Varka e Blushit (Noas) po mbytet!?

16 Maj 2014 - 13:07 - Halil Matoshi      

Ku do të jenë shqiptarët, kultura dhe gjuha e tyre pas 50-100 vjetësh dhe a do të jenë ende ndër popujt e gjallë? A do të jenë ata një apo dy e më shumë kombe, a do të bashkohen në një shtet të madh apo modernizimi do t’i bëjë ata qytetarë të lirë të Europës së Bashkuar? Dhe në fund, cilat janë kundërthëniet e Blushit dhe ku çalon sprova e tij profetike? A i kthen Blushi pikëpamjet apokaliptike (biblike-profetike) në debat publik dhe a do ta mbulojë uji Durrësin gjatë këtij shekulli?

Libri i Ben Blushit, “Hëna e Shqipërisë” (Botoi UETPRESS, Tiranë, 2014) ndonëse kridhet në profeci, hap një debat të madh, të munguar në debatet publike brenda shoqërive shqiptare, nga paranoja të vjetra dhe frika të reja.
Ben Blushi, shkrimtari më publicitar i medies shqiptare dhe së fundi edhe i kësaj kosovare, megjithatë nga romani kurioz “Të jetosh në ishull” ka ndërruar drejtim, tashti imagjinatën e tij letrare po e përdor për qëllime të shkrimit diskursiv-politik.
Librin e tij “Hëna e Shqipërisë” Blushi e nis me ujin dhe e bitis me një thënie biblike të Atë Fishtës: Surgite Mortu – Çohi të dekun.
“Por ai ishte një prift. Dhe priftërinjve nuk u lejohet të parashikojnë.” (fq. 141.)

Kështu autori e nis tregimin e tij me parashikim (një paradigmë biblike-profetike), e cila i mundëson atij të shfaqet si një inicues i një varke të Noas, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet dhe në fund e përligj parashikimin e tij duke e cituar Gjergj Fishtën, në stilin: “Keni për ta parë se kisha të drejtë – nëse qoheni ju të vdekur”.
Dihet se uji është jeta dhe fundi i saj. Por nuk dihen as drejtimi as furia e tij, dhe as koha kur uji do “të ha tokë shqiptare” – sepse mund të ndodhë e kundërta: të shterojë fare!?
“Pas dyqind vjetësh, pra më 2214, ndoshta Durrësi do e këtë humbur shumicën e bregut të vet... (fq. 1); ose: “Tirana mund të jetë qytet bregdetar” (fq.2.)

Pyetja legjitime e Blushit: “A mund të jetosh në Shqipëri”?, merr përgjigjen lakonike: “Mos pyet” dhe kjo e shpie autorin në konkludimin se zmadhimi i Shqipërisë duhet të ndodh – jo nga shtytës shoqëror-ekonomik dhe të sigurisë – por thjesht nga frika për të ardhmen, nga paranoja e vdirjes, humbjes dhe zvogëlimit.
E frika rëndom është këshilltar i keq. Ajo shpie në dhunë.
Filozofi i gjuhës Ludwig Wittgenstein shkruan se ne i ndërtojmë vetes fotografinë e fakteve dhe se fotografia është vetë fakt. Nisur nga ky postulat, Ben Blushi e ka krijuar një mozaik me fotografi të hamendësueshme të Shqipërisë të shekullit që e pret, ndonëse ai jo gjithherë i ka faktet e mjaftueshme, (dhe asnjë referencë) së paku jo empirike dhe kjo mospasje faktesh e rikthen tek ligjërimi fiktiv - letrar...

Në parathënien e librit “Tractatus logico philosophicus” të Wittgensteinit, Bertrand Rusell shkruante: “Fakti se asgjë nuk mund të nxirret nga qëndrimi atomistik, ka përdorime interesante, për shembull, mbi kauzalitetin. Në logjikën e Wittgensteinit nuk mund të ndodhin gjëra të tilla siç është lidhja kauzale. “Ndodhitë e së ardhmes” , thotë Witgenstein, “nuk mund t’i nxjerrim nga ato të sotmet. Besimi tek lidhja kauzale është i kotë”. Nëse dielli do të lind nesër – kjo është hipotezë. Ne, në fakt nuk mund ta dimë nëse do të lindë dielli nesër, sepse nuk ka asnjë shtysë sipas së cilës një gjë duhet të ndodhë për shkak se ndodh diçka tjetër.
Blushi mendon – atij i punon rradakja, edhe pse më tepër përdor lëndë fiktive (letrare) se sa empirike dhe referenciale, ai madje shpesh bie në kundërthënie me veten – porse qysh do qoftë ai mendon.

