Ç’unifikuesi

26 Korrik 2016 - 08:18 - Flaka Surroi      

Unifikues nuk mund të jetë ai, i cili beson në fuqinë e pushtetit autokratik dhe ai i cili interesin e vetëm e sheh në mbajtjen e pushtetit të përjetshëm, pavarësisht çmimit që duhet ta paguajë populli.

Teksa po e përfundoja kolumnen e javës së shkuar, nga Turqia vinte lajmi për bllokimin e dy urave të mëdha të Stambollit. Së shpejti u bë e ditur se bëhej fjalë për një tentativë grusht shteti ushtarak për ta rrëzuar kryetarin turk Erdoğan. Nga ushtria, e cila që nga koha e Ataturkut ka qenë simbol i ruajtjes së laicizmit të shtetit turk.

Ajo që do të pasonte në orët në vijim do të ishte një gati shpërthim i luftës civile-ushtarake, ku populli i thirrur nga kryetari turk që të dilte “për ta mbrojtur Turqinë”, ballafaqohej me ushtarët që kishin zënë pozicione strategjike në qytetin më të madh turk. E gjitha mbaroi në mëngjes: krahu i ushtrisë që kishte nisur aventurën u mposht, duke e shndërruar Erdoğanin në fituesin më të madh të një ngjarjeje hiç të pazakontë për shtetin 80 milionësh.

Këtij dhe establishmentit të tij nuk iu deshën më shumë se disa orë për t’i arrestuar madje 3 mijë ushtarakë dhe për t’i shkarkuar nga detyra rreth 3 mijë gjykatës e prokurorë. Përderisa çështja e arrestimit nuk ka nevojë për orar, shkarkimi i stafit të judikaturës ndodhi në një ditë të shtunë, fluturimthi, dhe pa paralajmërim. Se a i është përmbajtur ndonjë procedure ligjore apo jo, këtë nuk e dimë, por fundja çka ka kjo lidhje, kur tash e mbas mund të miratojë çfarëdo ligji pa pëlqimin e Parlamentit, sepse e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Spastrimi

Por, para se ta shpallte atë, Erdoğan tashmë kishte dalë për të deklaruar se “puçi ishte dhuratë nga Zoti”, sepse ky ishte rasti për ta pastruar ushtrinë nga “tradhtarët”. Pa dyshim e interpretoi si dhuratë, ngase pos spastrimit të ushtrisë nisi valën e përjashtimeve të gjykatësve dhe arsimtarëve dhe të kujtdo tjetër që do ta konsideronte tradhtar. Përjashtimin e kujtdo që do t’ia parandalonte marrjen e pushtetit absolut në shtetin të cilin e udhëhoqi si kryeministër për shumë vjet. E që tash e udhëheq si kryetar, me shumicë absolute në Parlament, i cili mund t’i votojë ndryshimet kushtetuese kurdoherë për t’ia dhënë fuqinë ekzekutive absolute në vendimmarrje. Shikuar nga ky kut, nuk është larg mendsh që puçin ta ketë inskenuar vetë ai. S’do të ishte as i pari, as i fundit në botë – e posaçërisht jo në shtetet me regjim autokratik.

Por më e dhembshmja nga gjithë kjo ngjarje qe polarizimi i skajshëm, i cili ngjau në Kosovë – në ata që e përkrahin Erdoğanin dhe ata që e quajnë diktator. Për më keq, “debati” përshkallëzoi në ndarjen kurrë më të madhe ndërmjet atyre që e adhurojnë Erdoğanin për përhapjen e fesë dhe praktikave islame dhe atyre që refuzojnë që shteti i Kosovës ta humbë laicitetin e vet, pavarësisht ndikimeve fetare që na importohen nga jashtë.
I vetmi që doli për ta përkrahur haptazi Erdoğanin ishte deputeti Gëzim Kelmendi, i cili në disa ditët e fundit po e tregon fytyrën më agresive të një deputeti, i cili do të donte që ky shtet të sundohej nga islami dhe ligji i tij.

Tashmë i njohur për nga mohimi i rëndësisë historike të Skënderbeut, ky thuri lavde për sundimin otoman, që e mbajti Kosovën të pushtuar dhe të nënshtruar për pesë shekuj. Që e detyroi popullatën e krishterë të konvertohej në islam dhe që bëri shumë pak që gjuha dhe kultura shqipe të zhvilloheshin gjatë asaj periudhe. “Kontribut” ky që më së miri e ka përshkruar Kadareja: “…Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Evropë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese, nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve” e francezit, Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla.

Prej të cilave, njëmijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin! Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe. Dhe historia mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit...”

