Ku janë “garancitë” e Brukselit?

27 Korrik 2016 - 08:14 - Augustin Palokaj      

Sa herë që kishte dyshime në marrëveshjet që delegacioni i Kosovës kishte arritur në Bruksel me atë të Serbisë, dhe rreth gatishmërisë së Serbisë që ato t’i zbatonte, Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi thoshin se “kanë garanci të forta nga Brukseli”. Këto “garanci” Thaçi i përmendte edhe kur fliste se “shumë shpejt” do të hiqen vizat. Le të tregojnë tash se ku mbeten ato garanci dhe sa kanë pasur afat. Sepse kosovarët që kalojnë nëpër Serbi kanë probleme, sepse Kosova ende nuk ka kod ndërkombëtar telefonik, sepse nuk është zgjidhur as fati i sigurimeve të veturave. E vizat nuk janë hequr. Ndoshta “garancitë e Brukselit” kanë qenë të falsifikuara apo janë dhënë nga njerëz të gabueshëm.

Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, apo siç quhen në Bruksel mes “palëve” apo “mes “Prishtinës dhe Beogradit” kanë shumë mungesa dhe kjo ka qenë e qartë që në kohën kur ato u arritën. Së pari, ato nuk janë fare marrëveshje me status të Marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pra nuk janë marrëveshje mes palëve të barabarta kontraktuese. Së dyti, ato janë për çështje të brendshme të Kosovës për të cilat me to i është dhënë edhe formalisht rol Serbisë. Në fakt është pikëpyetje se a janë nënshkruar apo jo sepse ato vetëm janë “inicializuar”. Dhe nuk dihet se në cilën cilësi firmën mbi to e ka dhënë Bashkimi Evropian. Pra qëllimisht apo jo, marrëveshjet janë bërë në mjegull, me mjegull dhe kanë krijuar edhe më shumë mjegull.

Sikur të ishin “Marrëveshje ndërkombëtare” mes shteteve, siç pretendonin Hashim Thaçi dhe e dërguara e tij e posaçme për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, atëherë do të diheshin edhe mekanizmat e interpretimit dhe sqarimit në rast të interpretimeve jo të njëjta të tyre. Nuk ka një adresë ku, për shembull, Kosova do të mund të ankohej se Serbia nuk po i zbaton si duhet marrëveshjet. BE-ja gjithmonë raporton për implementimin e marrëveshjeve jo në bazë të gjendjes reale në terren por në bazë të nevojave momentale të Serbisë.

Deri tash, pasi duhej që t’i sigurohej diçka Serbisë, si dhënien e statusit ashtu edhe nisjen e negociatave të anëtarësimit, raportohej për përparim të duhur në implementim. Edhe pse dihet se tash e disa muaj ka ngecje totale në implementim, kjo nuk e ka penguar Serbinë që të hapë negociatat edhe për dy kapituj të rinj në procesin e integrimit në BE. Sa herë që përmendet mosgatishmëria e Serbisë për të respektuar disa pika të marrëveshjeve, gjithmonë në BE tregojnë me gishta dhe kah Kosova duke thënë se “as Kosova nuk e ka përmbushur detyrimin e saj për krijimin e Bashkësisë/Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. BE-ja gjithmonë ka refuzuar që të pranojë se është ndërmjetësuese në këtë dialog dhe në marrëveshjet e arritura. Thonë se ata janë “vetëm lehtësues” dhe se nuk ndërhyjnë fare mes palëve.

Prandaj nuk duan të përzihen as në atë se si “palët” ua komunikojnë qytetarëve ato marrëveshje.
Diaspora kosovare, e cila këto ditë udhëton për vendlindje, edhe pse në shumicën e rasteve kalojnë pa probleme nëpër Serbi, megjithatë një pjesë e tyre has në pengesa, nganjëherë edhe të pa kapërcyeshme. U ndodh që t’i kthejnë në kufi, të mos i lënë të hyjnë sepse u mungon ndonjë dokument, sepse nuk u njihet pasaporta. Dhe askush nuk u ka sqaruar se si mund të kalojnë, por edhe si nuk mund të kalojnë nëpër Serbi. Atyre nuk u hyn në ndihmë as deklarata e Edita Tahirit se “këto janë marrëveshje mes dy shteteve” që kosovarët kanë mundur, me të drejtë, t’i kuptojnë si thënie se Serbia i paska pranuar formalisht edhe dokumentet e Kosovës, duke e përfshirë edhe pasaportën.

