekjes eventuale të atyre që na i vjedhin paratë dhe pronat, sepse s’ka kush i kap.

U krijua telefonia e dytë mobile. Tenderi dështoi, 16 milionë euro duhej të depozitoheshin në arkat e shtetit. Nuk u paguan. Afati kaloi. Shteti nuk ngriti padi. Rasti u mbyll. A mos e mori kush në pyetje kryeministrin e atëhershëm, Çekun, për këto para? Natyrisht se jo. U mjaftuan me një deklaratë pa lidhje në Kuvend, dhe i humbëm milionat.

U krijua telefonia virtuale dhe shteti, aksionari i vetëm i PTK-së, nënshkroi një kontratë autogol me një firmë pothuajse fantome, duke ia ceduar 78% të fitimit asaj firme, që nuk e ka investuar asnjë cent të vetëm në infrastrukturën e nevojshme për përcjellje të sinjalit. Drejtori i tashëm i Valës e ndërpreu bashkëpunimin, dhe erdhi padia. Nëse kontrata nuk parasheh klauzolë shkëputjeje, kush po jua merr mendja se do të fitojë, dhe sa?

U kontrabandua në ligj shitja e PTK-së madje më 2011-n. Tenderin e fitoi një firmë që kush në botë s’kishte dëgjuar për të. Kishe është dashur t’i mblidhte nga 230 milionë me disa kushte që e sillnin shifrën reale në 180 milionë, e nuk mundi. Afati iu shty disa herë nga Qeveria, dhe në fund, kjo e fundit, e shkëputi kontratën. Disi duke e marrë mbi vete barrën e fajit dhe duke i dhënë mundësi asaj firme që të padisë. Padia u bë, pritet vendimi. Dhe kurrgjë s’do të jenë milionat e pasaportave çka na pret me një privatizim të kurdisur për të dështuar.

U shit një distribucion – për 23 milionë. Sa dy kilometra autostradë, ani që vlera e asetit e kalonte 200-milionëshin vetëm në paluajtshmëri e instalime. Na u prezantua si një fitore komerciale e financiare. Ashtu edhe doli. Për atë që ka qenë pjesë e mitmarrjes së pretenduar, për të cilën gjë u fol e u përfol shumë herë, dhe për të cilën nuk u ndërmor asnjë veprim konkret juridik.

Lista e këtyre fizkulturave të pushtetarëve tanë është tepër e gjatë, aq sa ka shumë të tilla që na ikin mendjes, sepse njëra ia zë vendin tjetrës ende pa u tretur mirë. Mbase edhe kjo do të jetë arsyeja se përse njerëzit heshtin: në kushte normale do të duhej të dilnin në rrugë për çdo ditë të lume me nga një rast të ri, e t’ua kërkonin kokat politike atyre që janë përfshirë në këto allishverishe. Heshtin mbase edhe pse e dinë se gjyqësia nuk ka fuqi për t’u ballafaquar me këto raste, përherë për shkak se e kanë pasur alibi njëherë UNMIK-un e më pas EULEX-in. E tash e kanë vështirë të merren me to përderisa një pjesë e gjyqësorit nuk mund të veprojë kundër shefave të tyre të vërtetë. Heshtin, për shkak se e kanë kuptuar se edhe një pjesë e hetuesisë dirigjohet nga lart, duke i bërë të pafuqishëm madje edhe për t’u ankuar.

* * *

Por amnistia nuk përfundon me kaq. Kurrgjë nuk janë paratë që na avullohen, çka janë marrëveshjet e dëmshme ndërkombëtare që tekanjozët dhe të padijshmit i kanë nënshkruar në emër të Kosovës.

Të mbuluar me rrenat e përhershme dhe të përsëritura nga ministrja për Dialog, e cila ende beson se është duke e bërë një punë të madhe për Kosovën sa herë shkon për të marrë mëditje në Bruksel, nënshkruesit e Zajednicës dhe të Demarkacionit vazhdojnë t’i mbrojnë veprimet e tyre të pamatura dhe të paanalizuara mirë. Janë të gatshëm të organizojnë edhe “kongrese ballafaqimi” për të treguar sesa demokratikë janë, përderisa e shfrytëzojnë vakuumin për t’i bindur të pabindurit që t’ua votojnë nënshkrimet.

E edhe Zajednica, e edhe Demarkacioni të kësaj forme kanë mundur të evitohen – po të kishin dalë votuesit për të votuar në masë në 2014-n. Në ato kushte kishte me qenë shumë më e vështirë vjedhja e votës. Ashtu, mundësia që të fitonin sërish ata që janë dëshmuar me veprimet e tyre se janë të padijshëm për politikë të nivelit të lartë dhe të papërgjegjshëm për dëmin që ia kanë shkaktuar Kosovës, do të ishte shumë më e vogël.

Mungesa e aktivizmit dhe e reagimit qytetar e ka shndërruar, edhe nëse ky nuk ka qenë qëllimi, amnistimin në sëmundje kronike që mund të na lërë pa substancë për t’u bërë shtet përnjëmend.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...