Idhulli

Pra, përderisa demokracia e ka këtë – që secili ka të drejtë ta shprehë mendimin e vet dhe të përpiqet t’i realizojë synimet e veta politike, megjithatë ky përfaqësues i popullit, s’bën pa e thënë, kurrë nuk do të arrinte të futej në Kuvend po të mos kishte qenë Hashim Thaçi.

Ky i fundit, derisa ka qenë udhëheqës i PDK-së, në kohën kur garohej për zgjedhje, përpiqej të mblidhte sa më shumë vota ashtu që t’ia siguronte vetes pushtetin pa pengesa. Në këtë vazhdë lidhte marrëveshje me parti të vogla të komuniteteve të caktuara fetare, ndër to edhe me Partinë e Drejtësisë që vetë nuk mund ta kalonte pragun zgjedhor. Duke i futur në listë dhe duke i bërë deputetë, Thaçi solli në Kuvend debatin për shaminë dhe mësimin fetar në shkolla – një diçka që Kosova e kishte rregulluar para më shumë se 70-vjetësh. Një diçka që u importua qartazi nga shumë “agjenci” të ndihmave nga Lindja e Afërt dhe Azia, që së bashku me xhamitë e rindërtuara që u ngjasojnë raketave, sollën edhe një dogmë të re në trevën tonë, atë vehabi, që imponon një regjim tjetër besimi.

Do rikujtuar se Thaçi kishte qenë anëtar i trupave të përkohshme të pushtetit që kur Kosova u çlirua dhe kurrë nuk është dëgjuar të ketë kundërshtuar publikisht futjen e dogmave të reja që po e prishnin një rend tashmë funksional në Bashkësinë Islame. Për më tepër, gjatë kohës së tij kryeministër, ka bërë të mundur që myftiu i Kosovës ta fitonte statusin e veteranit të luftës së UÇK-së, duke ardhur në një situatë absurde ku kleriku, për ta fituar këtë status, e deklaron komandantin e UÇK-së epror të vetin. Do të thotë dikush që UÇK-ja ka qenë e popullit, pa dallime.

Por, doli të mos ishte ashtu. Ajo që doli në fund është se UÇK-ja qe e kumandantave dhe e atyre që ia panë hairin fjalisë “unë kam luftu” – sepse krejt çka u përfitua nga ta në këta vjetët e pasçlirimit u bë në emër të luftës.

Por, paraqitja e këtij deputeti nuk është problemi më i madh. Problemi është që Erdoğani është idhulli i Thaçit. Dhe përkrahës i tij i parezervë. Përderisa askush nuk mund ta mohojë ndihmën të cilën shteti turk ia ka ofruar Kosovës pas luftës, kjo ndihmë megjithatë është shpaguar si financiarisht ashtu edhe me përhapjen e ndikimit të filozofisë erdoganiane që Kosovën e konsideron Turqi. Financiarisht, për shkak se Turqisë iu fal distribucioni i rrymës; iu dha në koncesion aeroporti; iu dhanë disa licenca bankare për operim në vend; iu dhanë licencat shkollave që operojnë në vend; iu dha një copëz fitimi nga autostradat më të shtrenjta në botë, dhe kush e di çka tjetër që mund të vijë (nëse na ka mbetur hala ndonjë gjë për të falur).

Me ndikim për shkak se në disa vjetët e fundit është shtuar numri i iftareve që shtrohen gjatë gjithë muajit të Ramazanit nëpër qytetet e mëdha të Kosovës – që supozohet se do të duhej të ishte ritual familjar e mes miqsh nëpër shtëpi; është shtuar numri i vizitorëve të organizuar për në Turqi, posaçërisht nga Prizreni, që në të kthyer kalojnë kohën duke predikuar për fenë; është shtuar numri i intervenimeve në monumentet kulturore që në fund gjatë restaurimit i humbin tiparet origjinale dhe u përshtaten rrymave të reja. Por, mbi të gjitha, me mësimin që ia jep “kardashit të tij” se si duhet udhëhequr shtetin dhe si duhet bërë politikë.

Përderisa për Erdoğanin edhe mund të thuhet se e ka stabilizuar ekonomikisht shtetin e vet, për Thaçin mund të thuhet se e ka shkatërruar substancën e asaj që e kemi pasur si brumë për ta ndërtuar një shtet që niste nga zeroja. Pushteti i tij gati tetëvjeçar si kryeministër e ka bërë Kosovën shtetin më të korruptuar në rajon; me gjyqësi jofunksionale; me shëndetësi kriminale; me arsim retrograd; me ekonomi të vdekur; me papunësi enorme; me varfëri të skajshme; me perspektivë zero – ama me një shef qeverie e partie që për ta mbajtur pushtetin edhe i manipuloi servilët në Gjykatën Kushtetuese e edhe i bleu votat me poste publike e diplomatike për t’u zgjedhur kryetar.

