Qytetërimet, ISIS-i dhe e ardhmja (2)

1 Gusht 2016 - 08:41 - Adriatik Kelmendi      

“Për aq kohë sa Islami do të mbetet Islam (dhe do të vazhdojë të mbetet) dhe Perëndimi do të mbetet Perëndim (gjë që është më e dyshimtë), ky konflikt thelbësor në mes të dy qytetërimeve të mëdha dhe mënyrës së jetesës do vazhdojë t’i përcaktojë marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, ashtu siç i ka përcaktuar ato edhe gjatë katërmbëdhjetë shekujve të kaluar”, - Samuel Huntington

SAMUEL HUNTINGTON ishte i pari i cili elaboroi mundësitë për njëfarë lloji të “përplasjes së qytetërimeve” në të ardhmen.

Në përpjekje për të dhënë një parashikim për zhvillimet e marrëdhënieve ndërkombëtare pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Huntington nënvizoi se “fundi i luftës së ftohtë nuk i ka dhënë fund konfliktit,më tepër kjo ka bërë që të forcohen identitetet e reja të rrënjosura në kultura dhe në modele të reja të konfliktit në mes të grupeve të cilat u përkasin kulturave të ndryshme, që në një kontekst më të gjerë janë qytetërimet’ (Huntington 2002: 130). Ai vazhdon duke theksuar se bota do të polarizohet gjatë vijave ndarëse si pasojë e qytetërimeve të ndryshme.

Tipologjia që Huntington përdor për të dalluar një qytetërim nga tjetri është problematike, po ashtu. Sipas tij, qytetërimi është: “grupimi më i lartë kulturor i njerëzve dhe niveli më i gjerë i identiteteve kulturore të njerëzve, të cilat i dallojnë njerëzit nga speciet e tjera… Qytetërimi nuk ka kufij krejtësisht të qartë, ashtu siç nuk ka dhe fillim e përfundim të saktë… Faktikisht, qytetërimi është rrëfimi më i gjatë prej të gjithë të tjerëve”. (Huntington 2002: 43)

Duke theksuar se qytetërimi është i bazuar mbi kulturën dhe religjionin, ai numëron gjashtë grupet e mëdha të qytetërimit: qytetërimi perëndimor, i ngritur mbi katolicizmin dhe protestantizmin (Evropa Perëndimore dhe Amerika e Veriut); qytetërimi i Kishës Ortodokse (Rusia dhe Evropa Lindore); qytetërimi Islamik, qytetërimi indian, ai kinez dhe ai japonez; shtoni këtu edhe dy “kandidatë–qytetërim” të tjera - Amerika Latine dhe Afrika Sub-Sahariane.

Huntington parashikon se për shkak të “farefisit protestant” uniteti në mes të vendeve që ndajnë të njëjtat vlera dhe angazhime gjithëpërfshirëse kulturore do të rritet, përderisa konflikti përtej kufijve të qytetërimeve përkatëse do të rritet. Vija më e rëndësishme në mes të qytetërimeve do të jetë ajo që i përket “qytetërimit perëndimor” dhe të tjerëve, për shkak të dominimit politik dhe ekonomik të Amerikës së Veriut dhe Evropës. Kjo, vazhdon ai, do të thellojë sfidat politike ndaj hegjemonisë së Perëndimit në kuadër të rritjes dhe forcimit të shteteve në qytetërime tjera. Huntington propozon që shtetet e Perëndimit të bashkohen dhe të forcojnë qytetërimin e tyre,në mënyrë që të ballafaqohen me sfidat që i vijnë nga qytetërimet e tjera. Ai konsideron se paqja mund të ndodhë vetëm përmes mbajtjes së ekuilibrit të pushtetit ndaj vendeve të tjera rivale të qytetërimit. Mbi të gjitha, ky studiues amerikan u jep një rëndësi të veçantë lidhjeve në mes të Perëndimit dhe qytetërimit islamik: “Për aq kohë sa Islami do të mbetet Islam (dhe do të vazhdojë të mbetet) dhe Perëndimi do të mbetet Perëndim (gjë që është më e dyshimtë), ky konflikt thelbësor në mes të dy qytetërimeve të mëdha dhe mënyrës së jetesës do vazhdojë t’i përcaktojë marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, ashtu siç i ka përcaktuar ato edhe gjatë katërmbëdhjetë shekujve të kaluar”. (Huntington 2002: 212)

I nxitur nga sulmet e 11 shtatorit dhe pasojat e tyre, Huntington në një artikull të publikuar në vitin 2001*, thotë se politika bashkëkohore globale është “epoka e luftërave myslimane”.