Ata që tashmë kanë shtetësinë e Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë, Belgjikës, Suedisë apo ndonjë shteti tjetër, kryesisht nuk kanë probleme. Sepse Serbia e di se ka shtet i cili u del në ndihmë në rast nevoje. Por kjo nuk vlen për ata që, ndonëse jetojnë në diasporë, kanë vetëm shtetësi të Kosovës.

Kur patëm pyetur në një takim me një grup gazetarësh Robert Cooperin, atëherë personin kryesor të BE-së për dialog, se çka mund të bëjmë nëse kemi pengesa gjatë kalimit nëpër Serbi, ai, pas shumë hezitimesh, tha: “Mund të më telefononi mua!”
Ata kosovarë që tash në vapë vere kthehen nga kufiri i Kroacisë me Serbinë nuk e dinë se kush është Robert Cooperi. Ne që e dimë kush është ai nuk e dimë se ku është ai. Mund të jetë diku në Karaibe duke u rrezitur, mund të jetë në ndonjë fshat në Britani duke pushuar, apo duke i gëzuar ditët e tij të pensionit. Edhe po ta gjejmë për të kërkuar nga ai sqarim apo ndihmë, ai mund të qesh dhe tallet me ne. Sepse po të ishin marrëveshjet vërtet historike, po të ishin vërtet me qëllim të lehtësimit të jetës dhe qarkullimit të qytetarëve, nuk do të duhej në nivel personal të angazhohej askush për sqarimin e tyre.

Sa herë që kishte dyshime në marrëveshjet që delegacioni i Kosovës kishte arritur në Bruksel me atë të Serbisë, dhe rreth gatishmërisë së Serbisë që ato t’i zbatonte, Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi thoshin se “kanë garanci të forta nga Brukseli”. Këto “garanci” Thaçi i përmendte edhe kur fliste se “shumë shpejt” do të hiqen vizat. Le të tregojnë tash se ku mbeten ato garanci, dhe sa kanë pasur afat. Sepse kosovarët që kalojnë nëpër Serbi kanë probleme, sepse Kosova ende nuk ka kod ndërkombëtar telefonik, sepse nuk është zgjidhur as fati i sigurimeve të veturave. E vizat nuk janë hequr. Ndoshta “garancitë e Brukselit” kanë qenë të falsifikuara apo janë dhënë nga njerëz të gabueshëm.

Qeveria e Kosovës po angazhohet sot në aktivitete të ndryshme, kryesisht në Facebook sepse aty po zhvillohet shumica e aktiviteteve politike në këtë kohë vape, për t’i uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve nga diaspora. Por nuk po bën asgjë t’ua sqarojë atyre kushtet e kalimit nëpër Serbi, e as t’i mbrojë ata kur hasin në probleme. Në disa raste, siç na thonë privatisht disa diplomatë në Bruksel, nga pala kosovare as nuk ka pasur interes të mjaftueshëm që të zgjidhen disa probleme siç janë sigurimet e veturave.

Ndoshta, dyshohet nga diplomatët në Bruksel, edhe në këtë aspekt mund të ketë persona të lidhur me strukturat politike, në Kosovë dhe në Serbi, të cilët përfitojnë nga kjo situatë.
E gjithë kjo na bën përsëri të dyshojmë se dialogu vërtet ka motiv përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes zgjidhjes së disa çështjeve praktike. Brukseli i ka përshëndetur të gjitha këto marrëveshje, i ka përshëndetur edhe takimet në Bruksel, edhe atmosferën e mirë në këto takime, por na thonë se garanci nuk kanë dhënë. Siç patëm dëgjuar një herë nga një diplomat, kur në vitin 2011, Hashim Thaçi pati thënë se “Ka garanci nga niveli më i lartë në Bruksel se deri në fund të këtij viti do të liberalizohen vizat” pati thënë, me apo pa hajgare, se “Garanci merr vetëm kur të blesh televizor, dhe atë me dy vjet afat!”

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...