Në kontekst të mendësisë avetine (sëmundja, zvogëlimi, humbja) Blushi herë na shfaqet si neobizantin, e në kontekst të shpresës se do vijë njeriu i ri shqiptar ai shfaqet si neokomunist.
Shqipëria mund të lulëzojë si Kostandinopoja e të shuhet (të mbulohet nga uji ose hiri i harrimit.)
Dhe nëse këtë ose-ose të Blushit e shohim në prizmin e historisë botërore, Blushi profet kthehet në Blushin letrar.
Ai i rreket të menduarit e njeriut të ri shqiptar – nëse do të quhet shqiptar - gjatë shekullit në të cilin ka hyrë.
Libri është ngjitje e copave të mendimeve, të leximeve e të shkrimeve për nevojat mediatike, pa asnjë referencë – ai madje tregimin e tij e mbështet ndonjëherë në thashetheme të “disa miqve italianë” ose të “një miku kosovar”, që thjesht, ato personazhe nëse i nxjerrim nga letërsia dhe i zhvendosim në realitet – mund të jenë injorantë të rastit.

Ky libër është ashiqare një provokim i Blushit, që çel debat por pa ia dalë që ta dominojë atë.
Vërehet edhe tek Blushi, si te shumica e autorëve shqiptarë që i rreken historisë politike dhe pikëpamjeve sociale (njëjtë si Mehmet Kraja), se ata në mungesë të referencave empirike dhe të asimilimit të dijeve humanistike moderne, përdorin aq shumë ndajfolje: ndoshta, mbase, po që se, mund të, sikur, të besosh se, le të themi, ka gjasa të ndodhë, ...etj.
Në histori dhe në shkrimin diskursiv nuk ka ‘sikur’ dhe ‘po që se’ – sepse ajo tashmë ka ndodhur dhe është fakt, nga e cila krijojmë fotografi.

Prandaj ndajfoljet hamendësuese të sasisë e cilësisë, e minojnë seriozitetin e tekstit, pra e bëjnë të pabesueshëm.
Më tutje Blushi e bën një krahasim të keq, duke vajtuar për faunën e zhdukur nga toka shqiptare, ai thotë se këso tregimesh “...do të kenë vlerën e tregimeve patriotike që njohim sot nga betejat e përgjakshme të gjyshërve me gjermanë dhe italianë pushtues të Luftës së Dytë Botërore” (fq. 3.)

Një krahasim i keq qoftë edhe për një amator të shkrimit diskursiv.
Pyetjet dhe dilemat që i shtron Blushi në vazhdim janë legjitime, mirëpo ai nuk arrin t’u japë përgjigje të kënaqshme, duke nisur nga ngrohja graduale globale, e duke udhëtuar në kohë, deri tek pyetjet:
-Çfarë vendi do të jetë Shqipëria në njëqind vjetët e ardhshëm?
- Si do të jenë njerëzit e saj?
- Do jemi të bashkuar me Europën? Po me Kosovën?
- A do të ketë shqiptarë të zinj? Po shqiptarë të verdhë?
- Kujt profeti do t’i binden ata?

Autori e citon një studim demografik të OKB-së, sipas të cilit e ndërton pothuajse tërë storien e vet, pa qasje kritike dhe argumente demografikë; Këtë studim (nuk e jep burimin e origjinalit) ai e përdor për ta legjitimuar frikën e tij dhe për ta ngrehur atë deri në shkallë të paranojës individuale dhe kolektive. E sipas këtij “studimi” Shqipëria pas 100 vjetësh do të ketë humbur gati 35 për qind të popullsisë, ose më shumë se 1 milion banorë. “Në vitin 2100 Shqipëria do të ketë, afërsisht, 1.8 nga 2.8 milionë banorë që ka sot.” (fq. 7)
E po si është e mundur që në 100 vjetët e shkuar popullsia e Shqipërisë – sipas Blushit – qenkësh trefishuar – kurse në 100 vjetët e ardhshëm do të tretet? Dhe autori këtë “zvogëlim” e trajton posaçërisht nga aspekti i migrimit – sepse sipas tij – në njëzet vjetët e fundit gati 1 milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria.
Mirëpo Blushi e harron faktin se ata, të shumtën, e flasin keq shqipen, porse vazhdojnë të ndihen shqiptarë. Migrimi nuk d.m.th. automatikisht humbje e substancës së një kombi. Ata edhe mund të kthehen një ditë në një Shqipëri normale, të jetueshme, e pse jo edhe më të mirë se sa vendet ku kanë migruar!?