“Myslimanët luftojnë njëri-tjetrin dhe luftojnë jomyslimanët shumë më shpesh sesa e bëjnë njerëzit e qytetërimeve të tjera. Luftërat myslimane janë zëvendësuar me luftën e ftohtë si formë kryesore e konflikteve ndërkombëtare. Këto luftëra përfshijnë ato të terrorizmit, guerile, civile dhe konfliktet ndërshtetërore. Rastet e dhunës myslimane mund të çojnë në përplasje të qytetërimeve, në mes të Islamit dhe Perëndimit, ose në mes të Islamit dhe Të Tjerëve’. (Huntington 2001: 1)

Ai vazhdon tutje, duke nënvizuar edhe konfliktet që shpërthyen ndërmjet viteve 1980 - 2000, ku janë përfshirë edhe myslimanët, duke ofruar të dhëna dhe statistika.

MEGJITHATË, TEZA e Huntingtonit - edhe pse e lexuar gjerësisht dhe marrë shumë si referencë - ka sfiduar më shumë kritika sesa mbështetje nga studiuesit dhe ekspertët.
David Skidmore (1998) konstaton se problemi fillon me konceptin e Huntingtonit për “qytetërimet”, si dhe vazhdon me çështjen e konvergjencës/divergjencës dhe “rënies së Perëndimit”. Ai thekson se Huntington nuk ofron një kriter të standardizuar për identifikimin ose për dallimin e qytetërimeve nga njëri-tjetri, meqë ai mbështetet kryesisht mbi religjionin“dhe atë jo në mënyrë konsistente”, mbi gjuhën, etninë dhe historinë e përbashkët, të gjitha këto të përfshira në disa raste dhe në disa të tjera jo.

“Nëse ne e shpalosim dhe zbërthejmë konceptin e kulturës, shpejt do të bëhet e qartë se asnjë qytetërim nuk është kulturalisht i pastër, i veçantë ose homogjen. Feja, gjuha, historia, tradita –të gjitha këto mbivendosen, nënvendosen dhe gërshetohen brenda dhe ndërmjet kategorive të Huntingtonit për qytetërimet, në një mënyrë komplekse të pashpresë”. (Skidmore 1998: 3)

Për më tepër, studiuesi japonez Seizaburo Sato (1997) kritikon tezën e Huntingtonit duke thënë se ai nuk e merr parasysh ekzistencën e ndryshimeve kryesore në mes të substancës dhe cilësisë në mes të qytetërimeve paramoderne klasike dhe të atyre moderne industriale. Si paqartësi të tezës, Sato gjen faktin se Huntington “e mbivlerëson së tepërmi përfundimin e luftës së ftohtë, kësisoj, humbet fillin e ndryshimeve thelbësore që shtrihen gjatë kësaj ngjarjeje historike”. Duke u kthyer prapa në histori për të hulumtuar konfliktet që kanë ndodhur si pasojë e industrializimit, Sato vjen në përfundim se, “kur të ndodhë përplasja e qytetërimeve, konfliktet më të dhunshme do të jenë ato në mes të qytetërimit klasik dhe atij industrial” (Sato 1997:4).

PËRSËRI, DUKE rishikuar argumentet që jep Huntington për “përplasjen e qytetërimeve” dhe çështjen e farefisnisë, ne shohim se ai shpesh u referohet konflikteve në Bosnjë dhe Kosovë, gjatë viteve të 90-a.

Argumenti i tij është fakti se luftëtarët myslimanë muhaxhedinë nga Lindja e Mesme ndihmuan myslimanët e Bosnjës për të luftuar kundër serbëve ortodoksë. Kur tipologjia e Huntingtonit merret parasysh, myslimanët e Bosnjës do të duhej të bënin pjesë në qytetërimin Islamik, për shkak se ata praktikojnë të njëjtin religjion. Ky, megjithatë, do të ishte një përfundim bukur sipërfaqësor. Duke lënë mënjanë fenë, myslimanët e Bosnjës nuk kanë ngjashmëri të tjera me ata të Lindjes së Mesme, dhe mënyra e tyre e jetesës është tipike e stilit perëndimor. Fakti se myslimanët e tjerë erdhën për të ndihmuar myslimanët në Bosnjë, nuk i bën ata domosdo të të njëjtit qytetërim. Së fundi, ishte NATO-ja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ajo që i dha fund konfliktit katërvjeçar atje dhe jo ndihma e muhaxhedinëve.