Falsiteti

E presje është zgjedhur kryetar, përpiqet ta paraqesë veten si politikanin më të balancuar që ka Kosova – njeriun që ka arritur në atë post për të mirën e qytetarit, e jo të rehatimit të vetvetes. Nga kolltuku i kryetarit çohet e flet për nevojën e depolitizimit të institucioneve dhe të dekriminalizimit të shoqërisë. Na tregon se sa shumë humbim nëse nuk e miratojmë Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe vazhdon të na tregojë se si Marrëveshja për Zajednicën nuk e prek substancën e rregullimit shtetëror në Kosovë.
Duhet të jesh tepër lëkurëtrashë për t’u sjellë i pafajshëm, thuajse nuk mban asnjë përgjegjësi për krejt katrahurën të cilën po e jetojmë. Duhet të jesh tepër i pasinqertë dhe fals, për të dalë e për të thënë se institucionet i kemi të politizuara – kur ai vetë i ka sjellë militantët e vet nëpër vendet e caktuara që sigurojnë pushtet dhe paranë për operimin e partisë.

Duhet të jesh tepër arrogant për të thënë se dekriminalizimi është urgjencë për Kosovën, kur ky me dorën e vet i ka sjellë në pushtet të gjithë kryetarët e komunave të akuzuar për krime të ndryshme; kur ai e ka pasur pushtetin ekzekutiv për tetë vjet në duar për t’i ndalur krimin e korrupsionin në institucione; kur ai e ka pasur pushtetin për t’i fuqizuar edhe policinë, edhe gjyqësinë për ta luftuar atë; kur ai vetë ka qenë objekt i një raporti të vëllimshëm për krime gjatë e pas luftës, pasojë e së cilës na u bë Gjykata Speciale – që e vërteton me vetë ekzistencën, se shqiptarët janë kriminelë.

E për ta vërtetuar këtë të fundit, e bën ndër gafat më të rënda në karrierë: duke u përpjekur të tregohet unifikues i popullit, shkon e nderon viktimat e Grackës së Vjetër, të vrarë pas luftës, nuk dihet as nga kush e as pse. Duke e pranuar paragjykimin e asaj që shkruan në lapidar (“Nderim viktimave të agresionit të NATO-s” dhe “Nderim viktimave të terrorit shqiptar – Šiptarskog terora”), shkoi dhe vuri një kurorë në shenjë nderimi. Veç i mungoi edhe kërkimfalja dhe gjithçka do të ishte në rregull. Me këtë rast nuk iu kujtuan ata një mijë e kusur shqiptarë ende të zhdukur; nuk iu kujtuan as njëzet mijë gratë e dhunuara; nuk iu kujtuan afër 12 mijë viktima civile të luftës; nuk iu kujtuan 800 mijë shqiptarë të dëbuar; e as i gjithë shkatërrimi që e përjetuam. Nuk iu kujtua që Serbia, me të cilën përherë u shpreh i gatshëm për të biseduar pa kushte, nuk kishte kërkuar falje për të gjitha të këqijat që na i bëri para dhe gjatë luftës.

Unifikues nuk mund të bëhet një njeri që fajin që e bën vetë për shkak të injorancës dhe arrogancës, tash t’ua hedhë 120 vetave që duhet ta votojnë ose jo një marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Unifikues nuk mund të jetë ai që fajin për hallakamën në të cilën e ka shndërruar këtë shtet ua lë opozitës dhe gazit lotsjellës. Unifikues nuk mund të jetë ai i cili copëtimin territorial të shtetit e argumenton me aspiratat tona euroatlantike.

Përfundimisht, unifikues nuk mund të jetë ai, i cili beson në fuqinë e pushtetit autokratik dhe ai i cili interesin e vetëm e sheh në mbajtjen e pushtetit të përjetshëm, pavarësisht çmimit që duhet ta paguajë populli.

Në fakt, në rolin e tij si kryetar, Thaçi pikërisht e dëshmon atë që e ka karakterizuar gjatë gjithë kohës sa e ka udhëhequr partinë e tij dhe Qeverinë në emër të saj: se mënyra më e mirë për t’u mbajtur në pushtet është që t’i përçajë që të gjithë. Dhe ashtu do të veprojë edhe gjatë, sepse ka marrë shumë shembuj nga mësuesi i tij.
Kështu do të jetë derisa ata që bashkëpunojnë me të, si LDK-ja, mos ta kuptojnë maksimën që siguron pushtet.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...