“Nëse do kishim ndjekur tendencën europiane, pra mesataren e shtimit të popullsisë në Europë në pesë shekujt e fundit, sot duhet të ishim një popull me të paktën dhjetë milionë banorë” (fq. 9).
E po, nëse i marrim parasysh parametrat demografikë, në Ballkanin Qendror, shqiptarët sot janë mbi pesë milionë, në gjeografinë e tyre etnike dhe nja pesë në migracion, të cilët kurrë s’i kanë shkëputur të gjitha lidhjet me atdheun e tyre, me gjeopolitikën e tyre të emocioneve. Shqiptarët pra qenkan shtuar përafërsisht me mesataren europiane!?
Kjo është kundërthënia e parë e Blushit.
Ndërkohë Blushi i huq edhe të dhënat demografike kur thotë “...dhe, Serbia (i ka) gati 10 milionë.” (fq. 10), sepse Serbia aktualisht i ka pak më shumë se 7 milionë banorë!? Porse Blushi ashiqare e ka përllogaritur brenda Serbisë edhe Kosovën tashmë shtet i pavarur!?

Kundërthënia e dytë: -“Europa nuk e ka më monopolin e diçkaje. Ndoshta të kulturës.” (fq. 20.), ndërsa më pas ai thotë: “Çmimi më i lartë që ajo (Europa) i paguan së ardhmes nuk është financiar, pra nuk llogaritet në para. Ai është kulturor. Është mungesë besimi. Për të nesërmen.” (fq. 22)
Nëse Europa e paskësh monopolin e kulturës, qysh mundet që ajo të paguajë këtë çmim, pra humbjen, akulturimin!?
Kundërthënia e tretë: - “Ka pra shumë vende me më pak kokëçarje se Europa. (...) vende të tilla po shtohen me shpejtësi, nga Azia në Afrikë dhe pa dyshim, edhe në Amerikën Latine. Aty është më ngrohtë (...), feja është më e parëndësishme. (fq. 20.);
Ndërsa një faqe më tej Blushi shkruan: “Në të kundërt Europa është në krizë. (...) rëndësia e Kishës po relativizohet”.
E pra ku është dallimi mes “ feja është më e parëndësishme” dhe “rëndësia e Kishës po relativizohet”!?

Kundërthënia e katërt: - “Ndryshe nga ShBA-ja, Britania, Franca, Rusia dhe fuqi të tjera, (Gjermania) nuk është përfshirë në asnjë konflikt ushtarak...” (fq 27), shkruan Blushi duke harruar se Bundeswheri ishte përfshirë në Luftën e Kosovës, më 1999, për të parën herë pas Luftës së Dytë Botërore.
Kundërthënia e pestë:- Duke e rikthyer në publik debatin e kamotshëm për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Blushi bie në kundërthënien e radhës.
“Nacionalistët që kërkojnë një proces më të vendosur të ndarjes nga Serbia, si dhe një afrim më të shpejtë me Shqipërinë, janë duke u pakësuar. (fq. 53.)
Kurse pak më tutje, ai mes shumë pasaktësive në vlerësim dhe percepcioneve prej së largu shkruan: “Diplomacia do ta ketë të pamundur të shuajë reagimin e nacionalistëve në të dy vendet...” (fq. 57.) Pra, pak hapa më përpara, Blushi po na thoshte se “nacionalistët po pakësohen”, ndërsa tashti po thotë se “ do të jetë e pamundur të shuajnë reagimin e nacionalistëve” – që po u shtuakan, ndërkohë!?

Kundërthënia e gjashtë: - “U përpoqa t’u shpjegoja se, natyrisht, nuk bëhej fjalë për kolonizim (të Kosovës nga Shqipëria. vër. H.M.) aq më tepër për pushtim, por vetëm për një dominim politik, ekonomik dhe, sidomos kulturor...” (fq.55.)
Dhe në këtë “humbje në përkthim” – të menduarit sipas standardit ’72 i krijon vështirësi Blushit që të kuptojë shfaqjen e mendimit të kosovarëve në gegnisht – dhe, ai (fq. 59.) shkruan: “Ajo (Kosova, vër. H.M.) po arrin të ketë një lloj supremacie kulturore mbi Shqipërinë...”. Derisa harroi që pak më parë po ia përshkruante Shqipërisë “dominimin kulturor.”!?
Kështu vazhdon Blushi, nga shakatë e hidhura por me kast, për kolonizimin e Kosovës, deri tek zgjerimi-zmadhimi, për të bërë një libër me “gjeopolitikë të emocioneve (term i Domenique Moissi.)
Për Shqipërinë e përhënë, për dallimet mes shqiptarëve dhe kosovarëve, për pasaktësitë dhe mosnjohjen e mënyrës së të jetuarit e të te menduarit në Kosovë, për mundësinë e një ‘bum-i’ ekonomik të Kosovës dhe për disa qëndrime të ekuilibruara të Blushit në raport me Kosovën, do të bëhet fjalë në vazhdim.

- vijon nesër -
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...