Huntington bën lëshim edhe më të madh kur adreson konfliktin e Kosovës si çështje religjioze dhe prezanton shqiptarët si pjesë e qytetërimit Islamik. Shqiptarët kanë tri religjione –janë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë - dhe në luftë njerëzit nga këto tri fe luftonin bashkërisht kundër serbëve, përderisa ata po torturoheshin, deportoheshin dhe masakroheshin nga serbët. Ai neglizhon faktin se një pjesë e shqiptarëve janë konvertuar në islam nga krishterimi në fund të shekullit 18 dhe fillim të shekullit 19 (Malcolm, 1998), dhe se konflikti i Kosovës ishte në baza etnike e kombëtare.

Huntington harron të përmendë se luftëtarët shqiptarë, të organizuar në UÇK, kanë refuzuar çdo ofertë për ndihmë të ardhur nga luftëtarët muhaxhedinë, duke e ditur se ajo do t’i jepte karakter të gabuar luftës së tyre për çlirim kombëtar (Judah, 2000).
Dhe, përsëri, në fund ishte Perëndimi ai i cili i dha fund shtypjes dhe vrasjeve të serbëve të krishterë kundër shqiptarëve ‘myslimanë’, dhe shqiptarët në Kosovë e Shqipëri i shohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin e tyre kryesor politik e strategjik.

NË ANËN TJETËR, nëse i referohemi “luftës” së të ashtuquajturit Shteti Islamik për shtrirjen e Kalifatit islam në gjithë botën, del se të gjitha shtetet myslimane e kanë kundërshtuar publikisht këtë. Për më tepër, xhihadi i thirrur nga “kryeqyteti” Raqqa, ka yshtur edhe rreth 30.000 aventurierë dhe luftëtarë nga territoret jashtë Sirisë dhe Irakut, prej të cilëve çereku vijnë nga shtete të “qytetërimit perëndimor”, si Franca, Gjermania e SHBA-ja dhe jo domosdoshmërisht të gjithë praktikues të islamit*. Sakaq, koalicionit ushtarak kundër “Shtetit Islamik” i janë bashkuar 66 shtete ose organizata nga të 5 kontinentet*, përfshirë edhe shtetet e “qytetërimit Islam” si Arabia Saudite, Tunizia, Malajzia e Jordania, ose organizata si Liga Arabe*.

Prandaj, mund të konkludojmë se ende nuk e dimë si saktësisht ta definojmë vijën e qartë ndarëse nga një “qytetërim” në tjetrin. Së këndejmi, se çfarë përbën qytetërimet dhe sa të rëndësishme janë,ose do të jenë, ato te njerëzit të cilët do të duhej t’u takonin, është pyetje e cila ende ka nevojë për hulumtim thelbësor. Dhe kur kjo është çështja, vizioni apokaliptik i Huntingtonit për një tjetër luftë botërore, këtë herë në mes të “qytetërimeve”, nuk duket se ka shumë gjasa që në një të ardhme të afërt t’i frikësojë njerëzit.


* 1 Huntington, Samuel P., The Age of Muslim Wars. Publikuar në Newsweek, botim special i Davos, dhjetor 2001-shkurt 2002

* 2 The Soufan Group, “Foreign Fighters:An Updated Assessment of the Flow of Foreign Fighters into Syria and Iraq”. Raport i publikuar në dhjetor 2015, i qasshëm në http://soufangroup.com/wp-content/uploads/2015/12/TSG_ForeignFightersUpdate3.pdf

* 3 McInnis, Kathleen J. (Congressional Research Service), “Coalition Contributions to Countering the Islamic State”, Raportipërgatiturpëranëtarët e komitetevetëKongresit, publikuarmë 13 prill 2016, Washington DC, iqasshëmnëhttps://www.fas.org/sgp/crs/natsec/R44135.pdf 

*4 Departamenti Amerikan i Shtetit rendit këto shtete/organizata si pjesë e koalicionit kundër ISIS-IT: Afganistan, Shqipëri, Ligë Arabe, Australi, Austri, Bahrejn, Belgjikë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Kanada, Kroaci, Qipro, Republikë Çeke, Danimarkë, Egjipt, Estoni, Bashkim Evropian, Finlandë, Francë, Gjeorgji, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Irak, Irlandë,Itali, Japoni, Jordani, Kosovë, Kuvajt, Letoni, Liban, Lituani, Luksemburg, Maqedoni, Malajzi, Moldavi, Mal i Zi, Marok, Holandë, Zelandë e Re, Nigeri, Norvegji, Oman, Panama, Poloni, Portugali, Katar, Kore e Jugut, Rumani, Arabi Saudite, Serbi, Singapor, Sllovaki, Slloveni, Somali, Spanjë, Suedi, Tajvan, Tunizi, Turqi, Ukrainë, Emirate të Bashkuara Arabe, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA.

(Në vazhdimin e radhës lexoni pjesën “’Lufta kundër terrorit’ dhe pasojat e saj”)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...